Dr. Apostol Kotani/Figura e vërtetë e Abaz Kupit është figurë tradhtare

    118

    Vlerësimet e pamerituara dhe krejtësisht të pabazuara të figurës së vërtetë të Abaz Kupit

    Për të denigruar heronjtë dhe patriotët e vërtetë të kombit, pinjollët e bashkëpunëtorëve me pushtuesit nazi-fashistë, disa politikanë dhe pseudo historianë, që mua nuk më vjen mirë t’i përmend me emër, janë përpjekur dhe përpiqen të shtrembërojnë historinë dhe të ngrenë në piedestal figura tradhtarësh të kombit si ish mbretin e vetëshpallur Ahmet Zog, Mit’hat Frashërin, Abaz Kupin, Muharrem Bajraktarin, Alil Alinë, Ali bej Këlcyrën etj..

    Por besoj se kur të lexojnë këtë shkrim, të bazuar në dokumente, do të reflektojnë dhe do të korrigjojnë mendimet e gabuara, ndryshe do t’i fiksoje historia si shtrembërues të të vërtetave historike dhe si përkrahës të figurave tradhtare. Në këtë shkrim unë do të ndalem në vlerësimet e pamerituara dhe krejtësisht të pabazuara të figurës së vërtetë të Abaz Kupit.

    Kështu ai vlerësohet: “Si figurë e madhe e patriotizmit shqiptar, si luftëtar i vërtetë dhe prijës i madh i patriotëve tanë. Si luftëtari i parë që luftoi agresorët fashistë bashkë me Mujo Ulqinakun, se ai ka pasur një biografi tepër të pastër, se deri tani nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë bashkëpunimin e Abaz Kupit me pushtuesit, se edhe në librin “Bijtë e Shqipes”, të një autori të huaj, cilësohet si patriot dhe nacionalist i idealeve të larta,” etj..

    Po cila është figura e vërtetë e Abaz Kupit sipas burimeve dokumentare arkivore, bibliografike dhe kujtimeve të dëshmitarëve okularë?

    1. Nuk është aspak e vërtetë që, Abaz Kupi ka luftuar kundër agresorëve fashistë më 7 pill 1939 bashkë me Heroin Mujo Ulqinaku. Luftëtarët e vërtetë, që dhanë edhe jetën bashkë me Mujon ishin: Hamit Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Kaçi, Ibrahim Osmani, Isak Metalla, Ismail Reçi, Ramadan Veliu, Mitro Dhimetrika, Gaqo Mosko kapiten i artilerisë etj.. Kurse në Sarandë luftuan heroikisht Stefan Dhimertika dhe komandanti i Kufirit Nazif Babani. Kurse Abaz Kupi i pa luftimet me dylbi nga kodrat e Roshbullit me ca topa gjilpëra, të sabotuara nga ish mbreti Ahmet Zog. Dhe pastaj zbriti në Durrës, u vesh civil, dhe sikurse flitet, ju përvesh dyqaneve të tregtarëve.

    2. Nuk është aspak e vërtetë ajo që thuhet se, Abaz Kupi është organizatori kryesor dhe pjesëmarrës në Konferencën e Pezës. Ajo u organizua dhe drejtua nga Partia Komuniste, pas një pune të madhe me nacionalistet. Këtë e ka pohuar edhe nacionalisti Halim Begeja, i cili në diskutimin e tij ndër të tjera tha: “Aktiviteti ynë përpara aktivitetit të Partisë Komuniste është nulë, d.m.th zero.                                                                               Konferenca e Pezës, duke vlerësuar personalitetin dhe meritat e së kaluarës e zgjodhi anëtar te Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Antifashist, dhe me krijimin e Shtabit të Përgjigjëm të Ushtrisë me 10 korrik 1943 e zgjodhi anëtar të Shtabit.

    3. Nuk është aspak e vërtetë se Abaz Kupi është iniciatori i Mbledhjes se Mukjes me 1-6 gusht 1943. E vërteta është se ajo u organizua nga Partia Komuniste, si shprehje e dashamirësisë për të larguar nga rruga e bashkëpunimit me pushtuesit, sidomos në prag të kapitullimit të ushtrisë fashiste italiane, dhe për t’i bashkuar me Luftën Antifashiste të popullit shqiptar. Kryesor në delegacionin e Frontit ishte Ymer Dishnica. Po ç’ndodhi më pas me Abaz Kupin me vendimet e Mukjes? Megjithëse për oportunizmin e Ymer Dëshnicës, ato ishin më shumë në favor të bashkëpunëtorëve. Abaz Kupi me krerët e tjerë kolaboracionistë, u nisën drejt veriut, bënë takime me bajraktarët e Dibrës dhe të Kukësit dhe më 28 gusht 1943 organizuan në Lurë “Kuvendin e 40 krerëve të Maleve” ku morën tre vendime kundër vendimeve të Mukjes.

    a. Të lidhim besën për mirëmbrojtjen e Shqipërisë;

    b. Të krijohet një komandë e Përgjithshme ushtarake me në krye Hysni Demën dhe komanda te krijohen edhe në për rrethe;

    c. Të luftohen forcat e Frontit Antifashist.

    Një ditë më parë Mit’hat Frashëri, me një qarkore udhëzonte: “Neve nuk duhet të bazohemi tek marrëveshja me komunistët por të luftojmë për marrjen e pushtetit politik me rastin e kapitullimit të mundshëm të Italisë”. Për të shpurë këto porosi dhe këto vendime në bazë u ngarkuan krerët.

    Abaz Kupi më 5-6 shtator 1953, kur duhet të ishte në mbledhjen e Labinotit si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, shkoi në Klos të Matit, mblodhi parinë e 7 fshatrave dhe pasi u foli për vendimet e Lurës u tha: “Italia asht fuqi e madhe, ajo na vret, na djeg, prandaj ne do t’i nënshtrohemi, komunistët dhe partizanët nuk do t’i lejojmë me ba aksione kundër italianëve, dhe për me ruejt qetësinë e rrugëve do të krijojmë një forcë të armatosur me nga dy vetë për çdo fshat”,.( Fondi 41, Dosja …Informacion i Çetës se Matit)

    4. Me kapitullimin e ushtrisë fashiste italiane, në kundërshtim me vendimet dhe udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm dhe në kundërshtim edhe me normat ndërkombëtare, Abaz Kupi me 3-400 mercenarë nga Mati, Kruja e Dibria, kish zënë pozicion përtej qytetit të Burrelit dhe kur aty mbërritën forcat e Divizionit Firence nga Dibra, një pjesë të shoqëruara edhe nga Haxhi Lleshi, tentoi t’i çarmatoste, bile edhe kur Haxhi Lleshi i kujtoi orientimin dhe vendimin e Shtabit te Përgjithshëm, derisa Komandanti i Divizionit dha urdhër të hapej zjarr kundër tyre dhe u vranë e plagosën 14-15 vete. ( Sipas dëshmisë së Haxhi Lleshit dhënë autorit te shkrimit me 1982)

    5. Më 21 nëntor 1943 thirri në Zall-Herr gjithë pasuesit e tij, dhe oficerë anglez dhe shpalli formimin e Partisë së Legalitetit me pikësynim luftën për sjelljen e Ahmet Zogut në fuqi. Kjo nuk ishte pjellë vetëm e Ahmet Zogut, por e gjithë reaksionit të brendshëm dhe të jashtëm.

    6. Me ardhjen e pushtuesve gjermanë dhe formimin e qeverisë së regjencës të kryesuar nga Mehdi Frashëri, u lidh me të dhe me nazistët gjermanë.

    Në këto kushte Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm më 7 dhjetor 1943 e përjashtoi atë nga Këshilli dhe Shtabi i Përgjithshëm dhe vendosi demaskimin dhe luftën kundër Legalitetit si bashkëpunëtor me nazistet gjermane.

    Abaz Kupi jepte shuma të mëdha napolonash ari të mara nga anglezët, për të rekrutuar mercenar nga Mati, Kruja, Dibra etj. Kur filluan operacionet, nazistët gjermanë filluan takimet dhe bisedimet edhe me Abaz Kupin, për tu siguruar kalimin e lire nëpër Mati, Martaneshi e Dibra.

    Dy ditë para fillimit të operacionit armik të dimrit, më 17 dhjetor 1943 Abaz Kupi thirri në Lis të Matit krerët reaksionarë të Matit, Kthellës, Selitës etj., dhe u bëri thirrje që edhe ata në krahinat e tyre të bëheshin zotër dhe të mos lejonin partizanët të luftonin kundër gjermanëve.

    Veprimet tradhtare të Abaz Kupit nuk kanë të sosur sa që i detyruan edhe misionaret anglezë pranë shtabit të tij të mbanin qëndrim. Kështu misionari anglez pranë UCN-se Recxhinald Hibbert shkruante: “….Pas peripecive të Abaz Kupi, bashkë me misionarë të tjerë anglezë, po ngulim këmbë pranë Shtabit të Mesdheut, se duhej ndryshuar qëndrimi ndaj tij….”

    Në përgjigje përgjegjësi i Foreign Office pranë Komandës Aleate të Barit shkruante: “Tani është shumë vonë, Kupit nuk duhet t’i dërgohen më armë se ai do t’i përdorë kundër partizanëve, dhe më poshtë vazhdon: “Legaliteti dhe Abaz Kupi u shtynë drejt njerëzve të Tiranës që bashkëpunojnë me gjermanët, dhe se nacionalistët i humben plotësisht shanset e tyre, sepse ata nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve, sepse i ruajtën forcat kundër partizanëve”.

    Dhe me poshtë Hirberti shkruan:

    “Ministri i Jashtëm anglez A. Iden në telegramin që i dërgonte Brodisë me 8 shtator 1944 i shkruante: “Është e qartë se Kupi nuk ka ndërmend të bëjë asgjë. Me siguri që do të na dalin ngatërresa po t’i lëmë oficerët tanë me të. Më mirë t’i tërheqim që andej”. (Marrë nga Libri Tradhtia e Madhe, faqe 194, 208 dhe 246). Abaz Kupi edhe pas arratisjes u vu në krye të organizatës se legalitetit të krijuar në Kajro nga Ahmet Zogu dhe nuk hoqi dorë nga përpjekjet për përmbysjen e pushtetit popullor me anë të diversantëve.

    Kjo është figura e vërtete e Abaz Kupit që kërkohet t’i ngrihet përmendore.