Dorëheqjet nga Vetëvendosje, Albin Kurti: Janë për të ardhur keq, nuk ka ndarje të partisë

502
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se nuk ka ndarje në subjektin e tij, edhe pse deri më tani janë larguar 12 deputetë dhe dy kryetarë komunash.
Në mbledhjen e mbajtur sot me kryetar dhe sekretar të Qendrave të kësaj partie, Kurti i quajti për keqardhje dhe të gabueshme dorëheqjet nga LVV, duke thënë se nuk ka as ndarje as ndalje të kësaj partie.
E fundit që dha dorëheqje nga VV-ja ishte deputetja, Besa Baftiu. Para saj u largua edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti duke e lënë VV-në me vetëm një komunë që e udhëheq.
Postimi i Vetëvendosjes në Facebook:
Sot, nën drejtimin e kryetarit, Albin Kurti, ushtruesit të detyrës së sekretarit organizativ, Ismajl Kurteshit dhe koordinatorit për Qendra, Liburn Aliut, u mbajt mbledhja e rregullt me kryetarë dhe sekretarë apo administratorë të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Mbledhjen e hapi Ismajl Kurteshi, i cili foli për riorganizimin e Lëvizjes nëpër Pikat e Qendrat ku do të nis procesi zgjedhor nëpër struktura me qëllim të kompletimit të të gjitha organeve në ato Qendra.
Kryetari, Albin Kurti, tha se VETËVENDOSJE! duhet të shërbejë si infrastrukturë për qytetarët që i duan ndryshimet progresive e si shans për aktivistët që të lidhen edhe më ngushtë e të bashkëpunojnë edhe më afër me qytetarët. Si udhëheqës lokal të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e keni shumë më të lehtë të takoni qytetarë të lagjes apo fshatit, njerëzit kyç në komunitetin tuaj dhe të gjithë t’i organizoni e aktivizoni për të mirën e përgjithshme”.
U tha se populli nuk është i dëshpëruar por është i brengosur me situatën rreth Lëvizjes për shkak të goditjeve nga brenda, mirëpo pikërisht për këtë ai është edhe më i gatshëm të ndihmojë, gjë që po reflektohet në anëtarësime të reja. Teksa u diskutua për dorëheqjet nga Lëvizja, përveç tjerash, Albin Kurti tha: “Nga Lëvizja VETËVENDOSJE! ka disa dorëheqje dhe dalje, që janë për keqardhje dhe të gabueshme, por në Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk ka as ndarje dhe as ndalje!”.
Sigal