Dr.Apostol Kotani/Roli historik i gruas shqiptare në luftërat për liri, pavarësi dhe përparim shoqëror

    514
    Sigal

    Gjatë gjithë historisë shekullore të luftërave për liri dhe pavarësi, gruaja shqiptare ka luajtur rol të rëndësishëm, si në prapavija ashtu edhe në vijën e parë të luftës

    Gruaja në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare

    Qindra gra e vajza, në thirrjen e PKSH dhe shembullin e vëllezërve të tyre, morën pjesë aktive në manifestimet, demonstratat dhe protestat antifashiste, deri edhe në përleshje me forcat fashiste. Ato sabotonin manifestimet fashiste, prishnin orët e mësimit, nuk pranonin të mësonin gjuhën italiane, nuk pranonin të nderonin në mënyrë fashiste, shpërndanin trakte e komunikata, mblidhnin ndihma etj. Historia njeh shembuj të shumtë të kësaj pjesëmarrjeje të rezistencës të grave dhe vajzave shqiptare në luftën kundër pushtuesve fashistë e nazistë.       Kështu ato morën pjesë bashkë me vëllezërit dhe bijtë e tyre, në demonstratën e madhe antifashiste të 28 nëntorit 1941 deri në përleshje me karabinierët dhe milicët. Ato nuk iu trembën as përdorimit të armëve. Midis shtatë të plagosurve, në këtë demonstratë u plagos në sy e në këmbë, punëtorja Frosina Plaku që mbante Flamurin Kombëtar në dorë. Atë, sypatrembur, do ta shohim edhe në demonstrata të tjera deri në fund të jetës së saj. Edhe nxënësit e Gjimnazit të Gjirokastrës, bashkë me shokët e tyre, me flamurin  kombëtar në duar, dolën nëpër rrugë dhe u përleshën me fashistët. Kjo ndodhi me nxënësit e Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit etj. Gjatë vitit 1942 pjesëmarrja e grave dhe e vajzave në demonstrata u rrit edhe më shumë, dhe u bë gjithnjë e më masive, megjithë reprezaljet dhe terrorin e fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kështu, në Shkodër, më 22 shkurt 1942, kur po zhvillohej një aktivitet fashist në kinema “Rozafa”, nxënëset e Shkollës “Donika Kastrioti”, ishin të parat që filluan të bënin zhurmë e të kërcisnin karriget, për të sabotuar aktivitetin. Pastaj ato dolën jashtë dhe demonstruan nëpër rrugë me parulla antifashiste. Fashistët u sulën si bisha mbi to dhe goditën e rrëzuan përtokë shumë prej tyre. Një veprim i tillë ndodhi edhe në Gjimnazin e Gjirokastrës në mars 1942. Në njoftimin që i jepte prefekti Ministrisë P.Brendshme më 8 mars, ndër të tjera thuhej: “Një studente e vogël, Nurije Çiço, bërtet “Rroftë Shqipëria”! Marshalli e kapi vajzën me dy duart dhe don me e dorëzue me zor te agjentët. Profesorët ndërhynë për me e shpëtue vajzën.Marshalli qet pushkë në ajër dhe urdhëron ndërhyrjen e agjentëve. Atëherë fillon një kundërshtim me grushta në mes profesorëve e studentëve nga njëra ane dhe agjentëve të policisë”nga ana tjetër. Kjo ndodhi edhe në Durrës më 12 prill. Gratë dhe vajzat u përleshën me grushte me armiqtë, megjithë përdorimin e armëve. Por ato nuk u tërhoqën, bile hodhën për tokë një oficer dhe vazhduan demonstratën. Po në prill 1942, gratë e Kavajës, të mbuluara me çarçaf dolën bashkë me burrat e me të rinjtë për të kërkuar bukë. Edhe në Elbasan më 8 gusht mjaft vajza morën pjesë në demonstratën e bukës. Haxhire Myzyri e Aleksandra Mano goditën majorin e karabinierisë me shuplaka dhe me zymbylet që mbanin në duar. Edhe në Berat, në demonstratën e 28 nëntorit, në krye qëndronin mjaft gra e vajza. Margarita Tutulani mbajti një fjalim, që ndezi zemrat e grave dhe gjithë  pjesëmarrësve. Po kështu, në Gjirokastër, në demonstratën e 19 tetorit, gratë me qëndrimin e tyre burrëror inkurajuan masat, i dhanë zemër popullit të ngrihej më me vrull kundër pushtuesve. Shembulli i tyre rriti shumë numrin e pjesëmarrësve që arriti në 800 vetë. Në ballë shquhej Bule Naipi, e cila u përlesh me tradhtarin Hasan Xhaferri, që i doli në mbrojtje prefektit, ajo e goditi atë, dhe i rrëzoi revolverin për tokë. Qindra gra e vajza morën pjesë në varrimin e dëshmorit Muzafer Asqeriu në korrik 1942. Në një dokument të armikut shprehej habia për një pjesëmarrje kaq të madhe, që nuk ishe parë në raste të tilla. Kurse nëna e të vrarit qëndronte sikur të ishte nëna e një heroi, -përfundonte informacioni. Por as kërcënimet, as kamxhiku e as arrestimet nuk e penguan e as e ngadalësuan hovin revolucionar të masave në përgjithësi dhe të grave në veçanti. Demonstratat, përleshjet me fashistët dhe tradhtarët, protestat në shkolla etj., gjatë vitit 1943 janë të panumërta. Por më e rëndësishmja dhe më e fuqishmja ishte ajo e 17 shtatorit 1943 përpara burgut të vjetër, për të protestuar kundër dërgimit të të burgosurve në kampet e përqendrimit në Itali. Qindra gra me zërin e tyre të fuqishëm hidhnin parullat: “Poshtë fashizmi dhe tradhtarët!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, Xhelatë gjakpirës, nuk i lëmë djemtë ti nisni për në Itali, “Lironi vëllezërit tanë!” etj. Aty shikojnë edhe vajza që nuk i kishin mbushur të 14 vjetët, nuse të reja dhe plaka që i kishin kaluar të 77-at. as kërcënimet, as zbrazja e armëve nuk i ndalën dot gratë të marshonin drejt dyerve të burgut. As ardhja e prefektit Qazim Mulleti nuk pati efekt, me gjithë kërcënimet dhe çjerrjet e tij si i tërbuar. Ai dha urdhër të shtihej me pushkë e mitraloz. Por ç’ndodhi? Vetë prefekti pohonte se: ‘Nga bërtitjet e manifestuesve, u grumbulluan edhe të burgosurit ndër hekura, gati me i thye ato. Menjëherë u urdhërua dyfishimi i rojeve dhe shtimja me pushkë.” U plagos rëndë Mine Peza dhe më pas vdiq në spitalin burg, po ashtu edhe Athina Nushi. Por prapë gratë nuk u tutën, ato vazhduan demonstratën edhe më me furi derisa i detyruan fashistët të pezullonin internimin e djemve në Itali. Edhe në Korçë shpërtheu një demonstratë e madhe me rreth 400 gra e vajza kundër internimit të 133 të burgosurve, ndër të cilit edhe 29 gra e vajza, për në kampin e “Porto-Romanos”. “Fashistët u munduan ta kryenin në fshehtësi këtë akt, natën vonë, por plani i tyre u zbulua dhe gratë u dolën përpara makinave. As makinat me ujë, as krismat e pushkëve dhe të bombave nuk i zmbrapsën dot gratë, megjithëse u plagosën mjaft prej tyre. Demonstrata u shpërnda vetëm me forcën e armëve. Por armiqtë u tmerruan, kurse popullit i shtuan edhe më shumë urrejtjen dhe i dhanë zemër.” Edhe në Vlorë, në prill 1943, disa orë përpara nisjes të të burgosurve për në Itali, 400-500 gra e vajza shpërthyen një demonstratë të fuqishme, që i detyroi fashistët të mos i nisnin atë ditë të burgosurit. Pas demonstratës dhjetëra vajza u rreshtuan në formacionet partizane. Në demonstrata gratë shpërthyen edhe në qytete të tjera të vendit.

    II. GRATË NË VEPRIMTARINË E NJËSITEVE GUERILE

    Gratë dhanë një kontribut të madh edhe në veprimtarinë e njësiteve guerile, si informatore, strehuese dhe si pjesëmarrëse direkte në aksionet e tyre. Kështu, më 4 gusht 1942 shokët e njësitit të Vlorës që shpërndanin trakte mbi vrasjen e Teli Ndinit, për t’u shpëtuar ndjekjeve u strehuan nëpër shtëpitë e nënave vlonjate. Bule Imami fshehu në shtëpinë e saj Nevruz Lamen pas atentatit kundër një fashisti italian. Ajo e veshi atë me rroba të vjetra, i ngarkoi një thes me qymyr dhe e nxori nga porta, kur forcat fashiste kishin mbushur oborrin e shtëpisë.         Dhoksi Prifti në Tiranë priti dhe strehoi shokët që vranë spiunin e rrezikshëm Jani Kristo. Gonxhe Gjeçi, punëtore në kuesturën e Beratit la hapur një dritare për t’u krijuar kushte shokëve të njësitit për të marrë në zyra një shaptilograf. Ajo qëndroi e palëkundur gjatë marrjes në pyetje, derisa e pushtuan nga puna. Shero Kacia, sapo pa forcat fashiste që po afroheshin, njoftoi shokët e njësitit gueril që ishin futur në kasollen e saj në prag të aksionit mbi Urën e Kardhiqit. ajo u dha dorë atyre të përgatiteshin për përleshje me fashistët.  Komandanti i njësitit Lato Braho dhe vetë Sheroja u vranë. Sabrie Guxha, që kishte shtëpinë pranë kuesturës në Tiranë, ndihmoi njësitin me informata mbi ambientet e kuesturës. Për këtë qëllim, ajo futi klloçkën me zogj në oborr nga një vrimë dhe pastaj shkoi për ta marrë dhe zbuloi terrenin. Në aksionin e guximshëm të tetorit 1942 për marrjen e shtypshkronjës nga ministra bashkë me Mihal Durin dhe shokë të tjerë ishte Ramize Gjebrea. Ajo me guxim dhe gjakftohtësi shoqëroi në një bazë jashtë Tiranës, kamionin e ngarkuar me tulla, ku ish ngarkuar edhe shtypshkronja, duke kapërcyer post-blloqet. Elpiniqi Terziu, kujdestare në konviktin e Institutit Femëror të Tiranës, nxori prej andej, me një valixhe shaptilografin dhe ua dha shokëve të njësitit. Në aksionin kundër postës së karabinierisë në Kuç të Kurveleshit, bashkë me burrat morën pjesë edhe gra, si Fato Elmazi, Hazbie Gaçe. Petrovë Gjokutaj, Xhevo Rapaj etj. Aspasi Mano (Ciku), një vajzë e re në Kavajë, e ngarkuar nga njësiti për të sabotuar mbledhjen përkujtimore të marshimit të trupave fashiste mbi Romë më 28 tetor 1942, me ndihmën edhe të shoqeve uli flamurin italian nga dera e shkollës dhe e zhyti në baltë. Kur erdhën autoritetet për aktivitetin, shtangën kur panë flamurin në baltë. Një nga spiunët tregoi, se kishte parë Aspasinë, por ajo ish larguar. Pas pak rojet sollën të lidhura 6 vajza, dhe kur kuestori, duke kujtuar se me to ishte Aspasia thirri: “Aspasi Mano, tre hapa përpara!” Por në vend të saj doli Kaliro Leka. Pas saj u radhit me të edhe Kristina Ceri duke u paraqitur edhe kjo si Aspasia: Kuestori, i tërbuar thirri; Si, të dyja një emër kini?! Por ndërkohë përbri tyre u radhitën edhe Amalia Prifti e Tefta Niqi. Kuestori u bë bishë, ushtroi presion dhe grushte mbi to, por ato nuk treguan të vërtetën. Guximi dhe vendosmëria e tyre e mahniti aq shumë kuestorin sa shtangu e bërtiti: “Dreq o punë, ç’brumë qenkan?! Zoti im, këto nuk janë krijesa njerëzore!” Nuk shkoi shumë dhe një grup të rinjsh u mblodhën para shkollës me parulla antifashiste e këngë, kërkuan lirimin e shoqeve derisa detyruan kuestorin t’i lirojë vajzat.

    U krijuan edhe njësite me shoqe, si në Berat me Margarita Tutulanin në krye. Ajo, veç të tjerash, organizoi marrjen e materialeve luftarake e të veshmbathjes nga kazermat e ushtrisë dhe i shpuri në bazën e caktuar. Shembujt janë aq të shumtë e të shtrira në të gjithë vendin, sa është e pamundur të përmenden të gjitha.

    III. GRUAJA NË RADHËT E USHTRISË NAÇL

    Që me krijimin e çetave, batalioneve dhe sidomos të brigadave, në ato u rreshtuan edhe qindra gra e vajza, nga qyteti dhe nga fshati. Kështu, në Çetën e Pezës përmendim: Dije Peza, Myrvete Peza, Ismete Lila, Zyra Fera etj. Në çetën “Musa Fratari” të Përmetit, Vito Çajupi, në çetën “Avni Rustemi”: Elisabeta Stefani, në çetën e Rinisë në Vlorë; Dhora Prendi, në çetën “Selam Musai”; Fato Berberi, Parashqevi Llukani; Fete Gjini, Muzejen Galanxhi etj. Një numër vajzash dolën nga radhët e nxënësve të shkollave të mesme të Elbasanit, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Shkodrës etj. Në radhët e Brigadës I u rreshtuan: Afërdita Stratobërdha, Aleksandra Pergjika, Eleni Shambli, Emine Metaj, Ende Myteveliu, Fatime Kasemi, Fato Dushku, Janko Osmani, Stella Karapataqi etj. Në Brigadën III u rreshtuan 45 shoqe, në të IV-51 në të V-71 dhe kështu me radhë edhe në brigadat e tjera.

    Një numër grash e vajzash dolën për të zëvendësuar brurat apo vëllezërit e  vrarë, si Ismete Peza, Sabrie Bozhiqi, Xhevo Shehu, Llavri Gogo, Milika Terova, Kostaqe Toçi, Sofika Misja e shumë të tjera. Në Korçë u krijua një çetë me gra e vajza nën komandën e Kleopatra Maliqit. Në radhët e Ushtrisë NAÇL u rreshtuan rreth 6000 gra e vajza. Ato luftuan heroikisht përkrah vëllezërve të tyre dhe 250 prej tyre ranë në fushën e betejës. Ndër 25 të varurit në litar nga pushtuesit fashistë e nazistë, 6 prej tyre janë vajza: Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi, Ganimet Terbeshi, Sofi Noti dhe Dhoksi Prifti si dhe një me origjinë ruse, 14 gra e vajza janë shpallur “Heroina të Popullit” si: Bule Naipi, Fato Berberi, Hibe Palikuqi, Inajete Dumi, Liri Gero, Margarita Tutulani, Persefoni Kokëdhima, Qeriba Derri, Qybra Sokoli, Ylbere Bilikbashi, Zonja Çurre, Shejnaze Juka, Emine Peza dhe Nimete Progonati. Pjesëmarrja e grave dhe e vajzave në radhët partizane nuk ishte gjë e lehtë. Atyre iu desh të kapërcenin dhe të flaknin tej shumë koncepte të vjetra që përçmonin rolin e gruas e për më tepër mentalitete që atakonin moralin e tyre. armiqtë villnin vrer kundër moralit të shoqeve partizane. Por në disa raste pengesë u bënë edhe vetë prindërit fanatikë. Por ato i kapërcyen këto pengesa e mentalitete dhe, me sjelljen e tyre korrekte në familjen e madhe partizane, treguan moralin e tyre të lartë. Kurse me përkushtimin e tyre në luftë, me guximin dhe trimërinë e tyre, me aftësitë e tyre intelektuale treguan se ato ishin plotësisht të afta për të marrë përsipër edhe detyra ushtarake komanduese dhe detyra politike në radhët e reparteve partizane. Janë të shumta aktet e trimërisë dhe të heroizmit të grave dhe vajzave gjatë përleshjeve me armiqtë. Ato janë aq të shumta, sa duhen vëllime për t’i pasqyruar. Ato arritën deri në anëtarë të seksioneve politike të Brigadave, komisare batalioni, zëvendëskomisare, komisare dhe zëvendëskomisare kompanie, komandante skuadrash e kompanish, përgjegjëse rinie etj. Ato nuk iu shmangën asnjëherë vështirësive të motit, terrenit apo epërsisë armike, edhe pse shokët shpesh u kërkonin të qëndronin në baza.

                           *Historian-Publicist