Dr. Islam Cani: Konsumatorët zhvaten nga Albtelekom dhe Eagle Mobile

    492
    Sigal

    Shoqata e Konsumatorit Shqiptar/ Ja ankesat e konsumatorëve për telefoninë fikse dhe internetin

    Shoqata e Konsumatorit Shqiptar, ka marrë një numër të konsiderueshëm ankesash për kompaninë Albtelekom dhe Eagle Mobile për shërbimin e keq jo funksional, ndaj klientëve konsumatorëve, bazuar atë në kontratën e përbashkët për aparatet modem, USB-të,  për linjën e rregullt me sinjalin e internetit pa shkëputje dhe sipas parametrave të nënshkruara, për shërbimin e duhur të telefonisë fikse, etj.. Realiteti, ndryshe nga ç’parashikon kontrata, është e kundërta, sepse klientët e kontraktuar nuk po e përfitojnë këtë shërbim të paguar. Konsumatorëve këto shërbime u kanë munguar që në ditët e para të kontratës së tyre të realizuar me kompaninë. Tre janë problematikat e mëdha të këtyre kompanive, ku dhe mbështeten të gjitha ankesat e konsumatorëve.

    1. Shërbimi  i keq nga Albtelekom dhe Eagle Mobile

    2. Heqja e sportelit të ankesave në Zyrën Qendrore të Albtelekomit në  rr. “I. Rrugova”, ku konsumatorët bënin ankesa dhe kërkonin shërbime për telefoninë fikse

    3. Albtelekom-i dominues në tregun shqiptar

    Ankesat e konsumatorëve klientë të kësaj kompanie konsistojnë në:

    – Mungesën e shërbimit në linjat telefonike;

    – Mungesën e shërbimit të plotë sipas kushteve të garancisë së aparateve modem USB e cila nuk funksionon në të gjitha rrethet dhe zonat e Shqipërisë;

    – Të tjera ankesa janë për funksionim me ndërprerje të shpeshta të rrjetit ADSL, me parametrat jo të kërkuara sipas kontratës së nënshkruar ndërmjet palëve.

    Shoqata e Konsumatorit Shqiptar, bazuar në Ligjin “Për Mbrojtjen e Konsumatorit” nr. 9902, dt.17.04.2008 kërkon nga kompania Albtelekom dhe Eagle Mobile zbatimin e ligjit mbi të drejtat e konsumatorëve neni nr 4, 5, 6, 7, nenet 40, 41, për sigurimin e kontratës dhe të kërkesave të sigurisë, për detyrim për informim, për dëmshpërblim të konsumatorit etj. Ankesa nga një grup konsumatorësh për mungesë shërbimi dhe shërbim të keq nga këto kompani vijnë më shumë nga qytete si; Tiranë, Berat, Kuçovë, Ura Vajgurore, por të tilla janë këto shërbime në të gjithë vendin.

     Ankesat e konsumatorëve drejtuar SHKSH

    Një konsumator nga Kuçova: Duam të bëjmë një ankesë dhe të shpreh indinjatën time ndaj Albtelekom-it. Edhe organet shtetërore përkatëse janë të mefshta. Në datën 23/12/2003 kam lidhur një kontratë me nr. 2203 me Albtelekom-in për lidhjen dhe të internetit, mos gaboj në 2010-n. Kontaktorin e kishte mbajtur për vete firma private. Prandaj, në Qershor të 2011-s na vjen fatura, jo më 36,000 lekë që ne e paguanim rregullisht, me dëshirë, edhe pse ishte e lartë, por  66,930 lekë? Menjëherë kërkuam sqarime pranë Albtelekom-it dhe kërkuam prishjen  e kontratës. Telefonin na e hoqën mbas 45 ditëve, ndërsa internetin, mbas 75 ditëve që ne kërkuam prishjen e kontratës.  Ndërsa faturat na erdhën për tre muaj, po me vlera mbi 60,000 lekë. Tani kërkojnë 225,420 lekë plus tarifën gjyqësore. Por kjo s’ishte vetëm për ne. Në Qytetin e Kuçovës ishin rreth 200 familje, po kaq në Berat dhe 100 familje në Urën Vajgurore. Tani u kanë bërë padi në gjykatë shumë familjeve që s’u pajtuan me mbifaturimet. Një pjesë u detyrua t’i paguajë, se Albtelekom-i është e vetme në treg, një pjesë ndërroi emrat për të patur internet për fëmijët që u duhej në shkollë e për të afërmit jashtë Shqipërisë. Kërkoj ndihmë juridike, për t’u përballur me Albtelekom-in, që të fitojmë të drejtën sipas kontratës.

     Një konsumator tjetër nga Berati thotë: Kam dy ditë që kam marrë shërbimin e internetit nga Albtelekom dhe Eagle në Tiranë, ndërkohë që, unë punoj në Berat, por nuk më funksionon aparati për qëllimin që unë e kam blerë. Menjëherë, kërkoj informacion dhe më thonë se në Berat nuk ka valë për aparatin dhe nuk më bën punë, por atëherë çfarë kërkoj unë?

    1. Të më ndërrohet shërbimi, pra aparati që të më kryejë funksionin, sepse në Berat nuk më bën punë, ose 2. të më kthehet sasia e paguar e lekëve.

    Unë kam realizuar kontratën; kam plotësuar Dokumentet; kam garancinë për 6 muaj nga Albtelekom; Kontratën si dhe faturën për blerjen e modemit.

    Pretendimet e kompanisë që i hedhin fajin njëra-tjetrës:

    – Albtelekom-i thotë se unë përgjigjem vetëm për ADSL-në

    – Ndërsa Modemi Split është i Eagle Mobile me kodin e saj dhe kushton 3.000 lekë të reja

    Konsumatori: Aparati nuk ka valë, nuk ka fuqi

    Kur kam shkuar në sportelet, ku unë bleva aparatin Modem Split, sportelistët më thonë se ne nuk jemi përgjegjës. Pra, nuk mban përgjegjësi.

    Atëherë, si ta zgjidhim?

    Ndërkohë, kur ankuesi thotë se mua nuk më shërben, më ndërro shërbimin, sepse ky aparat i vogël për mua në Berat nuk funksionon, nuk përfitoj atë që unë kërkoj, të punoj në shkollë me tema, të komunikoj me fëmijët, etj.. E shohim të arsyeshme që për këto mungesa shërbimesh nga kompania, Autoriteti i Konkurrencës, Enti Rregullator i Telekomunikacionit dhe organe të tjera përkatëse të reagojnë ndaj këtij shërbimi jo funksional dhe të aparaturave jo normale e funksionale. Organet kontrolluese të marrin masa, në të kundërt  kompania do të mbetet dominuese në vend, deri në monopol.

     Zyra e ankesave në Domje. Ku të ankohet konsumatori?

     Meqenëse Albtelekom nuk përballonte dot ankesat e qytetarëve pranë zyrave në Qendër, tashmë zyrën e ankesave e kanë dërguar në Domje në Autostradë. Këtë rrugë duhet të ndjekin konsumatorët për ankesa të thjeshta; që të paguajnë taksi, apo shërbime te tjera për t’u ankuar për mungesën e shërbimit. Sipas konsumatorëve ankues, përgjigja nga sportelet e shërbimit dhe të informacionit është e keqe, pa etikë, pa profesionalizëm, as nuk të shërbejnë, as nuk të ndërrojnë aparatin. As nuk të ndërpresin kontratën, por përkundrazi, të kërkojnë 5 mijë lekë të reja për të prishur kontratën.