Dhurata e Ilir Beqajt për 2016: 80 infermierë dhe mjekë të Elbasanit flaken në rrugë

    452
    Nuk ka ndodhur asnjëherë që në 3 vjetët e qeverisjes, rrogat dhe pensionet të mos ngrihen më, që ndihmesat sociale të shtresave, familjeve në nevojë dhe të papunëve të shkurtohen ndjeshëm, shpërblimet vjetore për nëpunësit e administratës publike të përcaktohen nga qejfi i drejtuesve, siç po ndodh me qeverinë e “Rilindjes”. Është absurde të justifikohet qeveria e Majtë, se shtrëngesa e ndihmesës ekonomike është pasojë e borxheve të mëparshme, që detyrohet të shlyejë, kur ndërkohë, qeveria po jep përditë koncesionet për shërbimet publike shëndetësore, si edhe shërbimet publike në sektorë të tjerë të ekonomisë, duke dhënë nga buxheti i shtetit qindra miliona euro çdo vit. 
    Shkurtimet e mjekëve dhe infermierëve nga vendet e punës
    Rilindja e PS fitoi zgjedhjet e 2013, me programin e saj në Shëndetësi, për një shërbim shëndetësor falas për të gjithë popullin. Madje, u zotua që pas 2013, në spitalet publike nuk do të kishte më mungesë ilaçesh dhe material ndihmës mjekësor. Mirëpo, në këto 2 vjet qeverisjeje të Rilindjes, reformat në shëndetësi, të ndërmarra nga ministri Beqaj, kanë qenë dhënia me koncesione të të gjitha shërbimeve shëndetësore publike, ndërkohë, që kanë munguar sërish, madje edhe më shumë, ilaçet nëpër spitale dhe materialet ndihmëse mjekësore. Por, dhënia me koncesion të shërbimeve shëndetësore publike ka shkaktuar edhe një gropë të zezë në buxhetin që është dhënë për shëndetësinë, duke detyruar ministrin e Shëndetësisë, që të ndërmarrë reformën e…shkurtimeve të vendeve të punës, të flakjes në rrugë, të mijëra mjekëve, infermierëve dhe personelit ndihmës të spitaleve publike. Kështu, në buxhetin e shëndetësisë për 2016, është parashikuar shkurtimi i fondeve për pagesat e personelit, ndërkohë që është rritur shumë fondi për pagesat e koncesioneve. Vetëm për pagesat e koncesioneve për 2016, parashikohen në buxhetin e shtetit, 32 milionë euro, ndërkohë që do të flaken në rrugë 1.200 mjekë dhe infermierë të tjerë, përveç atyre mijërave që janë zbuar deri në 2015. 
    Do të zbohen 80 mjekë dhe infermierë në spitalet e Elbasanit 
    Para disa kohësh, shumë drejtorë të spitaleve rajonale, në rrethe dhe qarqe kanë dhënë vullnetarisht dorëheqjen, pasi nuk kanë dashur të zbatojnë verbërisht urdhrat e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, për të zbuar nga spitalet dhjetëra mjekë dhe infermierë, kur, ndërkohë, në spitale ka mungesa të mëdha të personelit. Drejtorët e spitaleve, që janë dorëhequr, kanë denoncuar mangësitë dhe kanë thënë që këto shkurtime të tjera të mjekëve dhe infermierëve po dëmtojnë rëndë shërbimin shëndetësor publik, është jashtë çdo logjike, por urdhrat jepen verbërisht nga ministri Beqaj, i cili nuk ka dëgjuar asnjëherë propozimet e tyre, për përmirësimin e shërbimit shëndetësor, t’i dëgjojë ata për mungesat në personel dhe materiale të spitaleve tona publike. Ndërkohë, kur ministri i Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë shpërblim material për punonjësit e shëndetësisë, tani në fundviti, ka në sirtarët e tij një “dhuratë” për 80 mjekë, infermierë të shërbimit shëndetësor në Elbasan, të cilët, që në ditët e para të 2016, do të flaken në punë si të tepërt. E vërteta është se shkurtimi i 80 mjekëve dhe infermierëve do të dëmtojë rëndë shërbimin shëndetësor publik, por kjo nuk i intereson fare ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, sepse halli i tij është që t’u sigurojë fondet në dhjetëra milionë euro koncesionarëve. Kështu, spitalet në Elbasan, do të kenë më pak pediatër, kirurgë, okulistë dhe mjekë të specialiteteve të tjera, duke i detyruar shqiptarët, që të kërkojnë “ilaçin” për shëndetin e tyre në klinikat private. Me shkurtimet masive të mjekëve dhe infermierëve nga shërbimi shëndetësor publik, ministri Beqaj zhvlerëson tërësisht shëndetësinë, por shkakton edhe më shumë plagë sociale, duke rritur shumë të papunët. 
    Sigal