Dr. Ina K. Zhupa: Nga BE, përsëri JO

591
Në fakt konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian nuk ishin të papritura, por ishin rezultat logjik i shqetësimeve dhe problematikave që ngrinte progres-raporti për vendin tonë. I cili nga ana e tij ishte rezultat i punës së munguar, ose në drejtimin e gabuar që ka bërë qeverisja në këto kohë. Konkluzionet e BE-së ishin më negativet se vendet e tjera aspirantë, duke hequr mënjanë Kosovën, e cila ka problematika të tjera këto kohë dhe që është një shtet i ri. Konkluzionet e BE-së vënë në dukje që “siç ju kemi thënë edhe në qershor 2014 duhet të përmbushni 5 prioritet që t’ju hapen negociatat për anëtarësim”. Që do të thotë që në këto kohë nuk është përmbushur asnjë nga to. Si mund të jemi duke bërë hapa përpara kur nuk kemi plotësuar as edhe një nga prioritetet? Ose BE e ka gabim, që nuk ka njëri që do ta mendonte këtë, ose qeverisja e majtë nuk po punon në drejtim të përmbushjes së këtyre prioriteteve. E gjithë propaganda e 90% të detyrimeve të realizuara ishte thjesht fasadë, vetëm show politik, sepse realisht BE nuk u shpreh që keni edhe 4 apo 3 e me radhë. Por aq sa kanë qenë në qershor, 5 prioritete. 

Asnjëra e realizuar. Reforma në Drejtësi mbetet pika që i mëshohet veçanërisht, sidomos për faktin që jo vetëm nuk ka asnjë punë konkrete të bërë në këtë drejtim dhe dorëheqja e Nasip Naços e tregoi fare mirë që asgjë nuk kishte funksionuar. Por edhe, sepse reforma në drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me prioritetet e tjera. Nuk mund të kesh luftë ndaj krimit, nëse nuk ke drejtësi jo kriminale, mund të kesh luftë ndaj korrupsionit nëse nuk ke drejtësi jo korruptive. Ky aspekt lidhet fort edhe me konkluzionin tjetër të BE-së që duhet të forcohet dialogu mes qeverisë edhe opozitës. Reforma të tilla, si kjo e drejtësisë nuk mund të bëhen kurrsesi pa një konsensus të gjerë, ndërpartiak, pa hequr dëshirën për të bërë reformën që të shërben më shumë ty si parti, por që i shërben më shumë popullit tënd. Bie në sy që në konkluzionet për Shqipërinë del si pikë më vete thirrja që i bën BE qeverisjes së vendit për të bërë reforma ekonomike që rrisin konkurrueshmërinë dhe përmirësojnë klimën e biznesit dhe investimeve në vend. 

Fakti që vjen ky konkluzion, patjetër që lidhet me atmosferën e krijuar tashmë në vend, ku taksat e larta, lufta pa kriter dhe pa norma që po bëhet me biznesin është sikur ai është armik i shtetit. Problematika është aq shqetësuese sa të reagoj BE në konkluzionet e veta, si çështje më vete, ndërkohë që vendi ynë ka gjithë mundësitë që të bënte progres në këtë drejtim. Lufta ndaj informalitetit është shumë pozitive dhe përshëndetet nga të gjithë, nga opozita dhe ndërkombëtarët, por kur ajo ngrihet me parime dhe norma që kërkojnë zhvillim për vendin. Kur ngrihet mbi idenë që shkatërrohet informaliteti dhe jo me idenë që të shkatërrohet çdo biznes në këtë vend. Nëse do që të vihesh përballë biznesit, do e gjesh gjithmonë diçka që të kapesh. Por ideja është që shteti duhet t’i vihet në krah biznesit, edhe ta kontrolloj duke qenë në krah, por edhe ta mbështes sipas nevoja dhe kërkesave që i vijnë. Këshilli i ministrave të BE pret në qershor të vitit të ardhshëm, një raport të ndërmjetëm nga Komisioni për të parë ecurinë e Shqipërisë në prioritete e vendosura. Paradoksi qëndron në faktin që qeveria në planin e masave që paraqet i ka vendosur afatet e tyre në shtator ose në tetor. 

Këtu lindin dyshime të mëdha se cilat mund të jenë arsyet e këtij veprimi. Mundësia është që të jetë edhe thjeshtë nga paaftësia e njerëzve militantë që ka vendosur, të cilët nuk kanë asnjë lloj ndjeshmërie ndaj asaj që përfaqëson BE për shqiptarët. Megjithatë nuk duhet përjashtuar fakti që, duke qenë se priten zgjedhjet e parakohshme në muajin maj ose qershor 2016, mosrealizimin e asnjërit prej prioriteteve edhe njëherë, ata mund ta lidhin ose me mospasjen e kohës, ose me opozitën që do i ketë detyruar për zgjedhje. Gjithsesi këto ngelen aludime, por një gjë është e sigurt, plani është hartuar jo vetëm në mënyrë joprofesionale, por edhe konceptualisht gabim. Sepse afatet duhet të korrespondojnë me ato që BE vendos, sepse nga ata do marrësh notën për progresin tënd. Nuk duhet të shpikësh afate për të dhënë mundësi të krijosh alibi për dështimin e radhës. Sikur lëndën që të jep profesori mos ta mësosh dhe ta kesh gati në ditën kur ke provimin, por ta lësh për një kohë tjetër. Me siguri do ngelesh në klasë. Ndërkohë duhet të kujtojmë që përpos qasjeve të kryeministrit shqiptar si lider ballkanik, si i përzgjedhuri i ndërkombëtarëve vjen lajmi që Serbia falë qeverisjes së vet dhe lobimit po ashtu arrin të hap negociatat për anëtarësimin në BE. Shqiptarëve u ngelet deliri i liderit, 2 gisht më i gjatë dhe ndërkohë vendet e tjera ballkanike kanë lider më të shkurtër, po kjo si pengon për punë dhe projekte afatgjata. BE na tha përsëri JO, na tha jo, falë politikave dhe politikanëve të gabuar dhe kjo nuk i përket popullit shqiptar. Populli shqiptar e ka dashur dhe e do përherë aspiratën europiane.
Sigal