Dr. Ing. Maks KONA/ Beteja e Durrësit, vendi ku u mblodhën gjigantët e historisë Jul Çezari dhe Pompeu i Madh

    579
    Sigal

    Shteti po e lë vendin të varfër nëpërmjet varfërimit të historisë së tij të pasur

    Një ditë, para disa vitesh, duke punuar në studion e Torinos, më kërkon një i njohur, i cili ushtron të njëjtin profesion në Francë. Pyetja ishte e çuditshme dhe e veçantë. Dinte që në Durrës është bërë një betejë historike dhe më kërkonte ndihmë për të formuar një grup profesionistësh për të marrë pjesë në një tender projektimi. Ministria e Kulturës Franceze tenderonte Fushë Muze të Betejës Alesia (Francë), beteja ku Jul Çezari mundi fiset Galë në vitin 52 p.e.s.. Kolegu pretendonte se unë, me vendlindje nga gjiri i Durrësit, mund të sillja pikavarazh për tenderin në fjalë. Ndërsa unë nuk kisha aspak njohuri, dhe ashtu si shumë shqiptarë nuk dinë për historinë e vendit.

    Ministria e Kulturës Franceze nëpërmjet grupit fitues të arkitektit të shquar zviceran, Bernard Tscumi, realizoi në mars të vitit 2012 muzeun me një investim prej 25 milion euro. Në 2013 muzeu është vizituar nga 150 mijë turistë.  Për të njëjtën përkujtim, 150 vite më parë, Napoleoni III ka vendosur një shtatore bronzi 8 metra të lartë dhe Beteja konsiderohet si fillimi e historisë së Francës.

    Duke më ardhur keq për deficencën time, dhe të ngacmuar nga kolegë apo shokë të Politeknikumit të Torinos, fillova të interesohem për historinë dhe evenimentin historik të vendlindjes, për Betejën e Durrësit dhe se bashku me artiste ndërkombëtare të specializuar të sektorit jemi duke përgatitur Rievokimin historik të ‘Betejës së Durrësit’, beteje me rendësi në historinë botërore.

    Gjatë përgatitjes së evenimentit, më erdhën në kujtesë shumë detaje nga fëminia, pyetje si, Mali i Robit çdo jetë vallë, nga ku kalon Egnatia në Kavajë, etj., pyetje që bëheshin dhe asnjëri nuk i jepte përgjigje. Duke angazhuar miq dhe kolegë, të çuditur nga kjo gjendje injorance e imja, sot më së fundi me pjesëmarrjen e historianë të sektorit elementi kulminant i këtij angazhimi është që, RAI italian këto ditë po filmon një dokumentar mbi historinë e Augustit, perandorit Romak, ku skena të rëndësishme janë dhe nga beteja e Durrësit viti 48 p.e.s.

    Beteja e Durrësit

    Në hapësirën e gjirit, në një periudhë kohore prej shumë muajsh, kanë qëndruar gjigantë të historisë Botërore, si Gaio Jul Çezari dhe Pompeu i Madh, Mark Antonio apo Ciceroni. Rrallëherë, në një vend të caktuar, në të njëjtën kohë, janë përballuar njëkohësisht mite të historisë botërore. Po në kodrat e Durrësit e të Kavajës, këtu bënë manovra ushtarake. Vija  mbrojtëse e Pompeut ishte 23 km e gjatë dhe ajo e Çezarit 26 km. Legjionarët historikë kanë qëndruar këtu, 20 mijë ishin forcat e Çezarit dhe 55 mijë forcat e Pompeut. Napoleon Bonaparti e cilëson si fillimin e luftës moderne. Megjithatë fakte historike tashmë janë të dokumentuara dhe i takojnë historianit t’i cilësojë.

    Këndvështrimi im do jetë e një përqasje pluridisiplinale, ashtu siç është dhe angazhimi im profesional. Qëllimi është njohja e territorit, historisë së tij, në ndihmesë që ky territor të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të integruar. Sepse s’mund të ketë zhvillim pa njohur historinë dhe në do sforcohemi ta demonstrojmë në këto pak rreshta.

    Beteja e Durrësit është një ndër momentet kulminante të luftës civile Romake dhe këndvështrimi teknik do shërbente si tentative për të ndaluar shkatërrimin që sot i është bërë këtij territori, shkatërrim ndofta është pak reduktiv.

    Duke lënë me një anë dimensionin historik, mbajtur fshehur çuditërisht, po përqendrohem në atë turistik. Beteja ka një kohështrirje të gjerë, por pika kulminante e betejës është në Qerret të Kavajës, dhe me datë 10 korrik, siç evidentohet nga shkrimet e rralla të vetë Çezarit. Atëherë do ishte një atraksion tepër i rrallë dhe me përmasa ndërkombëtare, për një zonë me një dendësi të lartë turistik, pikërisht  në korrikun kulminant të turisteve do ishte element i çmuar për rritjen cilësore të këtij turizmi. Moment i rëndësishëm për një turizëm elitar, i cili është i vetmi burim mbijetese për vendin, meqë shkatërrimi ka përpirë të gjitha sektorët, si atë të bujqësisë, të artizanatit dhe të një industrie agonizante.

    Ku qëndron rëndësia e projektit ‘Rievokimi i Betejës së Durrësit’

    Dimensioni edukativ i projektit ‘Rievokimi i Betejës së Durrësit’. Këtu lind nevoja të diskutohet se si Roma administronte territoret me drejtësinë Romake. Legjionarët pushtonin me armë por administronin nëpërmjet urbanizimit. Nëpërmjet piketimit të shesheve publike, amfiteatrove, ujësjellësve e rrugëve. Ndërtimi i infrastrukturës ishte forca kryesore e Legjionarëve romake. Sot akoma kemi ujësjellës nëpër Europë që janë në funksionim, sot zemra e shumë qyteteve kryesore evropiane është urbanizuar duke filluar nga muret romane.

    Ndryshe ndodh tek ne. Në zonën e gjirit të Durrësit kemi prezencën e rrugës Egnatia që asnjëri deri sot nuk ka parë një gur të rrugës së vjetër, që funksiononte për disa mijëra vite. U deshën disa vite të barbareve aktual të realizonin katër rrugë, nga ku tre janë automobilistike dhe një hekurudhore, dhe asnjëra prej tyre nuk ka parametra teknike të mirëfillta. Më e keqja është se zgjidhja teknike për t’i përmirësuar këto rrugë është aq e ndërlikuar dhe e kushtueshme sa mendoj ndofta është bërë nga një mendje diabolike e ndritur e shkencës ekzaktë shumë e sofistikuar e inxhinierisë, por fatkeqësisht përdorur për keq. Matematika statistikore tregon që në njëmijë gabime njëra nuk do ishte, quhet probabiliteti i eventit.

    E vazhdoj, me kërkesën time bërë atasheut kulturor të Ambasadës Gjermane në Tirane, arsyet perse Gjermania si dashamirëse e padiskutuar e Shqipërisë duhet të marri pjesë në rievokimin  historik të Beteje së Durrësit. Argumentojmë se:

    Dihet që në Betejën e Durrësit u themelua batalioni legjendar Legio I Germanica i forcave të Çezarit. Dihet historikisht që legjionarët ishin jo vetëm luftëtarë, por dhe xhenierë, ndërtonin rrugë dhe ujësjellës. Durrësi në Antikitet kishte ujësjellës. Çfarë ndodh sot, ku investimet gjermane në fushën e ujësjellësve këto njëzet vite kanë qenë të mëdha. Por “legjionarët” aktual gjermanë nuk kanë arritur të zgjidhin problemet e ujit të pijshëm dhe jo më për ujë teknologjik apo bujqësor. Mos ndofta “legjionarët” aktual gjermanë duhet doemos të njohin çfarë kanë bërë paraardhësit e tyre. Historiani austriak koloneli George Veith në 1915, bëri studime dhe rilevime topografike mbi historinë e devijimeve të ujërave dhe ndërtime digash në kohën e Betejës së Durrësit. Sot Jo!

    I bëj kërkesë Ministrisë së Kulturës që të mbështesë Rievokimin e Betejës së Durrësit sepse kjo do i jepte mundësinë donatorëve ndërkombëtarë të mos bien në gabime trashanike për projekte infrastrukture. Sot po tenderohet mega projekti i ujësjellësit të Durrësit me vlerë kolosale 70 milion euro. Shtroj pyetjen, pse skemat hidraulike apo njohjet romake të zonës nuk janë marrë parasysh, merret uji larg, shume larg, kur romakët e kishin gjetur shumë më afër. Mendojmë se Rievokimi Historik do të ndihmonte shumë ndërkombëtarët si, BB apo BERZH, që të monitorohen dhe të pasurohen projektet me këndvështrime historike. Sepse një gjë vërehet në Shqipërinë e tashme dhe konkluzioni është se, shkatërrimi ka ardhur jo nga djegia apo dëmtimi siç bëhej në Perandorinë Otomane, por nga ndërtimi apo ndërtimi pa kriter. Kjo është evidente edhe për një person jo të specializuar të sektorit. Është  ndërtuar jo për të ndërtuar por për të shkatërruar.

    Ekzistojnë shumë argumente të tjerë teknik, por nuk do zgjatëm. Dua të shtoj vetëm se nuk pretendojmë që ne të investojmë 25 miliona euro si në Alesia të Francës edhe pse një investim i tillë ka fizibilitetin e duhur për turizmin. Sipas të dhënave studimore në Europë në dhjetëvjeçarin 2007-17 rritja mesatare vjetore e industrisë së turizmit është 3.3% dhe GDP nga turizmi do kapi shifrën 3240 bilion euro, Kroacia po investon 7 miliard euro për thithjen e turizmit sepse mendon shkencërisht se 1 euro e investuar në turizëm sjell një përfitim prej 3.5 euro.

    Shteti nuk investon në historinë e tij kulturore

    Në gjendjen aktuale vendi sigurisht ka emergjenca të mëdha, por qëllimi është pikërisht dalja nga kjo situate kritike. Bindja jonë është se, vendi është lënë i varfër nëpërmjet varfërimit të historisë së tij të pasur, dhe bërja e njohur kësaj pasurie kombëtare, siç është historia e lashtë e tij, kthehet në mirëqenie. Duke dhënë mundësinë e një turizmi historik, e cila e gërshetuar me turizmin është armë sekrete do ta nxirrte vendin nga skamja ekstreme. Nuk është e lehtë por është e vetmja mundësi e jona. Dhe së fundi pikërisht pse jemi të varfër s’duhet të lejojmë të vazhdojmë me shpërdorim investimesh dhe mendojmë se njohja e historisë inxhinierike e kohës romake, dhe jo vetëm, në Gjirin e Durrësit do na hapte një këndvështrim tjetër dhe investimet në infrastrukturë të mos shpërdorohen në këtë formë makabre, demi që do shkaktonte do ishte disa 25 milionë euro  humbje nga ujësjellësit e gabuara apo nga rrugët pa krye. Franca i lejon vetes shuma të tilla për të njëjtën histori e kulturë sepse Franca nuk e ka luksin për abuzime ‘alla shqiptare’. Rievokimi i Betejës së Durrësit nuk kërkon 25 milionë euro, por nëpërmjet disa qindarkave të investuara në kulturë, të krijojë atmosferë monitoruese për shpërdorime në infrastrukturë 25 milionë euroshe, e cila nëse bëhet me vetëdije nuk është më gabim teknik por krim ndaj kombit. Help Beteja e Durrësit!