Donika Omari: Harresa ndaj Musine Kokalarit, pjesë e turpit të shtetit dhe shoqërisë, cili ishte qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj sa

648
Sigal

Intervistë me Donika Omarin: Jam e revoltuar ndaj pakujdesisë së mediave që mbi fotografinë time të rinisë vënë emrin e Musine Kokalarit

 Harresa të tilla të figurave me vlera të rëndësishme për kulturën e letërsinë shqiptare janë një turp i hershëm dhe i sotëm i shoqërisë, i institucioneve, i mediave, i shoqërisë civile shqiptare”. Kështu u shpreh dje, studiuesja e njohur shqiptare, Donika Omari, e cila nënvizoi se, “urrejtja për “armiken e popullit” shtohej nga gatishmëria maskiliste për të shkumëzuar ndaj “karshillëkut” të një femre”. Nga ana tjetër, Omari vuri në dukje se “Musineja u kursye nga një dënim edhe më i rëndë nga fakti që ishte femër”. Në këtë intervistë, zonja Omari shprehet me respektin dhe sinqeritetin më të lartë, në lidhje me Musine Kokalarin, e cila pardje kishte 96- vjetorin e lindjes së saj, por ajo nuk harron të tërheqë vëmendjen mediave, të cilat ngatërrojnë vazhdimisht, fotografinë e Omarit me atë të Musinesë.

Zonja Omari, dje Musine Kokalari kishte ditëlindjen, por ajo mbeti krejtësisht e harruar ashtu siç ishte dikur në sistemin e kaluar? A mendoni se për të duhej organizuar ndonjë takim përkujtimor?

  Harresa të tilla të figurave me vlera të rëndësishme për kulturën e letërsinë shqiptare janë një turp i hershëm dhe i sotëm i shoqërisë, i institucioneve, i mediave, i shoqërisë civile shqiptare. Për fat të keq nuk është rasti i vetëm. Mjafton të përmendim se harrohet, madje, edhe përkujtimi i Nënë Terezës, që sipas mendimit tim është figura më e madhe që ka nxjerrë kombi shqiptar. Në përvjetorët përkujtimorë të Musinesë duhet përfituar për të sensibilizuar publikun lidhur me vlerat e saj. Për të nxitur lexuesit të lexojnë veprat e saj. Për t’i sjellë parasysh rinisë shqiptare një shembull kaq të bukur e kaq të lartë qëndrese, talenti, dashurie të madhe për atdheun e për vlerat e demokracisë.

 Musineja ka lindur në Turqi, a i ndryshon ndonjë element, ky fakt madhështisë dhe përpjekjeve të saj për çështjen shqiptare?

 Nuk është i paktë numri i shqiptarëve të shquar që nuk kanë lindur në Shqipëri. Kjo nuk ua ka pakësuar aspak lidhjen dhe dashurinë për vendin e prejardhjes. Siç ka, për fat të keq, shembuj të kundërt: shqiptarë të lindur në Shqipëri që kanë punuar kundër saj.

 Musineja është arrestuar një herë qysh në prag të çlirimit. Pastaj u lirua pasi i vranë dy vëllezërit dhe më vonë u arrestua përsëri. Sipas jush nga buronte kjo urrejtje udhëheqësve shqiptarë ndaj Musine Kokalarit?

  E përfytyroj qëndrimin e Musinesë edhe fizikisht, si një vajzë dinjitoze që mbeti vetvetja, që nuk e uli kokën dhe nuk shkeli mbi dinjitetin e saj, pavarësisht rrjedhojave që do të kishte nga ky qëndrim  i vendosur. Mendoj se mjaftonte kjo mosulje koke që diktatura të shihte këtu një sfidë. Dhe nga kush? Nga një vajzë!  Në këtë rast urrejtja për “armiken e popullit” shtohej nga gatishmëria maskiliste për të shkumëzuar ndaj “karshillëkut” të një femre. Nga ana tjetër, them se Musineja u kursye nga një dënim edhe më i rëndë nga fakti që ishte femër. Paradokse të tilla nuk përjashtohen në sisteme tekanjoze siç janë diktaturat. Megjithëse, siç shkruan në kujtimet e saj, ajo nuk fitoi gjë që mbeti gjallë. Përkundrazi. Se: “Më mirë një fund i tmerrshëm se një tmerr pa fund”.

 A mendoni se Musineja ka lindur në një kohë të papërshtatshme. Ku ajo si femër, si shkrimtare dhe si aktiviste shoqërore nuk kishte mundësi të shpaloste vlerat e saj?

Musineja u lind në kohë të përshtatshme, në kuptimin që lindi, u rrit dhe kontribuoi në një kohë që shoqëria shqiptare kishte nevojë të madhe për emancipim shoqëror, gjinor, kulturor, letrar etj., dhe ndihmesa e kësaj veprimtareje dhe shkrimtareje të re ishte e mirëpritur, e ardhur në kohë, e vlerësuar prej disave nga figurat më të shquara të kohës. Në kohë të papërshtatshme që sistemi diktatorial, që u vendos në një kohë kur Shqipëria kishte nevojë të madhe të vazhdonte arritjet e saj, të cilave iu pre hovi, u gjymtuan ose u mohuan krejt. Në këtë kuadër qe një humbje e madhe edhe vdekja civile mesjetare e Musinesë.

 Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë leximit të veprave të Musine Kokalarit?

 Sinqeriteti. Si shkrimtare dhe si njeri. Integriteti moral dhe artistik. Si dhe të qenit e vetvetishme.

Çfarë mendoni për vuajtjet e saj në burgjet komuniste dhe a keni dëgjuar ndonjë histori se nga buronte urrejtja e Enver Hoxhës ndaj saj?

 S’ka fjalë për të shprehur mizorinë me të cilën u trajtua Musineja. Për qëndrim të veçantë të E.Hoxhës ndaj saj di ato që dinë të gjithë, të lexuara në shtyp a të dëgjuara në mediat pamore.

 A kishte në fatin tragjik të saj ndonjë shkak xhelozie, të udhëheqjes së lartë, apo ndonjë refuzim të Musinesë, ndaj kërkesave të tyre për lidhje martesore? Apo ndonjë xhelozi profesionale për talentin që zotëronte?

 Për këto duhet folur duke i njohur gjërat, duke qenë në brendësi të fakteve.  Nuk di të them më shumë nga ç’është folur e shkruar.

Çfarë dini për rezistencën e Musinesë nëpër burgjet e asaj kohe?

Rezistencë e rrallë, e admirueshme, dinjitoze, shembullore. Aq më tepër që pati një kohëzgjatje në të cilën u vu në provë. Diktaturat, që kanë nevojë për heronj, himnizojnë luftëtarë që i vënë gjoksin topit. Pa i hequr asgjë vlerësimit të këtij gjesti trimëror, duhet theksuar se, është dëshmi shumë më heroike qëndresa në vazhdimësi, dhe në kushtet: “kur dimër del behari”. Dhe çfarë dimri! Që theu shumë burra, por jo këtë vajzë të brishtë.

  Cili është tregimi apo përshkrimi më i veçantë i Musinesë që ju ka tërhequr më shumë?

 Në vogëli e kam lexuar në mënyrë të përsëritur “Rreth vatrës”. Edhe sot e lexoj me kënaqësi. Se veprat për fëmijë, kur janë tërheqëse edhe për të rriturit, tregojnë vlerën e tyre të vërtetë.

 Por mendoj se vepra më e veçantë, dëshmi e qartë e një talenti origjinal, është “Sa u tunt jeta”. Është një vepër e pasur në disa drejtime: realizëm në përshkrimin e ngjarjeve, njohje deri në imtësitë më interesante e një jete që shkrimtarja arrin ta japë plot gjallëri e larmi, personazhe simpatike në anët e tyre njerëzore, pozitive apo negative, sepse janë  ata vetë, me zërat e tyre të pangatërrueshëm…  Të bën përshtypje përdorimi aq mjeshtëror i gjuhës, i së folmes së Gjirokastrës, që kur e njeh, të jep kënaqësi të madhe në penën e një autoreje kaq të kulturuar dhe që e ka dashur me pasion atë të folme plot ngjyrë, të stolisur me fjalë të urta, me romuze plot humor, me idiomat e veta të veçanta… Sot të vjen keq me pakujdesinë që tregohet në respektimin e dialektit në titujt e veprave të saj, kur përdorimi i tij është i qëllimshëm prej autores: “Siç më thotë nënua plakë” (jo “Seç më thotë nëna plakë”) “Sa u tunt jeta” ( jo “Si u tund jeta”).

  A mendoni se ajo i kishte të gjitha mundësitë që të bëhej një shkrimtare e madhe, nëse do të kishte jetuar në një periudhë normale?

 Pa dyshim që ajo i dëshmoi dhuntitë e saj artistike me ato që mundi të botonte apo që i la dorëshkrim. Deri më sot ne kemi një shkrimtar të madh: Kadarenë. Që të cilësohet i madh një autor duhet më parë të shihen veprat e tij. Është vështirë të parashikosh në ç’lartësi do të arrinte Musineja. Është e sigurt të thuash që ndalimi që iu bë qe një humbje e madhe për kulturën, letërsinë, gjuhën shqipe.

 Zonja Omari, një pyetje disi personale. Ka vite që poshtë fotografisë juaj vihet gabimisht emri i Musine Kokalarit. Çfarë ndjeni në këto raste?

Ndjej një revoltë të pafuqishme ndaj pakujdesisë së mediave dhe jo aspak vetëm për këtë rast. Të pafuqishme sepse ndaj kësaj dukurie që na njollos keqazi, që na bën qesharakë e njerëz të nënkulturës, siç është të bërit normalitet të jonormalitetit, pra mungesës sistematike të korrektesës në dhënien e njoftimeve gjithfarëshe, nuk shoh të ketë reagim.

 Kjo tregon që ju keni ngjashmëri në fotografi, apo është thjesht një lajthitje gazetareske?

 Patjetër lajthitje, por kësaj mund t’i shtosh shumë cilësime të tjera negative.

 A mendoni se letërsia apo shoqëria shqiptare i ka shlyer detyrimet e veta ndaj kësaj martireje të demokracisë?

 Figura e Musinesë ka dy aspekte: vlerën kulturore, letrare, gjuhësore dhe dëshminë e një besnikërie shembullore ndaj parimeve të larta njerëzore e demokratike. Kur flasim për detyrime, duhet të kemi parasysh mirënjohjen ndaj veprimtarisë, krijimtarisë dhe vuajtjeve të saj. Fakti që është bërë aq pak për t’i bërë të njohura veprat e saj (pavarësisht botimeve), fakti që harrohet të përkujtohet, flasin vetë.  Por nuk është kjo më e rëndësishmja. Është e qartë se nuk është ajo që ka nevojë për vlerësimet tona: jemi ne që kemi nevojë për  trashëgiminë e saj të vyer. Çka ende nuk po e kuptojmë, në kohën kur më shumë se kurrë kemi nevojë për ato që na përçon: mesazhet fisnike e shijen e zgjedhur artistike.