Dr. Manush Thanasi*/ Ligji i duhan pirjes? Ju tregoj arsyet e “dështimit”

    512
    Sigal

    Shprehja: “Dështimi i ligjit anti duhan” e përdorur nga një prej deputetëve tanë të komisionit parlamentar më ngacmoi për të hedhur në letër artikullin qe po lexoni.

    Që të jemi objektiv dhe të moralshëm me problemin që diskutojmë, së pari, duhet të biem dakord të pranojmë, që nuk është ligji ai që dështoi, por ai grup individësh që mori përsipër menaxhimin e tij. Në detyrën e ish-drejtuesit të Shëndetit Publik të kryeqytetit këtë konkluzion ia kam bërë të qartë para shtatë vjetësh stafit menaxhues të projektit të cilët, duke mos njohur realitetin për implementimi e tij, më kundërshtuan. Rezultati dihet.

    E kam akoma të freskët në memorie një takim pune, ku drejtuesit e projektit anti duhanpirjes na prezantuan nënkryetaren e shoqatës amerikane të luftës anti duhan. Sa e surprizuar aq dhe e entuziazmuar, që parlamenti ynë kishte miratuar me unanimitet ligjin përkatës, na komplimentoi shumë sinqerisht duke na bërë me dije gjithashtu, se në SHBA kishte akoma shumë shtete që nuk e kishin miratuar ligjin e duhan pirjes.

    Ishte ky momenti që më futi “në lojë” për zgjidhjen e dilemit nëse ligji ynë i formuluar me stilin “O burra, përpara, që të hyjmë në Europë” është i parakohshëm ashtu siç ishte konceptuar, ose ne ishim bërë “fanar ndriçues” në botë, duke lënë mbrapa dhe ShBA-në. Ku arritëm?!

    Shtatë vjet nga miratimi në Parlament, sipas konkluzioneve të specialistëve përkatës të Shëndetit Publik, situata për duhanpirjen në mjediset publike është dhe më problematike se më parë.

    Sikur të ishte vetëm kjo një lajthitje, do e suportoja me idenë që kush punon edhe gabon, por e keqja është se na kanë drejtuar dhe po na drejtojnë karrieristë, që shquhen për kompleksin e inferioritetit dhe servilizmin ndaj të huajve aq sa vënë në dyshim origjinën e tyre prej shqiptari.

    Vëreni Ligjin për Ushqimin që duhet të na mbrojë ne dhe fëmijët tanë nga helmimet dhe sëmundjet me origjinë ushqimore. Trajtimi shkencor i këtij problemi përbën një nga 10 detyrimet në fushën e shëndetësisë për t’u integruar në Europë. Çfarë kemi bërë deri më sot?

    Për të mundësuar punësimin e militantëve të partisë së vet u mbush Ministria e Bujqësisë me zooteknikë, veterinerë e agronomë të ardhur nga ato zona prej nga kishte ardhur dhe vetë ministri. Zooteknikët që kishin studiuar për ushqyerjen e derrave e të kafshëve të tjera firmosnin në bordero, por pa punë, për shkak të privatizimit të blegtorisë u turrën lokaleve luksoze të Tiranës për të kontrolluar dhe certifikuar akulloren, birrën, çokollatën, biftekët, pilafin etj.. Si mundet një zooteknik që ka studiuar për ushqimin e pulave të më sigurojë për ushqimin e fëmijëve të mi? “Logjikisht: jo, por me ligjin tonë, po!”. E pabesueshme sa dhe e vërtetë.

    “Yes-men”- ët e partisë përgatitën me urgjencë ligjin paradoksal: “Ligji i ushqimit dhe ushqimi për kafshë”. Sipas këtij ligji është Instituti i Veterinarisë, që na siguron për efektin e pijeve në organizmin e njeriut (këtë shqetësim ia bëra të njohur dhe ish- Kryeministrit, por përgjigja më erdhi nga zv/Ministri i Bujqësisë, i cili më bëri me dije se projekti qe “hartuar” me konsulencën europiane. Kjo është e vërtetë deri ku fillon ndajfolja kundërshtuese “POR”.

    Me keqardhje jemi të detyruar të pranojmë se nuk paskan mjaftuar 300 ditë që “rilindësit modernë” të kuptojnë pse turistët, që vijnë nga jashtë, të parin shqetësim që ndeshin në atdheun tonë të shqipeve, në vendin e ilirëve, është diarrea? “Yes-men”-ët dhe populli vazhdojnë, këmbehen vetëm “agallarët”. Referuar situatës aktuale gjithnjë e më shumë më amplifikohet ideja që përsa kohë në drejtim të inspektoratit nuk do të emërohen teknokratët e specializuar, por militantët partiakë, ligji do të zbatohet sipas ngjyrimeve partiake, çka do të thotë që edhe pas 1000 ditëve do të justifikohen me shprehjen: “Ligji i duhan pirjes dështoi”.

    Sipas meje dhe jo vetëm, ne shpesh dështojmë në hartimin e projekteve të sakta, të cilat në një kohë të dytë marrin formën dhe lëndën e një drafti ligjor, edhe kur ekziston vullneti dhe dëshira e mirë. Arsyeja? Performanca e dobët e drejtuesve të projektit. Më rezulton që ekziston dhe një “takëm“ tjetër që merret me projekte. Kjo mostër drejtuesish nuk është se s`kuptojnë si duhet bërë drafti, por iu punon truri vetëm për korrupsion, kur bëhet fjalë për para publike. Një nga taktikat që përdorin rëndom është evitimi apo kufizimi i transparencës në ndarjen e grantit (Lekëve). Një formë tjetër është ajo e veprimeve dhe mosveprimeve me grupet e interesit. Në këtë rast kemi dy palë normalisht me interesa të kundërta. Njëra palë përfaqësohet nga milionerët e tregtimit të duhanit, të interesuar të shesin sa më shumë dhe pala tjetër që duhet të kufizoje shitjen nëpërmjet një ligji për kufizimin e duhan-pirjes.

    Janë këta dobiça që joshen mirë për të mundësuar lirimin e rrugës së duhan-shitjes.

    Ekziston dhe një kategori e tretë shqiptarësh që janë specialistë të aftë dhe të përkushtuar, por që lihen jashtë forumeve vendimmarrëse madje dhe konsultative për arsye se “prishin” punë. (Për sqarim, nuk aludoj për veten, pasi prej disa vitesh ushtroj aktivitet privat si specialist i dhimbjes muskulo-skeletike).

    Në mënyre figurative objektin e temës që diskutojmë mund ta krahasojmë me një tavolinë me baze trekëndëshi që simbolizon ligjin, kurse tre këmbët simbolizojnë ligjbërësit, ligjzbatuesit dhe ligjkontrolluesit. Është e kuptueshme që kjo tavolinë është më e sigurt nëse tre këmbët kanë të njëjtën gjatësi dhe mbështesin tre këndet e planit me nga 120 gradë secili. Do të mjaftonte vetëm një këmbë të ishte më e shkurtër që kjo tavolinë të binte në dysheme. NO Comment!

    Nuk është kjo e vetmja praktikë e gabuar, mjafton të vërejmë si funksionon dhe çfarë rezultatesh kemi arritur me AKU – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. S`është as autoritet se s’ka “ustallarë të fushës” s`është as kombëtar, se nuk ka akses ligjor të ushtrojë aktivitet në Kosovë. Të njëjtat gjëra mund të thuhen për mjedisin.

    Një arsye tjetër që ne dështojmë në implementimin e projekt drafteve ligjore është “POR-i”.

    I paafti militant, në drejtim mendon se bën oponencë, duke kundërshtuar një model të një shteti evropian, duke e mbyllur ligjëratën me një “POR” dhe mbas saj shprehjen sa të konsumuar e bajate “për kushtet e vendit tone…”. Këtu fillojnë nonsenset dhe djallosjet “made in Albania”.

    Sigurisht, vendi ynë ka specifikën e vet për të cilën në funksion të faktorëve dhe aktorëve mund të gjykojmë në implementimin e ligjit në disa etapa, por kurrsesi të ecim në rrugë të pashkelura.

    “Ligji antiduhan” në Gjermani

    Ndoshta do të ishte në interes të publikut të jepnim në vend të referencës, disa shembuj nga ligji gjerman i duhan pirjes.

    1 – Implementimi i këtij ligji në vendet me nivel të ulët ekonomiko-social, ku bëjmë pjesë dhe ne, është realisht i vështirë, por jo i pamundur. Është kjo një arsye bazë që “Ligji antiduhan” u implementua si eksperimentim dhe që rezultoi i suksesshëm, vetëm në landin e Bavarisë dhe jo në lindje të saj.

    2 -Për sa i përket lindjes, përfshirë Berlinin, u gjykua që ligji të kishte një kohë më të gjatë për maturimin e tij (sensibilizimin) e të gjitha grup-moshave me të gjitha mënyrat e mjetet didaktike që ofronte shkenca promocionale e dëmeve të duhan pirjes.

    3 -Zbatimi i ligjit “step by step” (Hap pas hapi). Kafenetë me përmasa nën 75 metër katror kishin një taksë më të lartë, pasi aty lejohej të pihej duhani, por duke zbatuar dy kushte: Tabela në hyrje, ku shkruhej: Këtu pihet duhan. Kushti i dytë ndalonte hyrjen e personave nën 18 vjeç.

    4 – Lokalet mbi 75 metër katror ishin të detyruar të kishin një aneks për ata që konsumojnë duhan, i cili duhet te ishte i pajisur me aspirator me fuqi, në përshtatje me volumin e aneksit. Këtyre u lihej një afat kohor për të bëre aneksin, ku lejohet duhan pirja, pastaj me mbarimin e tij, u zbrisnin taksën e duhanpirjes.

    5 -Ai ose ajo, që menaxhonte lokalin dhe kishte vendosur tabelat qe s`lejohet duhani dhe kishte hequr tavllat nga tavolina konsiderohej korrekt me ligjin.

    6 – Kur klienti do të konsumojë duhan në kushtet e pikës 5 dhe nuk bindej, përgjegjësi i lokalit njoftonte Policinë Bashkiake, e cila gjobiste qytetarin. Herën e parë vendosej një gjobë simbolike 30 euro dhe në rast përsëritje dhjetëfishohej. Nëse qytetari nuk kishte mundësi të paguante gjobën “kesh”, merrej në rajonin e policisë.

    Ai ose ajo që merrej me kontrollin e duhan pirjes S`ISHTE DOKTORESHË, nuk kishte studiuar patologji, fiziologji apo histologji. Ishte polic i Bashkisë. Vetëm këtu te ne Inspektori i Shëndetit Publik, për inerci të sistemit që lamë pas, konsiderohet dhe vlerësohet si punëtor shëndetësie, duke e angazhuar në një detyrë të pakualifikuar siç është detyra e fatorinos së lokaleve. Me këtë rast do i kërkoja deputetit ligjbërës, që para se të hartojë ligjin, të mendojë sikur inspektorja e ngarkuar me detyrë kontrolli për duhan pirjen në lokalet e natës, në periferi të Tiranës, Laçit,,Vlorës etj., të jetë gruaja e tij me motrën time. A mund të guxojnë ato të gjobisin rrugaçët dhe pijanecët, të cilët për arsye qe dihet janë bërë më të shumtë e më “trima”?!

    Si përfundim, mesazhi im për këtë temë do të ishte: “Mjaft kohë dhe shumë para kemi shpenzuar duke dashur të ecim në rrugë të pashkelura. Profesor Pitagora me Gjeometrinë e aplikuar na mëson të vlerësojmë maksimalisht harmoninë midis AKTORËVE E FAKTORËVE QË MUNDËSOJNE QË NJË LIGJ TË FUNKSIONOJË.

     *Ish Drejtor i DSHP—Tiranë