Dr. Islam Cani: Lidhjet e plumbit janë toksike, veprojnë në gjak dhe sistemin nervor

    807
    Sigal

    Skandali/ Flasin z. Petraq Xhoxhi, kimist dhe Dr. Islam Cani për rrezikun e helmimit nga plumbi

    Bojërat me të cilat lyejmë shtëpitë, apo lodrat e fëmijëve të lyera me bojë mund të rrezikojnë shëndetin tonë e sidomos atë të të vegjëlve, pasi në përmbajtjen e tyre kanë plumb. Bojërat me plumb janë një burim i rëndësishëm i mundshëm helmimi për fëmijët e vegjël. Ato gjenden në shtëpi, mbi lodra, mbi mobilie dhe mbi objekte të tjera. Bojërat në degradim mbi mure, mobilje dhe sipërfaqe të tjera të ambienteve të brendshme krijojnë pluhur të ndotur me plumb, të cilin fëmijët e vegjël mund ta gëlltisin me lehtësi. Gjithashtu shija e ëmbël e plumbit nxit disa fëmijë të gërryejnë dhe gëlltisin copat e bojës. Në nivele të larta të ekspozimit, plumbi dëmton trurin dhe sistemin nervor qendror duke shkaktuar koma, konvulsione deri në vdekje. Fëmijët që mbijetojnë, shpesh mbeten me dëmtime në intelekt dhe me probleme në sjellje. Në nivele më të ulëta ekspozimi, të cilat nuk shkaktojnë simptoma të qarta, dhe më parë janë konsideruar si të sigurta, tashmë dihet se plumbi shkakton dëmtime në disa organe të trupit. Plumbi sidomos dëmton zhvillimin e trurit tek fëmijët, duke rezultuar në pakësim të intelektit, shpërqendrim të vëmendjes, rritje të sjelljeve antisociale, dhe rënie në mësime. Këto pasoja mendohet se janë të pakthyeshme. Tek të rriturit plumbi shton sëmundjet e veshkave dhe tensionin e gjakut.

    Z. Petraq Xhoxhi, kimist: Lidhjet e plumbit janë substanca toksike

    Për shkallën e rrezikut nga përdorimi apo prania e këtyre objekteve dhe materialeve në ambientet ku jetojmë, ne iu drejtuam specialistit kimik z. Petraq Xhoxhi, i cili u shpreh për “Telegraf” se: “Në përgatitjen e bojërave kimike, sidomos të bojërave antiruzhe, bojërat që përdoren kundër ndryshkut, në përgjithësi ka elemente të metaleve të rënda, në rastin konkret të plumbit, jo në gjendje të ngurtë, po në gjendje solucioni. Këto elemente, por në mënyrë të veçantë, plumbi është një substancë helmuese që ndikon direkt në gjak. Komponimet (lidhjet) e plumbit janë substanca toksike. Këto bojëra kanë në përbërjen e tyre plumb, pasi është një element fiksues”. Kimisti Xhoxhi shprehet se plumbi vihet në përbërje të bojërave, sepse është një element fiksues në bojërat, por edhe ka kosto më të lirë prodhimi. Por sipas tij, plumbi përthithet direkt nga organizmi dhe si metal i rëndë që është, shkon direkt në sistemin nervor. “Themi në sistemin nervor, se është gjaku ai që e asimilon dhe nëpërmjet qarkullimit të gjakut shkon direkt në sistemin nervor. Plumbi kontakton direkt me gjakun dhe kjo është rrezikshmëria, pasi është aftësia e hemoglobinës për të absorbuar metalet e rënda, sepse janë mikroelementë që ka nevojë trupi, por në sasi të mëdha bëhet i dëmshëm. Sëmundjet e plumbit më mirë mund t’i shpjegojë mjekësia, por janë sëmundje toksike. Nga metalet e rënda dëmtohen dhe veshkat, pasi veshkat janë filtri i organizmit tonë” shprehet z. Petraq Xhoxhi. Ndërsa për rrezikshmërinë që paraqesin lodrat për fëmijët, z. Xhoxhi shprehet se “kur përgatiten me materiale plastike dhe kur ngjyrosen përdoren elemente të metaleve të rënda, pikërisht për të krijuar qëndrueshmërinë, lidhjen. Përdoret pikërisht plumbi, pasi është rruga më e lirë dhe prodhuesit nisen nga kostoja e prodhimit, pa pyetur për pasojat. Kryesisht lodrat që vijnë nga Kina, e kanë përmbajtjen e plumbit, sepse e kanë të ligjëruar”.

    Dr. Islam Cani: Plumbi vepron në gjak dhe në sistemin nervor

    Në lidhje me pasojat që shkakton prania e metaleve të rënda te lodrat e fëmijëve dhe te bojërat që lyejmë shtëpinë, ne morëm opinionin e mjekut specialist, Dr. Islam Cani: ”Më vjen mire që ju dhe gazeta juaj po rikujtoni një problem shqetësues të harruar. Ne si Shoqatë e Konsumatorit Shqiptar, e kemi përsëritur disa herë këtë shqetësim, për dëmin që sjellin metalet e rënda, si tek punëtorët që janë të detyruar të punojnë me to, por dhe për qytetarin si blerës dhe përdorues e sidomos te fëmijët me lodrat që ata përdorin e luajnë. Unë si mjek jam marrë me periudha të gjata me sektorin e shëndetësisë, sidomos në Drejtorinë  e Higjienës, duke u njohur nga afër me këtë shqetësim, sidomos për rrezikshmërinë që paraqesin bojërat që lyejmë shtëpitë tona dhe që kanë përdorim akoma më të gjerë në jetën e përditshme.

    Informacioni ynë kishte këto vlera:

    1. Metalet e rënda, si plumbi, kallaji, kanë cilësi izoluese dhe avulluese

    2. Kanë cilësi gërryese dhe në kontakt me natyrën ndryshojnë strukturën e tyre, psh; gjatë plasaritjeve, boja e përdorur shkrumbohet dhe nga kontakti me elementë të natyrës, kalojnë në organizëm nëpërmjet pluhurit.

    3. Lyerja ka kohë, afate e standarde që biznesi duhet ta marrë në konsideratë

    4. Biznesi është fajtor për hir të fitimit të tij, por e keqja qëndron në mungesën e informacionit për blerësin, e ky i fundit, nga kjo mungesë, dëmton vetveten dhe familjen e tij.

    5.  Mungesa e informimit për këtë përdorues të bojërave bën që ai të mos lexojë edhe kur kutia është e shkruar në gjuhën shqipe.

    Metalet e rënda kanë rrezik të madh kur hyjnë në organizëm:

    1. Kanë një afat të gjatë për të vepruar si dëmtuese në qeliza. Fenomeni akut është i shkurtër, më shumë kthehet në kronik.

    2. Ai vepron direkt në gjak. Metalet e rënda e kanë për natyrë që të veprojnë sa hyn në organizëm, por edhe afatin e kanë të gjatë. Këto veprime të dëmshme janë në tërë organizmin në kohë, por më shumë veprojnë në gjak dhe në sistemin nervor”.

     Rreziku i radioaktivitetit nga radoni dhe hekuri i Elbasanit në shtëpitë tona

    Rreth 30 për qind e sipërfaqes së Tiranës ka nën nëntokën e saj një gaz radioaktiv, i cili shkakton kancer në mushkëri. Specialistët e mjedisit, edhe më herët, kanë apeluara për rrezikun e shëndetit të qytetarëve, si pasojë e nivelit të lartë të radonit në disa zona të Tiranës, dhe me nivel më të lartë në zonën e Dajtit dhe Priskës. Në Tiranë, përveç Dajtit dhe Priskës, zona me nivel më të lartë radoni është nga Kinostudio në Kombinat, në nivele të caktuara diku më shumë dhe diku më pak. Ndotja e radonit është e lidhur shumë me mënyrën e ndërtimit të ndërtesave, ndaj dhe masat e para duhen parë në këtë drejtim. Specialistë që janë marrë me matjet e nivelit të radonit në ndërtesat e banesave tona shprehen se “nëse themelet e shtëpive janë të ndërtuara shumë mirë dhe nuk lejojnë depërtimin e tij nga toka në brendësi të shtëpisë, ndotja mbetet në nivele të ulëta”. Po sipas ekspertëve, nëse dikush vëren të çara në muret e banesave, duhet të bëjë në mënyrë të menjëhershme izolimin total të tyre. Specialistët kërkojnë që të ndiqen kriteret e përcaktuara para se të bëhen ndërtime në këto zona, pasi duhet të matet niveli i radonit dhe duhet bërë kujdes nga materialet që përdoren në ndërtim. Radoni vret si duhani ngadalë dhe nuk shfaq simptoma të dukshme për të marrë masa. Me kalimin e kohës, personave të ekspozuar ndaj radonit, u shfaqet kancer në mushkëri, duke rrezikuar seriozisht jetën thonë specialistët e shëndetësisë. Në vendin tonë mungon një ligj që detyron matjen e radonit, i cili në vendet e tjera është i pranishëm dhe zbatohet me përpikmëri, pasi e vlerësojnë shumë problematike ndotjen e radonit, sidomos në vendet nordike ku dhe ka nivel më të lartë radoni. Duke u mbështetur në matjet që janë bërë në vendin tonë dhe rezultatet, ky ligj duhet të miratohet edhe në Shqipëri, si e vetmja mundësi për të mbajtur nën kontroll rrezikshmërinë e tij. Këto matje duhet të jenë të detyrueshme, sidomos në shkolla, kopshte e çerdhe, shprehen ekspertët, sepse fëmijët janë më të rrezikuarit nga radoni. Në shumë vende të botës, duke e njohur këtë problem, sipas specialistëve, kanë miratuar norma të lejueshme të përmbajtjes së radonit në mjediset e punës dhe të banimit. Specialistët rekomandojnë plotësimin e legjislacionit tonë. Veçanërisht për qytetet problematike duhet që leja e ndërtimit të pajiset me studimin e përqendrimit të radonit në tokë.

    Hekuri radioaktiv i Elbasanit

    Hekuri radioaktiv rrezikon jetën e qytetarëve të Elbasanit, por edhe të banorëve të tjerë në të gjithë vendin. Këtë alarm e ka dhënë vite më parë (gjendet lehtësisht online), ish Kryetari i Këshillit Bashkiak, dr. Bujar Kllogjeri (sot deputet i LSI-së), në një nga mbledhjet e radhës të këtij këshilli. Kllogjeri ka evidentuar se “jeta e banorëve të Elbasanit dhe më gjerë është e rrezikuar nga efekti i hekurit radioaktiv, që përdoret për ndërtimin e pallateve dhe shtëpive të reja”. “Sipas informacioneve të marra, rezulton se drejt Elbasanit vjen skrap, prokate dhe hekur radioaktiv me origjinë nga Ukraina. Pasi përpunohet, hekuri u shitet tregtarëve dhe ndërtuesve shqiptarë. Me shufrat e këtij hekuri, ndërtohen pallate shumëkatëshe, shtëpi banimi dhe objekte të ndryshme”,  ka detajuar Kllogjeri. “Ne dyshojmë, se hekuri që importohet nga Ukraina është me radioaktivitet të lartë për shkak të shpërthimit të Cernobilit”, deklaroi Kllogjeri. Pikërisht për shkak të kësaj përmbajtje radioaktive, nuk gjen treg tjetër shitjeje, por vjen në Shqipëri me një çmim të arsyeshëm. “Si pasojë e mungesës së kontrollit të radioaktivitetit për hekurin që importohet nga jashtë, pasojat i vuan Elbasani dhe gjithë shqiptarët”, ka përfunduar Kllogjeri.