Dr. Cani: Pozita monopoliste e Albtelekomit, penalizon ekonomikisht konsumatorët

    339
    Sigal

    Konkurrenca e pandershme dhe korrupsioni rrezikojnë konsumatorët

    Konkurrenca e pandershme dhe korrupsioni po rrezikojnë sërish një pjesë të mirë të konsumatorëve shqiptarë. Telefonia fikse në Shqipëri është në kushtet e një konkurrence të padrejtë, çka penalizon ekonomikisht direkt konsumatorët. Albtelekom po shfrytëzon pozitën e tij monopoliste për të lënë të shurdhër zërin e konsumatorit. Ky është shqetësimi që ngre Shoqata e Konsumatorit Shqiptar. Sipas ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit” nr.9902, dt.17.04.2008, në nenin 40 “Për mënyrën e faturimit”, pika 3, thuhet se “fatura e konsumatorit duhet të përmbajë informacion të plotë për listën e numrave të telefonit të thirrur, kohën dhe zgjatjen e telefonatave të bëra, numrin e impulseve dhe çmimin total për periudhën e caktuar”. Pra, sipas ligjit, konsumatori duhet të informohet për të gjitha këto, por kjo nuk ndodh. “Konsumatori thjesht bën pagesën, pa pasur të drejtë të kërkojë informacione, pasi në rast të kundërt i ndërpritet shërbimi i telefonisë. Kjo ndodh, pasi kontratat që Albtelekom ka lidhur me konsumatorët shqiptarë janë të njëanshme. Ato janë formuluar pa marrë mendimin e partnerëve, konsumatorit, duke rënë ndesh kështu me ligjin për konsumatorin. Dhe ligjërisht kur kontrata nuk është në përputhje me ligjet e vendit të vet, konsumatori e humb të drejtën e ankesës, pra automatikisht nuk ka të drejtë të ankohet dhe as të përfitojë dëmshpërblim në rastin e ndonjë dëmi, për shkak të firmosjes së kësaj kontrate”, shprehet për gazetën “Telegraf” dr. Islam Cani, kryetar i Shoqatës së Konsumatorëve Shqiptarë. Sipas dr.Canit, këtë model pune Albtelekom e aplikoi te shërbimi i internetit ADSL. “Është bërë një konfuzitet i tillë, sa po të ushtrosh kontroll te ky subjekt, d o të dalë sesa kontrata janë prishur, më shumë se 50 % për shkak të shërbimit të dobët. Por hallet e konsumatorit nuk përfundojnë këtu. Kjo pasi në kontrata ka një kusht, që nëse e prishje atë kontratë duhet të paguaje 5000 lekë të reja, pavarësisht se shkak është shërbimi i dobët, apo pavarësisht se kjo nuk bazohet në ligjet tona. E gjithë kjo për shkak se Albtelekom është monopol, është dominues në treg, ende nuk ka konkurrencë”, shprehet dr. Cani. Gjithashtu asnjëherë Albtelekom nuk informon konsumatorin kur bëjnë ndërhyrje (rregullime) në rrjet. Kështu kur konsumatori ngre receptorin telefonik nuk funksionon, ose të përgjigjet sekretaria telefonike: Ky numër nuk ekziston. “ Konsumatori pëson dëme ekonomike, psikologjike, shëndetësore (kur është i sëmurë dhe do të lajmërojë urgjencën, deri në humbjen e jetës), për mungesë të shërbimit telefonik nga Albtelekom. Konsumatorit shqiptar sipas ligjit të konsumatorit, neni 41 i lind e drejta e dëmshpërblimit “a) në rastet e ndërprerjeve teknike, pa shkaqe madhore, si dhe kur janë lajmëruar më parë dhe kanë penguar konsumatorin nga përdorimi i këtyre shërbimeve për një periudhë më të gjatë se 24 orë, b) kur shërbimi i ofruar është me të meta dhe i ka sjellë dëme konsumatorit”. Por, asnjëherë, ose të paktën SHKSH nuk ka regjistruar asnjë rast ku konsumatori shqiptar edhe pse përballë abuzimeve të mëdha, të jetë dëmshpërblyer nga Albtelekom” thotë dr. Cani. Një kompanie serioze siç edhe pretendon të jetë Albtelekom, nuk i lejohen këto abuzime në kurriz të konsumatorit. Por kjo, sipas dr. Canit, ndodh se Albtelekom nuk ka konkurrencë, por është Zot i Zotërve.

    Çmimi i shërbimit gjithmonë e në rritje

    Për shërbimin e marrë, fillimisht çmimi ishte 240 lekë, por sot është 530 lekë. Konsumatori është i detyruar që ta bëjë këtë pagesë, sepse kërkon shërbimin, por ama gjatë vitit mbi 30 herë i është ndërprerë sinjali telefonik, pa asnjë paralajmërim 3-10 ditë.

    Konsumatori vetëshërbim për funksionimin e ADSL-së

    Këto kanë qenë ankesat e konsumatorëve muajt e fundit. Kanë probleme me aparaturat, me internetin dhe teknikët e shërbimit ADSL e zvarrisin punën deri aty sa konsumatori të mërzitet dhe ta marrë përsipër vetë kryerjen e këtij shërbimi privatisht, duke paguar nga xhepi specialistë të fushës.

    Ankesat për 3 muajt e fundit

    –          Gjithsej                                        849 ankesa

    –          Ndërprerje telefonike, me ditë të tëra   184 ankesa

    –          Zhurma dhe ndërprerje telefoni                236 ankesa

    –          Mungesë fature                                         205  ankesa

    –          Ndërprerje kontrate                                     36 ankesa

    –          Mungesë të shpejtësisë së internetit sipas parametrave të kërkuara  188 ankesa