Dr. Josif Risto: Homotoksina, shkak i sëmundjeve të rrezikshme për njeriun

    528
    Sigal

    Intervistë për gazetën “Telegraf” me Dr. Josif Risto

    Cila është pikënisja e këtij shqetësimi?

     Sot, mjedisi ku zhvillohet aktiviteti i botës së gjallë, është shumë i ndotur me produkte e mbeturina të shumëllojshme, ndër to vendin kryesor e zënë mbetjet kimike, apo siç i njohim ndryshe, kimikatet dhe mbetjet radioaktive. Të gjitha këto dëmtojnë e shkatërrojnë pa dallim bimët, kafshët edhe vetë njeriun. Sot, rreziku i ndotjes mjedisore nga produktet kimike, është bërë vërtet shqetësuese për jetën e planetit, për shëndetin e njeriut dhe akoma më i zymtë për brezat që do të vijnë. Pasi prodhimi botëror i substancave kimike, të paprovuara më përpara, është rritur dhe vazhdon të rritet ndjeshëm. Për shembull, nga një milion tonë kimikate, që prodhoheshin në 1930-n, sot ka shkuar në 400 milionë tonë.

      Ku e shikoni ju rrezikun për shëndetin e popullatës nga kimikatet, ose homotoksinat siç i quani ju, që përhapen në mjedis nga barnat dhe produktet e kujdesit personal?

      Rreziku prej barnave, në pamje të parë, mund të duket i papërfillshëm, por pasi të njiheni me materialin që kemi përgatitur do të bindeni që kemi të bëjmë me një gjendje serioze, duke pasur parasysh rritjen e konsumit të barnave si edhe përhapjen e tyre në mënyrë të vazhdueshme në tokë, ujë dhe ajër, do të bindeni që edhe homotoksinat e çliruara në mjedis nga barnat, kërkojnë një vëmendje të veçantë.

    Homotoksinat e gjeneruara nga barnat kalojnë në trupin e njeriut nëpërmjet dy rrugëve: me anën e barnave që përdoren për qëllime terapeutike, nga marrja e tyre për një kohë të gjatë; dhe molekulat e tyre kimike që hyjnë në organizmin tonë me anën e ujit, ajrit, ushqimeve, pasi përhapen në mjedis në mënyrë të pakontrolluar si nga barnat, por edhe nga produktet e kujdesit personal. Në rastin e parë kjo është në dorën e të gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor, për t’i menaxhuar si duhet barnat. Ndërsa, në rastin e dytë, mundësia për ta shmangur varet nga të gjithë njerëzit. E kemi thënë në material se numërohen mbi 600 lloje produktesh që i kemi në shtëpitë tona për kujdesin vetjak. Prandaj edhe materialin që kam përgatitur e kam ndarë në dy pjesë për barnat dhe për produktet e kujdesit personal.

      Ju përmendni në material, se shkaktari kryesor për ndotjen e mjedisit është vetë njeriu?

      Pa dyshim që njeriu është shkaktari kryesor në ndryshimet e mëdha të klimës, ai është shkaku kryesor, edhe që sot shumë specie po rrezikohen të zhduken. Nga studimet e ndërmarra vitet e fundit janë evidentuar mbi 17 291 gjallesa bimore si dhe rreth 47 677 shtazore që rrezikohen të zhduken. Kështu, rezulton se një ndër katër bimë mund të zhduket. Është studiuar gjithashtu se amfibët mund të shfarosen më shpejt se çdo gjallesë tjetër. “Nuk ka asnjë dyshim që zhdukja e shumë gjallesave është në rritje”, – shprehet Jane Smart, eksperte e Institutit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Mjedisit.

    Kush duhet të jetë roli i personelit shëndetësor?

     Në përgjithësi, përsa i përket ndotjes së mjedisit nga barnat, më shumë se 70%, varet nga vetë pacientët, ndërsa pjesa tjetër 30% vjen nga administrimi jo i rregullt ose nga burime industriale, hedhjet ilegale, e kështu me radhë. Nisur nga ky fakt, duke e analizuar problemin konkretisht, për situatën në vendin tonë , mendojmë se mbrojtja e mjedisit nga barnat, duhet të përqendrohet në dy drejtime kryesore.Edukimi, jo vetëm i popullatës, por edhe i punonjësve të shëndetësisë, ngelet një detyrë e përhershme, për të minimizuar sa të jetë e mundur, përhapjen në mjedis të Ndotësve të Vazhdueshëm Farmaceutikë të Mjedisit (NVFM-it). Ata duhet të kenë informacion edhe për mënyrën e degradimit të barit, sidomos për ato molekula, që mund të ngelen në mjedis të pandryshuara për një kohë të gjatë. Kimikatet përbëhen nga substancat që përdoren për parandalimin, diagnostikimin, mjekimin dhe higjienën vetjake. Tek këto kimikate, një ndikim të madh në përhapjen në mjedis përveç komunitetit një rol të rëndësishëm luan edhe personeli mjekësor, për këtë fakt angazhimi ynë është i dyfishtë për të parandaluar përhapjen në mjedis të kimikateve mjekësore, jo vetëm nga përdoruesit e tyre, por edhe nga personeli mjekësor. Qëllimi i këtij punimi ka qenë edhe njohja me këto probleme në mënyrë të detajuar nga punonjësit e shëndetësisë në mënyrë që të gjithë së bashku të sensibilizojnë opinionin për rrezikun që vjen nga kimikatet, të cilat ndodhen në mjediset, ku ata punojnë dhe jetojnë.

     A ka pasur raportime për pasojat e ndotjes mjedisore në Shqipëri?

     Sipas të dhënave, të raportuara nga Institucionet shëndetësore, për vitin 2013, çdo vit në vendin tonë regjistrohen 7 mijë raste të reja me kancer nga të cilat rreth 2500 vetëm në Tiranë dhe në rrethinat e saj. Kjo shifër ka ardhur në rritje dhe shkaqet kryesore edhe sipas tyre janë ndotja e mjedisit, përbërësit e dëmshëm në produktet ushqimore dhe të kujdesit personal (lëndët konservuese dhe ambalazhet e tyre) si edhe ushqimet jo të shëndetshme pa harruar ujin e pijshëm. A nuk mjaftojnë këto fakte për të menduar se çfarë duhet të bëjmë?

      Mund të na thoni se për çfarë kimikatesh bëhet fjalë konkretisht, pra toksinat që ndodhen në mjedis dhe cilat janë pasojat për shëndetin tonë?

     Këto kimikate janë toksina ose më mirë homotoksina, të cilat gjenerohen në mjedis në rastin konkret nga barnat dhe produktet e kujdesit personal. Kur ato përhapen me anën e ujit, pra nga shtëpitë tona, nëpërmjet kanalizimeve në lumenj, mandej në tokë e më pas rikthehen sërish tek ne, ky është cikli. Ato ndikojnë në disa drejtime si në: zhdukjen e specieve dhe zhbalancimin e eko-sistemeve të ndjeshme; ndotjet medikamentoze mund të ndikojë në sistemin riprodhues për shembull tek bretkosat, peshqit dhe molusqet; ndryshime gjenetike, të zhvillimit të efekteve imunitare dhe hormonale tek njerëzit dhe specie të tjera, në të njëjtën mënyrë p.sh si estrogjeni; zhvillimin e mikrobeve rezistente ndaj antibiotikëve, kjo vjen nga principet aktive të antibiotikëve që përhapen në mjedis. Në radhë të parë kur bëhet fjalë për barnat, rreziku që unë dua të ngre ka të bëjë me dozat sado të vogla që janë shpërndarë në mjedis, ujë, tokë e madje edhe ushqime të cilat kur kalojnë në organizëm japin ndryshime graduale dhe si rezultat i bioakumulimit të tyre, sëmundje kronike si: bronkiti, astma, alergjitë, infertiliteti mashkullor azoospermia meta (spermatozoide të palëvizshme), i cili vitet e fundit shënon një rritje 1% çdo vit, defektet në lindje si edhe tumoret etj.. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimet mbi Kancerin në Lion rezulton se 80% e rasteve të kancerit të kenë arsye mjedisore. Ju më pyetët edhe se kush janë disa nga këto toksina. Në përgjithësi janë disa kimikate dhe metabolitët e tyre, por unë desha të ndalem tek disa përbërës që marrin pjesë në formulimin e produkteve të kujdesit personal. Disa prej tyre janë Parabenet, Laurilsulfati i natriumit dhe veçanërisht Bisfenoli “A”.

      Mund të dimë diçka më tepër për Bisfenolin A, meqë e përmendët?

     Bisphenol A, është i pranishëm në shumë objekte dhe ushqime, që ne jemi të detyruar të marrim, prandaj është e pamundur mënjanimi i plotë i tyre, sidomos nga jeta e fëmijës, por kufizimi i tyre është mëse i mundur. BPA, bëhen të rrezikshme për organizmin tone, kur ne jemi të ekspozuar ndaj niveleve të larta të BPA. Përmbajtja e tyre në lëngjet e organizmit, nuk duhet të kalojë 2.5 mg për 50 kg/peshë. Në vitin 2008, rreziqet e mundshme shëndetësore të Bisphenolit A (BPA), ishte shkaku që të alarmohen prindërit dhe mjekët pediatër si rezultat i konstatimit të tij në doza të larta tek disa lodra për fëmijë. BPA, janë përdorur, për më shumë se 40 vjet në formulimin e materialeve plastike e metalike si shishe, që përdoren për konservimin e lëngjeve dhe produkteve ushqimore, duke mundësuar sterilizimin e tyre në temperatura të larta. Më shumë se 90% prej nesh, kemi BPA në trupin tonë. Shumicën e tij, e kemi marrë nga ushqimet që ambalazhohen, në enët që përmbajnë BPA. Është e mundur gjithashtu, që ato të merren nëpërmjet ajrit, pluhurit, ujit. BPA, janë të zakonshme në shishet kanaçe, lodra dhe produkte të tjera për foshnja dhe fëmijë të vegjël që nga lodrat deri tek shishet e qumështit. Këto produkte, ndodhen kudo: ai është tek materialet e pajisjeve elektronike, shishe uji dhe biberona, kanaçet e ushqimeve të konservuara dhe të pijeve me gaz ose jo, në shumë produkte të kujdesit personal (napat, letrat higjienike), mbështjellëset e ushqimeve, gazetat etj).

     Si mendoni ju, kush është rruga e zgjidhjes?

     Njerëzit duhen të ndërgjegjësohen, duhet të apelojnë për të mbajtur pastër ambientin e tyre. Detyra parësore e tij është mënjanimi i ndotjeve të mjedisit si në familje edhe në punë. Kujdesia ndaj mjedisit është obligim njerëzor për të evituar katastrofat ekologjike. Njeriu duhet të jetojë në harmoni me natyrën, duhet të kujdeset për atë, dhe të shfrytëzojë me efikasitet të mirat e saj, përndryshe natyra e ndëshkon atë dhe brezat që do të vijnë. Është imediate, ngritja e një strukture të posaçme, nga ana e qeverisë dhe institucioneve shëndetësore që mbulojnë këtë sektor, e cila do të merret me monitorimin e NVFM-it dhe asgjësimin e mbetjeve farmaceutike, të çdo lloji, sipas teknologjive bashkëkohore në të gjithë territorin e Shqipërisë. Gjithashtu, duhet të vendosen sisteme të mbledhjes dhe degradimit të barna të papërdorura ose të skaduara.

    Përgatiti bisedën:

    Dr. IZET S. ÇULLI