Dr. Petrit VARGU*: Mjekësia midis arrogancës dhe paditurisë

    401
    Sigal

    Zoti Beqaj, kreditet janë apo nuk janë serioze? Në vend të testimit, do të nevojitej një sondazh nga bluzat e bardha për punën tuaj

    Beqaj ndryshon pozicionin pas shuplakës që mori nga Gjykata Administrative për “shpikjen” e testimit të mjekëve. Në vend që të japë dorëheqjen, e kërkuar nga pjesa më e madhe e personelit mjekësor të revoltuar, çka do të ishte akt minimal demokratik, Ilir Beqaj del para publikut me një alibi të re, por edhe me një shantazh të dimensioneve shqetësuese ndaj bluzave të bardha. Beqaj del këtë radhë shumë i shqetësuar, lidhur sipas tij me mosplotësimin e krediteve nga një numër mjekësh dhe pamundësinë e certifikimit të tyre. Sipas tij, në total 63 % e mjekëve nuk i kanë përmbushur kërkesat e kreditimit të vendosura nga Bordi i Edukimit Profesional, kryetari i të cilit është vetë Beqaj.

    Në sulmin e tij të ri ndaj mjekëve, ministri po hiqet si viktimë e Gjykatës Administrative që po e pengoka të kryejë testimin e bluzave të bardha. Për kujtesë; kërkesën për testim, ministri i Shëndetësisë e parashtroi për të gjithë punonjësit, mjekë + infermierë, pavarësisht nëse i kishin marrë apo jo kreditet, me justifikimin që procesi i kreditimit ishte me të meta dhe pa garanci për kualifikimin. Në tentativën e re vërehen disa paradokse:

    1. Për 37 % të mjekëve, të cilët i kanë marrë kreditet, çuditërisht, ministri i Shëndetësisë e quan automatikisht të mirëqenë dhe nuk ka shqetësim për kualifikimin. Atëherë, lind pyetja: Përse donte t’i fuste në testim?

    2. Pyetja, përse tani ministri i Shëndetësisë përfshin në shifrën e mjekëve edhe ato në privat me kredite të paplotësuara, 42 % e të cilëve ishin përjashtuar nga testimi? Përse nuk shqetësohet për mjekët e huaj të cilët përbëjnë rrezik, nëse janë apo jo kompetentë? (Ata nuk japin provime testimi në vendet e tyre si Itali, Greqi, Turqi , Gjermani).

    3. Procesi i kreditimit i deritanishëm do të quhet serioz dhe do të merret si sistem referimi, apo jo? Ministri i Shëndetësisë duhet të ketë qëndrim të qartë.

    4. Mjekët që kanë mbaruar specializimin dhe nuk kanë mbuluar pesë vitet e punës, përse ministri i quan sikur nuk kanë plotësuar kreditit? Ata kanë akoma kohë. Apo ministri i radhës do të bëjë problemin me përmasa gjigante dhe të poshtërojë mjekët nëpërmjet përmasave të problemit?

    5. Përse futen këtu stomatologët që përbëjnë pjesën dërmuese, kur dihet që stomatologët punojnë në sistem privat dhe mjekët që punojnë në privat nuk llogariten dhe testohen sipas z. Beqaj, apo kjo bëhet që të paraqitet përpara popullit si një fenomen alarmant, ku ministria duhet të ndërhyjë, pasi fenomeni ka përmasa gjigante dhe vetëm testimi mund të krijojë kushtet e një përmirësimi të situatës në mjekësi, me një variant tjetër aq të dashur nga stafi ministror që reforma në shëndetësi nuk ecën pasi mjekët janë të pakualifikuar (?).

    Tentativa e ministrit Beqaj për të krijuar alibi me shëndetësinë, e rëndon edhe më shumë hendekun me bluzat e bardha me shpikjen e fundit të emergjencës që lançoi, por që vetëm thelloi mosbesimin tek personeli mjekësor ndaj drejtuesve aktualë të shëndetësisë. Ky është një akt i rëndë pa precedent në historinë e mjekësisë shqiptare dhe, jo vetëm, ku drejtuesi më i lartë i shëndetësisë në vend të ngrejë prestigjin e mjekëve, përfaqësues dhe ambasador i të cilëve duhej të ishte, ai vetë i difamon ato dhe kujtohet për t’i lavdëruar vetëm në ndonjë rast skandali të keqorganizimit në shëndetësi, që mund të prekë dhe atë vetë.

    Nga ana tjetër, bie në sy paaftësia për të analizuar dhe nxjerrë mësime nga bilanci 5-vjeçar i kualifikimit. Padyshim, ngritja e strukturës së kualifikimit ishte domosdoshmëri dhe është e kuptueshme që mund të ketë të meta, por faji nuk hidhet tek mjekët si individë, por mangësitë duhet t’i kërkojë tek vetvetja si kryetar i kësaj strukture, gjë që është e pamundur tek ky ministër. Sipas meje, fakti që mangësitë në kualifikim nuk kanë ndodhur në një grup mjekësh, institucion ose në një qytet dëshmon që kemi të bëjmë me një fenomen dhe jo me faj individual. Perceptimi i përgjegjësisë dhe hedhja e fajit personave individualë, fsheh përgjegjësinë institucionale të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ilir Beqaj ka patur 18 muaj kohë të identifikonte se çfarë i pengon profesionistët të marrin kredite, mungesë dëshire apo pamundësitë dhe vështirësitë që hasin për të arritur numrin e krediteve. Instanca, në këtë rast, Ministria e Shëndetësisë kontrollon, zbulon, mbështet dhe financon të gjithë këtë proces.

    Kërcënimi që i bën mjekëve ministri për t’i hequr licencën është pa bazë, pasi plotësimi ose mosplotësimi i kreditove, duke ditur mënyrën se si janë marrë, nuk përbën argument real për paaftësinë apo rrezikshmërinë e mjekëve ndaj pacientëve. Prandaj i them qytetarëve mos të jenë në panik pasi kanë eksperiencën mbi 100-vjeçare ku mjekët shqiptarë, kanë shërbyer me zotësi dhe sukses edhe pa u testuar dhe patur idenë se një ditë do të na dilte një ministër, qejfli koncesionesh, pa asnjë lidhje me mjekësinë që do të kishte sistem referimi testimin, vetë të diskretituar prej tij.

    Unë i them të gjithë pacientëve që testimi është një tentativë e mjerueshme për të justifikuar “operating oskur” të Ministrisë së Shëndetësisë dhe që është shpikur për këtë qëllim, por që nuk mund të realizojë dot, pasi sot ne jemi totalisht të bashkuar dhe me shumë më shumë dije se stafi jo meritokratik që udhëheq ministrinë dhe që është pranë ministrit Beqaj. Dhe deklarimi i pranimit pa komente i vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ, në vetvete ka një prapaskenë të rrezikshme. Ministri mund të tentojë të nxjerrë VKM të ndryshme, siç bëri gjashtë muaj më parë për ndryshimin e rregullores së arsimit të lartë, për ta paraqitur procesin para gjykatës si të ligjshëm. Sigurisht, ai do të haset me vendosmëri në argumentin dhe forcën e njerëzve të cilët mbajnë shëndetësinë gjallë.

    Së fundmi, i kujtoj edhe një fakt tjetër z. ministër: Më rezulton që z. Beqaj është punëdhënësi i përkohshëm i rreth 3700 punonjësve të shëndetësisë që punojnë në Institutin e Shëndetit Publik, Drejtoritë e Shëndetit Publik dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Ç’punë ka me ne ky njeri, xhanëm. Armata jonë ka kontratë dhe paguhet nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, drejtori i së cilës është Astrit Beci dhe deri më tani nuk ka thënë asnjë fjalë.

    Ndërhyrje të tilla paralele kemi vënë re, edhe në problematikat e Dekanatit, të specializimeve etj., të cilat nuk janë kompetencë e tij. Nuk është e rastësishme që në të gjitha sondazhet të bëra publike apo jo nga mediat, Ministri Beqaj del i radhitur ndër vendet e fundit si ministri më i dobët në qeverinë aktuale, ndërsa në sondazhet e bluzave të bardha del absolutisht i fundit, i shkëputur shumë nga një ministër tjetër që nuk kishte lidhje me shëndetësinë. Nëse doni z. Beqaj një sondazh të tillë, e organizojmë brenda javës vetëm për personelin mjekësor, në mënyrë që ta kuptoni dhe të bëheni i vetëdijshëm se sa bluzat e bardha kanë ndjesi për Ju dhe çfarë mendojnë për punën tuaj. Nëse doni, ne jemi gati ta provojmë.

    *QSU “Nënë Tereza” Tiranë