Dr. N/Kolonel Hekuran RAPAJ: Pronat e ushtrisë, pjesë e babëzisë së qeverisë në ikje

    547
    Sigal

    Intervistë/ Dr. N/Kolonel Hekuran RAPAJ: Ja zanafilla e tjetërsimit të Qendrës së Riparimit, Mirëmbajtjes së Teknikës të FA

    “Vendimet e njëpasnjëshme të Qeverisë në largim e sipër, për të transformuar, shitur, vjedhur, grabitur apo dhënien me qira të pronave dhe reparteve ushtarake, nuk janë rastësi, apo lajthitje, por një babëzi e organizuar hajdutërie. Asgjë nuk mund të lindë nga rastësia. Misioni i Qeverisë në largim ka qenë gjithçka pa prona dhe pronarë. Dhe ushtria nuk mundi t’i shpëtojë kësaj babëzie”, shprehet Dr. N/Kolonel Hekuran RAPAJ, në një intervistë për gazetën “Telegraf”. Ndërkohë që sipas Rapaj, nga e gjithë kjo babëzi nuk kishte si të shpëtonte dhe ushtria. Përpos gjithë skandaleve që kanë vijuar me pronat e ushtrisë, Dr. Rapaj veçon tjetërsimin që po i bëhet Qendrës së Riparimit, Mirëmbajtjes së Teknikës të FA (dhënies me qira të Qendrës së Mjeteve të Transportit). Rapaj tregon zanafillën e këtij tjetërsimi, atëherë kur ai kryente funksionin e Përgjegjësit të Sektorit të Transportit në Shtabin e Përgjithshëm të FA. Qëllimi për kthimin nga një repart në një ndërmarrje sh.a., apo emërimi i një drejtori civil( militant partie) në vend të komandantit (specialist profesionist) të asaj kohe, u kundërshtua fort nga Rapaj duke i dërguar dhe një relacion ministrit Imami, gjë që i kushtoi dhe vendin e punës. Rapaj thotë se me këtë ankand është prerë njëra nga këmbët e kolonës mbështetëse të Logjistikës, Transporti. “Sipas standardeve të NATO-s, shërbimi i mbështetjes logjistike në FA mbështetet kryesisht në tre kolona kryesorë: Transport-Furnizim-Mirëmbajtje. Cënimi i njërës, do të thotë që dy të tjerat nuk funksionojnë” shprehet Rapaj.

    Z.Rapaj, si i gjykoni këto vendimet e fundit të qeverisë për shitjen, dhënien me qira, apo ndryshimin e destinacionit të pronave të ushtrisë?

    Tendenca dhe misioni e kësaj qeverie, që në fillimet e ekzistencës së saj ka qenë dhe mbetet deri në vdekjen e saj: Ndërtimi kapitalizmit dhe demokracisë në Shqipëri në luftë frontale kundër pronës private, pronarëve të çdo lloji. Vini re e nderuar gazetare: Kush e ka marrë pronën e ligjshme për 20 vjet, pronën e vet që i takon me ligj? Kujt nga pronarët, qofshin këta privatë apo shtetërorë nuk i është transformuar, mbivendosur apo tjetërsuar prona e tij? Pothuajse të gjithëve, duke ndërtuar Shqipërinë “demokratike” pa pronarë të ligjshëm. Ministria e Mbrojtjes ngeli e fundit në zinxhirin e kësaj babëzie. Pasi u zhdukën pronarët e ligjshëm, pasi u shkatërruan ekonomia dhe industria e lehtë dhe ushqimore, duke i kthyer ato në magazina me shumicë vetëm për të përkëdhelurit e pushtetit, pasi tjetërsuan kampet dhe shtëpitë e pushimit, etj., etj., iu kthyen në largim pronave të ushtrisë.

    Pronat e ushtrisë a kanë pronarë?

    Pronat e ushtrisë, në përgjithësi dhe në pjesën më të madhe, janë troje dhe prona pa pronarë. Ato kanë qenë prona shtetërore ose pronarët e vjetër, të cilët janë shumë të paktë, janë dëmshpërblyer edhe nga regjimi i Enver Hoxhës. Këtë realitet e vërteton fakti, po të shikohen me vëmendje regjistrat se kush i ka patur, kush i ka marrë, apo kush ka grabitur territore të tyre, që janë kryesisht politikanë apo njerëz  të afërm të tyre, të veshur me pushtet. Pronat e ushtrisë janë pjesë e ushtrisë. Ushtarakët shqiptarë i kanë mbrojtur ato me djersë e sakrifica të panumërta, bile që në kohën e Mbretit Zog, por dhe me gjakun e tyre, në mjaft momente që është kërkuar kjo sakrificë. Ato janë pronë e Forcave të Armatosura, dhe të tilla në funksion të saj duhet të mbeten.

    Kur flisni për pronat e Forcave të Armatosura, në fakt cilave u referoheni?

    Nuk e kam fjalën vetëm për Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, që me djallëzinë e përvetësimit i ndryshuan emrin; nga Shtëpi-që ka një kuptim të madh brenda misionit të saj–në Qendër, duke e nxjerrë gradualisht jashtë funksionit themelor edhe pse janë punësuar atje rreth 100 militantë partie. E kam fjalën momentalisht për një tjetër shkelje, që ka të bëjë me Qendrën e Riparimit, Mirëmbajtjes së Teknikës të FA. Sipas njoftimit që jep Ministria e Ekonomisë (nëpërmjet shtypit të përditshëm), thuhet se janë dhënë me qira objekte nga kjo Qendër, subjekteve private që nuk kanë lidhje me ushtrinë.

    Duket se keni një lidhje të veçantë me këtë Qendër. Çfarë mund të na thoni më shumë? A ka një zanafillë e gjithë kjo?

    Zanafillën e ka në fillim të vitit 2011, kur ky repart ushtarak ka qenë Qendra e Riparimit të Nivelit III-IV-ët të Pajisjeve Tokësore në FA. Me një urdhër të posaçëm të Ministrit Mbrojtjes, Arben Imami, u krijua një grup pune, i përbërë kryesisht nga drejtorë civilë të stafit ministrit, ndërsa si ushtarakë isha vetëm unë (në atë kohë me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Transportit në Shtabin e Përgjithshëm të FA), për kryerjen e studimit: “Për rritjen e efektivitetit të Qendrës të Riparimit të Nivelit të III-të dhe të IV-t të Pajisjeve Tokësore”. Qëllimi doli i qartë më vonë. Nuk qe punë studimi, por që ky repart të tjetërsohej dhe të kthehej në një ndërmarrje sh.a., së bashku me territorin e ish-uzinës së tankeve, me një sipërfaqe prej 50,096 m², të hiqej komandanti i këtij reparti, një specialist profesionist i kësaj fushe dhe të vendosej një drejtor civil, militant partie, me profesion gjeolog,-pra drejtor civil në një repart ushtarak nuk ka shembull të tillë në asnjë ushtri profesioniste. Atëherë, në kundërshtim me pjesën civile të grupit të punës, i kam dërguar një relacion të veçantë Ministrit të Mbrojtjes, duke vënë në dijeni edhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe.

    Pse ky kundërshtim?

    Po sipas standardeve të NATO-s, shërbimi i mbështetjes logjistike në FA mbështetet kryesisht në tre kolona kryesorë dhe të fuqishme, që janë pjesë të pandara në realizimin e Misionit të mbështetjes logjistike. Ato janë: Transport-Furnizim-Mirëmbajtje. Cënimi i njërës, do të thotë që dy të tjerat nuk funksionojnë.

    Çfarë ndodhi më pas?

    Pavarësisht nga kjo, doli një urdhër i Ministrit të Mbrojtjes, pa e pyetur Shtabin e Përgjithshëm të FA, i cili u kundërshtua tërësisht nga ne dhe nga Gjeneral Xhemal Gjunkshi, (në atë kohë Komandant i Brigadës Logjistike), nga ku dhe varej kjo strukturë. U anulua ky urdhër. U krijua një grup tjetër pune, ku përsëri bëja pjesë dhe unë, por pas 20 ditësh dola në lirim. Atëherë mora vesh se pavarësisht nga sa bëmë, qëllimi ishte realizuar, drejtor u vendos gjeologu. Qëllimi ishte që të arrihej lehtë deri këtu.

    Ministria e Ekonomisë ka njoftuar dhënien me qira të qendrës së mjeteve të transportit. Çfarë të keqe shikoni ju te dhënia me qira e objekteve ushtarake, kur mund të merren përfitime që do të përdoren nga vetë Forcat e Armatosura?

    Jo, nuk ka gjë të keqe të jepen objekte me qira në mbështetje dhe në ndihmë të ekonomisë së ushtrisë nga të ardhurat që merren, siç mund të jenë klubet apo restorantet. Por vetëm kaq. Kjo Qendër e Riparimit, Mirëmbajtjes së Teknikës të FA, mbi të gjitha është një repart i mirëfilltë ushtarak, me një emër dhe numër të koduar e të specifikuar, që ka një strukturë ushtarake të armatosur që e ruan dhe e mirëmban. Sipas rëndësisë dhe misionit që kanë repartet ushtarake, kanë dhe certifikatën e tyre të sigurisë, certifikatë e cila kufizon hyrjet dhe daljet e personave të jashtëm jashtë strukturave të saj. Këto dhe qëllimi i keq, për ta tjetërsuar, siç kanë vepruar dalëngadalë mbi këtë objekt dhe truall, është jo vetëm shqetësim, por dhe prishje e standardeve të NATO-s, duke i prerë një nga këmbët kolonës mbështetëse të Logjistikës. Dhe ky veprim bëhet i nxituar në minutat e fundit të dhënies shpirt të kësaj qeverisjeje, pa transparencën e Shtabit të Përgjithshëm të FA.

    Po akuzoni për mungesë transparence Shtabin e Përgjithshëm të FA?

    Nuk kam asgjë me ushtarakët e strukturave të Shtabit të Përgjithshëm të FA, as me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Unë e di se me çfarë stresi punojnë ata nën presionin politik. Por, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, jo vetëm për këtë fakt, por për të gjitha pronat e ushtrisë, si dhe për heqjen e ushqimeve për ushtarakët, të prononcohet hapur dhe drejtpërdrejtë, për të mos lejuar më hamendësime për komente jo të drejta nga të gjitha palët. Repartet e ushtrisë ruhen me roje të armatosura. Po nuk deshi Shtabi i Përgjithshëm i FA, as miza nuk ka mundësi të futet në sinoret e ushtrisë. Po kështu, presim edhe fjalën e Presidentit të Republikës, nën cilësinë kushtetuese të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Ka një aksiomë në shkencat politike. Qeveria ka për detyrë të luftojë korrupsionin  dhe krimin e organizuar. Por, kur ajo bëhet pjesë, rekruton dhe stimulon të korruptuarit, atëherë bëhet një gangrenë e madhe për shoqërinë. Ata ta kuptojnë mirë notën që u vendosi populli shqiptar më 23 qershor.

    Imami tjetërson Qendrën e Mjeteve të Transportit

    Ministria e Ekonomisë ka njoftuar dhënie me qira të objekteve të ushtrisë. Imami po tjetërson edhe Qendrën e Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit në Tiranë. “Në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe VKM nr. 529, datë 08. 6.2011 «Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore» i ndryshuar, njoftojmë: 1. Fillimin e procedurave për dhënien me qira, me konkurrim të objektit: “Godina njëkatëshe, pjesa A”, me sipërfaqe 524 m2, prej nga 218 m2 janë sipërfaqe nen objekt dhe 306 m2 janë sipërfaqe funksionale, njësi në administrim të “Qendrës së Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit”, Tiranë. Qëllimi i përdorimit të objektit do të jetë ofrimi i shërbimeve të ndryshme. Çmimi dysheme për fillimin e konkurrimit është 62.000 lekë/muaj. Afati i dhënies me qira të këtij objekti është 20 (njëzet) vjet”, thuhet në vendim.