Dita e Verës, Dita e Bashkimit

    442
    Sigal

    Qazim Sejdini: “Elbasani, në 14 Mars, kryeqyteti Shqipërisë”, politikanë dhe  bashkatdhetarë nga trojet shqiptare

    Dita e 14 marsit, festa e Ditës së Verës, kjo ditë e shënuar jo vetëm për Elbasanin, si  kryeqyteti  i Shqipërisë për festën pagane, por i të gjitha trojeve shqiptare, mbetet edhe dita e bashkimit të tyre. Risia e çdo 14 Marsi është pjesëmarrja e bizneseve, këngëtarëve pse jo e qytetarëve kosovarë dhe shqiptaro-maqedonasve. Qazim Sejdini, kryetari bashkisë dhe organizatori festimeve thotë për “Telegraf” se: “Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit Dita e Verës është shtrirë në kohë, por edhe në hapësirë. Dita e Verës 2014 është ndryshe, pasi tashmë ka marrë përmasa mbarëkombëtare. Shtrirja në hapësirë e festimeve është risia e këtij viti ,pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë përtej kufirit si, Kosova, Maqedonia dhe Mali Zi, ku me produktet e tyre janë prezent në shesh në minipanairin e improvizuar me këtë rast”. Kryetari Sejdini u shpreh se: “Dita e bukur e Verës, e gjen Elbasanin, si çdo vit, në rolin e kryeqytetit të Shqipërisë. Në këtë ditë ai 10- fishohet në  numër popullsie dhe e meriton, pasi është qyteti bujarisë, mikpritjes, kulturës qytetare, djepi arsimit e shkencës, qyteti që ka të ardhme të mrekullueshme për qytetarët e tij e më gjerë, qyteti, ku çdo shqiptar që vjen, e ndjen veten si në shtëpinë e tij në çdo ditë të vitit dhe veçanërisht në 14 Mars”.

     Festimet tradicionale

     Për Ditën e Verës, 14 marsin, gatimet e kuzhinës elbasanase, do të jenë të pranishme në qendrën e qytetit, lagjet dhe rrugët e tij, veçanërisht në  sheshin “Gensher”, ku qytetarët do të kenë mundësi të provojnë ushqimet e servirura. Zoti Sejdini tha se: “në këtë ditë,  kuzhinierët  të ardhur edhe nga qytete të tjera të vendit, me gatimet e tyre do të prezantojnë  kuzhinën  karakteristike, sipas trevave ku do të ketë edhe degustim nga qytetarët. Çdo gjë do të jetë falas për qytetarët, duke e bërë më të bukur e sidomos më të shijshme festën”. Ballokumja mbetet për në fund dhe konfirmon edhe njëherë përmasat mbarëshqiptare të festës së Ditës së Verës. Grupet muzikore do të jetë në sheshin qendror duke performuar këngët hit dhe realizimet e fundit”.

     Politikanët çdo 14 Mars në Elbasan

     Si çdo vit, në Elbasan, për Ditën e Verës, nuk mungojnë edhe politikanë të çdo krahu politik. Ata vizitojnë qytetin, panairin tradicional dhe shijojnë edhe ballokumet. Dita e 14 Marsit i kushtohet aktiviteteve të fëmijëve dhe më pas dreka tradicionale në natyrë, një rit i përvitshëm i qytetarëve elbasanas me të ftuarit e tyre. Ëmbëlsira e ballokumes ka përfshirë të gjithë qytetin dhe ata që po gëzojnë më shumë janë tregtarët elbasanas, që presin shumë shitje dhe fitime gjatë ditëve të festës.

     Panaire biznesi

     Tashmë festa e Ditës së Verës me masivizimin dhe përhapjen është kthyer në festë për bizneset. Në Ditën e Verës në Elbasan, priten rreth 500 mijë mysafirë që do të kalojnë dy ditët dhe natën e kësaj feste, shqiptarë nga të gjitha trojeve dhe të huaj. Ballokumja mund t’i kalojë 1 milion copë, ndërsa tavolinës i shtohet edhe gjeli i detit, qengji i pjekur në furrë, numri i të cilëve mund t’i kalojë 100 mijë krerë. Dita e Verës është festë edhe për bizneset. Me dhjetëra janë tregtarët e ballokumeve, që shpërndahen në të gjithë bulevardin dhe sheshet e qytetit, firmat e pijeve kanë zënë stendat e tyre, kuzhinierët janë duke përgatitur ushqime në skarë, produktet e artizanatit tërheqin klientët dhe panairi “Dita e Verës” ka marrë vëmendje që njerëzit të kenë mundësi të blejnë duke përfituar nga ky ekspozim. Por më shumë atë natë e festojnë lokalet në Elbasan. Të gjithë kanë menduar të kenë këngëtarë dhe muzikë “live”, duke ia kaluar kështu festës së ndërrimit të viteve. Të gjitha lokalet e qytetit, por sidomos ato në zonat turistike në periferi e kanë destinuar menynë e tyre kryesore të gatimit vetëm për ditën e kësaj feste të madhe. Pothuajse në të gjitha rrugicat, dhe në dy bulevardet kryesore të qytetit, shikon lule të freskëta dhe ballokume që do të joshin të ardhurit në mëngjesin e kësaj dite. Në qendër të qytetit të Elbasanit, që prej disa ditësh japin koncertet e tyre grupet folklorike dhe qytetare nga të gjitha komunat e bashkitë e qarkut, por stafetën në argëtimin muzikor e ka qendra e Artit në Bashkinë Elbasan. Librazhdi, Peqini e Gramshi kanë bërë axhendë më vete për festimet e Ditës së Verës. Muzikë popullore, ekspozita të punimeve artizanale janë pjesë e festimeve për këto zona.

     Dita e Verës i gjen shitësit ambulantë në rrugë

     Elbasan/Ndonëse na ndajnë dhe katër ditë nga festa pagane e Ditës së Verës, tregtarët ambulantë kanë nisur të shesin nëpër rrugët e qytetit të Elbasanit ëmbëlsirën tradicionale të ballokumes. Në unazën lindore të qytetit, ballokumet shiten në anë të rrugës, në mes të pluhurit dhe pa asnjë lloj mbrojtje nga bakteret, kështu, rrezikojnë të kthehen në sëmundje për qytetarët, të cilët do t’i blejnë. Qytetarë të ndryshëm shprehen se, ëmbëlsirat nuk shiten në kushte higjienike dhe se, tregtarë nuk duhet të lejohen nga personat përgjegjës, që të shesin ata në këto kushte. Madje, shprehen se, për ketë duhet të merren masat e menjëhershme, pavarësisht se, katër ditë na mbajnë larg festës. Nga ana tjetër, tregtarët e pranojnë këtë situatë, por shprehen se: “nuk kemi se çfarë të bëjmë, pasi ne nuk kemi se ku t’i shesim, këtë ditë presim për të nxjerrë ndonjë lekë“. Ata thonë gjithashtu se, ndihen të rrezikuar nga aksidentet automobilistike, për faktin se aktiviteti i tyre shtrihet buzë rrugës, pasi është e vetmja mundësi që kanë për t’i shitur ballokumet. Edhe drejtoria e Higjienës pranon se, tregtimi i Ballokumes në rrugë bëhet në kushte të papërshtatshme. Më 14 mars, në kuadër të Ditës së Verës, Elbasani shndërrohet në kryeqendrën e festimeve, ku organizohen shumë koncerte dhe aktivitet për këtë festë, por dhe me ardhjen e qindra qytetarëve, nga rrethe të tjera të vendit, por dhe nga Maqedonia dhe Kosova.

      ERA ÇELA