Donika Muçi: Në Festivalin e 11 për herë të parë Edi Luarasi doli me dekolte

654
Sigal

Personazh/ Flet regjisorja Donika Muçi: Me Ramiz Alinë kam punuar, kur kam bërë filmin për Gogo Nushin

Titujt:

 -Urdhri Naim Frashëri i Klasit të tretë, 1984. Certifikatë vlerësimi për filmin “Shtjefën Gjeçovi”, 1986. “Artiste e Merituar” në vitin 1987.

Në vitin 1947 u formua Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare. Më vonë ajo mori emrin Kinostudio Shqipëria e Re. Në vitin 1960 Donika bëhet pjesë e Kinostudio Shqipëria e Re.

Në vitin 1968 ajo merr titullin Formuluese muzike e kategorisë së parë. Në vitin 1970 merr titullin regjisore montazhi. Ndërsa në vitin 1972 merr titullin regjisore xhirimi. Ka qenë regjisore në mbi 200 filma dokumentarë.

  Kur keni filluar bashkëpunimin me Radio -Tiranën?

Këtë bashkëpunimin kaq të bukur e fillova në vitin 1959, kur kisha një vit që kisha mbaruar Liceun Artistik. Pasi mbarova Liceun mua më caktuan në Lushnje, por unë nuk ju përgjigja thirrjes së partisë. Në atë grup të Liceut ne ishim katër vajza, ku njërën e caktuan në Elbasan, mua në Lushnje njërën në Krujë ndrysa njërën e mbajtën këtu në Tiranë pasi ishte një e afërt e Byrosë Politike. Unë mbarova shkollën e muzikës për teori solfezhi. Unë mezi prisja të mbaroja shkollën të futesha në punë të ndihmoja familjen pasi ishim të varfër. Kur isha në shkollë ne kishim profesorë të shkëlqyer si: Ramadan Sokolin,  Mustafa Krantja, Tish Daija, Albert Paparisto, Dhora Leka, që ishin të nivelit akademik. Një ditë kur shkoja në Durrës me nënën tek im vëlla një burrë përballë më pyet. Çfarë shkolle ke mbaruar ti? Unë i them Liceun Artistik. Me kë mësues më pyet sërishmi? Me Ramadan Sokolin,  Mustafa Krantja, Tish Daija, Albert Paparisto, Dhora Leka,- i them. Po ti ke mbaruar dy Akademi jo Lice më thotë. Pra unë u futa në Radio në sektorin e muzikës. Por dua të them se Vera Zheji ishte ajo që më ofroi punë. E kishim të afërm të familjes. Një ditë më shikon dhe më thotë ku punon ti? Jam pa punë dhe e sqaroj. Do vish tek ne në radio,- tha. Pra ajo ishte shtysa që unë u futa formuluese muzike në radio. Unë e prita me gëzim dhe pse në fillim paguhesha me honorarë, por  duke punuar mirë dhe fortë duke zëvendësuar dhe disa shoqe rroga më dilte e plotë në mos më mirë.

Si kaluat në Kinostudio?

 Një ditë vjen në radio Ismail Balla, formulues muzike në Kinostudio. Ai thotë tek drejtuesit e radios se kërkon një formuluese muzike. Unë sapo kisha mbushur një vit në punë si e jashtme me honorarë. Në atë kohë Ismaili kërkonte të ikte jashtë për specializim. Takoi përgjegjësin e muzikës tonë dhe ai e adresoi tek unë. Më morën menjëherë. Më 12 shkurt 1960, fillova punë në Kinostudion Shqipëria e Re, formuluese muzike. Kur shkova, drejtor ishte  Llazar Litivani nga Korça. Aty gjeta shumë skenaristë, shumë regjisorë, formulues muzike të filmit artistik dhe të atij dokumentar. Unë do të shkoja tek filmi dokumentar. Aty gjeta dhe Niko Kolekën nipin e Spiro Kolekës. Kishte studiuar në Çeki me Hysen Hakanin, Gëzim Erebara. Aty janë ndryshuar shumë drejtorë duke përmendur edhe Viktor Gjikën.

 Si filloi puna?

Më caktuan për montimin e muzikës së filmave dokumentarë. Unë ditët e para bëja punën e montazhit të filmave apo xhirimeve. Për 6 muaj unë vetëm ngjitja dhe shqitja shirita filmash dhe vetëm pas 6 muajsh fillova kinoditarët. E mira dhe më e vështira ishin kinoditarët. Ishin për xhirime të ndryshme për bujqësinë, për blegtorinë, për industrinë, për  ndërmarrje të ndryshme. Këto ishin regjistrime të ndryshme deri në 40 sekonda apo një minutë që unë i bashkoja në një film duke bërë dhe muzikën. Këta ishin kinoditarë. Pas tyre bëra një film dokumentar, pra formulimin muzikor të një  Reportazh nga Kurbneshi që e kishte realizuar një grua.

 Si eci krijimtaria juaj në këtë institucion kaq të rëndësishëm?

Unë nuk mund të rrija duarkryq kur aty kishte aq hapësira. N.q.s doje të punoje aty kishte punë. Kishte regjisorë dhe operatorë të shkëlqyer dhe unë fillova kërkesat ndaj vetes. Kërkoja vazhdimisht specializime dhe kualifikime. Kështu në vitin 1968  marr titullin “Formuluese muzike e kategorisë së parë”. Në vitin 1970 marr titullin regjisore montazhi. Ndërsa në vitin 1972 marr titullin regjisore xhirimi. Kjo do të thoshte që procedurat e mirëfillta të realizmit të një filmi i realizoja vetë të tëra. Unë nuk bëja vetëm xhirimet.

Në këtë kohë drejtor ishte Vaskë Aristidhi, i cili më përkrahu shumë. Në këtë kohë kishte filluar punë dhe televizioni shqiptar dhe shumë prej regjisorëve dhe formuluesi muzikës Ismail Balla donin të shkonin aty. Por disa prej tyre drejtori nuk i la. Pra nga formuluese muzike, kalova regjisore montazhi dhe regjisore xhirimi.

 Filmi i parë që keni bërë si regjisore xhirimi?

Ka qenë një film dokumentar për fëmijët e kopshteve. Aty ku është kisha ortodokse sot, ka qenë Kopshti numër një, ku shkonin fëmijët e udhëheqësve. Midis tyre ishte dhe Ben Blushi. “Mësim për Lindën”  titullohej ky dokumentar. Personazh ishte një kukull që e quanin Linda, ndërsa personazh i gjallë ishte Ben Blushi. Ishte një film më shumë vizatimor për fëmijët i kombinuar.

 Po filmi i parë artistik që ke bërë regjinë e montazhin dhe sa filma të tillë keni bërë?

Kam bërë regjinë e montazhit të pesë filmave artistikë. Filmi i parë artistik që kam montuar ka qenë filmi “Ilegalët” me skenar të Abaz Hoxhës dhe regjisor  Saimir Kumbaro dhe Rikard Ljarja. Pastaj fillova disa filma artistikë të Piro Milkanit  si “Shembja e idhujve”, por dhe “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Kur zbardhi një ditë” etj… Gjithsej kam bërë montazhin e 5 filmave artistik.

 Kush ka qenë xhirimi më i vështirë si regjisore xhirimi?

Festivali i 11-të. Dua të theksoj se në atë Festival u bënë dy xhirim, njëri nga RTSH që organizonte Festivalin dhe një nga Kinostudio që isha unë. Pra ishim të ndarë nga njëri- tjetri, secili kishte grupin e vetë të xhirimit, që nuk kishin varësi nga njëri -tjetri. Unë këtë e bëra film dokumentar dhe jo kronik si e kërkoi drejtori. Unë mora tre operator Ilia Terpinin, Saim Kokonën, Pëllumb Kaza. Ilia Terpini ishte afër meje, ku unë kisha lidhje më direkte. Regjisor i festivalit ishte Mihallaq Luarasi, i famshmi, plot fantazi. Unë s’kisha lidhje me Mihallaqin. Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu ishin moderatorët e këtij festivali që bëri bujë. Ishte hera e parë që Edi doli me një fustan pak dekolte, që më vonë u kritikua. Sot kur ka përvjetorë të festivaleve pjesë nga ky film i imi kanë marrë. Unë për këtë festival bëra një film disa minutash, ku drejtori kërkoi ta shohim para se ta vendosnim në arkiv. Ata e panë si ekip më bënë disa vërejtje të vogla për disa xhirime intime

 Çfarë filmash dokumentarë ke bërë në mënyrë sistematike?

Të gjitha Festat, dekadat  e 1 majit, apo parakalimet, të cilat pasi i xhiroja, formuloja muzikën bëja montazhin dhe i përcillja si film. Unë mund të kem xhirime që sot nuk mund të them se sa. Rreth 40 vjet në Kinostudio unë kam rreth 200 filma dokumentarë si regjisore. Përveç formulimeve dhe kolonave zanore dhe zhurmave të ndryshme.

  Filmi më i vështirë për formulim muzike?

Një film me Kujtim Çashkun “Kolonel Bunker”,  një realizim shqiptaro-polak. Kompozitor polak ishte një djalë i ri shumë i përgatitur. Unë i afrova disa këngë tipike shqiptare, si dhe zhurmat. Ai u habit nga muzika jonë popullore dhe bëmë një bashkëpunim perfekt.

Kë nga udhëheqësit e atëhershëm ke bashkëpunuar për filma dokumentarë?

Një film me Nexhmije Hoxhën dhe një me Ramiz Alinë. Me Ramiz Alinë kam punuar kur kam bërë filmin për Gogo Nushin. Ndërsa me Nexhimje Hoxhën kur bëra filmin për Misto Mamen. Ishin vitet 1988. Nexhimjen shkova e xhirova në shtëpi, ku ajo foli në shtëpi. Ajo foli thjesht duke na falënderuar. Nuk bëri asnjë gjest të tepërt. Ndërsa për filmin e Gogo Nushit punuam me Ramiz Alinë. Skenarin e kishte bërë Luan Rama që ka punuar në Francë. Për Gogo Nushin dhe Kozma Nushin kishin shumë respekt të gjithë. Ramizi po ashtu. Ne aty na ra në dorë një letër e veçantë e Enver Hoxhës. Kur i shkruante Gogo Nushit, ai nuk i thoshte i dashur Gogo, por…Shoku i mirë Gogo. Edhe titulli i filmit kështu ju vendos, “Shoku i mirë Gogo”. Ne i çuam skenarin shokut Ramiz, i cili pasi e lexoi na tha për të thënë çka duhet më caktoni orën që duhet. Në atë kohë ai kishte shoqërues Sulo Gradecin, pas vdekjes së Enverit. I thamë Sulos që kur të vijmë për xhirim thuaji shokut Ramiz të shkojmë tek Shtëpia e Pritjes që të jetë më i qetë më i mirë. Por ai u tregua frikacak. Nuk ja tha. Kur erdhi dita e xhirimit ne ishim një orë para. Shoku Ramiz na tha pse këtu do xhirojmë. Tani s’kishim ç’të bënim sepse kishim instaluar kamerat.  Çka i kishim dhënë ai i kishte përgatitur në letra si partitura i vendosi diku dhe filloi t’i lexonte. Foli bukur dhe qartë. Por ishte i gjatë. I thashë do bëjmë dhe një xhirim tjetër më shkurt. Patjetër, ju e dini,- na tha. Herën e dytë Xhirimi doli shumë mirë, pasi ai kishte prerë  të gjithë fjalimin me shkronja të mëdha dhe e përmblodhi fjalën. Doli shumë bukur.

Filmat e fundit?

Dora Distria, Vangjel Zhapa dhe Marko Boçari. Veçoj Marko Boçarin. Për të punova mbi 2 vjet. Nga skenaristët kam punuar më shumë me Luan Ramën dhe Ilia Deden.