Sigal

Të dhënat e Policisë Shqiptare tregojnë se për rastet e dhunës janë lëshuar në mënyrë të menjëhershme më shumë se 1600 urdhra mbrojtje.

Shkaqet e dhunës në familje janë për disa arsye, por më kryesoret janë mungesa e të ardhurave dhe tradhtia. Gratë janë ato që kërkojnë kryesisht urdhër mbrojtje nga burrat, pasi këta të fundit ushtrojnë dhunë fizike ose psikologjike. Por, ka dhe raste kur janë vajzat ato që kërkojnë urdhër mbrojtje nga babai.

Policia shpreh shqetësimin se shumë gra tërhiqen pas denoncimit që i bëjnë dhunës në familje, ndonëse i janë drejtuar disa herë komisariatit apo gjykatës. Dhe sipas saj, kjo bën që shumë burra të cilët dhunojnë gratë të mos dënohen.

Sipas të dhënave nga Policia, denoncime për dhunën në familje nuk bëjnë vetëm gratë. Në tetë muajt e fundit janë regjistruar 3 raste, ku burrat kanë kërkuar urdhër mbrojtje nga gratë.

Për rastet e dhunës në familje, Kodi Penal parashikon dënim deri në 3 vite burg.