Dr.Hasan Luçi/ 100- vjetori i djegies së Kuçit nga ushtria greke

    756
    Sigal

    Kuçi u bë fronti kryesor i luftës me bandat andarte greke dhe grekomanët shqiptarë

    Pa mbaruar lufta për Pavarësinë e Greqisë filluan, edhe mëtimet grekomëdha për Shqipërinë e Jugut. Qysh atë kohë, njëri nga krerët e lartë deklaroi se “kufiri veriperëndimor i Greqisë duhej t’ishte lumi i Vjosës”, ndërsa më vonë u deklarua lumi Shkumbin dhe më në veri. Në 1844-n, Kryeministri J.Koleti e shpalli “Idenë e Madhe”(Megaliidhenë) si themelin e qenies politike greke. Kështu mbreti despot Oton që sundoi nga 1832-1862 u përpoq të zgjeronte kufijtë që gjatë luftës së Krimesë dhe ky synim vijoi me pasardhësit edhe me luftën e Lëkurësit në 1878, duke përdorur bandat “vorio-epirote”, me mbështetjen e ushtrisë greke.

    Fronti kryesor i luftës

    Ndërkohë, Kuçi u bë fronti kryesor i luftës me bandat andarte greke e grekomanët shqiptarë që nisi nga bregdeti i Himarës në fillim të tetorit 1912 deri më 12.4.1913, kur sulmoi ushtria e rregullt greke pushtoi Kuçin qendër dhe vendosi flamurin grek, nën komandën e Spathiut. Qysh në fillim të luftimeve në kufijtë e fshatit, Kuçi krijoi komisionin në bazë barqesh e lagjesh i përbërë nga Arif Mëhillaj, Xhafer Alikaj, Meto Peçi,Hasim Stefani, Hasan Balili, Braho Fiku, Ismail Brahimaj, Kadri Gjoleka, Sino Xheli, Mico Kondi, Rakip Zenelaj, Laze Gjoligu, Xhevit Nanaj etj.. Ky komision dha alarmin e kërkoi nga një burrë e më shumë për shtëpi dhe organizoi forcat mbrojtëse vullnetare të fshatit, duke i vendosur në kufijtë e tij me bregdetin. Ai kërkoi forca, armatime e municione luftarake, ushqime etj., nga Gjirokastra e Vlora si dhe fshatrat fqinjë, të cilët dërguan të parët vullnetarë. Më 1912-1914 komandant vendi për Vishatin-Katund-Pilur, me qendër në Qafë Shkallë (Rrëza e Luçe) u caktua Zimo Luçi, për mbrojtjen e kufirit Vërri-Pilur- Qafa e Vanovës-Graben dhe malet e vetëtimave (Guri i Gjatë, Kumbullë, Nikëlekë, Nikëzi, Trëndafil-Vishat). Shalqo Idrizi u caktua komandant vendi i frontit Grashec-Bobovishtë-Kanal dhe qafë Dërrasë –Corraj-Fterrë, për t’u mbrojtur nga sulmet greke nga Kudhësi, Qeparoi-mali i Cikës e Shëndëlliu. Më 19 nëntor 1912 zbarkoi në Himarë Spiro Milo me 1500 forcat greke dhe pushtoi fshatrat e bregdetit. Komisioni mblodhi kuvendin popullor në Kuç që mori masa shtesë mbrojtjeje dhe dërgoi përfaqësues në Gjirokastër e Vlorë për ndihmat e nevojshme, pasi armatimi që kishin vullnetarët ishte i pakët e i vjetër. Më 20 nëntor grekomanët e andartët, një ditë para festës së Bajramit u bënë pritë e grabitën kopetë e kuçiotëve në Vumlo, dogjën stanet dhe xhaminë e Kuçit në Porto Palermo, ku shtëpive u morën dhe gurët e themeleve, siç dëshmon Mustafa Luçi (Ligjërime nga Labëria,f.561). Pas sulmeve të para, S.Milo dërgoi në Kuç dy persona nga paria e Qeparoit (Naqe Leka e Naqe Foto), të cilët tentuan marrëveshjen e parë me Kadri Gjolekën për t’u dorëzuar Kuçin forcave greke, por paria e populli veproi dhe nuk u bë asnjë marrëveshje. Pas këtij dështimi, më 24.11.1912 filluan sulmet nga Piluri në Graben-Katund, ku kuçiotët bënë qëndresë e thyen forcat greke, por ranë 3 dëshmorë, ndër ta Asllan Qorduka hoxhë i fshatit. U vranë edhe pilurjotë dhe motra e njërit e shau me vaje S.Milon që hapi vëllavrasjen. Luftime të ashpra u bënë edhe në Bobovishtë, ku ranë Mico Kondi e Hamit Bardhi. Pas kësaj S.Milo njoftoi parësinë e Kuçit të pritej në fshat për bisedime dhe në fakt u prit me masa të forta sigurie. Ai bëri premtime se Greqia do ta zhvillonte Kurveleshin e Himarën, do të ndërtonte rrugët me Janinën, Athinën e Korfuzin, djemtë do shkolloheshin në Greqi me fondet greke e do bëheshin udhëheqës të Greqisë etj.. Hasan Balili burrë zakoni iu përgjigj në thelb se ishte e ëmbël fjala e Spiros, por kuçiotët nuk do të ishim më shqiptarë. S.Milo dëgjoi edhe një këngë për një tradhti greke ndaj dy të rinjve bregdetas në Selanik dhe kuptoi mesazhin. Bisedimet dështuan me turp për të. Pas këtij dështimi S.Milo mobilizoi 800 vullnetarë grekomanë nga bregdeti i Himarës dhe përforcoi tërë frontin me Kuçin.

    Kuvendi Kombëtar i Vlorës

    Ndërkohë Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e vendit dhe mori masa mbrojtëse në hapësirën e lirë. Më 4.12.1912 në Kuç u ngrit flamuri kombëtar. Nga qeveria u krijua komanda shqiptare me në krye Eqrem bej Vlorën për të organizuar qëndresën ndaj mësymjes greke në Kurveleshin e Poshtëm me tre grupime:1200 vullnetarë të armatosur nga krahinat, 500 xhandarë, 400 trupa nën komandën e Namik Delvinës në Fterrë dhe 600 vetë në Llogora. Eqremi qëndroi gjatë dhjetorit në Kuç,edhe si mik i Kadri Gjolekës. Kuçi u bë qendra e garnizonit më të rëndësishëm në jug të vendit kundër forcave greke, me komandant Rakip Gjolekën nga 1912-1914. Ajo mbajti lidhje të rregullta me qeverinë në Vlorë. Nga qafa e Mretes në Kuç u sulmuan forcat kretase në Kudhës, të cilat i thyen, ndërsa grekët bombarduan me topa nga anijet në Himarë. Më 6 dhjetor Greqia zbarkoi forca të reja në Sarandë, ku luftuan edhe çobanë kuçiotë kundër tyre. Më 7 dhjetor forcat greke u hodhën në sulm të gjerë dhe nuk çanë pas dy-tre ditë luftimesh, lanë vijën e mbrojtjes, ndërsa forcat vullnetare morën Pilurin. I.Qemali urdhëroi të qëndrohej në mbrojtje dhe të ruheshin nga ndërlikimet me fshatrat e bregdetit të Himarës,të forcohej fronti i Kurveleshit.

    Lufta e dytë ballkanase

    Më 13.6.1913 filloi lufta e dytë ballkanase. Vendimi i fuqive të mëdha me cinizmin e E.Greit copëtuan tragjikisht trojet tona e lanë plagë të hapura. Nënshkrimi i protokollit të Firences më 17.12.1913 i detyroi forcat e huaja ushtarake të largoheshin. Greqia u tërhoq edhe nga Kuçi më 15.4.1914, megjithëse kërkoi t’i shtyhej afati edhe një muaj. Gjatë këtij qëndrimi ushtria bëri luftime, presione të mëdha mbi popullsinë, duke rrahur njerëz, vjedhur bagëtitë, djegur bletë e deri fëmijë në djepe nga bandat andarte si ajo e kriminelit M.Gjipali etj..

    Kuvendi i Katundit në Kuç

    Në këto kushte urgjente, për të përballuar rrezikun grek, atdhetarët thirrën Kuvendin e Katundit në Kuç më 5-7 qershor 1914. Nismëtarët e kuvendit qenë Halim Xhelo nga Tërbaçi e Arif Mëhillaj nga Kuçi. Morën pjesë përfaqësues nga Kurveleshi, Lumi i Vlorës, Bregdeti i Himarës, Vlora etj., si Osman Efendiu, Qazim Kokoshi, Ahmet Lepenica, Duro Shaska, Sali Bedini, Sali Hallkua, Hysni Shehu, Ahmet Mehmeti, Halim Xhelo, Arif Mëhillaj, Xhafer Alikaj, Kadri Gjoleka, Riza Runa, Maqe Konomi, Kleanthi Spiro, Memo Mete, Toto Hasimi, Musa Ramo, Laze Malo, Ali Beqiri, Rexhep Sulejmani, Ibrahim Musai, Muço Delo, Todi Arapi, Mihal Paçua, Odhise Andruci, Sherif Bega, Begë Varfi, Eqrem bej Vlora etj.. si dhe komandantët e vendit Shalqo Idrizi, Zimo Luçi etj.. Kuvendin e drejtoi A.Mëhillaj. E.Vlora mbajti një fjalim të gjatë, duke vlerësuar gjendjen nga ana politike e ushtarake. Folën me radhë të gjithë dhe kërkuan ndihmat e nevojshme nga çdo fshat. U morën vendime për organizim çetash në çdo fshat, çdo burrë mbi 15 vjeç, të mblidheshin të holla e bliheshin armë, depoja e bereqetit të qeverisë në Kallarat të përdorej për nevojat e luftëtarëve etj.. Armë u blenë në Korfuz e u sollën shpejt, megjithëse grekomanët u përpoqën t’i ndalonin. Shënoj se, fatkeqësisht historia shqiptare nuk e përmend këtë Kuvend dhe luftën në frontin e gjerë të Kuçit më 1912-1914. Me rastin e 50- vjetorit të Pavarësisë u dhanë dekorata pak luftëtarëve dhe më vonë u shpallën 17 dëshmorë kuçiotë dhe jo ata tre që ranë në Bezhan të Janinës, as sot. Në luftime morën pjesë 300 burra dhe 100 gra kuçiotë.

    Qeveria e princ Vidit

    Qeveria e princ Vidit dërgoi një forcë xhandarësh për bashkëveprim me vullnetarët e jugut për dëbimin e grekëve, pasi nuk e njohu qeverinë e Zografit. Por ndodhi edhe tradhtia e ministrit të Brendshëm Esat pashë Toptanit, i cili nuk dërgoi armë e municione, ndërsa më 28.6.1914 kërkoi ndërprerjen e luftimeve, pasi ai në fakt armatosi edhe rebelët e Osman Balit që sulmuan jugun e vendit. Nën presion grek, ditët e para të korrikut popullsia e Kurveleshit të Sipërm filloi shpërnguljen masive drejt Vlorës, ndërsa në Kuç ende s’kishin hyrë forcat greke, të cilat më 14 korrik shpërthyen sulmin kundër Kuçit e Kallaratit. Më 15 korrik 300 andartë grekë dogjën Kallaratin, megjithëse, bëri qëndresë të fortë dhe sulmuan Vranishtin, ku u ndalën me luftime. Më 29 korrik ushtria greke dhe andartët civilë hynë në Kuç nga Gryka e Kuçit (nga Kurveleshi i Sipërm).Kështu Kuçi u rrethua nga të gjitha anët. Luftëtarët kuçiotë bënë qëndresë ballore e në prapavijë të armikut për çdo pëllëmbë tokë e shtëpi, derisa u larguan banorët drejt Vlorës, megjithëse bombardohej nga grekët. Ushtria greke dhe andartët hynë në çdo shtëpi, filluan grabitjet dhe shkatërrimet e gjithçkaje. Ata dogjën krejtësisht fshatin Kuç më 29 korrik 1914. Grekët pasi i torturuan i dogjën gjallë në shtëpitë e tyre pleqtë Haxhi Kacaboni, Haxhi Rrokaj, Haxhi Nanagjokaj, Miftar Asllanin, Rroko Bushin. Rrapo Mingaj së bashku me mbesën u therën me thikë. U dogjën 500 shtëpi, veç staneve, kasolleve, shtrojeve të qene, vathët e kasollet e bagëtive, u prishën bahçet e ndryshme, drithërat e bukës se ishte koha e korrjeve, prenë pemët frutore, dogjën bletët, grabitën 5 mijë krerë bagëti të imta, 50-60 lopë e një thundrakë etj.. Kështu ushtria greke u hakmor me ashpërsi, si ndaj gjithë Shqipërisë së Jugut në 400 fshatra, nuk mbeti shtëpi pa ndonjë të vrarë a të vdekur edhe pas luftës nga uria, sëmundjet e epidemitë si të shpërngulur nga vatrat familjare. Greqia as ka kërkuar falje për masakrat barbare as ka dëmshpërblyer shqiptarët për tragjeditë që u shkaktoi në vitet 1912-1914, duke valëvitur flamurin “vorio-epirot” e grek në trojet tona etnike. A.Papagosi shkruan në kujtimet e vet se “..i egër e hijerëndë është Kurveleshi, por më i egër dhe i rëndë na është dukur neve, që provuam zjarrin e luftës së vitit 1914”. Edhe gjenerali Bakos që vendosi shtabin në Katund Kuç në Luftën Italo-Greke 1940-1941 shprehej afërsisht kështu, pasi bënë sërish dëme të mëdha dhe internuan 25 kuçiotë në Greqi se kundërshtuan krimet greke.