Ditmir Bushati:Shqipëria europiane në rajon dhe botë, partneritet strategjik me SHBA dhe BE

644
Sigal

Programi i Partisë Socialiste për Politikën e Jashtme dhe shërbimin diplomatik

 Politika e jashtme e një vendi të vogël si Shqipëria duhet të reflektojë zhvillimet dhe prioritetet e politikës kombëtare dhe një përputhshmëri sa më të mirë me qëndrimet dhe vlerat e partnerëve strategjik

*Kryetar i Komisionit të Integrimit të Kuvendit

1000 vjet larg Perëndimit, qysh kur Kisha Romake u nda dhe ne, mbetëm nën ndikimin e Bizantit.  Lindja e Shqipërisë, në thelb një ide e inspiruar prej vlerave europiane, që popujt e tjerë e kishin konsumuar para nesh, si përputhje e ndërhyrjes së superfuqisë amerikane në Europë. Kjo ndërhyrje siguroi shtetësinë shqiptare. Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, përbëjnë dy momente thelbësore të shekullit të njëzet e një në procesin e ribashkimit të kombit shqiptar me vendet e zhvilluara demokratike. HABEMUS PACTUM, qartësimi i rrugës euroatlantike për Serbinë dhe Kosovën dhe dëshmi e gjallë që pushteti i butë i BE-së është fuqia transformuese e vetme e rajonit.  Walter Lippmann thoshte një herë e një kohë se, “politika e jashtme kërkon gjetjen e një balance të drejtë mes angazhimeve të shtetit dhe pushtetit, duke e mbajtur këtë të fundit sa më shumë nën kontroll”. Me pak fjalë, politika e jashtme e një vendi të vogël, si Shqipëria, duhet të reflektojë zhvillimet dhe prioritetet e politikës kombëtare dhe një përputhshmëri sa më të mirë me qëndrimet dhe vlerat e partnerëve strategjik. Kurs përplasje me perëndimin dhe NE: Konsolidimi i pozicionit të Shqipërisë si anëtare e OKB-së, NATO-s, Këshillit të Europës, OSBE-së, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, partneriteti strategjik me SHBA, intensifikimi i diplomacisë ekonomike, si dhe kontributi konstruktiv në politikën e jashtme në rajon, përbëjnë themelet e vizionit tonë për një Shqipëri europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare. Parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare janë normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet kombeve, të avancimit të demokracisë dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe solidaritetit ndërkombëtar. Respektim të angazhimeve në NATO. Ne zotohemi të jetësojmë angazhimet e papërmbushura që burojnë nga aderimi në NATO, pasi për ne progresistët, anëtarësimi në NATO nënkupton, para së gjithash, përgjegjësinë për të qenë një shtet demokratik, për të vijuar me vendosmëri rolin konstruktiv në rajon dhe funksionalizimin e këtij faktori. Ndërkohë, që kontributin ushtarak në misione ndërkombëtare paqeruajtëse, apo ndërtimin e paqes, do ta shoqërojmë me kontribut civil e diplomatik. Cilësi dhe ritëm në procesin e anëtarësimit në BE. Për ne progresistët, procesi i anëtarësimit në BE, pas anëtarësimit në NATO, është një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit të shoqërisë shqiptare, në përputhje me vlerat dhe parimet e Europës së Bashkuar. Për t’i dhënë fund, kësisoj, një tranzicioni të pafund, që nuk krijon institucione demokratike, modele zhvillimi të qëndrueshme dhe cilësi jete. Ne socialistët duam të ndërtojmë Shqipërinë europiane, përmes institucioneve demokratike, ekonomisë së tregut funksionale, shoqërisë së dijes, bashkëjetesës demokratike, ku pakicat konsiderohen ura lidhëse e bashkëpunimi ndërmjet kombeve, mirëqenies ekonomike dhe shërbimeve publike, në çdo zonë të atdheut tonë të përbashkët. Sot, BE-ja është një realitet i ndryshëm nga viti 2009, kur Shqipëria paraqiti aplikimin për anëtarësim. Thellimi i procesit të integrimit Europian, i nxitur nga kriza financiare, po i çon vendet anëtare drejt një Bashkimi Bankar Europian, me mbikëqyrjen e Bankës Europiane; një Bashkimi Fiskal Europian me kontrolle të imëta mbi deficitin dhe buxhetin kombëtar; një Bashkimi Ekonomik Europian, me më shumë vendimmarrje të përbashkëta për çështjet të natyrës ekonomike dhe sociale. Përqasja e mësipërme reflektohet edhe në procesin e zgjerimit, i cili po ri-kombëtarizohet gjithnjë e më shumë. Ndërkohë, që kushtëzimi demokratik po përdoret në faza të hershme të kapitujve të bisedimeve për anëtarësim, çka kërkon vullnet politik dhe reforma të qenësishme, që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve nga vendi, që aspiron anëtarësimin në BE. Qeverisja jonë do të përvijojë një raport të ri me opozitën e pas 23 Qershorit, duke nxitur kulturën e kompromisit politik dhe prodhuar reforma të prekshme e të qëndrueshme shtet-ndërtuese.  Qeverisja jonë do të ndërtojë një raport të hapur besimi e bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar. Pasi, për ne progresistët, rrugëtimi Europian i Shqipërisë është thelbësor dhe i pazëvendësueshëm për zhvillimin, demokratizimin dhe transformimin e shoqërisë dhe vendit. Marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, është një objektiv plotësisht i arritshëm për qeverisjen tonë progresiste. Për ne, çështja e statusit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim paraqet një rëndësi të trefishtë, si: (i) çështje e vlerësimit politik, (ii) çështje e vlerave dhe përkatësisë sonë europiane, (iii) çështje e agjendës zhvillimore të vendit. Ne jemi të vendosur të ndryshojmë rrënjësisht modelin aktual të administrimit të këtij procesi. Do t’i japim fund praktikës së dështuar të bashkërendimit në mënyrë të atrofizuar e periferike, sipas nevojave politike të ditës, duke marrë për bazë modelin e Kroacisë dhe praktikave të vendeve të tjera, që kanë kaluar në këtë proces. Përfshirja e drejtpërdrejt e Kryeministrit, shoqëruar me vendosjen e shërbimit diplomatik në pararojë, e jo bisht të procesit, janë dy elementë të domosdoshëm që do garantojnë cilësi dhe ritëm më të shpejt në këtë proces.  Ne do të përkthejmë vullnetin politik në proces me ndërtimin e shërbimit publik europian dhe reformimin tërësor strukturor të shërbimit diplomatik dhe financimit të tij, në përputhje me këtë prioritet kombëtar (do ta ndajmë shërbimin diplomatik nga politika).   Ne do të përmirësojmë rrënjësisht modelin aktual të bashkërendimit të ndihmës së BE-së dhe asistencën bilaterale e ndërkombëtare, duke e kanalizuar atë drejt agjendës zhvillimore të vendit. Do t’i japim fund pingpongut institucional dhe do të ndërtojmë një mekanizëm në nivel ndërinstitucional për identifikimin e nevojave dhe kapaciteteve për programimin dhe zbatimin e projekteve të mbështetura nga BE. Shqipëria europiane për ne s’është slogan, por projekt politik i një rëndësie të posaçme gjeostrategjike dhe gjenerator i një bashkëpunimi më të frytshëm rajonal në funksion të stabilitetit demokratik dhe mirëqenies.  Për ne socialistët, një Shqipëri europiane me autoritet moral, kapital politik dhe aftësi për të zbatuar dhe ndërtuar standarde ndërkombëtare, do të thotë kalim nga një qasje e papërcaktuar në politikën e jashtme në një politikë propozuese në rajon me fuqi normative. Ne besojmë tek Shqipëria Europiane, si model frymëzimi në rajon. Ky besim diktohet nga përgjegjësia jonë gjeostrategjike si një vend anëtar i NATO-s; nga pesha dhe hapësira që ka fituar faktori shqiptar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe perspektiva e integrimit euroatlantik, e cila orienton doktrinën e sigurimit kombëtar në rajon.  Pas anëtarësimit të pritshëm të Kroacisë në BE, kufiri i BE-së me Ballkanin Perëndimor zhvendoset në drejtim të Bosnje Hercegovinës. Ndërkohë, që Shqipëria mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësimin në BE. Ne do të jemi aktiv në bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh, në funksion të integrimit të plotë euroatlantik të rajonit, duke e konsideruar këtë proces me një rëndësi jetike dhe kombëtare.  Forcimi i stabilitetit demokratik të rajonit është një investim edhe për vetë NATO-n dhe BE-në. Identiteti i politikës sonë të jashtme në rajon do të forcohet përmes realizimit të një ekuilibri dinamik, ndërmjet avancimit të çështjes kombëtare dhe politikës së fqinjësisë së mirë, në kushtet e reja të shekullit të njëzet e një. Kjo nënkupton cilësinë e komunikimit të lirë të shqiptarëve në Ballkan, duke respektuar të drejtat e shqiptarëve autoktonë, tërësinë territoriale dhe funksionalitetin e plotë të shteteve ku ato jetojnë. Projekti ynë i Shqipërisë europiane nuk mund të realizohet pa mbështetjen dhe angazhimin e shqiptarëve, që jetojnë apo studiojnë jashtë shtetit, duke përfshirë të drejtën për të votuar në distancë. Ne do të lehtësojmë dhe nxisim veprimtarinë e tyre, kudo në botë, përmes krijimit të qendrave të promovimit të kulturës shqiptare dhe shërbimeve të posaçme konsullore. Ne do t’i japim jetë gjithashtu politikave ,që synojnë kthimin në Shqipëri të talenteve, për të përdorur kapitalin njerëzor e financiar në funksion të zhvillimit të atdheut tonë të përbashkët.