Diferencat në pensione. Nuk ka vullnet për t’i zgjidhur

    527
    Sigal

    Në këtë shkrim nuk e kam fjalën për nivelin(masën) e pensioneve nëse janë të mjaftueshme për një jetesë normale ose në çfarë raporti janë ato qoftë edhe në vendet e rajonit etj.. Masa e pensioneve, ledhet në radhë të parë me nivelin e ekonomisë dhe të ardhurat e çdo vendi, me nivelin e pagave dhe kontributit, me numrin e pensionistëve etj dhe se rritja e tyre në përmasa të larta për një jetesë më të mirë, është një problem i vështirë, për më tepër në kushtet e krizës ekonomike e financiare, ku edhe vendi ynë nuk përjashtohet nga prekja. Në këtë shkrim qëllimin e kam të trajtoj një problem të shumë të zvarritur dhe të zgjidhshëm: atë të diferencave në pensione të plota të pleqërisë në qytet. Dhe konkretisht, të diferencave që ekzistojnë midis pensioneve të lidhura deri më 31.12.1996 dhe atyre të lidhura nga 01.01.1997 e në vazhdim, duke përjashtuar këtu pensionet e plota minimale, të cilat janë të barabarta, pavarësisht nga periudha kur janë lidhur. Kështu, pension i plotë minimal në qytet sot është 11562 lekë (pa shtesat). Këtë pension e marrin si ata që kanë dalë në pension deri në 30.09.1993, kur pushoi së qëni ligji i vjetër i Sigurimeve Shoqërore, ashtu edhe ata që kanë dalë në pension me ligjin e ri, që hyri në fuqi më 01.10.1993. Pra, në pensionet e plota minimale në qytet nuk ka probleme, nuk ka diferenca në masën e tyre. Problemet me diferencat janë në pensionet e ndërmjetme domethënë midis pensioneve minimale dhe atyre maksimale.

    Po si lindën këto diferenca dhe në çfarë mase janë ato?

    Në ligjin e vjetër dhe atë të ri të Sigurimeve Shoqërore, raporti i pensioneve të plota të pleqërisë midis atyre minimale dhe atyre maksimale, është 1 me 2. Pra, pensioni maksimal është dy herë më i madh se sa pensioni minimal. Ruajtja e këtij raporti, kërkon domosdoshmëri, rritje të njëjtë (të barabartë) në çdo rast, në përqindje.

    Por çfarë ndodhi në fakt?

    Deri në vitin 2000, në rritjen (indeksimin) e pensioneve u ndoq një politikë e diferencuar. Në 7 apo 8 raste pensionet minimale janë rritur në përqindje të lartë. Pensionet e mesme janë rritur më pak, ndërsa ato më të lartat janë rritur shumë më pak, duke krijuar kështu shpërpjesëtime e duke prishur raportet, aq sap o kalohet drejt barazimit të tyre. Nga kjo politikë rritjeje e diferencuar, raporti i pensioneve nga 1 me 2 që duhej të ishte, më 30.03.2000, arriti 1 me 1.19, ose nga 4400 lekë që ishte pensioni minimal në atë kohë, pension maksimal ishte 5.242 lekë kundrejt 8800 lekë që duhet të ishte. Arriti deri aty saqë masa e pensionit të mjekut të ishte e barabartë me atë të infermierit dhe të sanitares. Ose në arsim, pensioni i mësuesit të shkollës së mesme, të ishte i barabartë me atë të mësuesit të 8- vjeçares dhe të pastrueses së shkollës.

    Rritja e pensioneve në mënyrë të diferencuar, përveç se prishi raportin midis tyre, çoi dhe në pasoja të tjera negative. Kështu duke ruajtur raportin 1 me 2, për pensionet që aplikoheshin në vazhdimësi (të rejat), çuan në pensione maksimale më të mëdha nga ato të caktuara më parë. Dhe sa herë që rritja e pensioneve bëhej e diferencuar, aq herë krijoheshin diferencime midis tyre. Këto diferenca bëheshin më të mëdha ndaj pensioneve të lidhura me ligjin e vjetër të Sigurimeve Shoqërore (deri më 30.09.1993), por edhe atyre të aplikuara pas kësaj date (sipas ligjit të ri të Sigurimeve Shoqërore). Ndaj një gjendje të tillë kaotike në masën e pensioneve, qeveria socialiste vendosi që nëpërmjet disa ndërhyrjeve (fazave siç u quajtën), diferencat e krijuara të zhyteshin hap pas hapi, deri sa shkuan në barazimin e tyre të plotë, pavarësisht se në çfarë periudhe ishin aplikuar ato.  Kështu që në fazën e parë me vendim të Këshillit të Ministrave 10 datë 0903.2000, përfituan shtesë pensioni të gjithë pensionistët, të cilëtkishin dalë në pension të plotë pleqërie me ligjin e vjetër të Sigurimeve Shoqërore deri në 30.09.1993. Në fazën e dytë me vendim të Këshillit të Ministrave numër 518 datë 21.09.2000 përfituan shtesë pensionistët qëkishin dalë në pension të parakohshëm po me ligjin e vjetër të Sigurimeve Shoqërore deri më datën 30.09.1993. Në fazën e tretë me vendim Këshillit të Ministrave numër 489 datë 16.10.2002 përfituan shtesë pensionistët që kishin dalë në pension nga data 01.10.1993 deri më 31.12.1996 sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore.

    Në fazën e katërt me vendim Këshillit të Ministrave me numër 787 datë 26.11.2003, përfituan shtesë pensioni të gjithë pensionistët që paguheshin pas datës 01.12.2003, pavarësisht nga periudha e aplikimit të pensionit. Dhe së pesti me vendim të Këshillit të Ministrave numër 319 datë 13.05.2005 përfituan shtesë pensioni vetëm pensionistët qëkishin dalë në pension të plotë pleqërie deri në datën 30.09.1993 si dhe pensionistët që kishin dalë në pension të parakohshëm deri më 30.09.1993.

    Pas ndërhyrjeve të qeverisë në pesë raste për ngushtimin e diferencave të pensioneve të plota të pleqërisë rezultoi:

    Së pari, pensionet e plota të pleqërisë të lidhura pas vitit 1996 u barazuan, pra nuk kanë probleme mbasi diferencat e krijuara deri në vitin 2003 u eliminuan në fazën e katërt domethënë me vendim Këshillit të Ministrave numër 287 datë 26.11.2003.

    Së dyti, pensionet e lidhura me ligjin e vjetër të sigurimeve shoqërore deri më 30.09.1993 përfituan shtesë në tri faza, por nuk u arrit të barazoheshin me pensionet e lidhura pas vitit 1996. Për këtë kategori pensionesh duhet të sqarojmë diçka. Për shkak të llogaritjeve të gabuara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, më përjashtim vetëm të pensionit maksimal që sipas vendimit të Këshillit të Ministrave numër 319 datë 09.05.2005 u rrit 1673 lekë ose 13.53 për qind gjithë pensionet e tjera të ndërmjetme( midis pensionit minimal dhe atij maksimal) u rritën më pak duke e dëmtuar më shumë pensionet e ulëta. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave edhe pensionet e ndërmjetme duhet të përfitonin një shtesë prej 13.53 për qind që duhet të fillonte nga 997 deri 1673 lekë, sipas masës së pensionit. Në fakt shtesat filluan nga 21 lekë ose 0.28 për qind, pra me diferencë më pak prej 974 lekë. Gabim që nuk i falet një instituti të specializuar siç është Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Këto diferenca të krijuara nga llogaritje të gabuara çdo vit, ndërsa korrigjimet deri më sot nuk janë bërë duke rënduar në xhepat e pensionistëve më të moshuar. Së treti, pensionet e lidhura me periudhën nga data 01.10.1993 edhe pse janë aplikuar me ligjin e ri të sigurimeve shoqërore. Për këtë kategori pensionesh dalin edhe dy probleme të tjera.

    Problemi i parë qëndron në atë që akoma nuk është realizuar një fazë tjetër që këto pensione të paktën të përfitonin një shtesë për të barazuar me pensionet e lidhura deri më 30.09.1993, me ligjin e vjetër të sigurimeve shoqërore dhe pastaj me një ndërhyrje të fundit të barazoheshin të gjitha pensionet pavarësisht nga periudha kur janë lidhur ato. Problemi i dytë ka të bëjë me një tjetër gafë në llogaritjen e shtesave të pensioneve në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.787, datë 26.11.2003, nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas këtij vendimi, përfitonin shtesë pensioni të gjithë pensionistët pavarësisht nga periudha e aplikimit të pensionit.

    (Vijon nesër)