Donald Trump heq dorë nga biznesi, por miliardat do i menaxhojnë dy djemtë e tij

629
Sigal

Vetëm pak pasi Donald Trump bëri të ditur mekanizmin që sipas tij do t’a ndajë atë nga menaxhimi i drejtpërdrejtë i bizneseve, Zyra e Etikës në Qeverinë amerikane e ka kritikuar planin duke nënvizuar se delegimi i kompetencave menaxheriale tek dy djemte e miliarderit nuk do t’a zhdukë konfliktin e interesit.
Në një prononcim për mediat, shefi i këtij institucioni, Walter Shaub, u shpreh se republikani rrezikon që të prishë një standart të ruajtur prej më shumë se 40 vitesh nga Presidentët e Shteteve të Bashkuara.
Zyrtari amerikan thekson se skema e propozuar nga Donald Trump nuk përbën një ndarje substanciale të tijën nga perandoria ekonomike që ai zotëron.
Për këtë arsye, Shaub i bën thirrje miliarderit që të ndjekë shembullin e paraardhësve të tij modernë.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump prezantoi gjatë konferencës së mbajtur më herët mënyrën se si do të vepronte për t’u distancuar nga biznesi me qëllim që t’i përkushtohet maksimalisht detyrës së tij të re.
Avokatja e tij, Sherri Dillon, e cila bëri të ditur planin në terma ligjorë tha se Trump do të shesë të gjitha aksionet e korporatave dhe do t’i vendosë fitimet në një llogari që do të menaxhohet nga një person i besuar, por që do të ketë pavarësi në marrjen e vendimeve.
Gjithashtu, pjesa administrative do t’i takojë dy djemve të rritur të Trump, që janë Eric dhe Donald Trump Junior.
Kjo skemë nuk është pritur mirë nga zyrtarët e etikës, por ende nuk dihet nëse Presidenti i zgjedhur do të bëjë ndryshime në mekanizmin e propozuar.
Donald Trump është një prej biznesmenëve më të njohur në mbarë botën, ndonëse jo nga më të pasurit.
Pasuria e tij, sipas revistës Forbes, është 3.7 miliardë dollarë amerikanë, gjë që e rradhit atë në vendin e 485-të në listën e njerëzve më të pasur të botës.
Për këtë arsye, shumë ekspertë paralajmërojnë se pushteti i karriges së Presidentit mund t’a shtyjë Trump që të marrë vendime në interest ë bizneseve të tij.