Djali dhe plepi/ Vjollca Tiku Pasku

    337
    Sigal

    Ai ishte vetëm nëntë vjeç dhe mblidhte kanaçe. Kishte një biçikletë të vjetër, ku zhurmonte tringëllima e zinxhirit të ndryshkur, sikur të ishin zorrët e një endacaku të uritur. Kur kanaçembledhësit e mëdhenj e takonin shikonin në rrugë, e vështronin me përçmim dhe e shanin, sepse u kishte hyrë në pjesë. Hija e tij e vogël tkurrej më shumë dhe i jepte me shpejtësi biçikletës, të dilte jashtë rrezes së trazuar me vranësira .Ishte i shkurtër i dobët, ezmer, me dy vetulla që rrinin përherë të mbledhura, si dy shpate mali që ciknin majat e njëra-tjetrës. Flokët e zinj me baluke mbi ballë, sytë e vëmendshëm dhe veshët që reagonin ndaj çdo tingulli të vogël metali, të linin përshtypjen e një djali të vogël, që fati e kishte paracaktuar të bëhej i madh, duke mbajtur përgjegjësi të rëndë mbi supet e brishta, të siguronte ushqimin për pesë motrat dhe nënën e sëmurë. Pluhuri i rrugës, djersa dhe era e keqe e shoqëronin nëpër labirintet e orëve të ditës. Babai i tij ishte një pijanec i alkolizuar dhe asnjëherë nuk dihej ku ndodhej. Ai lypte dhe ato pak para që mblidhte, i blinte alkol. Djali i vogël jetonte në mes të botës së ëndrrave fëmijërore dhe realitetit të ashpër. Ah sikur të mund të ndryshonte fatin e tij, pikërisht si me shkopin magjik të Zanës, të jetonte në një shtëpi të bukur dhe me ushqim të bollshëm. I dukej shumë herë, se qielli disa i mbante me hatër, kurse atë e kishte dënuar. Njëherë tjetër mendja e tij prej fëmije imagjinonte, sikur biçikleta e tij të fluturonte dhe të ishte një magnet që të tërhiqte çdo metal në kazanët e mbeturinave. Në të dalë të qytetit, pikërisht atje ku shinat e trenit kishin marrë ngjyrën e lëkurës së gjarprit, kur e zhvesh dhe e lë në pluhurin e fatit, ishin katër kazanë të mëdhenj… Ishin thuajse bosh, sepse plehrat përreth tyre, përhapeshin nga qentë e natës. Kjo zonë, më parë i përkiste fshatit, ndërsa tani qytetit. Në të djathtë, pesëdhjetë metra më tej, kishte disa plepa të vjetër. Tek një plep i përkulur si ombrellë, djali ulej dhe çlodhej. I pëlqente të shikonte gjethet shtrirë, rrezet që depërtonin nga sytë jeshil të gjetheve dhe të kaltrën e dritës qiellore. Drejtonte gishtin tregues lartë dhe vizatonte konturet e gjetheve dritën, hijet e gjithçka që imagjinonte mendja e tij e vogël… Gjithmonë i mërmëriste plepit: “A ka djalë tjetër që vuan kaq sa unë?… Sa më pëlqen të shkoj në shkollë, të kem libra, ngjyra, të të pikturojë ty, të loz me top me shokë!….Por ah..duhet të punojë” Më pas vazhdonte ecejaket me biçikletë në kërkim të tingullit të artë, derisa dielli fshihej pas shallit të vjetër të horizontit. Peshonte kanaçet e vogla, merrte paratë dhe shkonte tek minimarketi i lagjes. Aty përherë blinte bukë, një kulaç të kuq për vete, pesë karamele për të pesë motrat dhe pak djathë të lirë. Shkonte te markato e madhe, sepse ishte koha kur pastrueset shkarkonin koshat me frutat dhe zarzavatet gjysmë të kalbura. Mund të mblidhte disa, që nëna e tij mund t’i gatuante.

    për më tepër lexoni Gazetën Telegraf