Don Lush GJERGJI/ Atenagora i parë, ish-udhëheqësi i të gjithë ortodoksëve në botë ka qenë me origjinë shqiptare

    466
    Sigal

    ATENAGORA I (1886 – 1972)/ Profeti i madh i ekumenizmit që pati guxim, t’i rrënonte prangat e mallkimit të ndërsjellët mes Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse

      Shekulli XX-të është plotë sfida të llojeve të ndryshme. Në prag të festës së dymijë vjetorit të krishterimit Gjon Pali II thoshte: “Dimensioni gjithëpërfshirës ekumenik i  Jubileut të Shenjtë do të jetë i cekur në mënyrë të qartë me takimin e gjithëkrishterë”.

    Për Kishën katolike janë dy sfida kryesore dhe shumë të rëndësishme, ndoshta edhe vendimtare për gjithë të krishterët, dialogu ekumenik me Kishat simotra të krishtera të ndara, dhe dialogu ndërfetar me gjithë botën.

    Profeti i madh i ekumenizmit ishte patriku i Konstatinopojës Atenagora I, njeri i Zotit dhe Kishës, ai që pati guxim, fe, dashuri, që t’i rrënonte prangat e mallkimit të ndërsjellët mes Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse. Emri i tij i pagëzimit është Aristokle, kurse emri familjar Spyrou; ai u lind në Tsaraplanë, tani Vassilikon, me 25 mars 1886, në Greqinë e sotme, në zonën kufitare me Shqipërinë. Ishte kjo periudhë e mbretërisë Otomane me përzierje të popujve, gjuhëve, kulturës, besimeve dhe traditave të ndryshme. Patriku Atenagora e kujton fëmijërinë e tij kështu: “Kur vinte nata të gjithë mblidheshim rreth vatrës, të ulur në tokë, “këmbëkryq”, “ alla turka”. Babai i Aristokleut, Meteu, ishte mjeku i parë në fshat. Ja se si e përkujtonte atë Patriku Atenagora: “Babai im ishte mjeku i fshatit; mendoj se ishte mjek i mirë, iu jepte njerëzve shpresë. Gjithnjë udhëtonte me kalë, sepse e ftonin prej fshatit në fshat”. Nëna e patrikut ishte bijë e një zejtari – këpucari të njohur, i cili kishte disa punëtorë. Quhej Elena. Ishte e shkolluar, sepse kishte vijuar një shkollë private greke dhe aty kishte arritur edhe diplomën. “Ishte nga Konica” rrëfen Atenagora, “nga një mes i shqiptarëve që ishte më i rëndësishëm dhe me ndikim se sa Tsaraplana dhe më shumë përparimtarë…”

    RRËNJËT E EKUMENIZMIT NË FAMILJE

    Aristokle Spyro qysh në rrethin familjar jetoi bashkimin e dashurisë në dallime dhe pluralizmin. Atenagora rrëfente kështu: “Në Tsaraplanë të krishterët dhe myslimanët jetonin në harmoni të madhe. I vetmi polic turk, ende e kujtoj mërin e tij, Ali Bey, nuk kishte fare punë. Asnjë përlamje, konflikti, procese gjyqësore. Fëmijët e krishterë dhe ata myslimanë loznin gjithnjë së bashku. Gjatë pagëzimeve të fëmijëve ishin të ftuar dhe të pranishëm edhe miqtë myslimanë, edhe ata na ftonin për rrethprerjen e fëmijëve të tyre. Ishte kjo jetesë biblike, ku të gjithë ne ndiheshim fëmijët e Abrahamit”.

    Ndikim të madh dhe vendimtar në jetën dhe edukimin e Aristokleut të ri padyshim patën prindërit e tij: “Babai im ishte fetar, por në mënyrë diskrete, ishte më tepër i mbyllur. S’fliste për fe. Mirëpo, para bukës bënte kryq dhe shkonte për çdo të diel në kishë. Ndaj nesh ishte njeri i rreptë, por jo edhe zemërgur. Unë isha biri i parë, pastaj vëllau im, i cili vdiq në vitin 1948, kurse e treta ishte motra jonë…S’kam asnjë fotografi të nënës sime. Në atë kohë, nëpër fshatra s’kishte fotografi…E dimë nga dëshmitë e kohës që Helena ishte e bukur. E quanin ‘ylli i mbrëmjes’. Ishte e gjatë, e hollë, kishte pamje mbretëreshe… Edhe sot në Vassilikon flitet si ajo ishte bamirëse… Nëna jonë ndezi në ne fenë. Feja e saj ishte e flakët, tërheqëse. Në mbrëmje për të na vënë në gjumë, na këndonte me zë të ulët himne fetare. Ishte shumë e përshpirtshme. Kjo harmoni dhe lumturia e familjes u rrënua shumë me vdekjen e  ëmës sonë Helenë. Isha 13 vjeçar. Nëna ime dhe unë gati njëkohësisht jemi sëmurë. Unë e humba edhe vetëdijen; për shumë ditë mbeta i tronditur. Kur erdha në veti, fitova vetëdijen, e kërkova kot nënën time. Babai im më shpjegoi se kishte shkuar te dajtë në Konicë…Nuk ishte e mundshme t’i mbajmë dy të sëmurë të rëndë në shtëpi, më tha. Pritsha që nëna ime të kthehej… “Një ditë, ndërsa isha në oborr, hyri një njeri dhe më pyeti: “A banon këtu Mateu Spyrou, të cilit para disa kohe i ka vdekur gruaja?”. Kështu e kuptova se nëna ime kishte vdekur para tre muajve. Ishte 37 vjeçare. Kurrë nuk jam ngushëlluar. Më ka munguar dhe do të më mungojë gjithmonë”.

    Patriku Atenagora është me prejardhje, gjuhë, kulturë, edukatë shqiptar. Dëshminë e drejtpërdrejt mbi këtë e shkruajti atë Giuseppe Ferrari, italo-shqiptar: “Me prejardhje jam nga një vend i vogël në veri të Epirit, në afërsi të kufirit shqiptar…Duke i hapur duart nga unë, me një buzëqeshje të gjatë, klithi në gjuhën shqipe “Mirëserdhe”! Edhe unë jam shqiptar si ti. Shqipëria ka qenë vazhdimisht në mes të Lindjes dhe Perëndimit. Në vende tjera kanë luftuar në mes veti, por në Shqipëri ortodoksët dhe katolikët kanë bashkëpunuar mirë. Ju, pra, mund t’i kuptoni më mirë problemet ekumenike. Ndoshta Provania hyjnore iu ka transferuar në Itali për ndonjë rol të dobishëm për planet e tija”.

    Patriku Atenagora I shpesh ceku prejardhjen e tij shqiptare që edhe me këtë të tregonte se si erdhi deri tek përvoja ekumenike qysh në atmosferën familjare, nga një popull historikisht i vogël, i cili është i ndarë në dy fe, krishterimi, që nga kohërat apostolike, dhe islam, pas sundimit pesëqind vjeçar turk /1468 – 1912). Krishterimi në popullin shqiptar ndahet në dy Kisha: Katolike dhe Ortodokse. Si njohës i mirë i historisë shqiptare patriku Atenagora ndër të tjera ka thënë: “Populli shqiptar është një ndër popujt që ka vuajtur më së shumti në Europë, ka vuajtur gjatë shumë shekujve, pasi mbrojti në mënyrë të mrekullueshme krishterimin…Unë jam shqiptar…Jam në shërbim të Kishës ortodokse, edhe më tepër, të Jezu Krishtit…Të jeni të bindur se sistemi ateisto-komunist i Shqipërisë do të kalojë, mirëpo krishterimi do të mbes përgjithmonë.

    THIRRJA

    I riu Aristokle Spyrou mendon seriozisht për jetën, lutët, kërkon, jeton me fe, mirësi, me përshpirtërinë e nënës së tij të ndjerë Helenës. Në veçanti mendon mbi kuptimin e jetës, vuajtjes, vdekjes duke u nisur nga përvoja e tij. Përpos këtyre pyetjeve, i imponohet edhe pyetja e ardhmërisë së tij, përcaktimit dhe thirrjes jetësore. Lexonte shumë, lutej, kërkoi rrugën e vërtetë. Në vitin 1908 papritmas vdiq edhe i babai Mateu duke zbritur prej kalit. Aristokli ishte 22 vjeçar, pra, në moshën më të mirë…Pas shumë meditimesh dhe uratash kishte vendosur: do t’i kushtohem krejtësisht Zotit dhe Kishës së tij, si mug – xhakon. Studimet teologjike i vijoi në qendrën e rëndësishme kulturore dhe fetare në Halki. Në vitin 1910 shugurohet xhakon, pas përfundimit të studimeve dhe përgatitjes së thellë shpirtërore. E zgjodhi edhe emrin e ri rregulltar – Atenagora.

    Pas shugurimit për xhakon ishte në shërbim të Kishës dhe popullit së bashku me ipeshkvin Stefani në Manastir në Maqedoni që nga viti 1910. deri 1919. Atëherë Manastiri ishte qendër e rëndësishme politike, ekonomike, fetare dhe kulturore. Përbërja e banorëve ishte kjo: 30.000 turq (në masë të madhe shqiptarë të islamizuar), 15.000 grekë, 5.000 bullgarë, 3.000 serbë. Sipas kësaj shihet se Manastiri ishte një mozaik i vërtetë popujsh, religjionesh, gjuhësh e kulturash. Atenagora ishte apostull i vërtetë i gjithë atyre që vuanin, pa farë dallimi. U flijua për të mirën e përgjithshme dhe shpeshherë qe edhe në rrezik jete duke mbrojtur jetën dhe të drejtat e të tjerëve.

     Në themele të kësaj përvoje dhe jete në mesin e popujve dhe feve të ndryshme më vonë do të thotë: “Në Manastir i njoha mirë sllavët. Kam vështruar edhe gjermanët dhe austriakët. Me francezë kam jetuar dy vite. Të gjithë popujt janë të mirë. Çdo njeri meriton nderimin dhe dhe përbindjen. Kam parë vuajtjen e njerëzve. Të gjithë kanë nevojë për dashuri. Nëse janë të këqij, janë të tillë sepse nuk kanë takuar dashurinë e vërtetë, atë dashuri e cila nuk shpenzon shumë fjalë por rrezaton me dritën e jetës… Dashuria e Krishtit është më e fortë se Ferri. Në dashurinë e tij hasim guximin që të duam njerëzit dhe me këtë zbulojmë se të tjerët janë domosdoshmërish të nevojshëm për të pasur mundësi të qëndrojmë dhe të jemi të krishterë…

    Prej vitit 1912 e deri në vitin 1919 Manastiri ishte bërë epiqendër e luftimeve të ashpra. Atenagora, që ishte së bashku me metropolitin Krizostemi, u mundua me mish e shpirt për të mirë të të gjithëve.

    ATË I TË GJITHËVE

    Në vitin 1909 u desh ta braktiste Manastirin dhe të kalonte në Malin Atos (në Greqi), ku atëherë kishte 7.000 murgj. Mirëpo, pas gjashtë muaj paqeje, qetësie, urate me një rreth rregulltarësh nga shumë vende të botës ortodokse, Atenagora duhet të largohet prej Atosi për një mision të ri: emërohet sekretar i Sinodit të Shenjtë të Athinës, që ishte pozitë me rëndësi dhe ndikim të madh për jetën dhe veprimtarinë e Kishës Ortodokse. Edhe në këtë detyrë të lartë, me shumë përgjegjësi dhe vështirësi, ai punoi për çështjen ekumenike. Edhe në këtë detyrë u tregua i përgatitur dhe i aftë për punë, i hapur dhe komunikativ me të gjithë, i përkushtuar jetës së përshpirtshme fetare me të gjitha forcat e tij. Në moshë 37 vjeçare emërohet ipeshkëv dhe metropolit i Korfus-it dhe Paksosit (1923 -1930).

    Në Korfuz ishte gjendja tejet kaotike. Mijëra mërgimtarë hebrenj kërkonin strehim nëpër shkolla dhe nëpër kisha. Me pasuri të kishës dhe me ndihmë të bamirësisë së besimtarëve nisi ndërtimin e shpejt të banesave. Në rezidencën e vet hapi një qendër shëndetësore falas dhe një shërbim për strehimin e tyre… Gjeti vend dhe zgjeroi shkollat për fëmijtë e të ikurve. Me kënaqësi dhe shpesh i vizitoi të varfrit dhe të sëmurët, njerëzit e braktisur. Një herë me ironi tha:  “Kush vdes nga uria s’ka nevojë agjërim!” Përmes dashurisë dhe kujdesit shumë shpejt u bë babai i të gjithëve, i respektuar dhe dashur nga populli pa farë përjashtimi. Në shërbimin e përditshëm të Hyjit, Kishës, popullit, të gjithëve iu dha forcë, frymëzim, por edhe kënaqësinë e jetës dhe përkushtimit të krishterë. Mirëpo, Zoti e “sprovon” edhe një herë, ia rrënon sigurinë në vazhdimësi,  e shqetëson dhe sfidon. E pret edhe një befasi, ndërrimi, ndryshimi. Amerika ka nevojë për një bari dhe atë shpirtëror, sepse atje ka shumë ortodoksë nga gjitha pjesët e botës, të gjithë në kërkim të fatit dhe kushteve më të mira jetësore.

    ARQIPESHKËV NË AMERIKË

    Sinodi emëroi Atenagoren argjipeshkëv në SHBA (1930) për besimtarët greko-ortodoksë. Atë që deri atëherë e  kishte përjetuar si “miniaturë” në Vassilikon, Konicë, Janinë, Manastir, Korfuz, tani do jetojë në kontinentin e ri: mozaik i dallimeve të ndryshme të të gjitha llojeve. Gjatë 17 viteve të punës dhe shërbimit pastoral pati suksese të jashtëzakonshme në Amerikë në çdo lëmë. Ja vetëm disa të dhëna: organizoi një tërësi organike me afro 400 famulli /ortodokse/, me afro 10 ipeshkvij ndihmës, afro 500 meshtarë, dy shkolLa teologjike, më se 300 shkolla për fëmijë dhe për nxënës grekë. Amerika është multietnike, multifetare dhe pikërisht për këtë pyetja e dialogut ekumenik edhe për Atenagoren nuk ishte pyetje teoriko – spekulative, filozofiko – teologjike, por para së gjithash praktike, çështje e përditshme, e rëndësishme dhe jetësore që e përcolli gjatë tërë jetës. Ndarjet e brendshme të krishterëve për te ishin një plagë e madhe në Trupin mistik të Krishtit – Kishave, kështu që punoi duke u munduar rreth dialogut, nderimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët në përpjekje dhe guxim të kërkimit të bashkimit në dallime. Punoi po ashtu mjaft dhe suksesshëm edhe me pushtetet politike, në veçanti me kryetarin Franklin Ruzvelt dhe Harry Truman.

    PATRIK I KONSTATINOPOJËS (STAMBOLLIT)

    Zoti edhe një herë kishte planin e tij me Atenagorën. Por, ja prapë befasia: më 01. XI. 1948 Atenagora u zgjodh Patrik i gjithëmbarshëm i Konstatinopojës. Rrethanat ishin  vërtet të jashtëzakonshme. Patriku i mëparshëm, Maksimi V, ishte ende i ri, në moshën 52 vjeçare, i zgjedhur vetëm para dy viteve. Mirëpo, gjendja e tij shëndetësore e detyroi për dorëheqje. Pse qe zgjedh pikërisht Atenagora? Me siguri se ka shumë arsye, sidomos: për përvojën e tij të madhe baritore, për veprimtarinë e tij të larmishme, për autoritetin të gëzonte veçanërisht në SHBA, si dhe për çështje politike të acaruara në mes të Turqisë dhe Greqisë. Atenagora I arriti në Konstatinopojë (Stamboll) më 26 janar 1949 me aeroplanin personal të kryetarit Truman dhe qe intonizuar një ditë më vonë. Në fjalimin e tij të parë foli qartë “për t’iu dhënë të gjitha Kishave të krishtera bashkimin dhe paqen, për t’u bërë ato burim i paqes për popujt”.

    Atenagora para së gjithash forcoi bashkëpunimin mes Kishave të ndryshme nacionale ortodokse: organizoi pesë Konferenca gjithëpërfshirëse ortodokse gjatë vitit 1969: ka shkatërruar kundërshtimet që i kundërvinin Konstantinopojën dhe Moskën. Ka bashkuar Ortodoksinë duke bërë primatin e Konstantinopojës jo pushtet juridik për të sunduar apo qortuar, por  në stilin e Ungjillit, primat dashurie dhe shërbimi ndaj Kishave simotra.

    Në vitin 1950 Atenagora e shpalli enciklikën e parë të  gjitha Kishave ortodokse në botë, ku i fton në bashkim të fesë “për ta përgatitur bashkimin e të gjitha Kishave të krishtera në botë”. Në vitin 1957 filloi takimet e para me Kishën katolike nëpërmes Delegatit Apostolik në Konstantinopojë, Mons.Giacomo Testa-s, që vite me radhë ishte sekretar i posaçëm i Imzot Angelo Roncalli-t, papës së mëvonshëm Gjoni XXIII. Gjithë jeta dhe veprat e Atenagora I, ishin të udhëhequr nga dashuria ndaj Zotit, Kishës, ndaj njeriut dhe botës bashkëkohore.

    MIQËSIA ME PAPËT GJONI XXIII DHE PALI VI

    Provania përgatiti edhe një personalitet të madh nga Kisha Katolike, papën Gjonin XXIII, që të kenë mundësi së bashku të punojnë për bashkimin e të gjithë të krishterëve.

     Atenagora I pas shpalljes së Koncilit Dytë të Vatikanit (më 25 janar 1959) tha: “Bashkimi i të krishterëve është bërë një nevojë aq e qartë, sa që, nëse nuk do të arrihet sa më parë një ‘bashkim së paku i kushtëzuar’ në mes të tri bashkësive kryesore të krishtera: Kishës katolike romake, protestante dhe ortodokse, Kishës i kanoset rreziku i humbjes së misionit të saj, sepse, nëse s’do  të vihet deri te bashkimi, ajo do të humbë shumë besueshmërinë”.

    Kështu filloi bashkëpunimi vëllazëror i këtyre dy krerëve kishtarë në dobi të afrimit ndërkishtar katoliko-ortodoks, të ekumenizmit të frytshëm me nderim dhe dashuri të ndërsjellë. Gjoni XXIII lëvizi botën dhe së shpejti vdiq, në pikëllim të të gjithëve. Atenagora I i tronditur tha; “Sa me gëzim kemi dashur ta vizitojmë Romën e ta përqafoj atë, të qajmë së bashku me të për shkak të përçarjes dhe ndarjes mes nesh gjatë gjithë këtyre shekujve, të tregojmë pendimin tonë për shkak të kaluarës dhe gëzimin për shkak të ardhmes”. Bashkëpunimi vazhdoi dhe u konkretizua me papën Pali VI. Me rëndësi histori janë tre takimet mes Palit VI dhe Atenagora I: në Jerusalem (5 shkurt 1964), në Konstantinopojë (15 qershor 1967) dhe në Romë (27-28 tetor 1967). Në Jerusalem mes të tjerash Atenagora I tha: “Duke shqyrtuar këtë takim si një ngjarje të jashtëzakonshme në historinë dhe në jetën e Kishës së Hyjit…, dëshirojmë qëllimet e mira…të bëhen parahyrje e bashkimit të ndërsjellët të vullneteve dhe nënshtrimit i plotë të Vullnetit të Shpirtit Shenjt të Zotit…

    Me shekuj bota e krishterë jetoi në natën e ndarjes. Sytë e tyre janë të lodhur duke shikuar në errësirë. Dhashtë Zoti që ky takim të jetë agim i ditës së lume dhe të bekuar, kur breznitë e ardhshme, duke u ushqyer nga i njëjti kelk i Korpit të Shenjtë dhe i Gjakut të paçmueshëm të Zotërisë, do të lavdërojnë dhe lumturojnë në dashuri, në paqe dhe në bashkim të vetmin Zotëri dhe Shëlbuesin e botës…Ja, duke kërkuar këtë takim të përbashkët ne e kemi gjetur së bashku Zotërinë. Të vazhdojmë, pra, rrugën e shenjtë që hapet para nesh…

     Një nga frytet më të mëdha të këtij takimi dhe përqafimit historik gjithsesi është heqja e mallkimit të ndërsjellët (7 dhjetor 1965) Atenagora duke folur për mallkimin – përjashtimin e vitit 1054, ai ndër të tjera tha: “Ky gabim në mes Kishës së Romës dhe të Konstantinopojës, duke imituar dashurinë dhe mirësinë e Zotit ndaj njeriut, na detyron për këtë arsye në rikthimin e paqes…”

    Me rëndësi historike ishte edhe vizita e papës Pali VI Konstantinopojës, i cili në Katedralën e Fanarit, ku ndër të tjera pati thënë: “Ne përkujtojmë këtu katër koncilet e mëdha ekumenike në Nice, në Konstantinopojë, në Efez dhe në Kalcedoni, që etërit kishtarë s’kanë pasur frikë t’i krahasojnë me katër Ungjijtë…”

    Në fjalën e rastit Patriku Atenagora I ndër të tjera iu përgjigj Papës kështu: “Shenjtëri dhe i dashuri vëlla në Krishtin. Duke dëshiruar mirëardhje, fortë i shenjti pasardhës i Pjetrit, që e bartni emrin dhe keni sjelljen e Palit, kasnec i dashurisë, bashkimit dhe paqes…Ne përshëndesim ardhjen Tuaj në Lindjen tonë si një agim të ri të dritës së ndriçuar nga Zotëria, në historinë e dy Kishave tona, të Romës dhe të Konsantinopojës, të botës ortodokse dhe katolike, të gjithë besimtarëve dhe të botës mbarë. Mirë se vjen, Vëlla, në emër të Zotit!”

    Në takimin e tretë mes Atenarorës I dhe Palit VI në Romë iu dha ekumenizmit një nxitje dhe inkurajim. Me atë rast Patriku Atenagora  mbajti fjalën e rastit para kardinajve dhe anëtarëve të Sinodit ipeshkvor, ku ndër të tjera tha: “Ne mendojmë kah çasti i madh dhe i shenjtë, kur ipeshkvijtë e Perëndimit dhe të Lindjes do të bashkëmeshojnë në të njëjtin lter, duke ngritur kelkun e Zotërisë nga Eukaristia e përbashkët.“

    TRASHËGIMIA E TIJ SHPIRTËRORE

    I madhi, mund të themi edhe i shenjti, Patriarku ekumenik Atenagora I vdiq më 7 korrik 1972, pas tetë ditë sëmundjeje. Vdekja e tij ishte humbje e madhe, jo vetëm për Kishën ortodokse,  por edhe për mbarë krishterimin, do të thoja edhe për tërë njerëzimin.

    Me 9 korrik Papa Pali VI duke iu folur besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, tha: “Ju e dini pse Ne e përkujtojmë këtë njeri të madh të Kishës së nderuar, por ende jo tërësisht të bashkuar me Kishën Katolike; e porosisim në kujtime dhe uratë tuaja:sepse ai ishte mjeshtri i gjithanshëm dhe apostull i bashkimit të Kishës greko-ortodokse me atë të Romës, si dhe Kishat dhe bashkësitë tjera të krishtera, ende të pabashkuar në të vetmin bashkim të Korpit mistik të Krishtit. Ai e ka pasur vetëm një shpresë të lartë:atë që të mund të pinte së bashku me Ne “nga i njëjti kelk“. Kjo dëshirë e pazbatuar duhet të jetë trashëgimia e tij dhe kujdesi ynë”.

    Atenagora I ishte pikësëpari njeri i Zotit, njeri i Kishës, ekumenizmit, lëvizës i madh i bashkimit të krishterëve. Shpeshherë thoshte: “Zoti është afër nesh dhe me Të edhe njerëz janë të afërt. Nëpërmes Krishtit ne kemi zbuluar se Zoti është Dashuri”.

    Duke menduar mbi ndarjen e Kishave dhe të krishterëve me zemërim në zemër komentoi: “Çka kemi bërë ne? Çka kemi bërë? Krishti ka hequr dorë prej nesh. Ne e kemi dëbuar atë. Me armiqësitë tona, me krenarinë tonë, me paturpësinë tonë farizeje, ne kemi fyer shpirtin e Ungjillit… Krishti është larguar… Ku do të ketë shkuar?… Shkon si shtegtar, si i panjohur në mesin e të varfërve, të braktisurve e të lënëve të këtij vendi. Ku do mund të ishte? Ndoshta në Indi, apo Afrikë? Apo në lagjet e mjerueshme të qyteteve të mëdha? Mirëpo, ne nuk mund të jetojmë pa Të, nuk mundim. Duhet ta gjejmë atë…Unë nuk merrem me politikë. Ajo s’më intereson… Mua më intereson Krishti dhe Kisha e tij, bashkimi i Kishës në paqe e dashuri. Dialogu do të sqaronte shumë pyetje…Ne të krishterët duhet palodhshëm të kërkojmë bashkimin e Kishave simotra dhe vëllazërimin e popujve”. Atenagora I ishte dhe mbeti jetë, porosi, dëshmi të cilën ia vlen ta zbulojmë. Dhe trashëgimi të cilën duhet ndjekur, jetuar sot e në të ardhmen.