Dr. N/Kolonel Hekuran A. RAPAJ: “Sistemi i pavlerë, qeveria tallet me ushtarakët”

    384
    Sigal

    Intervistë/ Flet Dr. N/Kolonel Hekuran A. RAPAJ për Sistemin e Automatizuar të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes

    Futja në strukturat e NATO-s, lindi një produkt të rëndësishëm, që lidhet me domosdoshmërinë e profesionalizmit në FA. Ky produkt është koncepti i menaxhimit dhe vendosjes së personelit sipas vendeve dhe qëllimeve, të detyrave dhe misioneve. “Evolucioni i metodave profesionale, pavarësisht nga propaganda e sistemeve të hartuara në letër apo parave të hedhura, shtron detyrën e shmangies së korrupsionit në gradime, kualifikime apo në emërimet e personelit” shprehet në një intervistë për “Telegraf”, Dr. N/Kolonel Hekuran A. RAPAJ. Sistemi i Automatizuar i Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes dhe problematikat e tij, janë në qendër të kësaj interviste.

    Z.Rapaj, ç’mund të na thoni për Sistemin e Automatizuar të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes, që sipas zv/ministres së Mbrojtjes, është një arritje?  

    Sistemi i Automatizuar i Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes është një domosdoshmëri në përmbushjen e standardeve të NATO-s, por është një investim i vonuar. I vonuar, sepse duhej të ishte realizuar si një standard i domosdoshëm i futjes së ushtrisë shqiptare në strukturat Euroantlantike, që në momentet që ne kemi qenë  dhe punuar në PfP, pra në strukturat ushtarake kandidate për t’u integruar në NATO. Zëvendësministria e re e Mbrojtjes, Arta Musaraj, ka theksuar me të drejtë, që ky investim plotëson një boshllëk të madh, të munguar të standardeve të NATO-s, e kryesisht në atë të menaxhimit të burimeve të mbrojtjes. Le të ndalemi pak. Të gjitha vendet e NATO-s që janë tashmë anëtare të kësaj organizate të madhe të sigurisë kolektive ndërkombëtare, e kanë siguruar këtë standard. Të saktësojmë edhe mendimin e zëvendësministres së Mbrojtjes që e përkufizon sistemin e bërë si menaxhim të burimeve të mbrojtjes. Termi “burime të mbrojtjes” është mjaft i gjerë e kompleks, ku përfshihen tërë asetet dhe pajisjet në FA, luftarake, të mbështetjes logjistike, mjekësore, të përgatitjes, arsimimit, stërvitjes, etj. Vendin kryesor këtu e zënë burimet e personelit, që është më kryesori. Por?

    Çfarë?

    Zëvendësministria e Mbrojtjes lexon se komponentët njerëzorë sigurojnë një eficencë dhe efektivitet të dukshëm dhe afatet gjatë zhvillimit dhe administrimit të këtyre burimeve. Le të qëndrojmë në disa momente në lidhje me efektet e planizimit të funksionimit të këtij sistemi. Së pari, saktësimin e gjendjes së personelit të njësive dhe reparteve të FA, sipas përshkrimit organik; Së dyti, atyre të komanduara në detyrë; Së treti, gjendjen e të dhënave të ish-ushtarakëve që kanë punuar e kontribuar në FA; Së katërti, gjendjen e parashikuar të personelit në FA, për dalje në lirim, futjen në punë të kontigjenteve të reja oficerë, apo ushtarë profesionistë, gradimet, përgatitjen, stërvitjet, arsimimin, etj. Kjo është e rëndësishme, që deri tani kjo punë është ende në hapat e para, për të mos thënë në embrion, në qelizë. Këtë duhej të kishte theksuar më qartë zonja zëvendësministre, si misionin kryesor të këtij investimi. Sepse, është punuar dhe janë hedhur të dhënat e ish-ushtarakëve. Një hap pozitiv. Por asnjë ushtarak nuk ka mundësinë e aksesit që të ballafaqohet  me çka i kanë hedhur atij. Shpresojmë që të arrihet.

    Pse të shpresojmë? Mos ndoshta duke qenë se të dhënat nuk janë të aksesueshme, mund të ketë problematika në to?

    Po jua shpjegoj. Të dhënat e personelit ushtarak aktual në përbërjen e FA, që është dhe më e rëndësishmja, janë të përgjysmuara ose të hedhura në mënyrë të sipërfaqshme. Nuk dua aspak të hedh poshtë punën e mundimshme të operatorëve që kanë punuar  e punojnë për hedhjen e të dhënave përkatëse, por gjendja reale tregon se të dhënat e ushtarakëve hidhen mekanikisht, pa verifikime të saktë të burimeve të tyre, që duhet të vijnë nga origjina e lindjes së këtyre të dhënave në sektorët përkatës të personelit të njësive dhe reparteve, në SHP të FA e deri tek Qendra e Menaxhimit të këtyre burimeve. Këtë e themi nisur nga praktikat reale të cilat nuk i kanë shërbyer fare pozitivisht menaxhimit të vlerave e burimeve të personelit. Për shembull, marrim rastin e gradimeve. Merren gradat me vendime të Komisionit të Gradimeve plotësisht të politizuara, ku të dhënat e atyre që marrin gradat, majorë, kolonelë apo dhe gjeneralë, nuk përputhen me të dhënat e hedhura në këtë program, ballafaquar dhe me ata që nuk kanë marrë gradën. Pra, grada nuk është fituar me konkurrim të barabartë e të ndershëm, si rrjedhojë sistemi nuk ka funksionuar, është deformuar.

    Që do të thotë?

    Që do të thotë, se të dhënat e atyre që e meritojnë për gradë dhe që ua jep sistemi i menaxhimit të burimeve njerëzore, nuk ua jep politika, ministri, komisioni i politizuar i gradimeve, sepse sistemi ndoshta ua ka fshirë ato. Ua ka fshirë dhe Komisioni i Gradimeve. S’ka më besueshmëri në një sistem të tillë, përderisa ushtarakëve që konkurrojnë, u kërkojnë plotësimin personal të dosjeve të tyre për t’i paraqitur pranë komisionit, kur të dhënat duhet të shkojnë tek komisioni i gradimeve nëpërmjet këtij sistemi dhe jo personalisht. Atëherë, pse është bërë ky sistem dhe ky investim?

    Pse ndodh kjo sipas jush?

    Kjo ndodh, sepse komisioni ia kërkon këtë për ta futur lehtësisht në dosje për t’i dhënë në mënyrë të pandershme gradën, apo një detyrë. Pra, ky sistem nuk saktëson, të paktën në praktikë, burimin e origjinës dhe vazhdimin deri në përfundim të këtij kualifikimi, të një dëshmie e certifikate, duke filluar që nga kërkesa individuale, miratimi i eprorit të tij, shkresa dhe miratimi i komandantit të njësisë, dërgimi në SHP të FA dhe miratimi i saj, deri tek urdhri i Ministrit të Mbrojtjes dhe regjistrimi me protokoll i dëshmisë përkatëse së bashku me komisionin që ia ka dhënë. Kjo është anomalia më e madhe, një arritje e zezë e tregtisë së lemerishme të gradimeve në FA. Tjetër moment është dhe mos përputhja e gradës më funksionin, që do të thotë që vendi i punës e ka oficer logjistike, inxhinier, transport, ekonomist, jurist, në atë vend rri në punë një artilier, kur s’kemi asnjë grykë artileri të cilat janë bërë të gjitha skrap, apo një këmbësor, kimist, zbulues etj. Ka dhe ushtarakë që rrinë 6-8 vjet në një detyrë pa lëvizur.

    Po, a e lejon këtë sistemi?

    Sistemi nuk e lejon këtë arsye e ndoshta po ka mbaruar plotësisht siç thotë zëvendësministria e Mbrojtjes,  jep dhe alarmin, por ky sistem aktualisht është graduar dhe programuar të funksionojë e të punojë në mënyrë të pandërprerë, kryesisht për ushtarakët që janë me origjinë nga Tropoja, Kukësi e Dibra. Këto janë çudirat e sistemit të përfunduar. Ka ushtarakë që shkojnë në shkollë e përgatiten për të marrë gradat, kur sistemi ua ka saktësuar vitet që nuk duhet të shkojnë, e sipas korruptimit të mëpastajshëm, ose i nxjerrin në lirim nga shkolla, ose i mbajnë deri sa prapë në përfundim të shkollës i largojnë. Ushtarakë të tjerë që hiqen pa të drejtë nga puna, kur rregulli e sistemi nuk e tregon një diçka të tillë, i bëjnë presion dhe pas disa muajsh e marrin përsëri në punë. Kuptohet, tani sistemi i automatizuar “funksionoi” në rregull, pasi piu një “dopio raki” ministri i Mbrojtjes. Pra, ky sistem i automatizuar nuk funksionon për të gjithë ushtarakët një lloj. Më tej. Në këtë sistem nuk hidhen të dhënat e Shërbimit Informativ Ushtarak, të Policisë Ushtarake, masat disiplinore të komandave përkatëse, apo të strukturave të ndryshme të inteligjencës. Ka patur dhe raste që ushtarakë të përfolur për veprime dhe korrupsione të ndryshme, me informacione të këtyre institucioneve, kanë marrë gradime apo kualifikime. Saktësimi i problemeve në këtë sistem është shumë domethënës dhe jo arritje. Arritje quhet kur ky sistem, sipas parave të hedhura, funksionon njëlloj si në Gjermani apo si në Kroaci.

    Sistemi i automatizuar, Musaraj: Përmbushet një standard i NATO-s

    Zëvendës ministrja e Mbrojtjes, Arta Musaraj në përfundim të mandatit, ka bërë publik, një arritje të këtij institucioni, siç e quajti ajo “sistemin e automatizuar të menaxhimit të burimeve të mbrojtjes”. Sipas saj, me këtë sistem përmbushet një nga standardet më të rëndësishme të NATO-s. “Krahas arritjeve të tjera të dukshme në fushën e reformave të mbrojtjes, kjo shënon edhe një trashëgimi me vlerë në asetet e mbrojtjes shqiptare, duke përmbushur kësisoj një nga standardet më të rëndësishme të NATO-s, për sa i takon automatizimit dhe centralizimit të burimeve të mbrojtjes. Ky është një sistem i integruar, i cili projekton dhe administron komponentët e burimeve të mbrojtjes, si ato materiale, ashtu edhe ato njerëzore, duke siguruar eficencë dhe efektivitet të dukshëm dhe afatgjatë të zhvillimit dhe administrimit të këtyre burimeve”, tha ajo.