Dita e pestë e grevës së urisë, Qafzezi: Kërkojmë ndihmë nga përfaqësitë diplomatike!

    361
    Sigal

    Protestuesit: Do të vazhdojmë deri në vetëflijim. Në spital po lihemi si qentë në korridore!

    Pesë ditë pasi kanë hyrë në grevën e urisë, të shkarkuarit nga administrata i kanë bërë thirrje përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri që të ndërhyjnë në mënyrë që të zgjidhet çështja e tyre. Nertila Qafzezi në një deklaratë për mediat nga çadrat ku janë të ngujuar kërkoi që për shkak të sjelljes arrogante të qeverisë, të ndërhyjnë edhe përfaqësitë diplomatike. Në përfundim të fjalës së saj, Nertila Qafzezi ka shfaqur edhe probleme shëndetësore. Gjatë paradites së djeshme tre grevistë u dërguan me urgjencë në spital për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa njërit prej tyre i ra të fikët në lulishten para çadrës. Prej mbrëmjes së 21 janarit një grup i të larguarve nga administrata vazhdojnë grevën e urisë në 2 çadra të ngritura përpara Piramidës. Para çadrës ndodhet një pankartë ku shkruhet “Na kthe në punë” ndërsa një çadër e tretë është bosh. U tha që do hynin të tjerë në grevë urie, por deri tani nuk ka hyrë njeri. Pas mjekimit në spital njëri prej grevistëve u kthye sërish në çadër, ndërsa akuzoi bluzat e bardha për neglizhencë ndaj grevistëve që paraqiten në spital. Ai deklaroi se, do të vazhdojë sakrificën e tij deri në vetëflijim. Dy deputetë të PD-së Luçiano Boçi dhe deputetja, Albina Deda kanë qëndruar në krah të protestuesve, duke denoncuar shërbimin shëndetësor në spital.

    Kronologjia e ngjarjeve

    Rreth orës 08:30 minuta Astrit Lika, ish- mirëmbajtës në ISKSH u shoqërua me ambulancë drejt spitalit për të marrë mjekimin e duhur. Disa minuta më pas një tjetër grevist, Mahir Reçi, ish-punonjës i mirëmbajtjes te konviktet e Inxhinierisë së Ndërtimit. u pa të dalë nga çadra me barelë, ndërkohë që mësohet të jetë kthyer sërish. Gjatë natës edhe një tjetër grevist u largua nga greva për të marrë mjekimin dhe u rikthye sërish në çadër. Paraditen e djeshme, 14 grevistët e urisë të vendosur në 2 çadra u vizituan nga deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, i cili u shpreh se, kjo grevë ka kauzë humane dhe bëri thirrje për mbështetje. “Grevistët janë të bindur se do ta çojnë deri në fund grevën e urisë ndërkohë që nga godina përballë e heshtjes dhe mashtrimit nuk ka asnjë fjalë. Sigurisht ka pasur shumë interpretime. Është thënë deri aty sa do na pengojë statusin. Madje, të thëna nga politikanë, të cilët ndoshta emocione të tilla i kanë kur shohin portretin e Enverit dhe dëgjojnë thirrjet Parti-Enver. Por kjo grevë nuk mund të krahasohet me grevën e bulevardit. Është grevë e qytetarëve për arbitraritetin e poetikës, si e tillë duhet të mbështetet jo nga vetëm nga opozita, por edhe qytetarët”,- u shpreh Boçi në një prononcim për median.

    Rreth orës 12:00 grevisti Mehmet Cemorati humbi ndjenjat në lulishten para çadrës teksa po shkonte në tualet, disa metra më tutje. Ai është shoqëruar menjëherë në spital me anë të një ambulance.

    grevisti

    Ora 12: 46 Tjetër grevist rëndë

    Rëndohet dhe shëndeti i Petrit Fejzullaj, ish financier i ISKSH-së.

    Ora 13: 10 Grevisti: S’përfaqësoj PD por mbroj të drejtën

    Ndërkohë Sokol Ukperaj, ish ekonomist i Sigurimeve Shoqërore, edhe ai në grevë urie denoncoi largimin e tij të padrejtë nga puna.“Nuk kam ardhur të përfaqësoj PD-në. kam ardhur këtu për të drejtën time“ tha ai

    Ora 13:00 Astrit Lika, ish mirëmbajtës në ISKSH u rikthye në grevë pasi mori mjekim në spital. Në hyrje të çadrës ai akuzoi bluzat e bardha për neglizhencë ndaj grevistëve që paraqiten në spital, ndërsa deklaroi se, do të vazhdojnë sakrificën e tij deri në vetëflijim .

    Ora 16:38  Grevisti Mahir Reçi ka shfaqur probleme me shëndetin dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Kjo është hera e dytë që Reçi ka shfaqur probleme me shëndetin gjatë qëndrimit në grevë uri.

    grevist

    Ora 17:00 Nertila Qafzezi: Të ndërhyjnë përfaqësitë diplomatike

    “Kërkojmë nga përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë mbështetje për zgjidhjen e kërkesave tona ligjore. Sipas nesh, në hartimin dhe miratimin e ligjit për nëpunësit civil, ne kërkojmë reagimin tuaj”,- u shpreh Qafzezi. Ndërkaq, Kryetarja e Shoqatës së të larguarve nga administrata, Nertila Qafzezi, akuzoi edhe gjatë pasdites së djeshme bluzat e bardha se nuk po mundësojnë kthimin e grevistëve që marrin mjekim në spital. Ajo denoncoi bluzat e bardha edhe për mosdhënien e mjekimit në spital, ku deklaroi se, grevistët po lihen si qentë në korridore.