Dr. Cani: Konsumatorët në terr. CEZ sfidon autoritetin e ERE-s

    385
    Sigal

    SKANDALI/ Konsumatorët shqiptarë dhe invalidët: CEZ Shpërndarje po na grabit për së dyti

    Konsumatorët denoncojnë skandalin e radhës për CEZ. Të shumta janë ankesat në Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar, përsa i përket pretendimeve të padrejta të CEZ Shpërndarje ndaj tyre. Pothuaj të gjitha ankesat konsistojnë në faktin se CEZ po i grabit duke u kërkuar që të paguajnë për së dyti fatura që ata i kanë paguar vite më parë. Për më tepër, CEZ nuk do t’ia dijë as për autoritetin e ERE dhe nuk i zbaton urdhrat e këtij Enti në favor të konsumatorëve. Dr. Islam Cani, kryetari i SHKSH-së bën të ditur për “Telegraf” se, “konsumatorët shqiptarë po grabiten në dritën me diell dhe se CEZ Shpërndarje po vepron në dëm të qytetarëve, pa pyetur për autoritetin e ERE-s”.

     Ankesat

    Ankesa e z. Xhemal Toçi në SHKSH është disi specifike nga të tjerat. Ai ka treguar se kur ka blerë apartamentin e tij nuk kishte matës të energjisë elektrike dhe për këtë arsye CEZ e faturonte atë aforfe. Me vendosjen e matësve u bë kontrata dhe ai vazhdonte të paguante me librezën e re kilovatët që konsumonte me matës. Ndërsa, pa dijeninë e tij, vazhdonte paralelisht edhe pagesa aforfe që paguante më parë, kur ende nuk ishte vënë matës i energjisë elektrike. “Jam faturuar padrejtësisht nga CEZ në kontratën me nr. 108655 nga 30.11.2007 deri në 28.02.2010 në shumën prej 285 984 lekësh. Në të njëjtën kohë, unë kam pasur me matës kontratën D/179778. Faturimin sipas matësit e kam paguar rregullisht deri në shkurt 2010. Pas kësaj date unë jam vetëm me kontratën 108 655, sepse dy kontratat u bashkuan nga ana e CEZ Shpërndarjes. E gjithë kjo nuk do të ishte zbuluar nëse unë nuk do të shkoja pranë CEZ për një vërtetim dhe atje mora vesh se unë figuroja me dy kontrata për të njëjtën banesë”, shprehet z. Toçi në ankesën drejtuar SHKSH-së. Këtu qëndron dhe specifika e problemit të tij, pasi ai nuk mund të kryente dy pagesa, një aforfe dhe tjetra sipas konsumit të matësit për të njëjtën ndërtesë. Shuma e debisë që ai sot ka ndaj CEZ është shumë e madhe dhe ai gjendet para një fakti të kryer, pasi CEZ i kërkon që të shlyejë debinë ndaj tij. Për këtë arsye, ka bërë dhe ankesë te ERE, e cila i dha të drejtë, por CEZ nuk e zbatoi urdhrin e ERE-s. “Vihet re që faturimi i këtyre konsumatorëve në muajt të caktuar bie ndesh me vendimin nr. 28 dt. 04.05.2007 të bordit të komisionerëve të ERE “Për miratimin e kohëzgjatjes së periudhës tranzitore për aplikimin e faturimit amorfe për klientët familjarë pa matës të energjisë elektrike” që përcakton se sasia e faturimit në Tiranë gjatë dimrit do të jetë 600 kËh, ndërkohë që këta konsumatorë në bazë të gjithë dokumentacionit rezultojnë të jenë faturuar tej kësaj sasie. Ndaj ERE kërkon: 1.Verifikimin e këtyre kontratave për të përcaktuar faturimin e këtyre konsumatorëve. 2. Të bëhen anulimet si dhe rakordimet përkatëse mbi keqfaturimet ndaj këtyre konsumatorëve”, thuhet në dokumentin e ERE-s, drejtuar CEZ Shpërndarje. Edhe pse pagesat janë të shënuara të gjitha në librezë, CEZ i kërkon debinë z. Toçi, e cila është shtuar shumë edhe prej kamatëvonesës.

     Ankesa të tjera

    Në pallatin e ish Institutit të Biologjisë në Tiranë të Re, lagja. “Selitë”, rr. “Irfan Tomini” banorët Hysen Bardhi, Sose Cekaj, Manushaqe Alikollari kanë paraqitur ankesat e tyre te SHKSH. Ata thonë se i kanë kryer në Postë pagesat aforfe në periudhën 2007-2010, por CEZ Shpërndarje i quan debitorë, sepse pagesat e tyre nuk janë hedhur në sistem. Për këtë shkak i kanë ndërprerë energjinë elektrike, deri në momentin që ata të paguajnë për së dyti pagesat e periudhës 2007-2010.

     Invalidët

    CEZ nuk mëshiron as invalidët. I tillë është rasti i znj. Manushaqe Alikollari, e cila po rri në terr, sepse CEZ u thotë se janë debitorë dhe duhet të paguajnë që t’u rilidhen dritat. Ndërsa shuma për t’u paguar sërish, edhe pse është e paguar nga kjo familje, i përket viteve 2007-2010, kur ende ishte në fuqi ligji për kompensimin në masën 80 % të energjisë elektrike për kategorinë e invalidëve.