Disa rregulla për tu nxirë në plazh si yjet e ekranit

817
Për të pasur një lëkurë të shëndetshme dhe me ngjyrë të bukur fillojeni nga ushqyerja: strategjia e mirëqenies ideale nis me një mëngjes të mirë, me fruta dhe perime të shtrydhura për t’u shfryrë, për të hequr toksinat dhe për të stimuluar melaninën. Sapo të arrini në plazh, bëni shëtitje dhe luani! Lëvizja ndihmon në një nxirje uniforme e pa stres. Po në fund të ditës? Mos harroni vajrat natyralë, të cilët “përkëdhelin” epidermën duke e hidratuar me lehtësi.
Përgatisni lëkurën
Lëngjet me bazë karotat, luleshtrydhet, manaferrat dhe të gjitha perimet e frutat me ngjyrë të verdhë dhe të kuqe, ndihmojnë në prodhimin e melaninës. Përpara se të ekspozoheni në diell hiqini qelizat e vdekura me një skrab.
Ju mund të përgatisni një të tillë në shtëpi shumë thjesht dhe shpejt: në një tas hidhni ndonjë lugë me kripë të imët, më pas shtoni pak vaj natyral dhe një lugë kos, hidratues dhe freskues. Këtë skrab masazhojeni mbi lëkurë të lagur më pas shpëlajeni me ujë të vakët. Me siguri do të merrni një efekt pastrues dhe shkëlqyes.
Dieta perfekte
Mos harroni që të pini shumë ujë në mënyrë që të mbani nivelin e duhur të hidratimit në organizëm. Për t’u relaksuar me shije e lehtësi, përgatisni në shtëpi një çaj me bustina ose bimor, e më pas vendoseni në frigorifer duke i shtuar mente, livandë ose një frutë si pjeshkë ose manaferra për një shije më të madhe.
Po në drekë do të thoshit ju? – Shumë perime të grira ose të bëra sallatë. Nëse jeni në plazh, merrni me vete fruta të freskëta të stinës për t’i ngrënë gjatë ditës. Pjepri dhe kajsitë, të pasura me beta-karoten dhe falë vitaminës A ndihmojnë mirëqenien e epidermës dhe e freskojnë atë shumë, ndërkohë që frutat e kuqe, manaferrat dhe rrushi pa fara, aktivizojnë mikroqarkullimin e gjakut dhe luftojnë plakjen.
Rekomandime
Mos u ekspozoni direkt në diell e kryesisht gjatë orëve më të nxehta të ditës nga 11 deri më 15. Në kohën që do të merrni rreze dielli, është mirë që të mos përdorni parfume dhe produkte të përbëra prej tij, sepse mund t’ua bëjnë lëkurën me njolla. Për të shmangur flokët e thatë dhe të shpupuritur, përdorni vaj liri ose shkumë pastruese antimoshë dhe rigjallëruese: flokët mund t’i lyeni në të gjithë gjatësinë e tyre, që nga majat deri te rrënjët. Masazhojeni trupin me një vaj natyral (ulliri për shembull), sepse ai mund ta ushqejë lëkurën në thellësi dhe muskujt mund t’i bëjë më të tonifikuar.
Mbrojtja
Sidomos në fazën e parë është e rëndësishme të ekspozoheni në diell në mënyrë graduale. Në tri ditët e para qëndroni poshtë çadrës: ju do të mund të nxiheni gjithsesi, sepse edhe në hije ju mund të përfitoni 50% të rrezeve UV. Zgjidhni një mbrojtje të duhur dhe mos harroni se ushqyerja e lëkurës është thelbësore për një nxirje të bukur dhe të shëndetshme. Mos qëndroni në të njëjtin pozicion. Ju mund të bëni shëtitje buzë detit.
Në plazh
Ecja i bën shumë mirë lëkurës dhe formës tuaj fizike. Hap pas hapi zbathur mbi rërën e lagur, këmbët do të tonifikohen ndërsa do të nxiheni pa shumë lodhje. Falë ujit të kripur dhe lëvizjeve, qarkullimi i gjakut realizohet edhe më mirë e për rrjedhojë, trupi ndihet më i lehtë dhe aktiv, ndërkohë që do të përfitoni edhe një nxirje të njëtrajtshme pa shumë stres.
Pas diellit
Klori i pishinave dhe ajri i kondicionuar janë armiq të nxirjes dhe të tharjes së lëkurës. Pas një dite në diell, mundohuni ta mbani të lartë nivelin e hidratimit duke përdorur produkte të posaçme për trupin, shmangni ndenjen në dush për një kohë të gjatë e po kështu përdorni ujë të vaktë dhe jo të nxehtë. Për sa i përket sapunit dhe shampos, zgjidhni ata delikatët për nga efekti. Mos harroni të masazhoni trupin me një vaj natyral direkt mbi lëkurë të lagur: jojoba, vaji i bajames, argani janë vajrat më hidratues dhe të aftë për t’i ridhënë shkëlqim sipërfaqes së lëkurës, ndërsa në këtë mënyrë ju do të mund ta mbani nxirjen e përftuar për një kohë më të gjatë.
Sigal