Do të kthehem shpejt, thotë Senatori McCain i diagnostikuar me kancer

572
Dashamirës së Senatorit John McCain po i përcjellin atij lutje dhe mesazhe për shërim të shpejtë pas njoftimeve se politikani 80-vjeçar është diagnostikuar me kancer në tru që u zbulua gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Mjekët e zotit McCain thonë se ai po reagon shumë mirë pas operacionit.
Glioblastoma është një lloj agresiv i kancerit të trurit, sipas mjekëve të Klinikës Mayo në Finiks.
Senatori dhe familja e tij po shikojnë mundësinë e trajtimit të mëtejshëm, duke përfshirë kimioterapinë dhe rrezatimin. Ai ndodhet aktualisht në shtëpinë e tij në Arizona.
MCCAIN DHE BETEJAT POLITIKE
Zoti McCain nuk ka shfaqur asnjë shenjë se është larguar nga beteja politike. Në një koment në Twitter drejtuar dashamirësve, senatori shkruante: “E vlerësoj mjaft mbështetjen e madhe. Për fatin e keq të partnerëve të mi që praktikojnë boksin në Kongres, unë do të kthehem së shpejti, prandaj qëndroni në pritje.”
Përmes zyrës së tij, zoti McCain lëshoi të enjten një deklaratë të ashpër ku kritikon administratën Trump lidhur me njoftimet se ajo po i jep fund një programi për të ndihmuar forcat opozitare siriane që luftojnë kundër qeverisë së Bashar Assadit.
“Nëse këto njoftime janë të vërteta, administrata po bën lojën e Vladimir Putinit,” thotë zoti McCain, i cili është kryetar i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura në Senat. “T’i bësh lëshime Rusisë, të çfarëdolloji qofshin, pa një strategji më të gjerë për Sirinë, kjo është e papërgjegjshme dhe dritëshkurtër,” shton ai.
Ndërkaq, mungesa e zotit McCain e ka detyruar udhëheqësin e shumicës në Senat, Mitch McConnell, që të shtyjë procedurat në Senat mbi ligjin për kujdesin shëndetësor.
Republikanët kanë nevojë për votën e senatorit McCain për të vazhduar me planet për shfuqizimin dhe zëvendësimin e ligjit të Presidentit Barak Obama.
Ekipi mjekësor nuk ka dhënë parashikime se kur mund të jetë në gjendje senatori të kthehet në Kongres.
REAGIMET E KOLEGËVE
Spitali në qytetin Finiks të Arizonës e njoftoi diagnozën dje, duke thënë se mjekët kishin zbuluar një tumor malinj pasi senatori iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale javën e kaluar për të hequr një masë gjaku të mpiksur pas syrit të majtë.
“Të gjithë mbetëm të tronditur, të gjithë u mërzitëm. Lajme të tilla të bëjnë të mendosh për gjërat që kanë rëndësi në jetë,” tha senatori John Kennedy.
“Me mendje dhe me lutje jemi pranë tij. Na ka dërguar fjalë se do të kthehet. Ai gjithmonë mendon për senatin dhe punët që bëjmë këtu. I tillë është. Është luftarak, është hero i kombit,” thotë Senatori John Hoeven.
John McCain, hero i luftës në Vietnam, ka shërbyer për më shumë se 30 vjet në Senat. Ai ka kaluar një numër problemesh shëndetësore në të kaluarën, përfshirë kancer shumë të rrezikshëm të lëkurës.
Sigal