“Dopio” Berisha, kosovari i dhuron fitoren Brisbejnit

460
Sigal

Ish-sulmuesi i Kombëtares shënon dy gola. Synon fitimin e “Këpucës së Artë” në Australi

 Ylli i Besart Berishës vazhdon të shkëlqejë në kampionatin australian. Sulmuesi kosovar është shndërruar në lojtarin kryesor të këtij sezoni për Brisbejn Roar në kampionatin australian. Ish-lojtari i Kombëtares shqiptare shënoi një dygolësh (22’, 52’) në fitoren 2-1 në kundër Adelaide United, duke i dhuruar një tjetër sukses me peshë skuadrës së tij përpara mbi 12 mijë tifozëve të pranishëm. Berisha për pak e mbylli takimin me një tregolësh, por portieri i Adelajdes, Eugen Galekoviç, bëri një pritje të shkëlqyer në kohën shtesë, përpara se Xheronin Nojman të shënonte një gol ngushëllues një moment më vonë.  Takimi i luajtur në “Suncorp Stadium” nisi nën ritmin e diktuar nga vendasit që e zhbllokuan rezultatin në minutën e 22-të me anë të sulmuesit shqiptar, i cili u rikthye te goli pas tri javëve shterpësi përpara portës. Por Berisha nuk u ndal me kaq pasi arriti të siglonte edhe rrjetën e dytë personale në minutën e 52-të me një gjuajte nga rreth 20 metra, duke sigluar fitoren për skuadrën e tij pasi miqtë arritën të shënojnë vetëm një herë në minutën e tretë shtesë. Një fitore me peshë për Brisbejn që ashtu si dy sezone më parë po udhëhiqet nga lojtari shqiptar drejt suksesit në kampionat. Me këtë dygolësh Berisha ngjitet në vendin e dytë të klasifikimit të përgjithshëm të golashënuesve me dhjetë gola, një më pak se sulmuesi i Perth Glorit, Adam Tagart. Në fund të këtij sezoni, Berisha do të largohet nga Brisbejn Roar pasi ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me skuadrën e Melburn Viktori.

Brisbejn Roar konsolidon pozitat në krye të klasifikimit të përgjithshëm me 44 pikë, dhjetë më shumë se ndjekësi më i afërt Uestern Sydnej, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje nga përfundimi i kampionatit.

 “Shpërthen” Teli-Agolli

 Karabaku i Admir Telit dhe Ansi Agollit fitoi 4-0 me Bakin, në javën e 25-të të Kampionatit Azerbajxhan, duke hedhur një hap të sigurt drejt titullit. Mesfushori Agolli luajti gjatë gjithë takimit, ndërsa mbrojtësi Teli ishte në stol.

 Fiton Kapllani, humb Meha

 FSV Frankfurti i Edmond Kapllanit fitoi 1-0 me St. Paulin, në javën e 24-të Bundesligës 2 gjermane. Sulmuesi durrsak luajti deri në minutën e 82-të. Padeborni i Alban Mehës pësoi një humbje të thellë 4-0 me Karlsruhen, por për Bundesligën 2.

Humb Migjen Basha

 Torino e Migjen Bashës humbi 1-0 me Interin, pikërisht në ditëlindjen e 106-të zikaltërve nga Milano. Mesfushori i Kombëtares, i cili shënoi një gol në fitoren 2-0 kundër Maltës, luajti me ekipin italian deri në minutën e 85-të.

 Sukses për Sadikun

Zyrihu i Armando Sadikut fitoi 3-1 në transfertën me Jang Bojs, në javën e 24-t të kampionatit zviceran. Sulmuesi Sadiku hyri në minutën e 82-të kur rezultati ishte 2-1. Lucerni i Jahmir Hykës humbi 3-2 me Sionin e Vullnet Bashës. Hyka nga minuta e 79-të.

  Besnik Hasi, kandidati numër 1 për të marrë Anderlehtin

 Ish-mesfushori i Kombëtares, Besnik Hasi, mund ta marrë shumë më shpejt nga sa pritej drejtimin e Anderlehtit, si trajner i parë i skuadrës. Lajmi bëhet i ditur nga mediat belge, që citojnë burime të brendshme të klubit. Kosovari është aktualisht ndihmës i trajnerit holandez John van den Brom dhe është përmendur vazhdimisht muajt e fundit si trajner i së ardhmes në skuadrën më të mirë belge. Anderlehti humbi Leuvenin, skuadra e vendit të parafundit në kampionat. Kjo ishte humbja e nëntë për trajnerin Van den Brom. 42-vjeçari Hasi, i cili ishte kandidati për të marrë ekipin Kombëtar, përpara se ai t’i dorëzohej De Biazit, është rritur në ambientin e Anderlehtit, ku ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës si futbollit dhe tani si ndihmëstrajner. Në Bruksel gjërat kanë mbetur në pritje të kthimit të presidentit Roger van den Stock, i cili ka qenë larg qytetit për ski dhe do të kthehet sot. Prej kohësh Van den Stock e ka shpallur Hasin si trajnerin e ardhshëm të skuadrës dhe ia ka imponuar atë si ndihmës edhe holandezit në detyrë, i cili dëshironte të merrte stafin e tij në momentin kur mori stolin. Po ashtu, për të njëjtën arsye, presidenti i Anderlehtit nuk lejoi që Hasi të largohej në janar për të marrë drejtimin e Meshelenit, që i bëri ofertë për të zëvendësuar trajnerin e shkarkuar. Hasi vlerësohet si një figurë e respektuar te Anderlehti.

 Cana tenton roveshatë në sytë e De Biazit

 Lorik Cana e nisi ndeshjen si titullar në takimin Lacio-Atalanta, të përfunduar me humbjen e lacialëve. Kapiteni i Kombëtares luajti deri në minutën e 73-të. Në minutën e 19-të, Cana tentoi një gjuajtje në formë voleji, ndoshta për të kënaqur De Biazin, por goditje ishte e lehtë. Cana u vlerësua me notën (mesatare) 5.5. “Në ‘Franki’ u shndërrua në goleador, me Atalantën u kufizua si mbrojtës. Të vlerësueshme një numër sparkatash në anësore, por është fajtor si i gjithë repartin e mbrojtjes në rastin e golit të Atalantës”, shkruante portali italian Lalaciosiamo.noi.

 Berisha-De Biazi

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ishte i pranishëm “Olimpiko” të Romës, në ndeshjen Lacio-Atalanta. Tekniku italian u fotografua duke biseduar me portierin Etrit Berisha, ky i fundit qëndroi në stol.

 Derbi i “Primaverës”

 Të rinjtë e Lacios fituan 3-2 në derbin kundër Romës, me golat e realizuar nga Lombardi, Minal dhe Greko, duke konsoliduar klasifikimin. Me “Primaverën” e Lacios luan portieri shqiptar i Kombëtares U-21, Foto Strakosha.

 Elis Bakaj, për 40 mijë euro te Kukësi

 Elis Bakaj do të jetë pjesë e Kukësit, deri në përfundim të këtij sezoni. Ish-lojtari i Çernomorets Odesës, i cili u rikthye në kampionatin tonë pas tensioneve politike në Ukrainë, gjeti gjuhën e përbashkët me Presidentin Safet Gjici. Bakaj, i cili më parë në vendin tonë ka luajtur me Partizanin dhe Dinamon, do të përfitojë 40 mijë euro deri në muajin maj. Mesfushori i Kombëtares do të jetë në dispozicion të trajnerit Sulejman Starova duke u nisur nga ndeshja e parë e fazës së tretë, Kukësi-Vllaznia. Në karrierën e tij, Bakaj ka luajtur edhe në Rumani me Dinamon e Bukureshtit.

 Mavraj, në shtrat i sëmurë

 Mbrojtësi i Kombëtares dhe Greuther Furthit, Mërgim Mavraj, vazhdon të jetë në gjendje gripale dhe me temperaturë, ndaj s’do të jetë në sfidën që skuadra e tij do të zhvillojë në kampionat. Mavraj, që luajti me Kombëtaren 90 minuta ndaj Maltës, kur ka mbërritur në Gjermani s’është ndjerë mirë dhe temperaturë e ka detyruar në kushte krevati.