Dosier/ Takimi pabesueshëm me të madhin Rudolf Nurejev

804
Sigal

Kujtimet e baletmaestrit Dedin Suli: Takimi me Angjelin Prelocaj, nje shqiptar i thjeshte me meer te madh


 

Viti 1987 ishte një vit me një të papritur tejet të këndshme – vizita ime e parë në Itali, më konkretisht në Milano, ku do takoja njerëzit e mi të dashur  si hallë Angjelinën  dhe vajzat e saj e, po ashtu edhe hallë Xhorxhinën. Për fat të keq im atë, sa ishte gjallë nuk arriti t’i shihte motrat për 40 vjet rresht.



Ishte marsi i këtij viti kur u nisa për në Milano. Udhëtimi u bë me traget nga porti i Durrësit drejt qytetit të Triestes. Atë natë e kalova pothuajse pa vënë gjumë në sy. Ishin emocionet ato që më kishin pushtuar të tërin – do takohesha me dy motrat e tim eti. E, po ashtu, do takohesha edhe me dy motrat e nënës time, Albën dhe Lidian. Ndërkohë ime më kishte ndërruar jetë dhe gjithashtu nuk arriti të takohej qoftë edhe një herë me të motrat, të lindura e të rritura në Itali. Në 45 vitet e monizmit e kishim të ndaluar të takoheshim me njerëzit tanë që ishin të një gjaku me ne. Dhe jo vetëm ne. Nuk dua t’i hyj këtyre ndodhive, por dua të them që hidhësinë e këtyre kujtimeve e përkujtimeve i ka përshkruar mjaft bukur i nderuari Atë Zef Pllumi në librin e tij “Rrno për me tregue”. Ndaj, edhe unë po vazhdoj me ditarin e rrugëtimit tim ndër vite.

Në stacionin qendror të Milanos më pritën dy vajzat e hallës, Karmelina dhe Dolorezi. Me makinën e tyre shkuam në shtëpinë e hallë Angjelinës. Sa emocione pata kur u takova me hallën time dhe me bashkëshortin, Vinçencon. Halla më përqafonte përmes rigave të lotëve nga gëzimi e malli që ajo mbartte në shpirt.


Me rastin e vizitës sime, familja e hallës shtroi një drekë, ku ndodheshin edhe dy dhëndurët, Pino dhe Silvio. Kur dreka mbaroi, kaluam te dhoma e pritjes. Të parën dhuratë që unë i ofrova kësaj familjeje ishte një album fotografik familjar ku kishim renditur me qindra fotografi. Një pjesë e fotove kishte stampën e fototekës “Marubi” në Shkodër. Fotot nisnin që nga fëmijëria e hallës e që ndiqnin një vazhdë pamore derisa ajo mori rrugën për në Itali. I shihte halla fotot dhe një mall tejet melankolik shquhej në fytyrën e saj fisnike. Kujtonte jetën e vet e të prindërve të saj ku nuk mungonte, farefisi deri në detaje. Për këtij çasti do t’i lerë vend përshkrimi edhe më poshtë.

Të nesërmen dolëm të gjithë bashkë në qendër të Milanos ku ishte kisha e Duomos. Kjo kishë më mahniti me bukurinë e saj arkitektonike që nga lashtësia e saj monumentale.

Mirëpo ditët e bukura kalojnë shpejt. E vizitova Milanon që nga rrugët e sheshet e saj e deri në teatrin madhështor, “Scala”-n e famshme, ku pata fatin të ndiqja nga afër baletin “Zhizel”, nën interpretimin e artistëve të mëdhenj si Ana Raci dhe Rafaele Paganini.

 

                        

 

Dua të bëj një sqarim për këtë udhëtim në Milano që m’u dha rasti ta realizoja. Para se të nisesha, drejtoria e Operës më dha dy adresa për menaxherët e spektakleve të baletit. Njëri nga këta ishte Luixhi Pignotti (menaxheri dhe sekretari i balerinit Rudolf Nurejev). Bisedat me Pignottin do të përqendroheshin nëse mund të krijohej mundësia që edhe trupa e baletit tonë të shkonte atje me një shfaqje të plotë. Nëpërmjet një rekomandimi u krijua mundësia për t’u takuar me Luixhi Pignottin. Takimi do të bëhej më 20 mars, ora 18.00. Gjatë rrugës për të shkuar në takim, unë, me fantazinë time prej artisti mendoja: “Sikur të kem fatin të takohem edhe me Nurejevin”. Kjo që mendoja sigurisht ishte një ëndërr, sepse persona si ai ishte shumë e vështirë të takoheshin. U ndodha para një ndërtese dykatëshe, me një oborr të mbushur me lule viole. Ato dukeshin sikur i kishte qëndisur dora e njeriut. I rashë ziles e, mbas pak çastesh, u hap dera. Luixhi Pignotti po më priste te dera e madhe e ndërtesës. U prezantuam. Në të njëjtën kohë u futëm në një holl të madh, i cili funksiononte si sallon pritjeje. Gjëja e parë që më ra në sy ishte portreti i Nurejevit. Kishte, gjithashtu, edhe shumë fotografi nga aktiviteti i tij, kudo ku ai kishte shkuar. Luixhi m’u drejtua duke më thënë se duhej të prisja për pak çaste në sallon sa të mbaronte një punë të lënë përgjysmë. Që të mos mërzitesha, më dha programin e shfaqjeve të baletit në “Scala” të Milanos. Duke lexuar, fiksova një datë kur do të luhej një shfaqje nga “Baleti Metropolitan” i New Yorkut dhe pikërisht “Simfonia blu” e Stravinskit. Në sfond dëgjohej muzika e “Arrëthyesit” të Çajkovskit. Isha shumë i emocionuar dhe i lumtur që ndodhesha në këtë ambient të dëshiruar prej kohësh. Mendja ime shkoi larg, në atdheun tim të dashur, ku sistemi totalitar na mbylli “brenda katër mureve” me të “famshmin”, artin e realizmit socialist. Me të drejtë, kritiku shumë i dëgjuar, Alberto Testa, shprehet: “Një nga gjërat qendrore për artistin është që të bjerë në kontakt me artistët e të gjithë racave, në botën e qytetëruar”. U ngrita dhe po shihja fotot e shfaqjeve të Nurejevit. Ishte një kronologji pa fund e repertorit të tij në të gjithë botën. Po citoj disa nga këto: datat 3, 6, 7 mars 1962, Londër, Royal Opera House “Bukuroshja e fjetur”, kërcyer me balerinën Yvette Chauviere dhe balerinën e famshme angleze, Margot Fonteyn; 23.04.’63 New York, Metropolitan Opera House, baleti “Zhizel” me balerinën Margot Fonteyn; 3.7.’63 Los Angeles “Margerita dhe Armandi”, me balerinën Margot Fonteyn; në 1965 në Washington, baleti “Zhizel”, përsëri me Margot Fonteyn; më 26.1.’69 në La Scala të Milanos “Bukuroshja e fjetur”, me balerinën Carla Fracci. Vazhdonin më poshtë edhe plot aktivitete të tjera.



Nurejevi ka punuar edhe si udhëheqës artistik në baletin e Operës së Parisit. Në Operën e Parisit ai u quajt novator i baletit, si në baletin klasik ashtu edhe në atë modern. Në këtë ekspozitë të pafundme ishin edhe takimet e tij me personalitete të artit dhe të politikës. Nurejevi luajti edhe në filmin e titulluar “Valentino”, tërësisht i zhvilluar në balet. Ky artist i madh, në mbylljen e karrierës së tij dirigjoi në orkestrat simfonike me muzikë të Bahut, aq të dëshiruar prej tij. Paraja për Nurejevin nuk kishte shumë rëndësi, sepse kishte aq shumë sa tani mendonte vetëm për arritje të mëtejshme dhe për famën e tij. Në këtë sallë ku ndodhesha, duke parë jetën e këtij balerini të kalibrit botëror, mësova edhe si ishte njohur me sekretarin dhe menaxherin e tij, Luigi Pignottin. Kështu filloi puna e këtij të fundit me Nurejevin. Mbas disa vitesh Pignotti bëhet sekretar dhe menaxher i artistit, deri kur Nurejevi mbylli sytë dhe u shkëput përgjithmonë nga jeta dhe skena që e deshi aq shumë.

Mbasi pashë fotografitë e ekspozuara dhe materialin mbi jetën e Nurejevit, u ula në pritje të takimit tim.

Dera e sallonit u hap dhe hyri Pignotti. Ai m’u drejtua, duke më kërkuar falje për vonesën. Iu përgjigja se e kisha shfrytëzuar kohën për të parë mrekullitë e Nurejevit. Sekretari shtoi se aty ishte vetëm një pjesë fare e vogël e aktivitetit të artistit. Pastaj u ul pranë meje për të dëgjuar motivin e vizitës sime. Më shpjegoi, në përgjithësi, si kryhen dhe si funksionojnë prenotimet e shfaqjeve. Mora shënimet e duhura si zhvillohej e gjithë praktika, deri në detajet më të rëndësishme. Mbas një bisede të lirë, i shpreha, mes të tjerave, se ky takim ishte shumë i dëshiruar nga ana ime dhe pse kisha pritur të njihja nga afër jetën e Nurejevit. “Ne shqiptarët kemi mundur ta ndjekim atë vetëm nga larg, përmes ndonjë programi televiziv” – i thashë për momentin. Kur unë shqiptova fjalën shqiptarët, ai më vështroi si për të kujtuar diçka të largët… Pignotti m’u drejtua, duke më thënë: “Zoti Suli, me fjalën shqiptarët, më kujtuat Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore. Ai ka dhënë shfaqje përpara disa vitesh edhe këtu, në vitin ’78, nëse nuk gabohem, Ansambli ka dhënë koncert këtu në Milano. Shfaqjet ishin të organizuara në bazë të Konventës Kulturore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Këtu në Itali ka një praktikë të tillë: edhe kur shtetet bëjnë Konventat Kulturore në rrugë zyrtare dhe del problemi i sallave, ato lidhen me ne. Kështu që në atë kohë bëmë lidhjen për dy koncerte, si në Palasport ashtu edhe në sheshin e Duomos. Por, – vazhdoi sekretari, – kur ne bëjmë këto lidhje, në praktikën tonë i filmojmë koncertet”.


Biseda jonë u bë tejet interesante, ai u tregua konfidencial, sikur kishte kohë që ishte njohur me mua. Në një moment i thashë se do të isha njeriu më i lumtur sikur një ditë të takoja Nurejevin, qoftë edhe për pak çaste. Pignotti më vështroi me një buzëqeshje, pa më dhënë përgjigje. Mbas një pauze të shkurtër, më tha që Nurejevi ndodhej aty, pak metra larg nesh. Në ato momente kishte një takim me një koreograf japonez. Për momentin shtanga. Një zë i brendshëm më tha: “Do ta takosh këtë artist edhe ti..”. . Pastaj, – shtoi Pignotti, – është vështirë ta takosh se nga çasti në çast Rudi do të largohet. Por, më vonë çfarë ndodhi? U hap dera e sallonit, që kishte lidhje me një dhomë tjetër pritjeje dhe prej andej hyri Nurejevi.


Unë instinktivisht u ngrita, kuptohet për ta respektuar artistin. Ai u afrua, më dha dorën. Sekretari iu drejtua me buzën në gaz: “Zotëria ka shprehur dëshirën të takohet me ju, sikur edhe për pak çaste”. Nurejevi, me shumë përzemërsi, i tha: “Ja, erdhi rasti, po kam edhe pak punë me kolegun tim, pastaj mund të rrimë pak kohë së bashku”. Vërtet, pas pak doli Nurejevi me kolegun e tij, i cili u largua dhe më pas Nurejevi u ul pranë nesh. Më pyeti për rininë, jetën time dhe me çfarë merresha. I thashë edhe motivin e vizitës sime e mbi të gjitha, dëshirën për t’u takuar me të. Ai, sa dëgjoi fjalën Albania, sikur donte të thoshte diçka, por nuk po kujtohej… Ndërhyri Pignotti për t’i kujtuar Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore Shqiptare. I tha, gjithashtu, se kishin edhe diçka të regjistruar nga Ansambli. Mori kasetën me regjistrimin dhe e vuri në “video-regjistrator”.


Në ekranin e madh u paraqit vallja “Luftëtarët e lirisë”. Nurejevi ishte përqendruar i tëri te kjo baladë koreografike, sidomos në momentin kur Besim Zekthi ishte i ngritur nga valltarët e tjerë në një pamje skulpturore, me duar lart, duke imituar shqiponjën në fluturim sipër, në qiellin e pastër. Nurejevi u ngrit në këmbë duke imituar krahët e hapura e të ngritura deri diku lart të Besimit. Pastaj shtoi: “A e dini çfarë më kujton kjo dorë lart drejt qiellit?… Por, më përpara dua të jap mendimin tim për këtë që pamë. Nurejevi më pyeti se si quhej kërcimtari. “Zekthi”, – dhe i shqiptova vetëm mbiemrin. Dhe Nurejevi vazhdoi: “Zekthi është një figurë e veçantë në vallëzimin popullor. Këtë figurë nuk e kam hasur në asnjë vend. Ky artist i takon të gjithëve”. Pastaj ai vazhdoi të kujtonte: “…Rreth viteve ’57 bëja stazhin në “Balshoi Teatër”. Një student shqiptar që studionte në Gitis, për regjisor baletmaestër, na mblodhi dy çifte. Maestroja shqiptar (e kishte fjalën për Panajot Kanaçin) eksperimentoi një numër të quajtur “Shqiponjat”, numër, i cili do të vlente në vendin e tij për një balet kombëtar. Unë e kisha harruar atë, por ishin pikërisht duart e Zekthit që ma kujtuan. Gjithashtu, më kujtohet edhe një balerin tjetër shqiptar, i shkurtër, por që ishte virtuoz në zhanrin grotesk, quhej, nëse s’gabohem, Misha (është fjala për Miltiadh Papën). Ne xhiruam një dokumentar ku merrnin pjesë: Vasiljenko, unë, Misha Maksimova. Misha kërceu variacionin e skllavit nga baleti “Bajadera”.

Më pas ai iu drejtua Pignottit duke i thënë: “E sheh, që duke parë këtë regjistrim na kujtove diçka të largët?” Në atë moment ra zilja e telefonit. Aeroporti i Milanos lajmëronte orën e nisjes së Artistit bashkë me sekretarin për në Berlin. Kështu që edhe takimi ynë u ndërpre. Jashtë më priste kushërira ime, Dolorezi (ajo punonte sekretare te Rusconi). Ishte pikërisht ajo që  më ndihmoi shumë për takimin me Pignottin. Më pyeti si shkoi takimi. I thashë se kishte qenë dita më e lumtur e jetës për mua, sepse krejt rastësisht isha takuar me balerinin më të mirë, Rudolf Nurejevin. E mbi të gjitha, isha shumë i kënaqur sepse ai më kishte folur për tre artistë të mëdhenj shqiptarë, për të pazëvendësueshmit e artit tonë koreografik, Panajot Kanaçin, për Miltiadh Papën dhe për Besim Zekthin.

 

 

 

 

 

 

Baleti kombëtar “Delina” realizuar më 17 maj 1964, me muzikë të kompozitorit të mirënjohur, Çesk Zadeja, dhe me koreografi të baletmaestrit Panajot Kanaçi


 

Baleti “Delina” e ka marrë subjektin nga lufta e popullit shqiptar kundër pushtimit turk në fund të shek. XVIII. 

Në këtë balet kombëtar sukses patën solistët Zoica Haxho dhe Agron Aliaj, pa përjashtuar trupën. Ishte kënaqësi edhe për mua që mora pjesë si valltar në këtë balet. 

 

Baleti “Paganini”, realizuar më 21 nëntor të vitit 1963. 

 

Ky balet ishte mbështetur në rapsodinë për piano dhe orkestër  të kompozitorit Rahmaninov. Më vonë kompozitori shkroi libretin, të cilin ia besoi baletmaestrit Fokin. Po aq suksesshëm ky balet u interpretua në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit me koreografi të mjeshtrit Panajot Kanaçi.


Në baletin “Paganini” interpretuan solistët e trupës, që tashmë kishte kohë që e prezantonte veten në mënyrë profesionale si Zoica Haxho, Agron Aliaj si dhe Marielis Jakob. Në gjithë performancën e këtij baleti të suksesshëm si nga ana e prezantimit ashtu edhe të interpretimit dhamë më të mirën unë dhe kolegët e mi H. Shtini, P. Agalliu, Hysen Këllezi dhe Llaqi Nako Baletmaestri Panajot Kanaçi, falë një konceptimi dhe trajtimi përgjithësisht të goditur në unitetin muzikë – koreografí, realizoi një shfaqje ku ndihej fuqishëm atmosfera njerëzore, pra artistë dhe spektatorë, të cilët, të befasuar nga arritjet e trupës dhe të vetë pjesës, na mbështetën gjatë gjithë shfaqjes e më pas.

Në mbyllje të shfaqjes ndjeva vetëm gazmend e lumturi. Me të shpejtë mora drejtimin për në shtëpi ku më prisnin prindërit së bashku me Dashën, Laurën 5 vjeçe dhe vogëlushin 1 vjeçar, Antonini. Atë natë pothuajse e gdhimë teksa ishim të përfshirë nga çfarë u tregoja rreth kësaj shfaqjeje të suksesshme. Më pas Dasha dhe fëmijët shkuan në dhomën e gjumit, ndërsa unë, ende i përfshirë nga tingujt e mrekullueshëm të muzikës dhe me mendjen tek interpretimi bindës për këndvështrimin e koreografit Kanaçi dhe sytë shkëndijues të spektatorëve për kënaqësi të të treve u ula në bisedë të ngrohtë me prindërit e mi aty, në kuzhinë, në një apartament përballë me Rrugën e Durrësit. Biseda vërtitej rreth shfaqjes “Paganini” ku unë veç shpjegoja deri në detaje. Nëna dhe im atë dinin dhe jo pak për violinistin e madh botëror Nikola Paganini. Për një moment pashë një hije trishtimi në sytë e të dyve dhe, me njëfarë shqetësimi i pyeta se çfarë kishin. “Po digjemi për dy cigare”, – thanë ata sikur diçka dëshpëruese i torturonte. 

Siç ishin ulur pranë dritares, babës i zuri syri një kalimtar të rastit me cigare në dorë. Me një shpejtësi marramendëse për moshën, baba zbriti shkallët dhe doli në rrugë duke u përballur me të huajin dhe i kërkoi një cigare. Personi në fjalë, tepër gjentil, teksa pa e ndjeu padurimin e tim eti për cigare, diçka kuptoi në vetvete dhe i zgjati dy cigare. Sapo ndezën cigaret, të dy, baba e nana filluan t’i thithnin me et dhe sikur u liruan edhe nga ana shpirtërore. Ishte tepër vonë dhe në atë kohë nuk kishte kurrkund kinkaleri të hapur dhe ishin në hall të Zotit, se si do ta shtynin natën pa cigare. Unë vetë nuk e pija cigaren, por kjo nuk do të thoshte aspak se njëfarë detyrimi moral e kisha që mos ta lija tim atë pa gjë. Teksa e thithi për të fundit herë, im atë m’u drejtua dhe më tha: “Biri im, mos ia mbaj askurrkujt cigaren”. Me dashamirësi u hodha nga një vështrim të dyve, i urova “natën e mirë” dhe shkova edhe unë në dhomën e fjetjes teksa mendoja: “Baba e shtyn me një pension të vogël – duke menduar se vuajtjet dhe hallet e asaj kohe nuk ishin të pakta. Cigaren unë e kam filluar pak vonë, mbasi nëna ime, Serafina, ndërroi jetë.

Edhe sot, në  moshë të tretë, shpesh dal në ballkon, ulem në një poltron dhe aty dhe e ndez një cigare ashtu, i zhytur në mendime, teksa kujtoj vitet e hershme të rinisë sime e të shoqërisë së asaj kohe. Më pas kthehesha në dhomën e punës e vazhdoja të shkruaja për koreografinë tepër të suksesshme të atyre viteve, interpretuesit dhe koreografët, të cilët mundoheshin ta shpërndanin te ne kërcimtarët atë çka ato mishëronin. Edhe pse ka vite që kam dalë në pension, përsëri i çoj nëpër mend koreografët shqiptarë dhe përsëri u them, ashtu nën zë: “Ju faleminderit!”.