Don Lush GJERGJI/ Papa Gjon Pali II, miku i madh i Shqiptarëve

    475
    Sigal

    Libri i Engjëll Koliqit ndriçon jetën e Papa Gjon Pali II në dimensione familjare, thirrjes dhe shërbimit të tij si meshtar dhe zgjidhjes së tij të papritur në Selinë e Shën Pjetrit

    Papa Gjon Pali II ishte Njeriu i Zotit…

    I Kishës Katolike dhe i mbarë njerëzimit, Njeri i risive dhe rekordeve në Kishë dhe në botë. Afro 27 vitet e shërbimit të tij në Selinë Apostolike të Shën Pjetrit zbuluan mendjen e tij të mprehtë, vizionare dhe profetike, zemrën e tij të madhe, të ngrohtë dhe kozmike, vullnetin e tij të fortë dhe të pathyeshëm për dashuri, shërbim, flijim dhe përqafim të tërë njerëzimin, veprimtarinë e tij të palodhshme për paqe, drejtësi dhe pajtim mes njerëzve, popujve, feve, shteteve, për njeri dhe njerëzim të afruar, të bashkuar dhe të vëllazëruar, për bijësi me Zotin dhe vëllazëri me të afërmin. Jeta dhe veprimtaria e tij ishte shumë e gjithanshme dhe krijuese: poet, dramaturg, filozof, teolog.

    Lidhjet e Papës me shqiptarët

    Për ne Shqiptarët Gjon Pali II ishte dhe do të mbesë mik, dashamir, përkrahës mbrojtës dhe prijës i pathyeshëm para qarqeve botërore. T’i përkujtojmë vetëm disa lidhje të ngushta të tij me ne: “Unë pas popullit tim polak më së tepërmi e dua popullin shqiptar, sepse, së pari keni vuajtur tepër gjatë e tepër shumë dhe padrejtësisht, dhe së dyti, sepse na keni dhuruar Nënën Tereze” (2 shkurt 1981). Në shumë fjalime, udhëtime, meshë gati gjithmonë e pati në gojë dhe në zemër popullin shqiptar, Shqipërinë dhe Kosovën, duke theksuar fenë, shpresën dhe dashurinë, historinë, traditën, kulturën, lashtësinë tonë, qëndresën shumëshekullore dhe martirizimin me theksime mjaft të qëlluar dhe shumë pozitive.

    Vlerësimet për Nënë Terezën

    Papa Gjon Pali II e cilësoi Nënën Terezën si përfaqësuesen më të mirë të popullit shqiptar dhe të Kishës Katolike në dimensione botërore. “Ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…Grua sa të vogël me shtat, aq të madhe me vepra…që sjell dhe ruan brenda vetes hirin e bujarisë së papërmbajtur të zemrës shqiptare…(25 prill 1993). Në lumturimin e saj ndër të tjera tha: “Jam personalisht i falënderueshëm ndaj kësaj Gruaje të guximshme të cilën gjithmonë e kam pasur afër vetes…” (19 tetor 2003).

    Box

    Kosova dhe Papa

    Gjatë bombardimeve të NATO-s Papa Gjon Pali II e pranoi në audiencë private dr. Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij. Po ashtu edhe në takimet tjera, veçmas atë të fundit në vitin 2003, qe vlerësuar nga qarqet e Vatikanit dhe të botës si përforcim miqësie dhe bashkëpunimi mes Selisë Shenjte dhe Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova në një takim me Imzot Nikë Prelën ndër të tjera tha: “Në mua kanë ndikuar pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereza. Papa Gjon Pali II angazhohet gjithnjë për paqe në mbarë botën dhe është vendosmërisht kundër dhunës dhe luftës kudo. Nëna Tereza me dashuri e përfitoi mbarë njerëzimin…” (gusht 1993).

                                                                       

    Ky studim dhe botim i mirëfilltë ndriçon jetën dhe veprën e madhe të të Lumit Papës Gjon Pali II në dimensione familjare, thirrjes dhe shërbimit të tij meshtarak, ipeshkvit ndihmës në Krakovë, pjesëmarrësit në Koncilin e Dytë të Vatikanit, emërimit kardinal, zgjidhjes së tij të papritur në Selinë e Shën Pjetrit. Sidomos theksohet dhe paraqitet me porosi dhe fotografi dërgimi i tij apostolik gjatë pontifikatit vërtet unik në historinë e Kishës katolike, mirëkuptimi dhe përkrahja e gjithanshme ndaj popullit shqiptar, si dhe ndaj shumë popujve të ndrydhur dhe të shtypur. Jeta dhe vepra e tij është aq e madhe dhe domethënëse, sa që vështirë mund të gjejmë ndonjë emërtim të thjeshtë dhe të përbashkët për ta vlerësuar dhe cilësuar atë. Pendët më të ngritura, regjisorët dhe kameramanët e afirmuar dhe të spikatur, gazetarët, publicistët, krijuesit e profileve të ndryshëm në Papën Gjon Pali II kanë pasur një Protagonist të shkëlqyeshëm për frymëzim, një figurë të madhe për zbërthim, një shembull të prekshëm për modelimin e njeriut dhe njerëzimit të ri. Edhe Engjëll Koliqi i bashkëngjitet kësaj “aradhe”, dhe disi dëshiron ta lajë borxhin e madh të Shqiptarëve, siç e quan ai ndaj “Miku i madh i Shqiptarëve”, për kujdesin e tij atëror, guximin e tij të profetik dhe biblik për ta luftuar komunizmin dhe ateizmin, për afërsinë dhe ngrohtësinë e tij gjatë Kalvarit tonë në Shqipëri dhe në Kosovë, për shpresëdhënie ndaj së ardhmes më të mirë për ne dhe për mbarë njerëzimin.

    Të gjitha këto veprimtari të llojllojshme kanë një emërtim të përbashkët, një vlerësim të përputhur, një shqyrtim të gërshetuar dhe të njësuar: Papa Gjon Pali II vërtet ishte Njeriu i Zotit, i Kishës Katolike dhe i mbarë njerëzimit, Njeri i risive dhe rekordeve në Kishë dhe në botë. Afro 27 vitet e shërbimit të tij në Selinë Apostolike të Shën Pjetrit zbuluan mendjen e tij të mprehtë, vizionare dhe profetike, zemrën e tij të madhe, të ngrohtë dhe kozmike, vullnetin e tij të fortë dhe të pathyeshëm për dashuri, shërbim, flijim dhe përqafim të tërë njerëzimin, veprimtarinë e tij të palodhshme për paqe, drejtësi dhe pajtim mes njerëzve, popujve, feve, shteteve, për njeri dhe njerëzim të afruar, të bashkuar dhe të vëllazëruar, për bijësi me Zotin dhe vëllazëri me të afërmin. Jeta dhe veprimtaria e tij ishte shumë e gjithanshme dhe krijuese: poet, dramaturg, filozof, teolog. Opusi i tij është tejet i madh dhe shumë i begatshëm, me plotë shqyrtime dhe studime të gjithanshme.

     “S’mund të mbytet njeriu që e ka fenë e gjallë… Nëse në jetën e njeriut mbytet Zoti, mbytet edhe njeriu… Përjetoj përzemërsisht dhe vëllazërisht këto vuajtje të mëdha me vëllezërit dhe motrat shqiptare” (27 prill 1986).

    Apo: “E njoh historinë tuaj, shpeshherë të shkruar me gjak. E di se me arsye mbaheni krenarë për ligjet dhe traditat tuaja bujare…” (6 maj 1988).

    Një kapitull shumë i veçantë për Papën Gjon Pali II ishte Kosova jonë, sfidat, rreziqet, dhuna që pësuam. Si babë dhe bari i mirë pothuaj në çdo çast dhe rast foli, shkruajti, protestoi, apeloi, lutej për mbrojtjen e popullit të pambrojtur dhe të pafajshëm, për lirinë dhe dinjitetin tonë njerëzor dhe kombëtar duke  i cilësuar ngjarjet tona kështu: “Krishti është përbuzur dhe refuzuar në ata të share dhe të vrarë në luftën e Kosovës…” (29 mars 1999); “Unë mendoj për ata që janë të vrarë, për ata që janë të pastrehë, për ata që janë të ndarë nga familjet e tyre, për ata që janë detyruar të largohen…” (4 prill 1999). Me një fjalë, pa të Lumen Nënën tonë Tereze (1910-1997) dhe Papën Gjon Pali II s’mund të kuptohet dhe të shpjegohet gjendja e Kosovës, ndërhyrja e NATO-s, internacionalizimi i çështjes sonë si sfidë dhe si sprovë e ndërgjegjes njerëzore. Këtë miqësi, dashuri dhe përkrahje ndaj popullit shqiptar Gjon Pali II e ka shprehur në çdo vend dhe anekënd botës, sidomos gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993, në emërimin e kardinal Mikel Koliqit (26 nëntor 1994), gjatë trazirave në Shqipëri (1997), gjatë Kalvarit të gjatë të Kosovës (1981-1999), në përshpejtimin e procesit të lumturimit të Nënës Terezë. Në këto lidhje të ngushta, të përzemërta dhe miqësore mes Papës Gjon Pali II dhe popullit shqiptar, rol të rëndësishëm patën edhe dy prelatët e lartë tonë, Imzot Nikë PRELA (1918-1996) dhe Imzot Mark SOPI (1938-2006), që fatbardhësisht vazhdon edhe me pasardhësin e tij, Papën Benediktin XVI,  tani me Papën Françeskun. Papa Gjon Pali II dhe Imzot Nikë Prela patën takime të shpeshta dhe të përzemërta, bisedime të frytshme për Kosovën dhe për Kishën tonë. Imzot Nikë Prela vazhdimisht e ka informuar Papën gojarisht dhe me shkrim mbi gjendjen tonë, si dhe të gjitha institucionet tjera kishtare dhe shtetërore të Evropës dhe të botës. Po e përkujtoj vetëm takimin e tyre të fundit më 17 tetor 1995, kur Papa dukshëm i emocionuar para Ipeshkvit në karrocë, para të gjithëve me ofshamë goje dhe zemre klithi: “Kosova plaga dhe shpresa jonë!”. Gjon Pali II fill pas luftës në Kosovë (1999), e falënderoi personalisht Imzot Mark Sopin, Kishën dhe klerin katolik për guximin, dëshminë dhe shërbimin ndaj popullit të rrezikuar pa dallime gjatë Luftës 1998-1999. Imzot Mark Sopi kështu e vlerësoi Gjon Palin e II: “Për popullin Shqiptar Papa ishte mik i madh dhe tregoi dashuri të madhe për të. Ai këtë e dëshmoi me vepra duke treguar angazhimin e palodhshëm në gjetjen e zgjidhjeve paqësore për Kosovën tonë të dashur”. Kjo simpati dhe dashuri ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, ndaj Kosovës në veçanti, është dëshmuar dhe përforcuar edhe me takimet e Gjon Palit II dhe Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim RUGOVA (1944-2006). Papa çmonte shumë Njeriun e urtë dhe veprimtarin e guximshëm, krijuesin dhe frymëzuesin e strategjisë paqësore jo dhunore në Kosovë, në Ballkan dhe në Evropë, dr. Ibrahim Rugovën.

    -Ja vetëm disa hollësi:

    Pas takimit të dr. Ibrahim Rugovës me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit ai ndër të tjera tha: “Pasi Zoti, Papa, Vatikani është me ne, atëherë jam i bindur se e dhe bota do të jetë me ne, në anën tonë…”(27 qershor 1991).

    Gjatë bombardimeve të NATO-s Papa Gjon Pali II e pranoi në audiencë private dr. Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij. Po ashtu edhe në takimet tjera, veçmas atë të fundit në vitin 2003, qe vlerësuar nga qarqet e Vatikanit dhe të botës si përforcim miqësie dhe bashkëpunimi mes Selisë Shenjte dhe Kosovës.

    Dr. Ibrahim Rugova në një takim me Imzot Nikë Prelën ndër të tjera tha: “Në mua kanë ndikuar pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereza. Papa Gjon Pali II angazhohet gjithnjë për paqe në mbarë botën dhe është vendosmërisht kundër dhunës dhe luftës kudo. Nëna Tereza me dashuri e përfitoi mbarë njerëzimin…” (gusht 1993). Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Vatikanit në varrimin e dr. Ibrahim Rugovës, si dhe cilësimi i tij si “Gandi dhe vizionari paqësor i politikës”, edhe një herë dëshmuan dhe vërtetuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e frytshëm mes Papës Gjon Pali II dhe dr. Ibrahim Rugovës,  Kosovës dhe Vatikanit. Në historiografinë e afërt të popullit shqiptar Papa Gjon Pali II ka një vend kulmor dhe meritor për zhvillimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe më gjerë, të popullit tonë. Provani a Zotit në kohën e duhur i gjeti njerëzit e zgjedhur dhe së bashku me ta e shkrojti një faqe të ndritshme të historisë sonë. Njerëzit e mirë dhe të mëdhenj, si ishin papa Gjon Pali II, Nëna Tereza, Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi, dr. Ibrahim Rugova, lindin rrallë dhe nuk vdesin kurrë. Kjo është histori, fatbardhësi dhe lumturi për ne, ngushëllim dhe siguri se Zoti mendon dhe vepron ndër ne, për ne dhe me ne. Falënderoj përzemërsisht Engjëll Koliqin për punën dhe studimin në këtë monografi, që është edhe si “meze” për shpalljen Shenjt të të Lumit Papës Gjon Palit II së bashku me të Lumin Papën Gjoni 23, vitin e ardhshëm, më 27 prill 2014. Ky botim është shkruar me shumë përkushtim, flijim, frymëzim, falënderim dhe dashuri. Shpresoj dhe uroj që të pranohet dhe lexohet me të njëjtat ndjenja.

    Vepër e mirëpritur dhe me vlera

    Visar Zhiti

    Një vepër e mirëpritur dhe me vlera, e duhur dhe me rëndësi, shpalosëse dhe përmbledhëse njëkohësisht, një jetë dhe një vegim, një arritje e madhe botërore dhe një pasqyrë për të – kështu do të doja të thoshim për librin e ri “Miku i madh i shqiptarëve” të studiuesit dhe krijuesit Engjëll Koliqi. Personazhi i tij, Papa Gjon Pali II, Karol Vojtila, është një nga personalitetet më të mëdhenj të kohërave, që bashkë me heronj të tjerë, i dhanë fytyrë tjetër shekullit XX, atë që dëshirohej, për të qenë nga ana e duhur e historisë, nga liritë dhe të drejtat e kombeve dhe njerëzve, nga morali kolektiv dhe mirësitë mbarënjerëzore, nga kujtesa gjenerale me vizione të së ardhmes, kundër dhunës dhe tiranive të ngritura në sistem, kundër mureve që ndajnë njerëzit midis tyre dhe njeriun me Zotin, duke u ngritur kështu në lartësitë e shenjtërisë. Është një punë e madhe, e hatashme, më përkushtim e mençuri, që pa luftë dhe lumenj gjaku të rrëzoje perandorinë komuniste, e cila erdhi me revolucione të tmerrshme dhe shtua me luftë botërore. Në këtë bëmë të dëshiruar nga popujt, për të cilën u sakrifikua shumë, është dhe dora e shenjtë e Papa Gjon Palit II. Papa Vojtila e nisi duke na dhënë porosinë: “Mos kini frikë!”, e hodhi këtë thirrje në atdheun e tij, kur bënte pjesë në gjysmën e botës të shteteve të nënshtruar nën socializmin real ose “perandorisë të së keqes”, ndërsa kur ajo ra, patjetër dhe me ndihmesën e tij hyjnore, po ky Papë do të na porosiste përsëri: “Nuk e duam një demokraci pa virtyte”. Njeriu duhet të jetë njerëzor, prandaj është lindur dhe shoqëria duhet të jetë njerëzore, prandaj jemi bashkë. Libri “Miku i madh i shqiptarëve” është, po aq sa biografik, edhe rrëfim i bëmave dhe i arritjeve, i sakrificave dhe i urtësisë sublime, kronikë dhe kronologji e jetës së Papa Vojtilës, i udhëtimeve brenda dhe jashtë vetes, me frymën e Tij pannjerëzore dhe të perëndishme, i një dashurie aktive, në veprim. Autori gjithsesi është përqendruar dhe në hulumtimin e asaj ane aq të rëndësishme për ne, në lidhjet e Papa Vojtilës me popullin shqiptar, marrëdhëniet me shtetin e tyre dhe me atë që do të shpallej si shteti më i ri në botë, të dyja të një kombi, pra me Shqipërinë dhe Kosovën, me krerët e shquar e të përbashkët, së pari me Nënë Terezën, me të cilën ka bashkëpunuar, ia dha mundësitë, pasi ia kuptoi flatrat, që më pas do ta lumturonte po vetë. Po kështu autori na ritregon për vizitën historike të Shenjtërisë së Tij, Papa Gjon Pali II në Tiranë dhe Shkodër, rënien e Tij më gjunjë dhe puthjen e tokës tonë sapo zbriti nga qielli, ishte e fundmja rënie më gjunjë e Papa Vojtilës mbi tokë, pritjen madhështore, takimet me njerëzit, besimtarët, me Presidentin Berisha, vlerësimet që i bën Shenjtëria e Tij kishës shqiptare, martirizimit të saj, për besimin që ngjall, po kështu dhe takimet me Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, lutjet për një Kosovë të lirë, takimet me shërbesarë, por dhe me ata të Radio-Vatikanit, seksioni shqip, që në ditët më të vështira, morëm prej tyre shpresë fshehurazi, teksa denonconin të keqen e deri dhe tek dhuratat që Dom Lush Gjergji i ka dhënë Papës, “Mesharin” tonë apo librin e tij për Nënë Terezën në gjuhën polake. Polonia është vendi i Vojtilës dhe libri që po përurojmë tani na shtjellon nga fëminia e tij atje, në atë vend heroik e me kulturë, nga rinia, kur e nisi si poet, aktor, teksa zbuloi brenda vetes dhe filozofin e shkencëtarin, të cilat s’duhet të jenë e nuk janë në kundërshtim me njeriun e fesë, e deri tek thirrja: Habemus Papa! (Kemi Papë!). Habemus shpresë, besim, kemi përvojën e të kaluarës dhe vizionet e së ardhmes, kemi ëndrrën dhe botën, kemi vdekjen dhe lindjen dhe rilindjen e shenjtë, kemi veten të shumëzuar në miliarda e miliarda të tjerë. Kulme dhe kumte kuptimplotë e të gjithkohshëm gjejmë në këtë libër, ndër të tjera në vijim dua të kujtoj vajtjen e Papa Vojtila në qelinë e atentatorit, të vrasësit të tij, Ali Alça. Me dorën që tërhoqi këmbëzën e revolverit, ai i rrëmben dorën Papës dhe ia puth fort si një ndjesë e pendim i thellë, mësim për mijëra e mijëra duar që kanë tërhequr me gishtin si kthetër këmbëzën e armëve në plotonet e pushkatimeve të llahtarshme dhe të atyre që kanë përdorur armë té padukshme në pushkatime të padukshme ideologjike, kulturore, në vrasjet e përditshme, gjithnjë e nga pak, deri sa sollën rrënim shpirtëror dhe mendor. Por njeriu është caktuar të ngrihet dhe të triumfojë. Bashkë. Me tjetrin. Ta kuptojmë dhe ta duam. Në diversitet dhe tolerancë, e gjitha si pasuri e përbashkët përvojash e vlerash të gjithmonta. Ja, në libër, mes fotove të shumta, Papa Vojtila me Kur’anin në dorë, duke e puthur Librin e Shenjtë, gjest emocionues e domethënës, aq kollaj i  kuptueshëm për shqiptarët, të shquar për bashkëjetesën ndërfetare. Dhe ky Papë, që kur Shqipëria ishte nën diktaturë, në bregun përballë lutej për të me lot në sy. Është fakt se, shqiptarët kanë zgjedhur në rrugëtimin e tyre anën e duhur të historisë, pavarësisht se pësimet kanë qenë të rënda dhe ndëshkuese, por që meritojnë gjithsesi shpërblim. Pra me të drejtë monografia e parë për Papa Gjon Palit II, e shkruar nga një shqiptar, titullohet “Miku i madh i shqiptarëve”, siç u cilësua nga pritësit e tij në Shqipëri. Dhe është rastësi e bukur, nëse mund ta quajmë kështu, që autori i librit ka emrin ungjillor Engjëll dhe mbiemrin Koliqi, si të kardinalit të parë shqiptar, që kaloi një kalvar të tmerrshëm nëpër burgjet e komunizmit, por që nga ky Papë u përzgjodh dhe shelbua. Libri ndërkaq është dhe një homazh i përbashkët i shqiptarëve, mirënjohje dhe vlerësim për një mik të madh e të përbotshëm, nderim ndaj së mirës, që duke dalë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, e bën dhe më të vyer duke i dhënë dhe simbolikë të dyfishtë. Libri ka vlera të qëndrueshme dhe shërben për informacionin, datat, bëmat e një jete të madhe të një njeriu të madh dhe për kumtet dhe porositë që përçon, për falje dhe kujtesë, për mirëkuptim dhe ringritje, për paqe dhe një jetë me kuptim dhe me besim, me virtyte njerëzore e të perëndishme. Pavarësia, identiteti ashtu si liria, mençuria dhe mirësitë kuptohen dhe mbrohen nga njerëz të pavarur, të lirë, të mençur dhe të mirë dhe me identitet dhe njerëzit e tillë u përkasin popujve të tillë. Çdo popull është njeri, çdo njeri është popull.