Dr. Abaz Quka:Ngërçet spitalore…shtetërore dhe shoqërore

    660
    Sigal

    INTERVISTË/  Flet për “Telegraf” mjeku neuropsikiatër i qytetit të Lushnjës, Dr. Abaz Quka

    Problemet nëpër spitalet e vendit nuk kanë të sosur dhe disa prej tyre i gjejmë edhe në Spitalin e Lushnjës. Kështu për pagesën nën dorë kundrejt shërbimit në spital, për etikën e mjekëve dhe nivelin profesional, për shërbimet spitalore, komunikimin e personelit me qytetarët, për problemet e ilaçeve, a mund të jetë drejtor i spitalit një specialist çfarëdo (por jo mjek), a niset i sëmuri pa u shoqëruar në Spitalin e Tiranës dhe pse nuk bëhen konsulta serioze në spital do të na i bëjë transparente mjeku neuropsikiatër i poliklinikës së qytetit të Lushnjës dr. Abaz Quka në intervistën e tij ekskluzive dhe e para e kësaj natyre (e një mjeku) për gazetën “Telegraf”.

    -Dr. Abazi, a ka zhvillime pozitive në infrastrukturën mjekësore të Spitalit të Lushnjës gjatë viteve të fundit?

    -Sigurisht ka ndryshime thelbësore, të cilat lidhen me hapësirat që i janë krijuar shërbimit spitalor dhe në përgjithësi problemeve që kërkon koha për një shërbim shëndetësor cilësor. Në Lushnje, krahas godinës së mëparshme të spitalit, kemi tashmë një godinë të re dhe të pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, por ende ka probleme me efektivitetin e përdorimit të këtyre aparaturave nga personeli mjekësor.

    -A janë aparaturat e kohës për diagnostifikimin e sëmundjeve të organeve të brendshme?

    -Spitali disponon ekografitë për ekzaminimin e sëmundjeve të zemrës, të mëlçisë, veshkave, pankreasit, fshikëzës së urinës, prostatës, të mitrës dhe të gjendrës thyroide, me elektroencefalografi për ekzaminimin e sëmundjeve të trurit me bio-mikroskop, për ekzaminimin e sëmundjeve të stomakut dhe të zorrëve etj.. Para dy vitesh Ministria e Shëndetësisë me z.Petrit Vasili solli në spitalin tonë aparatin e skanerit, me anë të të cilit ekzaminohen dhe zbulohen sëmundjet e trurit, të mushkërive dhe të gjitha organeve të barkut. Me ndihmën e Fondacionit “Fëmijët shqiptarë” drejtuar nga znj. Liri Berisha u bë e mundur krijimi i një reparti të veçantë me shtretër dhe me një laborator modern për diagnostikimin dhe mjekimin e të sëmurëve me anemi.

    -E njohin të gjithë mjekët aparatin e defibrilatorit?

    – Veç mjekëve reanimatorë dhe të zemrës, të tjerët nuk e njohin plotësisht (ose fare) përdorimin e tij. Ky aparat ka disa limite dhe duhet të përdoret brenda një kohe shumë të shkurtër (3-5 minutash), sepse po  kaloi ky afat, nuk do të kemi rezultat pozitiv tek i sëmuri.

     -Ju përgjigjet në kohë urgjencave shërbimi i ambulancave? Si është gjendja e mjeteve të transportit të spitalit?

    -Nuk vuajmë nga mungesa e makinave dhe personelit, por ka probleme me gatishmërinë, me mos përgjigjen në kohë të transportit të të sëmurëve ose marrjen e mjekëve për urgjencat. Vite më përpara, kur nisej një pacient në Tiranë, shoqërohej me ambulancë nga mjeku i qytetit përgjatë udhëtimit…

    -Mos doni të thoni se sot nuk shoqërohen të sëmurët nga mjekët përkatës për në Tiranë?

    -Ka edhe të tillë raste që nuk shoqërohen. Pacienti pajiset me dokumentacionin personal dhe e merr vetë rrugën me një rekomandim dorazi nga mjeku i këtushëm. Mendoni sikur atij gjatë rrugës t’i ndodh një rëndim i shëndetit.

    -A bëhen konsulta serioze për të sëmurët e shtruar në spital?

    -Nuk organizohen konsulta të specializuara të atij niveli siç bëheshin dikur, me përgjegjësi të madhe dhe ku mjekët dilnin në konkluzione të sakta për mjekimin e të sëmurit. Në mjaft raste për të sëmurët rëndë bëhet një “konsultë formale” nga një specialist i një fushe tjetër ose me shefin e repartit a të shërbimit. Kjo ndodh kryesisht me mjekët specialist me nivele të dobëta profesionale dhe kur i sëmuri vjen duke u rënduar…, atëherë e dërgojnë në Tiranë.

    – A janë kompetentë në specialitetin e tyre mjekët e spitalit dhe të ambulancës?

    -Shumica e mjekëve janë kompetentë dhe disa me tituj shkencorë edhe të përgjegjshëm në detyrë. Punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm dhe do të doja të mos përmendja emra. Por spitali ynë këto vitet e fundit po vuan mungesën e një drejtimi kompetent mjekësor. Drejtimi në spital ka çaluar.

    -E keni fjalën për pozicionin e drejtorëve që ndërrohen shpesh?

     -Po. Ky është problemi më i lakuar në mjediset spitalore dhe me qytetarët. Konstatoj se me drejtorët e spitaleve po “luan” politika. Postin e drejtorit të Spitalit në Lushnje e kanë kryer deri më sot njerëz të aftë e (të pa aftë), kompetentë e (jo kompetent), profesionistë të fushës së mjekësisë dhe (jo nga mjekësia). Dhe sapo kanë shkelur drejtuesit jashtë profilit, kanë filluar “përplasjet” me mjekët, sepse nuk e njohin specifikën e punës në mjekësi, ngatërrohen me këmbët e tyre, nuk kanë zgjidhur probleme,  por kanë krijuar probleme.

    -Drejtorin e miraton Ministria e Shëndetësisë…?

     -Politika e ka keqpërdorur këtë post duke sjellë në drejtimin e spitalit militantë partiak. Drejtorët jo profesionistë, duke mos njohur specifikën e punës së mjekësisë, kanë marrë iniciativa të tilla që bien ndesh me kodin e punës e aktet normative.

    -Përsëri aludoni për drejtorin e spitalit?

    -Të mos e bëj si “Portokallia”, -ju e thatë. Këto vite kemi patur drejtues korrektë, e specialistë të aftë si: dr. Vasil Lushnjari, Haxhi Tabaku, Sami Osmani etj., që kanë lënë gjurmë të mira në spital, por kanë ardhur edhe të tillë që kanë qenë ekonomistë që s’e njohin profilin e punës sonë. Kam bindjen time të palëkundur se drejtori i spitalit duhet të jetë mjek dhe me përvojën e duhur që të menaxhojë më së miri, me bord, të gjitha problemet që kanë spitalet tona. Ky problem po mbeti në dorën e politikës, keq e më keq ka për të shkuar. Nga spitali ynë mjaft punonjës u flakën në rrugë. Ata e pritën me habi reformën dhe kjo nuk u bë sipas një konsulte të mirë menduar. Të larguarit e kërkuan  të drejtën e tyre dhe  për këtë problem në spital erdhi edhe Avokati i Popullit e u angazhua edhe ministria, por unë mendoj që ministria para se të bëjë këto emërime e “riparime” të mendojë më mirë për ta larguar politikën nga drejtimi i mjekësisë.

    -Ç’mendim keni për etikën e mjekut dhe cilësinë e shërbimit të personelit mjekësor?

    -Gjatë komunikimit me të sëmurin ka ndodhur në disa raste që mjekë specialist, me nivel të dobët profesional ose të çekuilibruar të tipit impulsiv i kanë pritur ftohtë, (pa humanizëm), të sëmurët, ose i kanë vizituar me vonesë dhe në disa raste kanë tentuar t’i sorollatin, atëherë i sëmuri ose familjarët kanë debatuar me mjekët, janë grindur me ta, duke i kërcënuar dhe disa herë  kanë tentuar ose kanë ushtruar dhunë. Me gjithë kushtet e mira që ka krijuar shteti për mjekët dhe personalin mjekësor, në disa raste cilësia e shërbimit mjekësor dhe etika e personalit mjekësor lë shumë për të dëshiruar. Ka patur ankesa të drejtpërdrejta nga pacientët dhe konflikte të hapura gjë që nuk e nderon etikën e mjekut. Mjeku nuk duhet ta mbajë mendjen te “dhurata” që do t’i japë qytetari.

    -Ç’është kjo “dhuratë”? E keni fjalën për pagesën (ryshfetin) që jep qytetari për shërbimin që i bëhet në spitalin shtetëror?

    -Për këtë, mirë do të ishte të intervistonit qytetarët, por edhe ne jemi pjesë e këtij shqetësimi mbarë popullor, i cili nuk po merr zgjidhje. Kur thashë “dhuratë”, atë kisha parasysh, lekun nën dorë ose ndryshe ryshfetin siç themi zakonisht. Nuk them se të gjithë e kërkojnë ryshfetin, por ama edhe qytetarët nuk duhet t’i bëhen rrodhe doktorit që për një shërbim të kryer t’i japin medoemos ryshfet. (Të dallojmë shërbimin privat nga ai shtetëror). Nuk përjashtoj këtu edhe mjekë të tillë që siç përfliten, caktojnë “kuota” për vizita apo shërbime spitalore. Shteti ka miratuar edhe ligjin se duhet të dënohet si ai që merr dhe ai që jep dhe ai që shikon e bën indiferentin dhe shpresoj që gradualisht të ndërgjegjësohet opinioni publik. Shteti duhet të vendosë sanksione kontrolluese dhe operative vëzhguese siç kanë bërë vendet e përparuara evropiane. Një specialist (i një rrethi) na tregoi se një qytetar kishte marrë lekë borxh për t’ia dhënë mjekut që të shtronte e kuronte babanë në spital. Por i ati, pasi doli nga spitali, vdiq në shtëpi. I biri shkon në spital e i kërkon lekët mjekut për të kryer varrimin e babait. Doemos mjeku ia ktheu lekët, por a ka ai më sy e faqe para shoqërisë? Veprime të tilla e ulin dinjitetin e mjekut në një shoqëri demokratike. Kjo nuk është aspak normale.

    -Po farmacitë e qytetit a kanë probleme sipas mendimit tuaj?

    -Mos ndodhtë që njeriu të sëmuret natën e të kërkojë ilaçe se këtu s’ka farmaci nate. Ka një problem: Kur i sëmuri ose familjarët e tij shkojnë në farmacitë e qytetit për të marrë ilaçet, disa farmacistë, kur u mungon një ilaç, i japin pacientit me iniciativë një ilaç ekuivalent, por pa u konsultuar me mjekun përkatës. Ka ndodhur që është dhënë edhe një ilaç që i ka dëmtuar shëndetin të sëmurit. Farmacisti s’ka të drejtë të ndërrojë ilaçin. Ka raste që për të sëmurët e shtruar mungojnë disa barna në farmacinë e spitalit dhe qytetari i blen shtrenjtë te privatët.

    -A është intervista juaj edhe një “trokitje” për ministrinë dhe politikën?

    -Kambanat bien për atë që ka vesh…Gjithçka thashë, është për politikën, për ministrinë, për mjekët për shoqërinë dhe  mbarë popullin. Më duket se unë s’ thashë ndonjë gjë që s’e di populli. Mendoj që për mbarëvajtjen e punës në spitale e poliklinikë duhet që në mbledhjet 6 -mujore dhe vjetore të vijnë edhe përfaqësues nga ministria për të dëgjuar problemet tona. Inkurajoj drejtimin e dikasterit nga ministrat Tavo e Kosova, të cilët edhe numrin e telefonit të tyre e kanë vënë në dispozicion të popullit për informacione në mjekësi. Kështu duhet të veprojnë edhe të gjithë drejtuesit e çdo institucioni…

    Ju faleminderit !

    Mjeku i familjes shpesh herë abuzon me etikën

    Pyetjes nëse tek “Mjeku i familjes” konstatoni dukuri të tilla që e kompromentojnë etikën, dr. Quka përgjigjet: “Qytetari është i lirë të zgjedh mjekun e familjes dhe të dërgojë kartelën e tij personale në atë lagje mjekun e familjes të së cilës preferon të vizitohet. Gjithashtu çdo i sëmurë ka të drejtë të shkojë për vizitë mjekësore në konsultë në spitalet qendrore në Tiranë dhe me kërkesën e tij dhe në këtë rast mjeku i rrethit duhet t’ia jap rekomandimin përkatës duke shkruar se i sëmuri dërgohet me kërkesën e tij. Sepse ka disa mjekë që u thonë pacientëve që të shkojnë pa rekomandim, por kjo ka disa rrisqe (kryesisht financiare) në dëm të pacientit”.

     Realizoi: Kozma Gjini