Dr. Islam Cani: Konsumatorë, të drejtat duhen kërkuar, përgjegjësia duhet zbatuar!

    398
    Sigal

    Kemi më shumë se 23 vjet që jemi në ekonominë e tregut, e cila kërkon konsumatorë inteligjentë, (të mirinformuar, gjithmonë në gjendje për të mbrojtur veten). Është themelore njohja e të drejtave të konsumatorëve, sipas përcaktimit të të drejtave nga OKB-ja dhe Organizatës Botërore e Konsumatorit (Consumatori Internacional), mbi 8 të drejta që në vendin tonë tanimë janë të përfshira në LIGJIN Nr.9902, datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, Neni 4 “Të drejtat bazë të konsumatorëve”:

    a) E drejta e mbrojtjes së shëndetit, mjedisit dhe sigurisë së jetës;

    b) E drejta e mbrojtjes së interesave ekonomikë;

    c) E drejta e ankimit;

    ç) E drejta për dëmshpërblim;

    d) E drejta e edukimit;

    dh) E drejta e marrjes së informacionit;

    e) E drejta e përdorimit të shërbimeve publike;

    ë) E drejta e mbrojtjes ligjore.

    Shoqata e Mbrojtjes se Konsumatorëve Shqiptarë punon me qytetarët çdo ditë në forma dhe në mënyra të ndryshme pune, edukimi e  organizimi. Të gjitha ligjet në mbrojtje të konsumatorit kanë qenë dhe janë një inkurajim për qytetarët, për të njohur, për të kërkuar të drejtat, për të qene i përgjegjshëm në marrjen e përgjegjësive që ju takojnë si konsumatorë. Në çdo kohë të kërkojmë zbatimin e ligjeve, të standardeve, të vendimeve. Në çdo konstatim që ne vërejmë e bëjmë, duhet të jemi kërkues, por me etikë, me edukatë, me mirësjellje, ndaj biznesit, tregut, qoftë ai i produkteve apo i shërbimeve.  Ne jemi një armatë e madhe, ku në duart tona janë të drejtat që gëzojmë dhe ligjet, por sa është niveli që ne po kërkojmë për zbatimin e këtyre ligjeve ?

    Në treg ku ne paraqitemi si blerës si të produkteve dhe të shërbimeve, ne nuk kërkojmë faturë tatimore ( kupon), pra, që do të thotë se e nënvlerësojnë atë. Në përgjithësi, na duket si një gjë e tepërt, por e dini se ç’ndodh kur ne nuk marrim faturë në blerjen e mallit apo shërbimit? Ja se çfarë thotë Neni 10 i ligjit “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”:

    1. Tregtarët janë të detyruar t’i japin konsumatorit kupon tatimor/faturë tatimore për mallin e shitur ose shërbimin e ofruar. Ky dokument i lejon konsumatorit të verifikojë shumën e llogaritur për sasinë e mallrave të shitura ose shërbimeve të ofruara.

    2. Konsumatori është i detyruar të marrë kupon tatimor/faturë tatimore.

    Ne, si konsumatorë na karakterizon mefshtësia ndaj kërkesës së të drejtave tona ose më mirë të shprehemi jemi indiferentë, për rrjedhojë përballemi me pasojat:

    1. Mosmarrja e faturës, bën që blerësi nuk ka të drejtë të ankohet, sepse mungon kuponi ose dokumenti kryesor që vërteton këtë blerje apo ka përfituar këtë shërbim.

     2. Ju konsumatorë, kur neglizhoni dhe nuk merrni kuponin tatimor, jo vetëm që dëmtoni veten tuaj, ekonominë dhe buxhetin familjar, por ende me keq ju lejoni korrupsionin. Sepse taksat tuaja nuk shkojnë më për investime, nuk ka zhvillim ekonomik, social, sepse ju e dini që nëpunësit paguhen nga taksat tona. Ndaj kërkesa jonë për zbatimin e ligjeve, të standardeve, të VKM, etj., na bën ne, pjesëmarrës në vendimmarrje. Heshtja jonë lejon zhvillimin e korrupsionit. Në testimin që ka bërë që SHKSH-ja, dhe gjatë ardhjes së ankesave, në 1000 persona blerës të artikujve të ndryshëm janë pajisur vetëm 10 persona me faturë tatimore. Konsumatorë çfarë kemi humbur nga indiferenca jonë ndaj tregut ?  Po kush do të ishin përfitimet ?

    -Do të kishim më shumë investime

    -Më shumë të ardhura

    -Do të përfitonin më shumë të drejta

    -Do të fitojmë të drejtën e dëmshpërblimit që na takon me ligj ( neni 31 i Ligjit të Konsumatorit).

    SHKSH-ja kërkon më shumë fleksibilitet, kërkesë për zbatimin e ligjeve nga organet përkatëse, që janë taksa përfituese. Konsumatorët duhet të jenë më shumë aktivë, vigjilentë, kërkues, zbatues brenda kufijve të ligjit, normave dhe të etikës. Biznesi qoftë ai i prodhueseve, produkteve të shitjes dhe shërbimeve, duhet të zbatojnë ligjin jo vetëm që të pajisen me arkat regjistruese, por të japin kuponin tatimor. SHKSH porosit biznesin dhe konsumatorët të jenë të kujdesshëm, në të kundërt biznesi jep llogari dhe organet shtetërore të kërkojnë të zbatohet ligji. Më mirë vonë se kurrë!