Dr. Naim Lusha: Lirimi i korsive të emergjencave shpëton jetë njerëzish

    406
    Sigal

    Flet Dr. Naim Lusha, Shefi i Urgjencës Mjekësore Tiranë: Së shpejti një shërbim më cilësor për qytetarët, falë një riorganizimi total të Urgjencës

    Zënia e korsive të emergjencave është një nga problematikat kryesore që hasin gjatë përditshmërisë së tyre punonjësit e Urgjencës Mjekësore në Tiranë. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf” dr. Naim Lusha, Shefi i Urgjencës Mjekësore Tiranë. “Trafiku na krijon një situatë shumë të vështirësuar, korsitë e emergjencave në shumë raste janë të bllokuara nga qytetarë të pandërgjegjshëm me mjetet e tyre. Ne kemi kërkuar ndihmën e Policisë së Rendit dhe asaj Rrugore, ata kanë ofruar bashkëpunimin e tyre, por kjo nuk mjafton, na duhet edhe bashkëpunimi i komunitetit” shprehet dr. Lusha. Gjithashtu ai kërkon nga qytetarët, të cilët marrin në telefon për situata shëndetësore jo emergjente “që të përdorin në mënyrë sa më efikase shërbimin e Urgjencës së Tiranës, sepse ndërkohë mund të ketë situata të tilla të rënda (vërtetë urgjenca serioze) që ne mund të mbetemi pa i dhënë ndihmën e parë”. Gjithashtu shefi i urgjencës Tiranë tregon se janë në fazën përfundimtare të nënshkrimit të një marrëveshjeje 5-vjeçare me Karitasin Italian për riorganizimin krejtësisht të Urgjencës së Tiranës, falë kontributit edhe të Drejtorit Ekzekutiv të ASHR-së z. Edmond Stojku.

     Z. Lusha, si qëndron e vërteta përsa i përket akuzave për vonesën e ambulancës në një aksident të ndodhur dje në Laprakë?

    Unë e përgënjeshtroj në mënyrë absolute këtë akuzë, sepse pas marrjes së njoftimit nga qendra e informacionit të Urgjencës së Tiranës më datë 20/05/2014, ora 08.06 minuta për një aksident me makinë pranë një karburanti në Laprakë, ekipi mjekësor është nisur menjëherë në orën 08.07 minuta për në adresën e dhënë. Rrugës për në vendngjarje, ekipi mjekësor është shoqëruar nga shërbimi i Policisë Rrugore Tiranë. Në vendin e ngjarjes është konstatuar nga ekipi i urgjencës mjekësore një person i seksit mashkull i moshës rreth 65 vjeç, i aksidentuar në rrugë, me dëmtime të rënda të kokës dhe hemorragji të shumtë (gjendje shoku traumatik- hemorragjik). Pasi i është dhënë ndihma e parë, pacienti është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak. Ndoshta mund të ketë pasur ndonjë vonesë për shkak të trafikut, e dhe pse jemi shoqëruar nga shërbimi i policisë rrugore në Tiranë, por kjo është e vërteta absolute e ngjarjes.

     Paraardhësi juaj gjithmonë ka shprehur problematika përsa i përket Urgjencës së Tiranës si në mungesën e ambulancave, shoferëve, stafit mjekësor, mungesën e autoambulancave në zonat më të banuara në periferi të Tiranës, etj.. Po ju si e reflektoni këtë situatë?

    Realisht, në dispozicion të shërbimit të Urgjencës Tiranë ndodhen rreth 12 ambulanca. Këto nuk janë të mjaftueshme, ne e kemi bërë prezente situatën dhe së shpejti kjo situatë do të gjejë zgjidhje, falë kontributit edhe të Drejtorit Ekzekutiv të ASHR-së z. Edmond Stojku. Urgjenca e Tiranës së bashku me ASHR-në është në fazën përfundimtare të nënshkrimit të një marrëveshjeje 5-vjeçare me Karitasin Italian, për riorganizimin krejtësisht të Urgjencës së Tiranës. Kjo marrëveshje parashikon shtimin e numrit të ambulancave, rikonstruksionin e këtyre që janë në dispozicion, trajnimin e personelit mjekësor, modernizimin e qendrës së informacionit të shërbimit të Urgjencës, si dhe do të kemi më shumë medikamente në dispozicion të shërbimit. Kështu që, besoj, falë këtij bashkëpunimi që së shpejti do të implementohet, do të kemi një shërbim më cilësor të Urgjencës së Tiranës.

     Por, ndërkohë, cilat janë problematikat që ju hasni në përditshmërinë tuaj? Po vështirësitë që hasin punonjësit tuaj?

    Unë mund të them se shumë qytetarë abuzojnë me telefonatat në sistemin e informacionit të Urgjencës së Tiranës. Marrin në telefon për një shqetësim të lehtë shëndetësor që kanë ato, pra nuk e vlerësojnë gjendjen shëndetësore të tyre në mënyrë sa më reale dhe nuk e përdorin me eficencë shërbimin e Urgjencës së Tiranës. Pra, gjendja e tyre shëndetësore nuk është aq e rëndë sa për të kërkuar shërbimin e Urgjencës së Tiranës. Për gjëra shumë të lehta; për një dhimbje koke, për një pagjumësi, për një temperaturë, për një neurozë, merret telefonata dhe dërgohet ekipi mjekësor. Abuzohet sikur i sëmuri është në gjendje të rëndë, sikur ka shqetësime hipertensive apo kardiake, por, kur shkohet në vendin e ngjarjes, situata është krejt e ndryshme. Në mendimin tim duhen sensibilizuar qytetarët që të përdorin në mënyrë sa më efikase shërbimin e Urgjencës së Tiranës, sepse ndërkohë mund të ketë situata të tilla të rënda (vërtetë urgjenca serioze) që ne mund të mbetemi pa i dhënë ndihmën e parë.

    Gjithashtu trafiku na krijon një situatë shumë të vështirësuar, korsitë e emergjencave në shumë raste janë të bllokuara nga qytetarë të pandërgjegjshëm me mjetet e tyre. Ne kemi kërkuar ndihmën e Policisë së Rendit dhe asaj Rrugore, ata na janë gjendur, kanë ofruar bashkëpunimin e tyre, por kjo nuk mjafton, na duhet edhe bashkëpunimi i komunitetit. Është shumë i rëndësishëm sensibilizimi i komunitetit që të mos bllokojë korsinë e autoambulancës, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish.

     Po përsa i përket ekipit mjekësor, a janë të mjaftueshëm?

    Tashmë, dihet që popullsia e Tiranës po shkon rreth 1 milion banorë dhe duhet të zgjerohet ekipi mjekësor, por më shumë duhet kualifikimi i tyre, pavarësisht se ekipi mjekësor ka përvojë në shërbimin e urgjencës dhe dhënien e ndihmës së parë. Gjithsesi  kërkohet edhe shtim i numrit të infermierëve dhe të mjekëve.

     Për të gjithë ata qytetarë që nuk e dinë numrin e Urgjencës, cili është numri që duhet ti drejtohen në raste emergjente?

    Numri i shërbimit të Urgjencës është 04/22 22 235 dhe nga ana tjetër mund të merret edhe nga shërbimi i Policisë së Rendit, 127.

     Nëse një qytetar, që ka nevojë për shërbimin e urgjencës, ndodhet në periferi të Tiranës, si rasti i Laprakës, për sa minuta i shkon ambulanca?

    Në kushte kur nuk kemi pengesa nga trafiku, për 3 minuta ne jemi në vendin e ngjarjes.