Divjakë, pas 25 vitesh nis dezinfektimi nga mushkonjat

509
Sigal

DIVJAKE – Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik ka nisur ditën e sotme dezinfektimin në Divjakë për mushkonjat pas 25 vitesh. I pranishëm në këtë nismë Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u shpreh se qëllimi i kësaj iniciative është rritja e sigurisë për shëndetin e qytetarëve dhe opratorëve ekonomike që duan të zhvillojnë turizmin.

“Nisma e ndërmarrë sot ka qenë kërkesë e veçantë e Kryeministrit Rama në mënyrë që të stimulohet turizmi. Ne kemi hartuar një plan masash që do nisin këtë vit dhe do të vazhdojnë deri në shtator. Kjo iniciativë kryhet pë herë të parë që nga 1989 dhe do të kthehet në një nismë të përvitshme. Qëllimi saj është rritja e sigurisë për shëndetin e qytetarëve dhe opratorëve ekonomikë që duan të zhvillojnë turizmin” tha Beqaj. Ministri tha më tej se janë konsultuar edhe me ekspertët e huaj, për lëndët që duhen përdorur për të mos dëmtuar biodiversitetin. Ndërkohë drejtori i ISHP-së, Arjan Bregu e cilësoi këtë si një iniciativë shumë të rëndësishme që vjen në Ditën Botërorë të Shëndetit, pasi vendi ynë mbetet problematik për sëmundjet që përhapen nga vektorët, veçanërisht malarja. “Jo rastësisht zgjodhëm Divjakën në Ditën Botërorë të Shëndetit në projektin tonë për dezinfektimin e bregdetit. Shqipëria mbetet vend problematik për sëmundjet që perhapen nga vektorët, siç është malarja  e cila është e pranishme dhe përbën rrezik potencial për përhapje” u shpreh Bregu. Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Kavajës Alfred Kokoneshi tha se “dezinfektimi është një risi pasi kishte kohë që ishte harruar” duke shtuar se kjo do t’i japë më tepër frymëmarrje turizmit. Ndërkaq edhe Enkelejda Dikolli, specialiste e ISHP, tha se plani i veprimit ka në fokus të gjithë bregdetin me një lëndë që nuk do të dëmtojë biodiversitetin në këto zona duke shtuar se veprimet do të asistohen edhe nga ekspertë të huaj. “Plani i veprimit ka në fokus të gjithë bregdetin. Në vendin tonë reultojnë 43 lloje mushkonjash, ku mushkonja tigër është prezente në qytetet bregdetare si Lezhë, Durrës, Sarandë dhe Vlorë që prej 197. Kemi caktuar zonat ku do ndërhyhet dhe kemi përzgjedhur një lëndë që nuk e dëmton biodiversitetin. Ndërhyrja do të bëhet në fazë ujore, ndërsa  aplikimet si nga toka dhe ajri do të asistohen nga ekspertë të huaj.” tha në fjhalën e saj specialistja e ISHP-së. Nisma për dezifektimin e zonës së Divjakës vjen në Ditën Botërore të Shëndetit, ndërsa një iniciativë e tillë është marrë herën e fundit në 1989.