Dr. Martin Cukalla:E vërteta e investimeve gjigande për HEC-et dhe arsyet përse vuajmë për energji

    491
    Sigal

    Intervista/Flet Inxhinjeri Dr. Martin Cukalla për situatën energjetike në Shqipëri

    Situata energjetike në Shqipëri mbetet ende problematike edhe pse shpeshherë bëhen investime gjigande në këtë fushë. Investimet e mëdha për ndërtime HEC-esh, privatizimet, premtimet, mungesa e energjisë dhe probleme të tjera i trajton në një intervistë për “Telegraf” Inxhinjeri Martin  Cukalla.

     -Zoti Cukalla, si e vlerësoni situatën energjetike në Shqipëri, pasi herë pas here ka pasur probleme edhe pse jemi një vend që kemi kushtet për prodhimin e saj?

    -Në Dibër ka një shprehje popullore të bukur që jep edhe thelbin e situatës energjike të vendit: “Me ç’dëgjoj lumja unë, me ç’shoh mjera unë!” Në përgjigjen time po i përmbahem urtësisë popullore dibrane. Ato që dëgjojmë sot, janë premtime të bujshme elektorale dhe nuk i dëgjojmë për herë të parë. Kryeministri i vendit e ka të gjithë periudhën e mandatit të tij periudhë elektorale, kështu që për energjinë ka folur vazhdimisht me tonet më optimiste të mundshme. Përse ka folur, kjo është tjetër gjë. Ai flet për çka projekton. Ai asnjëherë nuk flet për çka është bërë, për ato çka bëhen ai pret shirita, janë apo nuk janë vepër e qeverisë. Ai asnjëherë nuk ka bërë ndonjë analizë apo nuk ka miratuar në qeverinë e tij ndonjë strategji zhvillimi për energjinë. Natyrisht ka dhe arritje: Kostot për shtetin dhe çmimi për qytetarët dhe biznesin janë rritur vertikalisht! U shkatërruan mbi 80 HEC-e të vegjël e të mesëm. Të njëjtin fat pësuan edhe  TEC–et në Elbasan,  Korçë, Fier, etj..  Efekti  i shkatërrimit  të burimeve të energjisë përmendur më sipër ul fuqinë me 240 MW apo thënë ndryshe sa termocentrali i Vlorës, Hidrocentrali i Kalivaçit dhe hidrocentralet e Banjës, Shkopetit e Ulzës të marrë së bashku. Kurrkush nuk ka dhënë llogari për këto dëme, asnjë përgjegjësi nuk ka dalë dhe asnjë analizë nuk është bërë përse dhe kush i prishi impiantet e ndërtuara të energjisë elektrike të vendit? Të mburresh se iku koha e gjeneratorëve në rrugë dhe e territ të tejzgjatur në netët dimërore është cinike dhe tallëse, sepse janë vetë ata që vetlëvdohen të cilët  krijuan situata të tilla dërrmuese të sistemit të furnizimit me energji elektrike të popullatës dhe të ekonomisë.

     -Para pak ditësh  ka filluar ndërtimi i  HEC-it të Banjës, a mendoni se me këto ndërtime të reja HEC-esh Shqipëria nuk do ketë më probleme me energjinë?

    -Hidrocentrali i Banjës ka filluar së ndërtuari disa herë dhe janë derdhur atje disa herë para të thata e fjalime të ndryshkura. Pra, jo më larg se dje dëgjuam për të disatën herë fillimin e ndërtimit sërish të tij.   Kompleksi  hidroenergjitik i Banjës, siç u emërtua fillimisht për arsye se vepra synonte edhe të prodhonte energji elektrike edhe t’i shërbente vaditjes së tokave bujqësore të rajonit, ka filluar së ndërtuari në vitin 1986 dhe ishin kryer mbi 50% e punimeve kur u braktis në vitin 1990. Berisha inaguroi fillimin e punimeve edhe në vitin zgjedhor të 2009-ës,  “zgjedhor” ndoshta vjen nga zgjedhë, zgjedhë e gënjeshtrave të jetë?! Qesharake, apo jo? Qesharake edhe për atë që e thotë për të disatën herë, qesharake sidomos për ata që e besojnë për të disatën herë e që në fund të fundit paguajnë me kamatë për dështime të tilla tragjikomike të qeverisjes së keqe e të papërgjegjshme që i fshihet përgjegjësisë  ligjore nëpërmjet  kolegjialitetit të qeverisë në marrjen e  vendimeve.

     -Një pjesë e madhe e hidrocentraleve janë dhënë me koncesion, sa pozitive ju duket kjo?

    -Fjala “koncesion” sot nuk është e frikshme, është një alternativë që përdoret shpesh për zgjidhjen e çështjes më themelore të zhvillimit, asaj të futjes në qarkullim ekonomik të burimeve natyrore dhe financimit të investimeve në këtë sektor prioritar zhvillimi. Problem është cilat janë termat e referencës për koncesionin, humbet apo fiton shoqëria shqiptare nga koncesioni, e përkeqëson apo e përmirëson tregun, i rrit apo i ul çmimet, cilat janë influencat e tij në ambient, etj. etj. Në këtë kompleksitet çështjesh të ndërthurura gjykohet e vlerësohet çdo objekt koncesioni.

    Po të analizojmë koncesionin e dhënë që në vitin 1997, pra 16 vjet më parë, për hidrocentralin e Kalivaçit mbi Vjosë them prerazi se koncesioni nuk është pozitiv. Ky objekt duhet të përfundonte në vitin 2002. Është rinegocuar disa herë e disa herë janë mbajtur fjalime përuruese e kërcënuese qeveritarësh ndaj koncesionerit. Ende nuk duket dritë në fund të tunelit për çlirimin e aseteve shtetërore të Kalivaçit të marra peng nga një subjekt fantazmë që del mbi Vjosë për festa. Edhe më negativ është rasti i TEC-it të Vlorës që u ndërtua jo me koncesion, por me kredi. Populli po i shlyen kreditë e marra nga qeverisja e papërgjegjshme për këtë vepër që u projektua keq, u ndërtua dhe më keq, tani nuk po vihet në punë edhe pse atje paguhen disa dhjetëra punonjës. Edhe po të vihet në shfrytëzim kjo vepër- produkt i një dështimi të politikave që pjellin korrupsion, çmimi i energjisë së prodhuar do të jetë shumë më i lartë se ai që mund të blejmë direkt nga tregu ndërkombëtar. Thuhet se janë dhënë me koncesion 300 objekte hiodroenergjitike. Thuhet se kanë përfunduar diku tek 60 objekte, pra as 20% e tyre. Po të tjerat? Terr dhe padyshim dëme për ekonominë dhe xhepin e qytetarëve. Në udhëtimet e mia nëpër vend kam parë dhjetëra objekte ku për  vite e vite të tëra janë hedhur disa kubikmetër beton e janë gërryer disa qindra metra dhera e zhavorrishte sa për të thënë:-“ Kemi filluar!”Në politikën konçesionare për burimet e hidro-energjisë ka zënë vend klientelizmi që ka futur në ngërç  veprimin aktiv të ndërtimit të tyre. Edhe për objektet hidroenergjitke private në shfrytëzim, me politikat aktuale konçesionare është krijuar skema dështake e lëvizjes së parave “privat-shtet-privat” që i ka të hapura shtigjet për tentativa të përhershme korrupsioni.

      -Shpesh thuhet se Shqipëria do të shndërrohet në vend eksportues të energjisë. A mendoni se do ndodhë një gjë e tillë?

    – “Vend eksportues i energjisë! Superfuqi energjetike! Central bërthamor!..” Fjalë, imzot, fjalë!. Cili është programi qeverisës që ka marrë formë ligjore e po zbatohet apo do të zbatohet? A ka një dokument të tillë vendi ynë? Asgjë serioze nuk ka. Është një dokument i vitit 2005 si projekt i parë i paraqitur në nismën e vendeve të Evropës Juglindore për energjinë. Aty vendi ynë parashikon që në vitin 2020 të prodhojë gati 10.500 GVh. Në dokument parashikohet që, në një periudhë 15 vjeçare (2005-2020), vendi ynë të dyfishojë prodhimin e energjisë. Kaq! Po sa është sot, pas 7 vitesh kjo rritje? Deri tani asgjë, thuaj. Kundrejt vitit 2012 rritja duhet të jetë sërish 2 herë. Me objektet që përfliten se do të ndërtohen kjo nuk arrihet edhe po të vihen ato në punë sipas premtimeve politike të fushatës zgjedhore. Që vendi ynë të bëhet eksportues i energjisë para së gjithash duhet të plotësojë nevojat  e veta. Por cilat nevoja? Këto aktuale ku thuajse 70% është konsum familjar?! Natyrisht që  Jo! Kemi konsumin e një vendi të prapambetur edhe po të krahasohemi me fqinjët tanë të pazhvilluar. Fqinjët konsumojnë më shumë energji elektrike për frymë të popullsisë: Kosova 1.5 herë, Maqedonia 2 herë; Mali i Zi 3 herë; Serbia 2.4 herë dhe Bosnjë Hercegovina 1.8 herë. Krahasohemi me Armeninë dhe Botsvanën në këtë parametër zhvillimi. Nëse zhvillimi ynë mbetet aty ku është për nga ritmi, në vitet që vijnë ne do blejmë energji edhe me programin që shpalos kryeministri aktual me krenari të shtirur. Kërkesa rritet çdo vit me 300 milion KWh.

    Për t’u bërë vendi ynë eksportues i energjisë duhet të zbatohet një strategji agresive që të

    përfshijë:

    •Një përdorim eficent i energjisë që përkthehet në rishikimin tërësor të rrjetit aktual të shpërndarjes për të minimizuar humbjet, në zëvendësimin e konsumit shtëpiak të korentit me panelet diellore për ngrohje uji dhe gazin natyror për gatim, etj.

    •Furnizim të sigurt në sasi e cilësi për qytetarët dhe bizneset me çmime të përballueshme e të diferencuara sipas gjendjes sociale për qytetarët dhe shkallës së konsumit për bizneset.

    •Ndërmarrje energjike për përfundimin e veprave aktualisht në proçes dhe hedhje në tregun e investimeve të projekteve rajonale të teknologjive të reja për përfitimin e energjive nga potencialet rajonale e për konsum rajonal të shkëputur nga rrjeti unik i shpërndarjes.

    •Kthimin e vështrimit nga TEC-et me gaz natyror duke intensifikuar dhe kërkimet gjeollogjike në vend për këtë produkt.

    •Partneritet të fortë me Kosovën që të përfshijë rrjetet aktuale të shpërndarjes dhe investimet e reja në burimet e pashtershme qymyrore të Fushës e Dukagjinit për prodhim energjie elektrike. Etj.

     

    -E vërteta për eksportimin e energjisë në Shqipëri

    -Ka një përgjigje më sipër për thelbin e kësaj pyetje, por për të qenë më të qartë le të bëjmë një llogari: Përmenda më lartë kapacitetin e plotë të impianteve hidroenergjitike të vendit afër 1600 MW. Kaskada që demonstrohet këto ditë, kaskada e Devollit pra, parashikon rritje në sistem diku tek 200 MË dhe me shtesat e tjera rritja shkon tek 20%. Këto nuk plotësojnë nevojat për turizëm të zhvilluar, për ekonomi në rritje qoftë dhe me ritme të ngadalta, e jo më të krijojnë teprica për shitje. Them për shitje dhe jo shit në dimër e bli në verë që ka rezultuar një operacion tregtar me humbje për vendin tonë.

    Pa një rishikim thelbësor të politikave në lëmin e energjisë dhe vetëm me teza bombastike të fushatave zgjedhore nuk ka një balancim të plotësimit të nevojave për energji dhe sigurim të tepricave për eksport energjie. Ka një rendje gati të marrë pas HEC-eve, i kuptoj ata që duan të nxjerrin fitime. Nuk kuptoj qeverinë qendrore dhe pushtetet lokale në qëndrimet e tyre. Energjia nga uji është padyshim më fitimprurësi dhe në përdorim nuk dëmton ambientin. Por çfarë shkakton ndërprerja e rrjedhave ujore në terrenin e aksidentuar të vendit dhe në nivelet e ujërave nëntokësore si sistem ekologjik? Ç’do të bëhet me shtretërit e boshatisur të rrjedhave ujore, rrjedha që tanimë do të lëvizin nëpër tunele e kanale betoni? Çka ndodhur në marrëdhënien bregdet/ det nga digat madhështore të Drinit dhe shfrytëzimi barbar i zhavorit të lumenjve të tjerë? Kush e jep përgjigjen për këto çështje e të tjera pyetje? Kush do të përgjigjet për dëmet reale që vihen re qysh tani e që rrjedhin nga mbyllja e syve për pasojat që mbartin këto procese bashkëvepruese e komplekse të shfrytëzimit të baseneve ujore??