Dr. Ilir PECNIKAJ/ Urdhëri i Panaritit, favorizon mafien serbo-greke të miellit

    578
    Sigal

    Këto ditë me ç’po dëgjoj, po behet një betejë shumë e madhe mes qeverisë dhe prodhuesve të miellit dhe nënprodukteve të tij, sepse me një dekret të posaçëm z. Panariti, ministër i Bujqësisë lejon importimin e miellit 00 me një ulje të përqindjes së proteinave në kufirin e 9 % të tyre.

    Çfarë ndodh dhe cilat janë pasojat e këtij dekreti?

    Duke u nisur nga detyrimi kushtetues, çdo qeveri dhe qeveritar duhet të përshtasë ligjet dhe çdo pasojë që rrjedh prej tyre në shërbim të popullit dhe për përmirësimin e jetesës dhe kushteve të tij. E përsëris, është detyrim kushtetues!

    Pse e them këtë? Populli shqiptar, si një nga vendet më të varfra në botë dhe më i varfëri i kontinentit Europian ka në traditën e tij që të ushqehet kryesisht me bukë (pra, derivat i miellit). Kjo është kulturë e kultivuar në shekuj. Për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtij produkti, i vetmi vend në botë është Shqipëria që thotë “SHKOJMË TË HAMË BUKË”. Në vendet dhe gjuhët e tjera thuhet “shkojmë të hamë këtë apo atë vakt”. Pse e bëra këtë parantezë? Thjeshtë dhe vetëm për të vënë në pah rëndësinë e këtij produkti për shqiptarët, nëpërmjet të cilit konsumatori i gjerë shqiptar merr pjesën dërrmuese të vlerave ushqimore. Dhe këtu qeveria duhet me doemos të ndërhyjë për përmirësimin e gjendjes, që qytetarët e saj të jenë të mbrojtur.

    A e bën qeveria dhe ministri Panariti këtë me anë të këtij dekreti? Unë them “JO”.

     

    Në këtë rast, ç’do të thotë ulje e nivelit të proteinave?

    Mielli i grurit është i përbërë kryesisht nga karbohidrate (64 % -74 %), dhe proteina (9 % -15 %), të cilat janë kryesisht glutenin dhe gliadin (flas per miellin e grurit). Këto proteina, në kontakt me ujin, lidhen me njëra-tjetrën dhe formojnë një kompleks proteinik të quajtur “gluten”, duke krijuar kështu një lloj rrjeti elastik. Gluteni e rrit 1,5 herë peshën e saj në ujë, dhe gjatë fermentimit (brumjes) mban dioksidin e karbonit, të zhvilluar nga enzimat që përdoren për këtë fenomen. Përqindja e këtyre 2 proteinave (gliadin dhe glutenin) përcakton vetitë e përzierjes (brumit): glutenina i jep elasticitetin, ndërsa gliadina bënë bllokimin e dioksidit të karbonit, pra, i jep fryrjen brumit. Këto dy proteina ndikojnë drejtpërdrejt në formën fizike të bukës, pra, në fryrjen dhe elasticitetin e saj dhe kjo quhet, në gjuhë shkencore, energjia e brumit dhe shënohet me (Ë). Një pjesë tjetër përbërëse e miellit janë edhe kripërat minerale, që lloje të ndryshme mielli kanë sasira të ndryshme kripërash minerale. Këto përcaktohen me një analizë fare të thjeshtë kimiko-fizike që quhet përmbajtja e hirit. Në bazë të këtyre dy elementëve, energjie (Ë) dhe përmbajtjes së kripërave minerale (hirit) janë të ndara edhe tipet e miellit dhe për çfarë mund të përdoret ato. Këtu më poshtë po sjell një tabelë, ku jep në shifra përgjithësuese, si duhet të jetë një miell brenda normave dhe për çfarë mund të përdoret;

    opinion2,ilirPecnikaj-2Këto të dhëna janë marrë nga një studim i Universitetit të Parmës, të cilat, më pas janë marrë si bazë për përmirësimin e legjislacionit Italian për përdorimin e miellit dhe produkteve të tij.

    E them gjithë këtë, për të kujtuar se mielli me më pak se 10,5 % proteina nuk përdoret dhe nuk duhet të përdoret për bukë. Në Shqipëri një gjë e tillë nuk duhet të lejohet, edhe për arsyen e mësipërme, që shqiptarët konsumojnë më shumë se vendet e tjera, pra ku pjesa më e madhe e tyre jetojnë duke konsumuar bukë.

    Si mund të bëhet fizikisht e pranueshme buka e prodhuar me më pak se 10% proteina, e cila nuk e ka nivelin e duhur të lagështirës dhe nuk mbruhet siç duhet?

    -Duke rendur pas shtesave artificiale. Një nga këto shtesa është majaja e birrës. Kjo bëhet për t’i dhënë mundësinë e absorbimit të lagështirës dhe për ta fryrë sa më shumë dhe më shpejt brumin. Një bukë e tillë mund të dallohet, sepse bëhet shumë plastike dhe është si një gomë. Me pak fjalë nuk bën thërrime. Kështu nuk është bërë gjë tjetër, veçse enzimat e tepërta, që ka në brumë, bëjnë të mundur polimerizimin e atyre pak proteinave që janë, por mbi të gjitha bëjnë polimerizimin e karbohidrateve (niseshtesë) në polisakaride me zinxhirë të gjatë të cilat janë të patretshme për stomakun e njeriut. Pra, një ushqim i cili është shumë i konsumueshëm nga shoqëria jonë po kërkohet të legalizohet në nivelet më të ulëta të papranueshmes. Pra, popullit po i ofrohet gomë për të ngrënë, e cila shkakton një sërë sëmundjesh, një ndër të cilat është ulcera.

    -Dhe një shtues tjetër janë ngjyruesit. Këta tashmë dihet që janë rreptësisht të ndaluar në legjislacionin UE, për sa i përket bukës, dhe janë të lejueshëm vetëm për ëmbëlsirat. Kjo, për faktin se konsumi i bukës është shumëfish më i lartë se i ëmbëlsirave dhe kështu konsumatori mbrohet duke e privuar nga përdorimi i ngjyruesve.

     

    Pse bëhet një gjë e tillë?

    Ka thjeshtë një dhe vetëm një shpjegim, përfitimi. Ky tip mielli 00 vjen nga të ashtuquajturit “miell i butë”, dhe po të shikojmë hartën e prodhuesve botërorë të këtij mielli janë; Kina, India, Rusia dhe ish Republikat Ruse. Për të bërë një krahasim, Italia është në vendin e 19 si prodhues në botë i këtij mielli. Pastaj janë vendet që prodhojnë “miellin e fortë”, ku vend të parë zënë Kanadaja dhe direkt pas saj në vend të dytë është Italia. E them këtë për të dhëne një ide se kush është mielli më i kushtueshëm, ai i buti që vjen nga Kina, India apo mielli i fortë qe vjen nga Kanadaja, SHBA dhe Europa?!

    Nga kjo del fare qartë konkluzioni që mielli me përqindje të ulët proteinash kushton shumë më lirë, ndoshta edhe më lirë se kostoja që i kushton një fermeri vendas vetëm për të lëruar tokën, jo më për të prodhuar grurin në Shqipëri. Pra, me një dekret të tillë ministri jonë i nderuar i ka vënë shqelmin jo vetëm konsumatorit, por edhe fermerit, ku për të dy këto kategori duhet të jetë në linjën e parë për mbrojtjen e tyre dhe të interesave të tyre.

    Të parën (mbrojtjen e konsumatorit) nuk arrij ta kuptoj pse duhet me doemos të shkojë kundër, por për të dytën (suprimin e prodhimit vendas) e kam një ide. Mendoj se Ministri u lodh duke bredhur nëpër fushat e Shqipërisë me minj nëpër xhepa për të provuar prodhimin vendas është apo jo në norma e sigurisë ushqimore. Tani që nuk po ia del më, ka vendosur që të pastrojë hambarët e fqinjëve e nëse krijohet ndonjë problem, faji nuk do jetë më i qeverisë, por i fqinjëve, i “shovinistëve grekë dhe sllavë”.

    Në këtë artikull u mundova të sjell në mendjen e konsumatorëve se çfarë po ndodh me ta dhe kërkoj ndjesë nëse në ndonjë frazë kam përdorur terma jo shumë të kuptueshëm për të gjithë, por ju siguroj që janë të saktë dhe më të pranueshëm se buka që kjo qeveri po ju servir. Në Shqipëri po ndodhin gjëra që janë të papranueshme dhe që në vendet e tjera kanë ndodhur në shekujt e kaluar dhe sot gjëra të tilla nuk mund të ndodhin.

    Për çdo lloj shkelje të mësipërme, është e pamundur të kontrollohet fizikisht nga asnjë nga institutet apo laboratorët që janë në Shqipëri. Nuk lanë vend pa abuzuar me ISUV, si Institut i akredituar ndërkombëtar për bërjen e të gjitha analizave. Nuk është aspak e vërtetë. Ai Institut ka akredituar, në 2010-n, vetëm 5 prova analitike, të cilat janë për midhjet dhe për asgjë tjetër, nga mijëra analiza që bën dhe që ka detyrimin ligjor për të bërë. Mos të flasim këtu për laboratorët rajonale të cilat në shumicën e rasteve janë për numër.

    Gjithë këto kohë po vras mendjen si ka mundësi që Ministri dhe bashkëpunëtorët e tij arritën të bëjnë një gjë të tillë dhe pse?

    Fatkeqësisht, kam arritur në një përgjigje të vetme; duke qenë se ky lloj mielli ka një kosto shumë të ulët dhe bazuar në deklarimet e qeveritarëve tanë pranë ILDKPKI-së, ku pjesa dërrmuese e tyre është me “borxhe”, shpresojnë që me manovra të tilla të zbusin sadopak atë hendek të borxheve që kanë.

    Unë e kam të lehtë të shkruaj, sepse jetoj jashtë Shqipërisë (kjo e thënë nga zëdhënësja e ministrit Panariti para pak kohësh për një artikull tjetër),dhe për këtë arrij fare mirë të kuptoj kolegët e mi që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe që për shkaqe “subjektive” nuk mund të shkruajnë. Ku i dihet, sepse mund të dalin kështu pa pritur pa kujtuar të papunë si shërbëtorë jo të denjë për popullin dhe mund të derdhet mbi ta baltë e paparë dhe vendin e tyre ta zënë njerëzit e “devotshëm” e të “zellshëm” dhe me plot krijimtari të pashoq të “patriotëve” tanë qeveritarë. Pastaj ec e fshije “njollën” biografike në “demokraci”…

    Shënim: Ky shkrim nuk është aspak për të krijuar panik, por thjesht për të shpjeguar atë që ka ndodhur dhe që po kërkohet të legalizohet nga Qeveria.

    Dr.   Ilir Pecnikaj .

    Dipartimento di  Chimica 

    Università degli Studi di Milano.

    Via Venezian 21  CAP 20133 (MI)