Don Lush GJERGJI/ Shenjtërimi i Gjon Pali II është përfundim i natyrshëm i jetës dhe veprës së tij madhore

    438
    Sigal

    Gjon Pali II ishte pa dyshim fenomen i fesë, dashurisë, përkushtimit të plotë me hapa gjigant

    Karol Vojtila – Papa Gjon Pali II – u lind në Vadovice (Poloni) më 18 maj 1920 në një familje të përshpirtshme katolike nga prindërit Karol Jozef dhe Emilie Kaczorowska. U pagëzua në kishën famullitare më 20 qershor 1920. Babai i tij ishte nënoficer ushtarak, paksa i natyrës së mbyllur, i cili mbeti qysh herët i vej, mirëpo më nuk u martua. Vdekja e së ëmës ishte një goditje e rëndë për familje, për burrin dhe fëmijët, në veçanti për Karolin e ri, i cili atëherë ishte vetëm tetë vjeçar. Pati edhe një motër, e cila i vdiq gati menjëherë pas lindjes. Kështu u formua ky duet i çuditshëm: ati Karol dhe biri Lolek-u, siç e quanin të gjithë Karolin e vogël. Gati se ishin gjithmonë së bashku. I biri i parë, mjek në Bielsk, vdiq qysh në vitin 1932. Shtëpia familjare ishte mjaft modeste. Karoli i vogël vijoi shkollën fillore në Vadovice, ku menjëherë u tregua i zellshëm dhe djalosh i talentuar. E donte lojën e futbollit, mirëpo njëkohësisht ishte edhe jashtëzakonisht i disiplinuar. Në kishën famullitare ishte ministrant i rregullt. Ishte edhe mjaft i përshpirtshëm, anwtar i Kongregatës Mariane, ku aktivisht merrte pjesë në iniciativa të ndryshme. Me ëndje e gëzim lexonte dhe e donte artin, muzikën, sportin, shëtitjen në natyrë, teatrin. Mieczyslav Kotlareczyk e futi në jetën  teatrale, ku ia mëson gojëtarinë. Gjimnazin e ndoqi në Vadovice, kurse në vitin 1938 regjistroi në Krakovë studimin e letërsisë polake. Edhe i ati u zhvendos në Krakovë, kështu që erdhi të jetonte me të birin e vet në lagjen Debnike të qytetit, te kushërira e së ëmës tij. Djaloshin Karol, Provania e përcolli dhe udhëheq hap pas hapi. Në Krakovë e takoi meshtarin Fieglewiecza, i cili së shpejti i bëhet atë shpirtërorë dhe rrëfystar i përmuajshëm. Kishte shumë vullnet për studim, kështu që reflektonte e mbi të gjitha besonte në kulturë, art, në jetë dhe në dashuri… Dëshironte sa më mirë dhe me sinqeritet të përgatitej për të ardhmen. Të gjitha i ndërpreu furishëm shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore. Më 1 shtator 1939 Karol-i përjeton bombardimet, rrënimet, vrasjet, dhunën… Me shumë miq detyrohet të largohet në veri të shteti për të shpëtuar jetën. Mirëpo e gjitha ishte e kotë. Gjermania së shpejti okupoi të tërë Poloninë. Qeveria ishte në azil në Rumani. Hitleri dëshironte të zhbijë nga faqja e tokës emrin Poloni. Së shpejti fillon edhe realiteti i dhimbshëm dhe i mundimshëm me kampet e përqendrimit, në veçanti Auschvitz (Oswiecim). Persekutimet e polakëve janë shumë të ashpra, sidomos kundër intelektualëve dhe hierarkisë kishtare. Për të jetuar dhe mbijetuar disi, po edhe për t’iu shmangë deportimit në Gjermani, Karoli i ri vendos të studiojë në fshehtësi, pranë punës së rëndë në minierë. Punon, mëson, shkruan, lexon, lutët… Papritmas, nga infarkti, vdes i ati i Karolit (1941). Humbja ishte e madhe, pikëllimi i rëndë, zbrazëtia e papërshkruar, sepse ai  ishte gjithçka për të, atë, nënë, vëlla, motër. I dukej se tashmë bota ishte në kokën apo shpinën e tij, sepse tani qysh në moshën 21 vjeçare nuk kishte më askënd të vetin! Në të lind pyetje dramatike: O, Zoti im, çfarë dëshiron prej meje? Çfarë dëshiron nga populli im polak? Në të vërtet, çfarë është duke ndodhur me këtë botë? U vu në sprovë të madhe me luftën, me okupimin gjerman. Në vitin 1942 patrulla SS e arreston, e rreh deri  gati në vdekje dhe ashtu gjysmë të vdekur e hedhin në një hendek. Pas disa orëve i kthehet vetëdija, dhe gati se në mënyrë të mrekullueshme qe shpëtuar nga një kalimtare e rastit. Ishte kjo “goditja” Provanisë dhe hirit të Zotit, sepse iu desh ta braktiste punën, studimin, për t’u shëruar. Në heshtje, lutje, vuajtje të shpirtit dhe trupit, apo siç do të thoshte më vonë, “në ushtrimet shpirtërore të cilat i kishte menduar vetë Zoti”, ballafaqohet me pyetjen jetësore të thirrjes, ardhmërisë.

    THIRRJA MESHTARAKE

    Karoli studion teologjinë, në fillim në mënyrë private, e më pas me një grup shokësh në seminarin e fshehtë. Për meshtar u shugurua më 1 nëntor 1946. Ipeshkvi i njeh shumë mirë aftësitë intelektuale, natyrën, virtytet e tij morale. Për këtë e dërgon në studime të mëtutjeshme posdiplomike në Romë, në Universitetin Domenikan “Angelicum”. Këtu njohu një realitet tërësisht tjetër nga ai në Poloni. Miqët dhe kolegët e tij student ishin nga pjesë të ndryshme të botës,  si dhe profesorët. Atë Garrigon-Langrange ishte moralist me famë botërorë, te i cili Don Karoli e shkruan disertacionin e doktoraturës nga teologjia morale me titull “Feja në veprat e shën Gjonit të Kryqit”.  Në ndërkohë, sipas dëshirës dhe këshillës së ipeshkvit të Krakovës, Don Karoli i ri viziton Francën, Belgjikën dhe Holandën për të parë dhe studiuar, mësuar, personalisht punën pastorale në këto shtete europiane. Atje njihet me procesin e shekullarizimit, në veçanti në Paris, kurse në Belgjikë dhe Holandë mori përvojën e bashkëjetesës mes katolikëve dhe protestantëve, të cilët thënë shpirtërisht nuk urrehen, mirëpo as nuk duhen shumë! Me këto përvoja pastorale, intelektuale, morale dhe përgatitje shpirtërore, Don Karoli kthehet në Poloni në vitin 1948 me plotë entuziazëm për jetën meshtarake dhe punën pastorale. Së pari emërohet kapelan në Niegoviq, një famulli e vogël dhe e largët malore, pa rrugë dhe rrjet elektrik, me besimtarë të varfër dhe të thjeshtë, të cilët mbi të gjitha e duan dhe nderojnë meshtarin katolik. Famullia kishte 14 fshatra për rreth. Famullitar atëherë ishte Don Kazmierz Buzala, meshtar i urtë dhe i shenjtë, i cili punonte shumë mirë me besimtarët e famullisë. Don Karoli shumë shpejt përfitoi zemrën e famullitarit dhe të besimtarëve të famullisë me përkushtimin e tij, me durim, e mbi të gjitha me mirësinë dhe dashurinë ndaj çdo njeriu. Kremtonte meshë, iu mbante fëmijëve mësim feje, rrëfente dhe vizitonte të sëmurët, me kënaqësi e përvujtëri bisedonte me popullin e thjeshtë, kujdesej për rini. Ky vend iu duk se ishte ideal për përshpirtëri, lutje, meditim, lexim, shkrim, të cilin e donte aq shumë.   

    PAPA GJON PALI II

     Më 16 tetor 1978 kardinal Karol Wojtyla gjedhet për Papë. Kardinal Felici shpalli lajmin e madh: “Kemi Papën…Karol Vojtila…Gjon Pali II.” Pas këtyre fjalëve mbretëronte heshtja. Njerëzit shikoheshin mes veti, shikojnë kah drejtimi i tarracës së Shën Pjetrit… Të befasuar, të zënë ngushtë, thuajse gati nuk iu besojnë veshëve të tyre, pyesin njëri-tjetrin: kush është ky? Pas një heshtjeje dhe hutimi të shkurtër, shpërthen gëzimi që shprehet me përqafime, urime, këngë, lutje, brohoritje, gjunjëzime, lot… Korrespodenti i Nju Jork Times, i cili ishte afër meje, më pyet: “Në të vërtetë, kush është ky kardinal? I përgjigjem në shpejtësi: “Kardinali i Krakovës, Karol Vojtila, Polak!” Atëherë ai më tha: “Ky është sensacion i madh, ngjarje e shekullit tonë, gjë fantastike!” Gazetari i TG1 më pyet: “Çfarë mendoni mbi këtë zgjedhje, për Papën e ri?” Përgjigjem i shqetësuar dhe spontanisht kështu: “Për herë të parë nga afër, në Romë, përcjell konklavën… Jam shumë i lumtur dhe i befasuar me këtë përzgjedhje providenciale… Jo se vetëm nuk e kam pritur, por as që kam pasur guxim të mendoja për këtë përzgjedhje. Kjo është një mirënjohje për mbarë Kishën, në veçanti për Kishën martire polake, për mbarë Kishën e persekutuar… Kjo është vepër e Shpirtit Shenjt… Në një mënyrë e konsideroj ‘tonin’, jo sikur papët tjerët të mos ishin tanët, porse me këtë jemi më afër vuajtjes bashkon vuajtja. Ai i njeh shumë mirë kushtet tona, mendoj edhe kushtet dhe rrethanat e Kishës së përgjithshme.. .Me këtë përzgjedhje Kisha polake ka humbur Bariun e madh, mirëpo për këtë Kisha e përgjithshme ka fituar edhe Bariun e ri e të madh,  Atin e Shenjt… Shpresoj që kjo kohë të jetë e favorshme për mbarë Kishën, po edhe për Kishën e heshtjes, për Kishat tona martire. Kjo përzgjedhje tejkalon gjitha pritjet. Vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohet vdekja e hershme e Papës Gjon Palit I, si dhe rrugën të cilën e përgatiti Zoti dhe zgjodhi për Kishën dhe botën e sotme…” (“DRITA”, 9/1978, 16. X.1978, fq 4). Papa i cili erdhi nga “larg” siç tha Gjon Pali II, gjatë paraqitjes së të tij të parë popullit të Zotit, shumë shpejt do të jetë i afërt, Mik, Vëlla dhe Atë i të gjithëve. Vazhdimi e këtij tregimi vërtet të pabesueshëm,  është shkruar nga Shpirti Shenjt dhe Papa i madh, “i pavdekshmi” Gjon Pali II, i cili për 27 vite ishte “Protagonisti” i parë i Zotit në Kishën katolike, në mbarë botën.

    “HAPJANI DYERT KRISHTIT”

     “Hapjani dyert Krishtit” është klithja, thirrja e Gjon Palit II drejtuar Kishës, të rinjve, botës. Në pontifikatin e tij, siç shënon edhe mëri i tij, dëshironte të trashëgonte, përmblidhte mirësinë e Papës Gjoni XXIII, urtinë, këmbëngulësinë, guximin e Papës Pal VI. Dhe vërtet përmblodhi emërim, përmblodhi jetën dhe veprën e tyre! Gjon Pali II ishte Bari i vërtetë i Kishës së Romës, i Kishës së përgjithshme, me plotë forcë, guxim, ngazëllim, dashuri. Ritmi i jetës dhe punës, i vizitave baritore, enciklikave, takimeve, përkushtimit për paqe, drejtësi, solidaritet, befasonte të gjithë, ishte i jashtëzakonshëm. Gjon Pali II ishte pa dyshim fenomen i fesë, dashurisë, përkushtimit të plotë me veprimtari dhe hapa gjigant. Më askush nuk mund ta ndalte: as atentati, as sëmundja, as pleqëria, as sulmet nga e djathta apo e majta, do të thoja as vdekja! Njeriu i Zotit, Zëvendës i Krishtit, me ngazëllim udhëheqi Kishën drejt mijëvjeçarit të tretë me moton: Jezusi është i njejti, dje, sot e përgjithmonë! Në sypet e shtrembura, në duart që dridheshin, në këmbët të cilat nuk e mbajnin më, kishin mbetur edhe dy drita dhe sy të thellë, Zemra – Dashuria e madhe me të cilën përqafonte dhe shërbente tërë botën. Dhe kështu ishte deri ditën e shenjtë të ndërrimit të jetës, më 2 prill 2005. Procesi për beatifikimin e tij filloi po të njëjtin vit, më 8 maj. Para arkivolit të tij janë rreshtuar dhe përkulur të mëdhenjtë e botës, më se tre milion shtegtarë nga meridianët e ndryshme të tokës, më se 200 delegacione zyrtare, përfaqësuesit e shumë feve. Mesha e salikimit ishte transmetuar në mondovizion, dhe për shumë komentatorë, ishte “varrimi më i përcjellur dhe me pjesëmarrje në historinë e mjeteve pamoro-dëgjimore”.  Procesi i lumturimit ka përfunduar shpejt dhe mirë, kështu që më 1 maj 2011 ishte Lumturimi i Papës Gjon Pali II, prapë me pjesëmarrje dhe gëzim të jashtëzakonshëm të të gjithëve. Tashmë në jetën e pasosur së bashku me të Lumen Nënën Terezë, pa dyshim, lutet dhe ndërmjetëson për Kishën dhe Popullin tonë,  siç kishte bërë dikur në këtë jetë, edhe më gjerë, për mbarë njerëzimin! Shenjtërimi apo kanonizimi i Gjon Pali II (27 prill 2014) është përfundim i natyrshëm i jetës dhe veprës së tij madhore në shërbim të Zotit, Kishës dhe mbarë njerëzimit, si “Shenjti” i ditëve dhe kohës sonë dhe “bashkudhëtar” kah amshimi.