Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), figurë e ndritur e financave dhe e letrave shqiptare

    760
    Sigal

    BOTIMI

    Para disa ditësh doli në qarkullim libri “Ditari i ekonomistit, nga lufta për të shpëtuar floririn e Bankës dhe disa raporte dhe kujtime” të Mitrush Kutelit, një libër që jep një anë tjetër madhore të Kutelit, si ekonomist, ku shkëlqen po aq sa edhe në fushën e letërsisë. Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) u lind më 13 shtator të vitit 1907 në Pogradec. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, shkoi në Selanik ku përfundoi studimet e mesme në Shkollën Tregtare Rumune në vitet 1921 -1928. Gjatë kohës së qëndrimit në Rumani, Dhimitër Pasko punoi edhe në Ministrinë e Financave, si nëpunës i lartë, ku drejtoi dhe bankën e Cernëucit. Që në moshën 17 – vjeçare  filloi të botojë, sidomos në shtypin shqiptar të Rumanisë, në gazetat “Shqipëria e re” dhe “Kosova”, që dilnin në Kostancë. Në moshën 27 – vjeçare mori Doktoratën në Shkencat Monetare dhe Bankare me vlerësimin më të lartë: “Diplomam Magnam Cum Laude”. Pasi mori doktoratën në vitin 1934, Dhimitër Pasko u angazhua si funksionar dhe arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë. Ikën nga Rumania, me pretekstin se kishte nënën të sëmurë në Shqipëri pasi kërkonin ta mobilizonin ushtar në ushtrinë  Mundi të arrijë në Shqipëri në shtator të vitit 1942, por nëna kish ndërruar jetë dy javë më parë. Gjatë vitit 1943 punoi pranë shoqërisë SASTEB. Është interesant fakti se në vitet e okupacionit, Dhimitër Paskon e etiketonin si “të kuq”; shtëpinë në Pogradec ia dogjën dhe babain ia vranë italianët?! Gjatë okupacionit gjerman punoi pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë si konsulent për çështje monetare. Kjo detyrë e çoi përsëri të përballej me Komandën Gjermane për shkak të emetimit të monedhës së re, që kërkonin të nxirrnin gjermanët në Shqipëri për të financuar ushtrinë e tyre. Kundërshtimi dhe sabotimi i kësaj monedhe i rrezikoi përsëri jetën. Kur gjermanët shkojnë ta arrestojnë në Bankë, ai doli nga një portë anësore dhe më pas shkoi në çetën partizane, në Priskë. Në nëntor të vitit 1944, Dhimitër Paskon e kërkuan në Berat, ku sapo ishte formuar Qeveria Demokratike e Shqipërisë e kryesuar nga Enver Hoxha, ku punoi pranë Ministrisë së Financave. Pas hapjes së Bankës së Shtetit, u emërua drejtor në Drejtorinë Qendrore të saj dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Administrativ. Si drejtor Dhimitër Pasko dha idenë, organizoi dhe mori pjesë në operacionet e para financiare: vulosjen e monedhës së vjetër, emetimin e çeqeve – monedhë për nevojat e para financiare etj.. Kartëmonedhat me firmën e tij ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar. Në muajin gusht të vitit 1946 , dha dorëheqjen, pasi nuk pranoi parifikimin e monedhës shqiptare me monedhën jugosllave. Nën influencën e jugosllavëve dhe të politikës radikale, që u ndoq pas çlirimit, klani pro jugosllav i asaj kohe e arrestojnë në muajin maj të vitit 1947 dhe e dënojnë me pesë vjet heqje lirie. Ai u dërgua në kampin e Vloçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. U lirua nga burgu në prill të vitit 1949. Që nga viti 1949, Dhimitër Pasko, i mbiquajtur Mitrush Kuteli, nuk u angazhua më me ekonomi, por u mor shumë pak me letërsi dhe më shumë punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Zëmra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj të vitit 1967.

    SHKRIMTARI BRILANT

    Dhimitër Pasko është një nga personalitetet më të mira letrare, pse mos të themi se ai është babai i prozës realiste shqipe dhe zë një vend të merituar nga më të lartit në Historinë e Letërsisë Shqipe. Në letërsinë artistike njihet me shumë emra, por më i përdoruri njihet me emrin Mitrush Kuteli. Dhe ç’është e vërteta, ai në mënyrë të merituar e zë atë vend si një nga prozatorët më të mirë të letërsisë së brezit të vetë, pse jo edhe i të gjitha kohërave. Dhimitër Pasko ka një jetë të pasur letrare në shërbim të edukimit letrar të brezave të Shqipërisë. Ky personalitet i kulturës sonë nuk ka qenë vetëm krijuesi i tregimit të famshëm “Vjeshta e Xheladin Beut” apo autori i “Pesha e Mëkatit”, por është autor edhe i të tjera tregimeve – rrëfenja, si: “Netë Shqiptare”, “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Pylli i Gështenjave”, “Xinxifilua”, “Tregime të Moçme Shqiptare”, “Baltë nga kjo tokë”, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme” etj. Subjektet e veprave të tij e marrin temën nga realiteti, ku mbizotëron tema e kurbetit, ajo e marrëdhënieve midis  shtresave të varfra dhe bejlerëve dhe tema e gjakmarrjes. Mitrush Kuteli ose Dhimitër Pasko (dhe pseudonimet e tjera: Janus, J, Izedin Jashar Kutrulija, Iz, Iz – ja – ku, Lugati, M. Liqerasi), nuk ka qenë vetëm publicist kritik dhe anti- konformist, por edhe një përrallëtar dhe përkthyes i mrekullueshëm. Ai  na përktheu në gjuhën shqipe kryevepra të letërsisë botërore nga Gogoli, Krillovi, Shcedrini, Turgenjevi deri tek tregimet e hershme të Gorkit, Ostrovski etj. Ai ka meritën se hodhi bazat e një tregimtarie origjinale moderne në letërsinë shqiptare.  Kuteli botoi për së gjalli 12 libra në fushën e letërsisë artistike ku edhe këtu shpaloset talenti dhe aftësia e tij krijuese si prozator, poet, folklorist, publicist, përrallëtar dhe kritik letrar. Dhimitër Pasko ose siç e njohin në letërsi, Mitrush Kuteli, njihte shumë mirë gjuhën rumune, ruse, greke, italiane dhe frënge.

    EKONOMIST I SHQUAR

    Por mbi të gjitha Dhimitër Pasko ishte një specialist i shquar në fushën e financave. Ai ishte një ekonomist aktiv, shkencor dhe kritik. Në vitet 1924 – 1933 ka me dhjetëra shkrime me karakter ekonomik dhe financiar në gjuhën shqipe e të huaj rreth monedhës, kreditit, reformës agrare, xhelepit, të dhjetave dhe sidomos kundër koncesioneve të dhëna kapitalit italian, Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP, që kish zënë tokat vajgurore të vendit dhe mbante monopolin e karburanteve në Shqipëri. Më 1933 botoi në Rumani broshurën: “Tri probleme me Bankën Kombëtare të Shqipërisë”. Kjo broshurë u konfiskua në Shqipëri, por hyri dhe qarkulloi fshehtazi dorë më dorë. Gazeta “Liria Kombëtare” e Gjenevës e komentoi gjerë. Në vitet 1943 – 44 botoi në shtypin shqiptar një sërë artikujsh ekonomikë dhe financiarë, të cilët synonin luftën kundër inflacionit monetar (nxjerrjes së monedhës së re), që donin të bënin pushtuesit gjermanë. Në gjuhën rumune, Dhimitër Pasko ka botuar 16 libra dhe broshura të ndryshme sidomos mbi problemet e monedhës dhe të kreditit në Ballkan, mes të cilëve: “Mendime mbi Krizën Agrare në Rumani. (Bukuresht 1932, faqe102). Kjo vepër fitoi çmimin e parë në një konkurs dhe u botua më parë në “Buletini i Ministrisë së Bujqësisë” të Rumanisë dhe pastaj si libër më vete; “Huarat me forcë mbi qarkullimin e monedhës” (botuar më 1933 nga Instituti Ekonomik Rumun); Bankat Bujqësore të vendeve të Ballkanit” (viti 1934, broshurë); “Sistemet e Bankave të emisionit të vendeve të Ballkanit, ku përfshihen bankat turke, bullgare, greke, jugosllave, shqiptare, tezë për doktoratë, botuar më 1933, faqe 302; “Banka Kombëtare e Shqipërisë”, faqe 122, që u komentua gjerësisht në shtypin rumun e të huaj. Revistat italiane “Rasegna Monetaria” dhe “Rivista Bancaria”, të njohura në rrethet financiare ndërkombëtare, nuk i mohuan vlerën shkencore dhe dokumentare, por kundërshtuan përfundimet e librit dhe kritikën e ashpër për spekulimet e Bankës në kurriz të popullit shqiptar në politikën e monedhës, të kreditit, të fitimeve dhe sidomos të përbërjes së kapitalit duke deklaruar se “aq mund të bëhej në ato rrethana”. Duhet thënë se veprimtaria financiare, ekonomike dhe bankare e Dhimitër Paskos, mendoj se është pak e njohur për opinionin tonë shqiptar, sepse ai i ka botuar këto libra, broshura apo studime me disa pseudonime si: Dr. Pas, PAS, Pas, AB etj dhe nuk përjashtohet mos njohja apo mos zbardhja e tyre apo lënia në harresë nga xhelozia dhe keqdashësia. Jeta jo shumë e gjatë dhe veprimtaria krijuese e Dhimitër Paskos, me privacione dhe dëshpërime, e bëjnë atë një figurë të dashur e të paharruar dhe krijimtarinë tij një nga më të çmuarat në fondin e artë të kulturës shqiptare.

    Jovan JANO

    Studiues, publicist