Dosja e zezë e shëndetësisë, ‘dorëzohet’ QSUT

    385
    Gjendja që në disa pavijone të Spitalit Nënë Tereza, paraqitet mjaft problematike, kjo për shkak të radhëve të shumta të pacientëve dhe familjarëve në këtë spital. Çdo ditë me qindra pacientë i drejtohen kësaj Qendre Spitalore për të marrë shërbimin mjekësor, dhe duket se gjithçka ecën mirë, por në disa pavijone, si ai i Hematologjisë, Kardiologjisë, Reanimacionit, Shërbimi pranë Imazherisë, tek Kabineti i Radiografisë, në disa raste, hasin vështirësi për shkak të radhës së gjatë që krijohet nga personat që kanë nevojë për ndihmë mjekësore.
    Fluks pacientësh në disa prej kabineteve të QSUT
    Nga një vëzhgim i bërë nga Gazeta “Telegraf” ditën e djeshme, u vu re se në këto pavijone numri i personave që prisnin në radhë, por dhe jashtë dyerve ishe me dhjetëra. Problematike paraqitej situata pranë Shërbimit të Imazherisë tek Kabineti i Radiografisë, ku personat që kishin nevojë për një grafi, ishin të detyruar të prisnin në radhë për orë të tëra për të marrë shërbimin nga këto kabinete. Në radhë ishte i detyruar të priste dhe një i moshuar, i cili ishte në karrige me rrota, i cili u detyrua të qëndronte së bashku me familjarët për më shumë se 45 minuta prapa derës së këtij kabineti, për t’i ardhur radha, për të bërë grafinë. Kjo situatë në këtë kabinet ishte për të gjithë pacientët të cilët ishin të ulur në karriget përballë këtij kabineti për të pritur radhën, e cila, sipas pacientëve është thuajse e përditshme. E njëjta situatë paraqitej edhe pranë zonës së pritjes së pacientëve në këtë qendër spitalore, ku me dhjetëra pacientë, të moshave të ndryshme ishin në radhë për marrjen e shërbimit nga ana e stafit mjekësor. Kjo zyrë ishte aq shumë ë ngarkuar nga pacientët të cilët prisnin në radhë për orë të tëra, ku pjesa më e madhe e njerëzve, qëndronin në spital për të kryer ekzaminime laboratorike, procedura mjekësore apo shtrimi disaditor në një pavijon, numri i personave ishte tepër i madh, saqë një personi i ishte vendosur serumi në korridoret e kësaj qendre, e cila ka si funksion pritjen e pacientëve, që kanë nevojë për kontrolle shëndetësore. Radhët e gjata të pacientëve vazhdonin edhe jashtë dyerve të kësaj salle pritjeje, pacientë të cilët ishin të detyruar të prisnin në bordurat e hyrjes të kësaj salle, për shkak të mbushjes së sallës dhe zënies së karrigeve nga pacientët e tjerë. Situata e rënduar paraqitej dhe në shërbimin e Kardiologjisë, Klinika e dytë dhe tek Reanimacioni i kardiologjisë, ku në këto pavijone numri i pacientëve që prisnin në radhë nuk ishte i pakët. Edhe pse radhët nuk mungonin në këtë qendër shëndetësore, nga ana e pacientëve, të pyetur në lidhje me ofrimin e shërbimit nga ana e mjekëve të kësaj qendre shëndetësore, nuk kishte ankesa, duke thënë se sjellja dhe ofrimi i ndihmës në momentin që të vjen radha është në nivele të mira, problematike për ta ishte pritja në radhë për orë të tëra, situatë kjo mjaft e vëshirë për personat e moshës së tretë, të cilët kishin nevojë për ofrimin e shërbimit shëndetësor dhe që ishin të detyruar të prisnin në radhë, pavarësisht moshës dhe problemeve shëndetësore. 
    Fushë plehrash tek stacioni, poshtë Fakultetit të Farmacisë dhe Shëndetit Publik
    Në afërsi të Fakultetit të Farmacisë dhe Shëndetit Publik, në zonën, e cila shërben dhe si stacion autobusi, masa të mëdha plehrash të hedhura përtej bordurës së rrugës, të ofrojnë një pamje aspak të këndshme për syrin, por dhe një agjent serioz ndotës për shëndetin e qytetarëve, të cilët presin në stacion për marrjen e autobusit. Hedhja e plehrave në masë, si nga kalimtarët, ashtu dhe nga personat të cilët qëndrojnë në këtë stacion, e kanë bërë këtë zonë mjaft të ndotur, ku masat e plehrave janë të mëdha. Në lidhje me këtë situatë në këtë zonë, janë pyetur shitësit e dyqaneve pranë stacionit, nëse bashkia ka ndërmarrë ndonjë masë për pastrimin e kësaj zone, shitësit, të cilët janë shprehur: “Mirëmbajtja e Bashkisë, nuk ka tentuar të kontrollojë këtë zonë për ta pastruar. Situatë paraqitet e tillë prej disa muajsh, dhe se është një situatë mjaft problematike, si ne shprehen shitësit e dyqaneve, ashtu dhe për udhëtarët të cilët presin në stacion”. 
    Sigal