Dr. Michael Schmidt-Neke:Ja mendimi politik i albanologut të shquar Johann Georg von Hahn-it

    128

    INTERVISTA/ Flet albanologu Dr. Michael Schmidt-Neke: Të metat e shumta shoqërore e politike, të cilat e karakterizuan Perandorinë Osmane

     Veprimtaria e Johann Georg von Hahn-it u dallua nga roli i tij të dyfishtë si diplomat dhe si shkencëtar. Pozita e tij si konsull jo vetëm i siguronte kushtet e jetesës dhe mjetet financiare për studimet shkencore, por i përcaktonte detyrat e tij si përfaqësues i Austrisë në trojet e një shteti të huaj dhe e kufizonte lirinë e tij vetjake të shprehte haptazi mendimet e tij për situatën politike e shoqërore dhe për pikëpamjet e vet politike.

     -Thuhet se Johann Georg von Hahn ka pasur shumë kufizime. Nga vinin këto kufizime?

    Natyrisht ka pasur. Me gjithë këto kufizime mund të bëjmë përpjekje të filtrojmë disa aspekte të mendimit politik të Hahn-it si nga botimet e tij, ashtu edhe nga disa materiale të botuara në biografinë shembullore e Hahn-it nga i ndjeri Gerhard Grimm. Hahn-i ishte pinjoll i një familjeje borgjeze e cila u ngrit në fisnikërinë trashëgimtare dhe u quajt “von Hahn“. Vitet e shkollës i kaloi në kohën e entuziazmit filohelen, por duket se nuk u ndikua fare nga tendencat demokratike, republikane dhe filohelene, kurse vitet e studimeve për drejtësi në Giessen dhe në Heidelberg, zakonisht faza më formuese për bindjet e pikëpamjet, nuk janë dokumentuar aq mirë, sa të na japin një pamje të plotë të zhvillimit intelektual të Hahn-it. Duket se ishte fokusuar rreptësisht në studimet e tij. Përveç lëndës së tij (drejtësisë) kishte interes për kulturën e lashtë, por duket se jo për Greqinë moderne. Një sjellje e tillë ka qenë e përhapur dhe shumë e tipike për bijtë e familjeve të cilët nuk ishin pjesë e elitave klasike, por ishin ngritur me sukses në shkallën sociale falë aftësive dhe punës. Prindërit ushtronin presion mbi bijtë e tyre që ata të vazhdonin suksesin familjar dhe të hiqnin dorë nga çdo veprimtari që mund ta rrezikonte këtë qëllim.

     -Si rrodhi jeta e Hahn pas mbrojtjes së doktoraturës?

    Pas doktoratës Hahn-i kërkoi një vend pune te kancelari austriak, princi Metternich, por pa sukses; gatishmëria për të pranuar një funksion zyrtar në shërbim të protagonistit të restaurimit tregon qartë se Hahn-i nuk kishte bindje të forta progresive. Pas një takimi me mbretin bavarez Ludwig I u ftua të merrte pjesë në ndërtimin e administratës bavareze në Greqi. Mbreti 17-vjeçar i shtetit të porsakrijuar grek ishte i biri i Ludwigut, Otto.

    Hahn-i punoi si gjykatës ne disa qytete greke, e ku pati rastin të mësonte greqishten moderne dhe të merrej edhe me çështje jo juridike. Hahn-i hartoi një studim për bujqësinë në Greqi (i cili mbeti i pabotuar), një dëshmi e qëndrimit e tij më realist se ai i filohelenëve, të cilët kërkonin një ringjallje të Greqisë së lashtë, siç e kishin mësuar në gjimnaz, por i vuri në jetë njohuritë e tij, kur bleu një çiflig afër Kalkidës (Chalkis) me trashëgimin e atit të tij. Ndryshe nga interesat në universitet, ai nuk mbeti i magjepsur nga gërmadhat e lashta, por tani u interesua më shumë për mbeturinat e konflikteve më aktuale.

     -Hahn dhe qëndrimi në kryerjen e detyrës?

    Në kryerjen e detyrës Hahn-i mbante një qëndrim autoritar si gati të gjithë nëpunësit bavarezë. Vlerësoi zellin e besnikërinë e fshatarëve të krahinës, të cilët u bindeshin urdhrave të gjykatës.

    Rrëzimi i regjimit bavarez në Greqi në shtator 1843 i ndërpreu karrierën e parë; u hoq nga shërbimi shtetëror i Greqisë. Rekomandime të shumta ia hapnin rrugën Hahn-it në shërbimin konsullor austriak. Protektori i tij, konti Philipp von Hessen-Homburg, vlerësoi sidomos “mënyrën e tij të të menduarit veçse e lavdishme”. Kjo vlen sigurisht edhe si një dëshmi tjetër se Hahn-i nuk kishte asnjë lidhje me rrymat demokratike të epokës.

    Pas emërimit si konsull në Janinë, ai mori urdhrin e detyrës nga i dërguari i posaçëm austriak, Anton von Prokesch-Osten. Sipas këtij urdhri, veç mbledhjes së informacioneve të gjithanshme (posaçërisht për trazirat në Shqipëri) konsulli duhej të ushtronte ndikimin e vet në favor të besnikërisë e të bindjes të nënshtetasve ndaj urdhrave të Sulltanit. Në vitin 1851 u transferua si konsull në stacionin e fundit të karrierës së tij zyrtare, në ishullin Sira të Egjeut, d.m.th. larg mjedisit shqiptar, ku gjeti kohën të shkruante veprat e tij. Në vitin 1868 perandori e ngriti Hahn-in në kalorësinë e Perandorisë Austriake, por vdiq në vitin 1869 në moshën vetëm 58-vjeçare.

     -Çfarë e veçonte Hahn në punën e tij?

    Hahn-i ishte dhe mbeti larg rrymave të forta politike të epokës së tij, edhe liberalizmit edhe nacionalizmit. Nuk ishte ithtar i idesë të bashkimit shtetëror të trojeve gjermanishtfolëse, por edhe nuk ishte partikularist; gjatë gjithë jetës nuk kishte asnjë problem që të ndërronte nënshtetësinë disa herë: kishte lindur si nënshtetas i Homburgut, pastaj u bë nëpunës i Mbretërisë së Bavarisë; dështoi me kërkesën e nënshtetësisë prusiane dhe kaloi fazën e fundit të jetës si austriak. Megjithatë ai favorizonte krijimin e vetëdijes kombëtare te fëmijët. Kundër përpjekjeve mjaft moderne të një zyrtari osman që t’u mësonte fëmijëve të vet sa më shumë gjuhë të huaja, sepse në moshën shumë e re mësimi i gjuhëve është më e lehtë sesa në moshën përparuar, Hahn-i e vështronte gjuhën si “tërësinë e formave të mendimit të një populli, të fiksuar fonetikisht dhe të sistematizuar organikisht”, pra fëmija i rritur me shumë gjuhë nuk do të gjejë formën e vet e mendimit. Kombi për të nuk ishte një çështje politike, por çështje e vetëdijes.

     -Si i njihte Hahn të metat e shumta shoqërore e politike të Perandorisë Osmane?

    Hahn-i njihte nga afër të metat e shumta shoqërore e politike të cilat e karakterizuan Perandorinë Osmane një gjysmë shekull para shpërbërjes përfundimtare. Megjithatë ai nuk favorizoi një politikë reformash thelbësore. Sipas tij, Turqia ishte në një fazë kalimtare midis mesjetës dhe kohës së re. Kusarinë e krahasoi me kalorësit cuba të Gjermanisë në shekujt XIV-XVI. Modernizimi i Turqisë do të kërkonte shekuj me radhë; shtetet moderne të Evropës Perëndimore ishin rezultat i evolucioneve të ngadalta. Përpjekjet e “teoricienëve reformiste” do ta shkatërronin aparatin e vjetër, pa u zëvendësuar me një aparat të ri.

    Hahn-i ishte antiliberal dhe ithtar i monarkive të forta, në çdo vend. Në raportet e tij për konfliktet politike në Greqi, tregonte simpatinë e vet për forcat besnike ndaj mbretit. Raporton se mbreti nuk u kritikua për mungesën e demokracisë, por për regjimin kushtetues, sipas të cilit qytetarët ishin detyruar të votonin për deputetët, të cilët vetëm harxhonin paratë e taksapaguesve.

    Edhe karakterizimi i Ali Pashë Tepelenës nga Hahn-i është më i butë dhe më i diferencuar se tek shumica dërrmuese e autorëve të kohës, të cilët e vizatojnë me ngjyra sa më të errëta. Nuk hesht për mizorinë dhe dinakërinë e Aliut, por dorën e hekurt e tij e sheh si faktor stabilizues në Shqipëri: “Aliu e mbylli epokën e së drejtës së grushtit në këtë vend, duke e bashkuar nën grushtin e vet e duke thyer pushtetin e prijësve vendorë … Mund të thuhet se vetëm Ali Pasha e pushtoi Shqipërinë për Portën e Lartë dhe u bë themeluesi i mirëfilltë i kësaj province, e cila vetëm prej tij u formua si njësi e fortë”. Tipari i ndarjes shoqërore midis “partive” në kuptim të ithtarëve të burrave të fortë (bajraktarë, bejlerë, udhëheqës ushtarakë), jo të simpatizantëve të ndonjë ideje politike, sipas Hahn-it ishte shprehje e prapambetjes së Shqipërisë e të Perandorisë Osmane, të cilat akoma kishin mbetur në një faze zhvillimi që vendet e Evropës perëndimore e qendrore e kishin kaluar prej shekujsh; edhe Shqipëria po kishte hyrë në një fazë kalimtare.

     -Po të flasim për simpatitë fetare të tij?

    Simpatia fetare e Hahn-it u përkiste të krishterëve. Referon në mënyrë të distancuar arsyet për kalimin e fshatrave të krishtera në islam dhe admiron veprimtarinë vetëmohuese të misionarëve katolikë në Malësi, e cila ia kishte prerë rrugën dyndjes së islamit. Ai përshkruan terrorizimin e të krishterëve në Elbasan gjatë një periudhë të shkurtër, kur si pasojë e reformave autoritetet turke luftuan me njëri-tjetrin duke krijuar një vakuum pushteti. Duket se nuk ishte infektuar nga antisemitizmi; p.sh. përmend se pjesa më e madhe e fshatit Izvor afër Velesit ishte pronë e një bankieri hebre – “një provë faktike se hebrenjtë në Perandorinë turke nuk janë përjashtuar nga pronësimi i tokës”; Hahn-i nuk e denoncon këtë barazi para ligjit.

    Toleranca dhe hapja e mendimit për ide të huaja dhe kushte të pazakonta ishin sipas Hahn-it rezultati i një kulture më të lartë sesa ajo në Shqipëri, ku konstatoi se martesat lidheshin vetëm brenda grupit të vet kombëtar, krahinor, fetar e social.

    Ai regjistroi primitivitetin e bujqësisë në Shqipëri (si vend krejt agrar) dhe pengesat subjektive të reformave të kësaj mënyrë tradicionale prodhimi; kurbeti mbetej strategjia e njerëzve për të përballuar mangësitë e sistemit. Vetëm nën trysninë e nevojës e të urisë shqiptarët do të ishin gati për ndryshime rrënjësore. Në të kaluarën burrat që shkonin si mercenarë “arnautë” në provincat e tjera të Perandorisë, fitonin mjaft para me plaçkitje, duke siguruar një farë mirëqenie pas kthimit në atdhe, por reformat e Tanzimatit me vendosjen e një ushtrie të rregullt ia dhanë fund kësaj praktike. Pra, shqiptarët myslimanë bënin një qëndresë të fortë ndaj këtyre reformave, dhe për këtë arsye kryengritjet ishin kufizuar në krahinat myslimane të vendit. Vetëm pas shpartallimit të jeniçerëve Perandoria Osmane u bë një monarki e mirëfilltë absolute.

    Qëndrimi i Hahn-it ndaj lëvizjeve të shumta kryengritëse të kësaj epokë doemos ishte refuzues, sepse në mendimin e tij nuk kishte vend për rezistencë ndaj autoriteteve, pikërisht nëse ishin pa asnjë justifikim të pranueshëm.

     -Hahn dhe reforma monetare osmane?

    Hahn-i kritikoi reformën monetare osmane, e cila synonte stabilizimin e groshit, duke ndaluar përdorimin e monedhave të huaja që qarkullonin në gjithë perandorinë. Nënshtetasit u detyruan t’i këmbenin ato dhe monedhat e vjetra turke prej argjendi dhe ari me monedhat e reja, por me një kurs shumë të ulët. Rezultati ishte ndërprerja e tregtisë. Ai rekomandoi që Austria të bënte trysni ndaj Portës së Lartë për të rilegalizuar përdorimin e monedhave të mira; njëkohësisht këshilloi që debati rreth krijimit të një monedhë të përbashkët për të gjithë shtetet gjermane të merrte parasysh krijimin e një standardi të përbashkët me Turqinë, duke lehtësuar në këtë mënyrë përdorimin e kësaj valute gjermanë në tregun turk, pra dominimin e ekonomisë turke nga Austria. Hahn-i konstatonte se zbatimi i reformave të Tanzimatit në Shqipërinë jugore ishte i ndryshëm nga veriu, ku edhe gratë edhe djemtë e vegjël mbanin armë, ku nuk u zbatua shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe ku kishte mbetur sistemi i vjetër i taksave. Hahn-i kishte njëfarë simpatie për këtë jetë tradicionale e të lirë. Në vitin 1862 përgatiti dy memorandume për ministrin e jashtëm. Në të parin, për çështjen lindore, nga këndvështrimi austriak ai thekson se statu-quo-ja e Perandorisë Osmane është në interesin e vetë Perandorisë së Austrisë. Të dyja shtetet janë themeluar në baza historike, jo në baza etnike; ata janë fqinjë, në zonën e përbashkët kufitare banojnë të njëjtët popuj. Por shtrohet pyetja a do të jetë e mundur të ruhet kjo statu-quo në të ardhmen. Reformat në Turqi kanë prerë ndikimin e të tre kryefaktorëve të pushtetit të myslimanëve: të jeniçerëve, të ulemave e të timariotëve. Rrëzimi i tyre në favor të plotfuqisë së sulltanit rezultoi në uljen e ndikimit të elementit mysliman dhe në ngritjen e ndikimit të të krishterëve në Ballkan në sferën politike, shoqërore e ekonomike. Kur të krishterët ta kuptojnë se janë në gjendje të çlirohen nga sundimit turk, do të veprojnë për këtë qëllim, edhe kur tani për tani Perandoria Osmane është akoma e aftë të mbrojë veten.

     -Cilat ishin (janë) alternativat?

    Mundësia më e mirë në interesin e Vjenës do të ishte konvertimi i Sulltanit nga islami në katolicizmin a në ortodoksi, por – thekson Hahn-i – kjo do të mbetet një ëndërr. Natyrisht ai e dinte mirë se ky propozim ishte jashtë çdo mundësie reale, por ai luan me një figurë vërtet topike qysh nga mesjeta. Shembulli më i njohur padyshim është një letër fiktive e papës Piu II drejtuar sulltan Mehmetit II, ku e fton të konvertohet, por kjo ide gjendet edhe në shek. e 19-të në letërsinë popullore, p.sh. te novelisti gjerman Karl May-i.

    Mundësia e dytë do të ishte rrëzimi i dinastisë osmane dhe ngritja e një perandorie neobizantine nën një dinasti të krishterë në bazën e strukturave të vjetra bizantine, të cilat osmanët nuk i kishin zëvendësuar me strukturat e tyre, por i kishin përdorur. Grekët kishin dëshmuar (edhe në krahasim me serbët) se një ringjallje e tillë ishte një mundësi reale, dhe kultura e tyre ishte aq e fortë, sa po asimilonte shqiptarët, vllehtë dhe sllavët në ambientin e saj. Ky opsion ishte i realizueshëm vetëm në konflikt me Rusinë, e cila do të humbiste ndikimin e saj në botën ortodoksë kur Konstandinopoja të ishte përsëri qendra e ortodoksisë, por do të miratohej nga fuqitë e tjera. Opsioni i tretë ishte ndarja e Perandorisë Osmane. Interesi përparësor i Vjenës duhej t’i përkiste Bosnjës si hinterlandi i natyrshëm i Dalmacisë; bregdeti i Dalmacisë ishte domosdoshmëri absolute për mbajtjen e pozitës së Austrisë si fuqi detare. Por Hahn-i nuk këshilloi pushtimin e trojeve me jugore të Turqisë (lexo: Shqipëri), sepse mbrojtja dhe zhvillimi i tyre do të binte në arkën e Austrisë si peshë tepër e rëndë. Vetëm kur edhe Selaniku të binte nën administratën e Vjenës, duke kompletuar linjën hekurudhore përmes Beogradit, dobia do të ishte shumë më e madhe sesa të metat e një ekspansioni të tillë territorial.

    Opsioni i katërt, ndarja e Turqisë në Evropë në shtete të vogla kombëtare, ishte, sipas Hahn-it zgjidhja më e rrezikshme, sepse teoria e nacionalizmit nuk kishte asnjë themel në mendimin e popujve orientalë; vetidentifikimi i tyre u bë jo si komb, por si komunitet fetar. Nga ana tjetër, perandoria integrale kishte traditë të lashtë qysh nga romakët e bizantinët në bazë të fesë së përbashkët ortodokse.

    Në memorandumin e dytë për mjetet e ndikimit austriak në Turqinë Evropiane Hahn-i e thellon këtë koncept të integrimit të Ballkanit përmes arterieve të transportit e të qarkullimit. Për të joshur edhe popullsinë e Ballkanit drejt interesave të Vjenës, ai rekomandon mbështetjen e elementit katolik në Turqi, pra të shqiptarëve të veriut, edhe pse nuk i zë në gojë.

    Johann Georg von Hahn-i ishte nëpunës besnik i shteteve të cilave u shërbente, por jo shërbëtor i verbër. Ishte vëzhgues i mençur i zhvillimeve thelbësore të epokës së tij, edhe kur nuk mori pjesë në lëvizjet politike të kohës. As për çështjen gjermane, as për atë lindore nuk mbështeti nacionalizmin, por favorizoi modelin e perandorive të mëdha mbinacionale. Si pinjoll i një familjeje e cila e kishte ngritur shkallën sociale në mjedisin oborrtar, Hahn-i nuk simpatizoi më idetë demokratike e liberale; ai ishte dhe mbeti legjitimist. Përparimi për të nuk ishte rezultat i revolucioneve, por i evolucioneve. Turqia dhe Shqipëria, sipas tij, kishin mbetur prapa në faza historike të kapërcyera në Evropën qendrore e perëndimore. Në përputhje me shumicën e analistëve bashkëkohorë ai dyshoi se Perandoria Osmane ishte aq e fortë sa të rimëkëmbej. Në rast dështimi, sipas tij, Austria duhet të luante një rol vendimtar në vendosjen e sistemit pasosman në Evropën Juglindore, përfshirë pushtimin e trojeve të tjera ballkanike.

    Johann Georg von Hahn-i, lindi në qytetin Frankfurt-mbi-Majn të Gjermanisë më 11 korrik 1811. Studioi për drejtësi në Giessen dhe në Heidelberg. Krahas kësaj fitoi edhe një formim të shëndoshë në filologjinë dhe në kulturën klasike greke e romake. Në v. 1834–1843 shërbeu si gjykatës në krahina të ndryshme të Greqisë, ku u njoh dhe me popullsinë shqiptare (arvanite) vendëse. Në v. 1843–1847 shërbeu në konsullatën e Prusisë në Athinë. Në v. 1847 hyri në shërbimin diplomatik të Monarkisë Austro-Hungareze si nënkonsull për “Shqipërinë e Poshtme” me qendër në Janinë, ku qëndroi deri në vitin 1850. Atje iu vu punës për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe