Don Lush GJERGJI:Anton Çetta, babai i Pajtimit të gjakrave shqiptarë

    650
    Sigal

    Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë

    Me shumë bindje dhe kënaqësi mund të them se pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e Zotit që të isha një ndër bashkëpunëtorët e të palodhshmit, të papërtueshmit dhe të pavdekshmit prof. Anton ÇETTA, në lëvizjen e madhe të pajtimit të gjaqeve. Ai gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij të mëhershme ishte “Bleta” që mblodhi “nektarin” më të mirë të popullit shqiptar, me letërsinë dhe traditën gojore, etnografike dhe folklorike, me grumbullimin dhe sistemimin e thesarit të rëndësishëm dhe të çmuar popullor për ne dhe për brezat e ardhshme. Kështu Prof. Anton Çetta kishte zbuluar dy damarë të rëndësishëm të komunikimit me popullin shqiptar, atë të mendjes, arsyes, kulturës dhe traditës, si dhe atë të zemrës, ndjenjave, përjetimeve. Mu për këtë mendoj se ishte një ndër njohësit më të mirë të “gjakut tonë të shprishur”, si thonë Arbëreshët, të mendjes dhe zemrës arbërore.

    E tërë kjo punë, lëvizje, gjurmim ndër popull dhe me popull, si duket ishte parapërgatitja ose “uvertura” për kryeveprën e tij jetësore, pajtimin e gjaqeve gjatë vitit 1990, aq sa më të drejtë mund ta quajmë, ishte e mbetet “Babai i Pajtimit”.

    Kudo që shkonim dhe kalonim, Antoni ynë kishte ndonjë shok, mik, dashamirë, gjithnjë me ndonjë ngjarje apo përjetim nga e kaluara, me kujtime  të freskëta dhe thënie popullore, me mençuri dhe butësi shembullore, me tregime tronditëse dhe mahnitëse, të cilat bashkëbiseduesit i detyronin në vëmendje dhe heshtje, në vrojtime dhe mendime, shpesh edhe në “dorëzime”, deri te shtrirja e dorës së pajtimit.

    Në shoqëri me Bacën Anton, si e thirrnim gati të gjithë me nderim dhe me dashuri, kishim çka të përjetojmë, dëgjojmë dhe mësojmë, sepse ai e krijonte ambientin e takimit, bisedës, ndejës, kënaqësisë së shoqërisë dhe shoqërimit ndërnjerëzor, aq sa çdo herë ishim të mahnitur nga arti i tij në komunikim. Ishte vërtet Mjeshtër i Popullit dhe për Popullin!

    Anton Çetta, ndoshta më mirë se askush prej nesh, e njihte fare mirë dhe për së afërmi, në brendi e thellësi shpirtin e lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga vuajtja, skamja, kërcënimi dhe robërimi shekullor, shpesh i stërngarkuar edhe nga vetmia, izolimi, kërcënimi i gjak – hakmarrjes dhe shumë baticave dhe zbaticave tjera, veçmas i ndarjeve dhe përçarjeve, që për sundimtarët ishte arma më e lehtë e sundimit dhe robërimit tonë.

    Shi për këtë ai ishte tejet i motivuar, gjithnjë i frymëzuar më tepër se kurrë në këtë nisje fatbardhe dhe të bekuar, do të thosha edhe më tepër, providenciale.

    Thoshte kështu: “Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllaun e shndërron në vrastar, mikun në armik, jetën në vdekje, dashurinë në urrejtje, lirinë në robëri…”.

    Së bashku me rininë tonë, me botën e kulturës dhe të artit, me krijuesit e profileve të ndryshme, me hoxhallarë dhe meshtarë, me një fjalë me të gjithë, kishte krijuar një “orkestër” unik të pajtimit të gjaqeve, të cilin ai e “dirigjonte” me shumë mjeshtri dhe me dashuri.

    Pranvera e madhe e vitit 1990 me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”, Luftën kundër Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, e kishte vetëm një Protagonist, Popullin Shqiptar, një Prijës dhe Frymëzues dhe Babë, Prof. Anton Çettën, një qëllim dhe përcaktim, takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideje dhe ideali tejet të lartë, gati edhe mitik dhe utopik për atë kohë, atë LIRISË DHE PAVARËSISË.

    Synimi ishte i qartë, mposhtja dhe çrrënjosja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të tashme dhe ardhmëri më fatbardhe.

    Ja si e përshkruante Anton Çetta këtë lëvizje: “Në fillim të shkurtit 1990, disa studentë të Pejës me disa mësimdhënës kishin themeluar “Këshillin e Pajtimit” për ta pajtuar popullin. Tentimi i parë ishte disi i suksesshëm, kemi pajtuar një rast vrasje, ndërsa në pesë raste tjera kemi marrë “besën” për tre muaj. Fillimi ishte në fshatin Lumbardh dhe Raushiq afër Pejës… Rinia ka punuar shumë me javë të tëra për t’i zbuluar këto raste, për t’i përgatitur njerëzit për paqe. Sipas mendimit tim janë katër arsye kryesore të pajtimit. Në rend të parë ishte një propozim human dhe kishte për qëllim kryesor “paqen mes njerëzve”. Në rend të dytë propozimi ishte në duar të njerëzve të vlefshëm, të rinisë dhe të inteligjencës… Populli fill e përqafoi këtë propozim… S’duhet harruar edhe momentin historik të ngjarjeve si dhe domosdoshmërinë e pajtimit për krijimin e shoqërisë pluraliste dhe demokratike…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugoslavia, EMI, Bologna, 1993, fq. 70-71. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 25-80).

    Ja përshkrimi i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite. Arsyeja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen, sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna, 1999, fq. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 37-77).

    Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvujtërisë dhe shpirtmadhësisë së popullit tonë… Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi  me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdhaja…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, fq. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 31-105).

    Falja dhe pajtimi:parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi

    Njeriu dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe dashuria nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo përcaktimit tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e keqja nuk mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e pamundshme, pasi që i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë vëllazërore nuk mundet e keqja e urrejtës, mërisë, gjak apo hakmarrjes.
    Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit 1990, ku kemi gjetur dhe përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm lehtësonin pajtimin, faljen, tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të fuqishme veprimi.
    Pa këto elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe gjakmarrje” psikologjike, shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit, egocentrizmit, karrierizmit, materializmit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit për të varfër dhe të mjerë si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos dukurisë së shtirjes, shpifjes, përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe solidaritetit për të keqe, që fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në zhvillim të hovshëm ndër ne, edhe pas arritjes së lirisë, demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës.
    Njeriu është njeri aq sa ka dashuri, sa di dhe do të ketë mirëkuptim, dhembje, mëshirë për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra, sa jeton me dashuri dhe për dashuri.
    Kjo ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar, botëkuptimor, kombëtar, gjithë njerëzor. “Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).
    Urrejtja është djallëzore, vdekjeprurëse, vrastare, vetëvrasje, vëllavrasje, ndërsa dashuria dhe falja janë hyjnore dhe frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e krahason edhe me verbëri, terr: “Kush e urren vëllanë e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon sepse terri ia ka verbuar sytë” (1 Gjn 2, 11).
    Jezusi thotë: “Por ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë… Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre… Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe do të gjeni falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).
    Pse njeriu i sotëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak, vështirë, gati edhe keq, pjesërisht, vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të luftërave, si ndodhi gjatë vitit 1990?

    Gabimi i parë,  më duket mua, është në edukimin e rreptë dhe formal, që mbështetet kryesisht në urdhra, ndalime, krijon më tepër ndjenjën e frustrimit, hurxhit dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh shpërthen në agresivitet, sulm, urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe shoqëria jonë më tepër mbështet në ligje, rregullore, tradita, se në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare, në përvojën e mirësisë dhe dashurisë së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe t’i përkrahim anët pozitive te vetja dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mira, vetvetiu pakësohet e keqja.

    Gabimi i dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses me çdo kusht, ku njeriu nuk është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk fiton, nuk ka sukses në krahasim me të tjerët, pra, subjekti-njeriu objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë “garë” të pamëshirshme dikush lodhet, ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i frustruar, ndihet keq, nuk e ka më mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë potencialisht është “kandidat” për urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Bota, të tjerët janë fajtorë për fatin e keq, për mossukses, për dështime, prandaj janë psikologjikisht dhe shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të dëmtuar dhe si të tillë në hall me vetveten dhe me të tjerët.

    Gabimi i tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore, ligj, në anën thjesht formale, pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me vëllaun njeri. Nga përvoja e fesë së Zotit-Dashuri, i cili në vazhdimësi është edhe falje, mëshirë, pajtim, ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe ne deri diku t’i përngjajmë atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve.
    Ne Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar, bajraktarizmit, vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit anonim, mentalitetit turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të tjerët, pa pasur mundësi të jemi vetvetja, pa ndonjë orientim dhe përcaktim jetësor. Ndikimi i të tjerëve, i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është shumë i madh, mos të them edhe vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar identitetin dhe personalitetin, orientimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe jetën personale dhe familjare. Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka këtë parim: Si të tjerët! Kur të tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa sot, është ndryshe.
    Falja tek ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi, ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si virtyt i pamohueshëm nga rrethi familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit të pakuptimtë: gjaku nuk falet as nuk tretet kurrë!
    Në tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të ndryshme, si poezia, proza, piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe virtyti i faljes, paqes, dashurisë, strategjia paqësore dhe jo dhunore gandiane, tereziane, rugoviane, bashkimi në dallime është shumë pak i pranishme.
    Trimëria më e lartë është ta mundim të keqen së pari në vete, e pastaj edhe te të tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË!
    Prandaj, para çdo veprimi, pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë është ndarja e përvojave tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe në të vështira. Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me vetveten, me atë që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të shkojmë kah hapi i dytë – marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te ndjenja e përkatësisë së përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria.
    Sot hakmarrja apo gjakmarrja duhet të ndërrohet edhe në terminologji, sepse thënë kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe detyrë, ta marrë hakun apo edhe gjakun!
    ÇDO HAK APO GJAKMARRJE  SOT ËSHTË SË PARI VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE VRASJA E TJETRIT.
    Pa vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri shëmtuesi, kancerin e shoqërisë shqiptare në ditët tona.
    Duhet gjithnjë ta kultivojmë Kulturën e Jetës: nderimin, pranimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur shqiptar: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, dhe: “Mjerë ajo shtëpi që s’ka  pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë mos ta duam dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcënimi, edhe nga gjakmarrja?
    Kush jeton për hakmarrje, nuk jeton fare, sepse jeton vetëm për të bërë keq, kjo s’është e denjë për askënd, jeton për së gjalli në varr. Urrejtja është ‘diktatori’ më i keq që vetvetiu nuk vdes kurrë dhe  robëron të gjithë. Mu për këtë falja është parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi, si përvoja më e rëndësishme dhe vendimtare në jetë, e cila mundëson të dalim prej vetvetes dhe të përqendrohemi në të tjerët për të jetuar të vëllazëruar dhe të bashkuar.
    S’ka njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej Zotit ashtu edhe prej të afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë paqja e vërtetë e cila mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në dashuri. Kjo e begaton kulturën e jetës me qytetërimin e dashurisë.

    Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thosha edhe të shenjta, për pajtimin e gjaqeve:

    • Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshmëve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.
    •  E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mira, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës të na ngufatë dhe të na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje.
    • Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë.
    •  Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si  në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin.
    • Ata që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmëruesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e qëndrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit
    •  “Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike.
      Fatkeqësisht edhe pas kaq viteve ende nuk kemi asnjë studim të mirëfilltë ndërdisiplinor rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990 nga aspekti juridik, traditor, etiko-moral dhe fetar. Me pajtimet e gjaqeve është tejkaluar tradita, drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është zbatuar vëllazëria, falja dhe dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para rreziqeve të luftës dhe asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet, studiohet, paraqitet nëpërmjet mjeteve pamoro-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë, si vlerë dhe virtyt që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete, paqeje, demokracie, si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë sonë.

    Disa kujtime dhe përjetime

    Po iu kthehem pak disa kujtimeve. Në një rast, ishim në rrethin e Gjakovës dhe përgatiteshim për kremtimin publik të pajtimeve të gjaqeve në Smolicë, atje ku dikur ishte “mbjellur” molla e sherrit për të shkaktuar konflikte ndërfetare mes shqiptarëve katolikë dhe myslimanë. Ditë e natë ishim nëpër oda, në bisedime, propozime, përgatitje. S’kishim kohë për asgjë, as për të ngrëne, as për fjetje apo pushim. Dëshira e vetme ishte: të jemi me popullin tonë dhe t’ua lehtësojmë barrën e rëndë të hak apo gjakmarrjes.

    Baca Anton ishte dukshëm i lodhur, por edhe i disponuar. Më tha kështu: “Don Lush, prekma pak shpinën. A kam ende shpinë?”.

    Unë iu përgjigja: “Si jo, në shpinën tënde është mbarë Kosova, edhe më tepër, populli shqiptar!”.

    Ai si në hoka më tha: “Nuk e di a kam më shpinë, aq jam këputur… A ka ndonjë vend ku mund të mbështetemi pak para se të dalim para popullit në kremtimin e pajtimeve të gjaqeve?”.

    Dhe u mbështetem në një odë të madhe, ai me një skaj, unë dhe bashkëpunëtorët tjerë, në një skaj tjetër, diku afro një ore.

    Pas këtij pushimi kaq të nevojshëm, baca Anton më tha: “Tash mund të qëndroja në bisedime edhe për ndonjë ditë dhe natë… Ja, kështu është puna me popull dhe për popull. Njeriu i tejkalon edhe nevojat biologjike, çdo pengesë… Këtë e kemi sprovuar shpeshherë gjatë pajtimeve të gjaqeve… Motivimi dhe dashuria bëjnë mrekulli!…”.

    Ishte 9 maj 1990, festa e “Shën Kollit” në Sellagrazhd të Velezhës, komuna e Prizrenit. Kishim vendosur që për këtë festë të kremtonim edhe pajtimin e gjaqeve në ato hapësira, së bashku shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Kjo e kishte “tërbuar” Serbinë, sidomos pas ngjarjes historike të Verrat e Llukës /1 maj 1990/, ku NDODHI POPULLI.

     Më 3 maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye:

    • Sepse populli shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqeve, (gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e tyre: le ta vazhdojnë traditën e vrasjeve!  (vr. ime).
    • Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çetta, me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, edhe pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë;
    • E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë.

    Prof. Anton Çettën e kishin ndalur dhe burgosur, mua më kishin kërcënuar deri me vdekje dhe me pushkatim, popullin e kishin keqtrajtuar në format më të vreshta, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithëshqiptare, bashkimin në dallime.

    Meshën e kam kremtuar i rrethuar me një mori populli nga viset e ndryshme të Kosovës, ndërsa mbi kokat tona fluturonin helikopterët ushtarak, qarkullonin taksat, dëgjohej kudo fyerja dhe sharja. Populli  ishte një mendje dhe një zemre në lutje, këndonte, falënderonte Zotin, përjetonte praninë dhe dashurin e Tij në një qetësi dhe siguri që dukshëm shqetësonte armiqtë tanë.

    Porosia e tij nga takimi im i fundit me të para se të kalonte në amshim ishte kjo: “Nëse vdes pa e parë dhe përjetuar lirinë dhe pavarësinë, së paku një gisht i imi do të jetë jashtë vorrit, mbi të. Atë ditë që do të agojë liria, eja, e shtjere edhe gishtin tim në varr, që të pushojë në qetësi në tokën time të shtrenjtë, të shenjtë dhe të lirë!”.

    Ky gisht nuk ishte drejtuar kah të tjerët për t’i sulmuar, fajësuar, por u bë simboli i shtrirjes së dorës së pajtimit, vepër kjo pa dyshim, e pëlqyeshme para Zotit, e domosdoshme për popullin shqiptar. Me pajtimin e gjaqeve ne e përforcuam vëllazërinë tonë gjithëshqiptare, krijuam kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë duke ia plotësuar testamentin e fundit Nënës Terezës.

    Ajo më dorën e saj kishte shkruar këtë porosi: “Gjithmonë shpirtërisht jam e lidhun më uratë dhe në dashni me popullin tem shqiptar, sidomos në kohë të vështira. Mbas shumë hjekave dhe rreziqeve, me gëzon pamasë lajmi i pajtimeve. Urime rinisë shqiptare kosovare që e nisi kët vepër, si dhe të gjithë astyne që marrin pjesë në këtë punë të madhe dhe shenjte…

    Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem shqiptar…” (Bukuresht, 3 maj 1990).

    Prof. Anton Çetta, ishte dhe mbeti Njeriu i provanisë së Zotit dhe Popullit Shqiptar, ai i cili diti ta jepte “pjesën më të mirë të vetvetes” me shumë maturi, përkushti dhe dashuri, i cili e gjeti “damarin” e popullit për një komunikim të drejtpërdrejt në odën e madhe që ishte e tërë Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora shqiptare në Evropë dhe në Amerikë.

    “Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore në krye me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim RUGOVËN, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike, model bashkëjetese dhe integrimin ndër ne dhe më gjerë.

    Prof. Anton Çetta vuri gurthemelin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe pse ai këtë gëzim dhe ndodhi fatkeqësisht nuk e priti dhe përjetoi. Të tillë janë flijimtarët e mëdhenj dhe të mirëfilltë, që kanë jetuar dhe vepruar me përcaktime dhe vizione largpamëse, për Popullin dhe me Popullin, për të mirën e të gjithëve.