Dr. Bruna Mersini: Ndryshime rrënjësore në spitalin e Vlorës

    1463
    Sigal

    Një urgjencë me ambiente të reja dhe bashkëkohore, një repart pediatrie me ambiente të reja, një sallë telemjekësie. Këto janë disa nga të rejat në spitalin rajonal të Vlorës, të ndodhura gjatë vitit 2014, që kur në drejtimin e këtij institucioni ka ardhur mjekja gjinekologe, Dr. Bruna Mersini.

     Urgjenca

     Spitali Rajonal Vlorë, në sajë të bashkëpunimit me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), sot ka një urgjencë me ambiente të reja dhe bashkëkohore. Pamja, me të cilën përballesh sapo hap derën, është tashmë larg imazhit të dikurshëm, ku në shërbim shikojë më shumë familjarë se sa vetë pacientë. Urgjenca e Spitalit Rajonal Vlorë, sot ka katër dhoma e 15 shtretër, nga 2 dhoma me 9 shtretër që kishte një vit më parë për pacientët, ku risi ka qenë dhoma e reanimacionit me 4 shtretër, e ndarë me bokse për të ruajtur privatësinë e pacientëve. Drejtoria e Spitalit Rajonal Vlorë ka vendosur rregulla strikte, jo vetëm duke ndarë zonat sipas gjendjes së pacientit, por edhe duke i dhënë fund traditës shqiptare, që të sëmurin e shoqëron i gjithë fisi në spital, por ata sot mund të presin në hollin me kushte bashkëkohore në të cilin ndodhet dhe recepsioni dhe ambientet e reja, të cilat janë të pajisura me sinjalistikën e nevojshme.

      Shërbimi i kimioterapisë

    Spitali Rajonal i Vlorës së fundmi edhe me një shërbim të ri.

    Në dhjetor 2014, u nënshkrua kontrata për blerjen e F.V, pajisje KAP-a, për ambientet e Kimioterapisë për Spitalin e Vlorës, me vlerë 534 000 leke. Ky repart do të jetë po aq cilësor dhe do të ofrojë të njëjtat shërbime që ofrohen edhe në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Gjithashtu do të ofrojë një lehtësim për të gjithë ata qytetarë që vuajnë nga kjo sëmundje sepse me hapjen e këtij shërbimi në Spitalin e Vlorës, të gjithë personat e sëmurë dhe të afërmit e tyre që i shoqërojnë do të kenë më pak kosto financiare dhe përveç kësaj, nuk do duhet të udhëtojnë për orë të gjata për të shkuar deri në Tiranë. Pra, hapja e shërbimit të kimioterapisë do të lehtësojë në mënyrë indirekte edhe mbingarkesën.

     Tetori, muaji për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit

     Këtë vit, Spitali Rajonal Vlorë në kuadër të muajit kundër kancerit të gjirit, ofroi analizën e mamografisë falas gjatë gjithë muajit tetor. Nga të dhënat e raportuara, u kryen në total 940 vizita mamografie nga specialisti përkatës, çka tregon ndërgjegjësimin e gruas ndaj kujdesit për shëndetin e saj. Është hera e parë këtë vit, që i kushtohet kaq shumë vëmendje kësaj sëmundjeje, e cila, nëse kapet në kohë, është e shërueshme, ndryshe nga viti i kaluar i po kësaj periudhe ku u kryen në total 20 vizita. Vizitat bëheshin çdo ditë në poliklinikë nga ora 14:00 – 20:00. Siç duket edhe nga shifrat, rezultoi të ishte një hap mjaft efikas dhe i dobishëm në diagnostikimin e mundshëm të kësaj sëmundjeje tek nënat dhe gratë vlonjate. Çdo grua është e rrezikuar nga kanceri i gjirit. Ndaj çdo shenjë që paralajmëron këtë sëmundje të rëndë nuk duhet neglizhuar.

     Laboratori

     Laboratori i Spitalit Rajonal Vlorë, për vite me radhë ka pasur mungesa në aparatura dhe ka qenë në kushte jo të përshtatshme, me tavolina jashtë funksionit për t’i mbajtur ato.

    Gjatë vitit 2014, për herë të parë, në Laboratorin e Spitalit Rajonal Vlorë, janë vënë në punë aparatura të standardeve të larta bashkëkohore, si: Troponina (për infarkt të miokardit). Cell Counter (aparati i Hemokromit). Autoanalizatori, i cili kryen 70 lloje analizash të ndryshme për 100 pacientë në të njëjtën kohë. Me këtë aparaturë, të gjithë pacientëve të shtruar u bëhet ekzaminimi i analizave, pa pasur nevojë të shkojnë në laboratorë privatë. Kjo aparaturë i vjen në ndihmë të gjithë komunitetit të Vlorës.

    Në laborator është vendosur dhe aparati për ekzaminimin e hormoneve.

    Transferimi dhe rikonstruksioni i shërbimit të Pediatrisë

    Në muajin qershor të vitit 2014, u aprovua nga Ministria e Shëndetësisë ndryshimi infrastrukturor i shërbimit të Pediatrisë dhe transferimi i këtij shërbimi nga godina qendrore e spitalit në godinën e jashtme (në godinën e ish-shërbimit Infektiv). Projekti i rikonstruksionit të godinës së këtij shërbimi u realizua me investimin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) së Republikës Turke dhe nga vetë Spitali Rajonal Vlorë. Në kuadër të këtij projekti të realizuar nga (TIKA) për sigurimin e mobilieve të shërbimit të pediatrisë, investimi zinte një vlerë monetare prej 12.090 euro. Për pajisjet elektronike vlera monetare e investimit ishte 6.480 euro, për pajisjet elektronike fondi ishte 6.480 euro ndërsa projekti në kuadër të sigurimit të pajisjeve shëndetësore kishte një fond me vlerë totale 16.680 euro.

     Më tepër siguri për pacientët shqiptar

    Programi i Integruar i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik (PITSHE) financohet nga USAID Albania dhe zbatohet prej International Virtual e-Hospital që nga muaji shtator 2009. Në kuadrin e PITSHE është krijuar një rrjet i telemjekësisë i integruar me shërbimin spitalor në tre qendra spitalore terciare dhe në tetë qendra spitalore rajonale, ku një ndër to është dhe në Vlorë, ku tashmë janë instaluar pajisjet e telemjekësisë.

    Qendra e Telemjekësisë së Vlorës ndodhet në katin e 5-të të Spitalit Rajonal të Vlorës. Kjo qendër ka një sipërfaqe të konsiderueshme në të cilën përfshihet Auditori dhe Biblioteka Elektronike. Ceremonia e hapjes për Qendrën e Telemjekësisë së Vlorës, u zhvillua më 13 Maj 2014. Kjo ceremoni u mundësua nëpërmjet financimit nga Korpusi Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane. Ceremonia u zhvillua në Spitalin Rajonal të Vlorës. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Z. Aleksander Arvizu, Ministri i Shëndetësisë, Z. Ilir Beqja, Drejtoresha e Spitalit Rajonal Vlorë, Znj. Brunilda Mersini. Drejtoresha e spitalit, Dr. Bruna Mersini, konfirmon se ne spitalin e Vlorës do të ketë ndryshime të tjera rrënjësore, për ta vendosur këtë spital në elitën e shërbimit shëndetësor shqiptare, deklaruar kjo dhe nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij, një muaj më parë në spitalin e Vlorës.

    Ergys ALUSHI