Dr. Kasem Dylgjeri: “Në 40 vjet, kam pritur 40 mijë foshnje në Elbasan”

    1222
    Sigal

    PORTRET/ Megjithëse në pension ai sot mbetet më i kërkuari në Spitalin Obstetër-Gjinekologjik

    Është pak të flasësh, është pak të shkruash, është pak ta mburrësh si njeri dhe si mjek, për qytetarin elbasanas, njeriun e përkushtuar dhe specialistin e padiskutueshëm të fushës së tij Dr. Kasem Dylgjerin. Gjithmonë njeriu i mirë mbetet, edhe mjek i mirë, gjithmonë intelektuali i ditur mbetet dhe bëhet edhe profesionist i formuar. Është vetë profesioni që të ngjall vullnetin për të mësuar e lexuar çdo ditë, për të hyrë në detajet e tij, në hallet dhe problemet e nënës dhe fëmijës, pasi nga ty si mjek varet jeta e tyre. Profesioni i mjekut mbetet sa human aq dhe fisnik dhe pikërisht tek Dr. Kasem Dylgjeri janë bashkuar të dyja. Kur është fjala për fatet e një jete që del në dritë, veçanërisht çdo mjek gjinekolog duhet patjetër të identifikohet me virtytet më të rralla që Zoti i fal një njeriu, por më tepër atij i vishen aftësi të mbinatyrshme nga nënat që presin një lindje mes gëzimit e ankthit bashkë. Doktor Kasem Dylgjeri, mbetet jo vetëm në Elbasan, por në shkallë vendi mjeku që jo vetëm në mbi 40 vitet e tij të punës, ka pritur mbi 40 mijë foshnje të lindura në Maternitetin e Elbasanit, por ai mbetet profesori i dhjetëra e dhjetëra brezave që kanë dalë dhe po dalin nga Fakulteti i Mjekësisë sot. Doktor Dylgjeri, njihet për cilësitë e tij të rralla si mjek e si njeri, si një ndër mjekët më të mirë e me përvojë në fushën e Obstetër-Gjinekologjisë. Nuk ka familje në qytetin e Elbasanit, por edhe duke kaluar kufijtë e kësaj Prefekture, që të mos ketë takuar dhe të mos ketë trokitur tek doktor Kasemi, tek mjeku i apasionuar pas profesionit tek njeriu modest dhe fisnik, në çdo orë të ditës e natës. Rrallë mund të gjesh familje në Elbasan, që të mos ketë “pagëzuar” fëmijët nga duart e arta të doktor Kasem Dylgjerit. Dhe ky është fat i madh edhe në jetën e mjekut. Ai është dhe do të mbetet mik i mirë i mijëra familjeve, të cilave ai u ka dhënë jetë, duke marrë mijëra urime.

    Episodet e punës së tij

    Padyshim që vetëm një mjek e di dhe gdhend në memorien e tij se çfarë emocionesh ka provuar gjatë asistimit në lindjen e parë, kur sapo ka dalë nga bankat e shkollës. Ndoshta më tepër se një nënë e re. Doktor Kasem Dylgjeri sapo kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë dhe ishte hera e parë kur ai do të asistonte në pritjen e një jete të re. Ishte e para herë në profesionin e tij. “Kishte disa ditë që më kishin komunikuar se do të prisja lindjen e një nënë të re në Elbasan, emocionet më kishin pushtuar për net me radhë, ndërkohë që, lexoja ç’kishim mësuar në fakultet si dhe lexoja literaturë plotësuese për të kryer sa më mirë punën time”- tregon doktor Dylgjeri. Fakti që gjinekologu i njohur elbasanas, Profesor Mexhit Kruja, do të asistonte në lindje, më lehtësonte disi, por unë veprova me guxim dhe ja dola mbanë”,-  thotë i emocionuar doktor Dylgjeri. Tashmë i ka kaluar 40 vitet që punon në Maternitetin e Elbasanit dhe akoma punon si në ditën e parë të punës së tij, pasi akoma ja kanë nevojën kolegët e rinj, mjekë dhe infermierë, akoma e pyesin për recetat, për procesin e lindjes për gjithçka. Një jetë kushtuar profesionit, në shërbim të jetëve të reja. Janë mbi 40 mijë foshnje që janë pritur nga duart e tij, nën përgjegjësinë e tij si njeri e mjek. Nuk ka qenë e lehtë për të përballuar gjithë këto vite pune, por ashtu sikurse tregon edhe asistentja e tij Valentina “Doktor Kasemi gjithmonë ka lexuar, ka studiuar, ka punuar me vullnet dhe ka arritur të jetë më i miri, një mjek duhet të shfletojë gjithmonë literaturën, të mësojë gjuhën e huaj dhe të zhbirojë në të rejat e profesionit, këtë ka bërë ai këtë duhet të bëjnë mjekët e rinj sot, po qe se duhet të bëhen si ai”. Por edhe doktor Kasemi ruan në kujtesë me dhjetëra e dhjetëra situata kritike gjatë lindjeve, ku shumë prej tyre janë ndarë nga vdekja për disa sekonda .Puna humane është kthyer shpesh edhe në një stres të vërtetë. Ai kujton një moment tragjik, të ndodhur para disa vitesh në maternitet e vjetër. “Vjen një grua në prag-lindje nga qyteti i Elbasanit, ishte një shtatzëni normale, komplikacioni ndodhi fare papritur në pak sekonda pas lindjes së dy binjakeve, gruaja pati një hemorragji të paparashikueshme pas një operacioni të suksesshëm që zgjati pesë orë pas mesnatës. Menduam se arritëm sukses si për jetën e nënës ashtu dhe për të binjakeve të porsalindur. Por fatkeqësisht gjithçka rrodhi ndryshe bëmë sa mundëm, por nëna e re humbi jetën në maternitet”, – tregon Doktor Dylgjeri. Tashmë pas kaq shumë viteve gjinekolog ka pritur në jetë, fëmijët e binjakeve të lindura nga nëna fatkeqe. Komplikacionet kanë qenë të shpeshta dhe këto mbetën të natyrshme në karrierën e një mjeku gjinekolog. Doktor Dylgjeri kujton se para disa vitesh ka shpëtuar jetën e një pushtetari të dikurshëm, të një deputeti të sotëm, e të dhjetëra nënave të tjera që lindja e tyre është bërë e mundur vetëm me operacion. Një jetë në këtë profesion sa human aq dhe të vështirë, ku Doktor Kasem Dylgjeri radhit mbi 7 mijë operacione, shifër kjo aspak e habitshme për një mjek si ai, por e paarritshme për një mjek dembel. Ai nuk mohon shumë dhurata simbolike që i janë bërë në emër të një jete që ka lindur, por “askush nuk më ka dhuruar lule gjer më sot, ndoshta kjo është dhurata me “pa vlere” për ne shqiptarët, sa keq”, shprehet ai.

    Por kush është Dr. Kasem Dylgjeri?

    Diplomuar në vitin 1967 për mjekësi të përgjithshme. Më pas është specializuar për mjek gjinekolog. Karrierës së tij i kanë paraprirë edhe shumë specializime jashtë shtetit. Duke njohur mirë gjuhën italiane dhe frënge, doktor Dylgjeri ka mundur të studiojë shumë literaturë bashkëkohore botërore për ta vënë në zbatim në kushtet e gjinekologjisë dhe obstetrikës shqiptare. Ka patur një përvojë të vyer pune me Profesor Mexhit Krujën. Në vitin 1992 nga PNUD fiton një bursë kualifikuese dhe rikthehet sërish në qytetin e Elbasanit, ku vazhdon ende me të njëjtin përkushtim, përgjegjësi dhe pasion për profesionin e tij. Në vitin 1996 mandatohet deputet në një zonë elektorale e përzierë e qytetit të Elbasanit me atë të fshatit. “E pranova ftesën më tepër se e kisha mik Dr. Berishën, kemi mbaruar shkollën bashkë po kjo nuk do të thotë se profesioni im është kapërthyer keq me politikën, më vjen mirë ta pohoj që edhe gjatë kohës që kryeja funksionin e deputetit, nuk u shkëputa nga profesioni im, që nuk mund ta ndërroj me asgjë tjetër”, thotë doktor Dylgjeri. Megjithëse, në pension ai sot mbetet më i kërkuari në Spitalin Obstetër-Gjinekologjik në Elbasan.