Dr. Desantila Tahiraj: Gati largimi dhe padia për mjekë dhe infermierë të korruptuar

    387
    Zonja Tahiraj, prej 2 vitesh ju drejtoni rrjetin e spitaleve në Elbasan, a keni një bilanc të punës tuaj?

    Po, natyrisht e kam një bilanc të punës time, për problemet, arritjet, sfidat, detyrimet që kemi si drejtues dhe si mjekë ndaj qytetarit dhe veçanërisht ndaj pacientëve. Detyra duhet parë si e tillë qysh ditën e pare të saj. Pra dua të them se, qysh ditën e parë kam kërkuar nga vartësit e mi, një evidencë të saktë mbi problemet, kërkesat, ankesat dhe gjithçka që lidhej me spitalet, shërbimin, personalin, etj. Dhe fakti është se ka probleme, ka kërkesa, ankesa, anomali, ka mosrespektim të orarit të punës nga mjekë, infermierë, shefa pavijonesh, etj. Këto ishin gjërat e para që konstatove qysh ditët e para të marrjes së detyrës, por që sot ndoshta konstatohen rrallë, pasi nuk ka shanse asnjë të mos respektojë rregulloret dhe detyrimet ligjore që ka ndaj detyrës. Kanë marrë fund kapadaillëqet e shefave të pavijoneve, mjekëve, apo kryeneçësia e ndonjë infermiereje. Çdo njëri prej tyre ka nisur të zbatojë dhe respektojë orarin, pacientin, vendin e punës, ndryshe do të jem e rreptë deri në fund me ata. Prej 2 vitesh insistoj tek dikasteri dhe arrita të siguroj furnizimin me medikamente të Urgjencës, Kirurgjisë, Pediatrisë, Infektivit, Ambulancave dhe sigurova vijueshmëri në furnizimin me produkte ushqimore të kuzhinës së spitaleve. Një punë intensive është bërë për parandalimin e hedhjes së mbetjeve spitalore në vendet publike, pasi gjeta një situatë skandaloze. Masat ishin radikale, dhe nuk kam kursyer asnjeri që nuk i bindet rregullave dhe udhëzimeve spitalore të vendosura nga MSH. Problematika fillimisht ishte e gjithanshme, kishte mangësi në pajisjen e pavijoneve me elementët e nevojshëm mjekësorë, kishim mungesën e aparaturave, probleme të cilat u rehabilituan. Sot rrjeti spitaleve në Elbasan ofron shërbime të nevojshme por edhe ndihmën ndaj qytetarëve, që lidhen me faktin e njoftimeve drejtpërdrejt me celularin tim, apo denoncimeve të çdo fenomeni korruptiv. 

    Muajt e fundit mjekët dhe infermierë janë akuzuar për korrupsion, cila ka qenë masa e parë ligjore që keni marrë për ta frenuar këtë fenomen?

    Po e vërtetë është, ka edhe raste abuzimesh, nuk mund ta fshehin realitetin sepse e stimulojmë atë pastaj, por duhet ta luftojmë ashpërsisht. Madje do t’ju thosha se kam gati procedurat e largimit dhe padisë për disa mjekë dhe infermierë të denoncuar për korrupsion, kujt nuk i pëlqen rroga e shtetit, mund të largohet, por në rast se denoncohet ai edhe do të penalizohet. Ndaj unë dhe stafi im po përpiqemi ta ndalojmë këtë fenomen të turpshëm që ka lidhje direkte me shëndetin dhe jetën e pacientit. Nuk ka ditë që personalisht të mos jem prezente në spitale dhe pavijone duke marrë kontakte me pacientë, familjarët e tyre, por edhe me personalin, duke kujtuar dhe paralajmëruar se, askush nuk do të falet në qoftë se, akuzat nga qytetarët vërtetohen apo janë flagrante. Ka ardhur koha që shërbimi ynë shëndetësor veçanërisht ai spitalor, të vihet mbi binarët e duhur, dhe kjo gjë po merr nga unë dhe stafi im, angazhimin maksimal, shkundjen dhe largimin e metodave të vjetruara që e shkatërruan sistemin shëndetësor, dhe e fundit, ai mjek apo infermier, që nuk e ka dëshirën të punojë në spitalet tona, e ka rrugën të lirë të largohet vetë, pasi largimi nga unë do të shoqërohet me të tjera procedura ligjore, në qoftë se, kapet me shkelje. 

    Zonja Tahiraj, mendoni se sistemi spitalor në Elbasan ka nevojë për investime, në pajisje, infrastrukturë etj ?

    Natyrisht që sistemi spitalor ka nevojë të përhershme për investime në të gjitha sektorët. Ne sot në Elbasan kemi një spital kirurgjik të ri, me staf të kompletuar, një maternitet të ri po ashtu të kompletuar, me staf dhe pajisje, gjithashtu ka nisur të funksionojë edhe Telemjekësia. Po synojmë të thithim investime për rehabilitimin e spitaleve të tjera si Pediatria, apo Infektivi, si dhe përmirësimin e kushteve për stafet dhe pacientët që vijnë e marrin mjekimet tek ne. Spitalet në Elbasan, mendoj se kanë specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë, madje të trajnuar edhe jashtë shtetit, gjë e cila mendoj se do të përmirësojë kulturën e shërbimit dhe cilësinë e saj. Parësore mbetet efikasiteti shërbimeve tona spitalore, gatishmëria e stafit ndaj çdo pacienti, urgjencave, pasi siç dihet ne jemi qarku më i madh i vendit me 5 rrethe, dhe kemi një fluks të madh rastesh në Urgjencë dhe spitalet e tjera, duke mos përjashtuar aksidentet e shpeshta. Ndaj mendoj se, angazhimi maksimal dhe përgjegjshmëria profesionale, duhet të jenë parimet bazë të çdo mjeku dhe drejtuesi në detyrën dhe misionin tonë, ndryshe humbim jo vetëm besimin tek qytetari, por njollosim institucionin, sistemin dhe profesionin e mjekut. 
    Bisedoi: Artur AJAZI
    Sigal