Dhimitër Gjoka: Si duhet të jenë emisionet e mëngjesit, mesditës dhe të mbrëmjes sipas specifikave

    518
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet regjisori dhe folësi i talentuar Dhimitër Gjoka: Ju tregoj të fshehtat e televizionit përmbledhur në një libër

    “Në art, para së gjithash, duhet ta shikosh dhe ta kuptosh të bukurën”.

    Stanisllavski

    Televizioni, mbetet një ndër magjitë më të mëdha të shekullit të XX-të. Ai ekran i vogël, i ngjan një syri qiellor me tinguj dhe figura kozmike, që, përhap papushim dhe pafundësisht, tinguj muzikorë, zëra njerëzorë nga toka jonë e mirë, në hapësirat e largëta të globit, deri në Hënën e largët. Aty, pranë shtratit të ëmbël, kur t’i çohesh në mëngjesin e butë, kur t’i i drejtohesh aparatit të thjeshtë të televizionit dhe lëviz plot kërshëri pultin e komandimit dhe kërkon me intuitë kanalin e dëshiruar, për të dëgjuar zërin e ëmbël të spikeres, që të përshëndet: “Ju flasim nga studio e…”, “Kafe e mëngjesit…” apo… “Ju urojmë një ditë të mbarë dhe të këndshme plot surpriza” dhe deri në mbrëmjen e hirtë, melankolike i “dehur” nga stresi i ditës, thellë, ku muzika e kompozitorëve të mëdhenj, apo filmat dhe koncertet magjepës të përcjellin në gjumin e mirë, televizioni është pjesa e dytë e jetës, që të përcjell relaks, përhumbje, dëshira të reja jetësore. Suksesi i  gazetarit që e përcjell apo punon me lajmin është të zbulojë lajmin dhe ta përcjellë atë në kohë reale, duke ruajtur kodin e etikës, duke qenë sa më korrekt me shikueshmërinë e lajmit, pa mbajtur njëanshmëri dhe pa i dhënë ngjyrimet e dallimit apo konceptit. Detyra e regjisorit është që të ideojë, të krijojë lëvizje, figura, emocion, artikulim, siguri televizive. Këto do gjenden në librin “Ekran TV, refleksione” të hedhur këto ditë në treg nga Dhimitër Gjoka. Ky libër sipas autorit është një dritare më shumë, për ata që duan të futën në rrugën e gazetarisë dhe të regjisë televizive, por njëkohësisht mbetet një dritare e hapur edhe për vetë atë, pasi jo çdo gjë është thënë në këtë libër, pasi, televizioni është një magji që ecën më shpejt se koha, zhvillimet teknologjike kanë të veçantat e tyre, eksperienca për çdo vit rritet. Pra ky libër le të jetë një udhë e re bashkëbisedimi mes gazetarëve dhe regjisorëve televizivë, ku rruga e komunikimit dhe e zhvillimit mbetet e hapur… “Kur artisti zbulon realitetin e ri ai s’e bën këtë për vete, ai e bën ketë për të tjerët, për të gjithë ata që duan të dine në çfarë bote jetojnë, nga vijnë dhe ku shkojnë. Ai prodhon për bashkësinë”.

    Fisheri

      Si duhet të jetë emisioni i mëngjesit në televizione ?

     Të startosh bukur duhet të jetë pikësynimi i menaxhimit televiziv. Është si të rritësh shëndetshëm një filiz për t’i vjelë më pas frytet e veta. Nëse di të startosh qysh në hapin e parë,të dish të sjellësh të duhurën atë të veçantë  që çdo njeri prej nesh e pret në shijet e veta është pa dyshim oferta më e mirë e ekranit nëpërmjet realizuesve të tij.

              Programi për mënyrën e ndërtimit duhet të jetë tejet familjar. Asgjë e zymtë, tragjike apo jashtë etikës familjare nuk duhet të përfshi këtë orar transmetimi mëngjesor. Imagjinoni se ç’mund të ndodhë kur t’i i përgjumur merr si informime të para servirje të tilla. Zgjimi është një dhuratë  që veçse hareshëm mund të konceptohet. U zgjuam dhe një ditë, ta nisim mbarë atë, ta gëzojmë qysh në hapjen e syve, prandaj çdo material duhet të sjellë vetëm humor, alegri dhe element të tillë gazmor që për secilin ndjesia të jetë e prekshme për ta mbajtur gjallueshëm dhe në ritëm në veprimet që i duhet të kryej. Kjo është forca e krijuesve dhe realizatorëve, aftësia e të cilëve duhet të prek majat e profesionit në bashkëveprimin kolektiv. Përvoja duhet të jetë kërkesa e parë e besimit  për krijuesit në këto kategori emisionesh. Dielli duket qysh në mëngjes thotë një fjalë e urtë popullore, kështu që edhe startimi i programeve duhet të bëjë bum pikërisht me këtë program . Për realizimin e këtyre emisioneve është domosdoshmëri  parapërgatitja e tyre. Grupi i xhirimit një ose dy të tillë sjellin nga terreni materiale që më pas përgatiten në dhomat e montazhit. Ato  mund të jenë edhe të regjistruara në studio. Kur mendohet se është përgatitur një sasi e konsiderueshme emisionesh fillon transmetimi. Asgjë nuk mund të konceptohet dhe të transmetohet brenda ditës për këto tipe emisionesh . Është mëngjes  herët kështu që parapërgatitja është detyrim i përcaktuar. Krijimi i emisioneve të parapërgatitura janë pjesë e punës është metodë e patjetërsueshme. Rezervat e krijuara hyjnë në mendësinë e programit. Askush në këtë program ose të tjera të ngjashme me të nuk mund të veprojë ndryshe.

    Televizioni është një “industri” ku papushim krijohet e realizohet. Një emision me një përmbajtje ka forma nga më të sofistikuarat, pafundësi mënyrash për t’u shfaqur. Larmia e tyre sjell freski dhe gjeneron kulturë profesionale. Startimi bukur profesionalisht është nisje e suksesshme e programit. Siç dita ka tre kulmet e saj, mëngjesin, drekën dhe mbrëmjen edhe stacioni televiziv është i pakonceptueshëm pa këto tre kulme. Respekti është i ndërsjellë kur raporti televizion – teleshikues qëndron në dëshirat reciproke.

     Çfarë do të ishte në interes për të ditur në këtë emision?

    Do të ishte në interes për të ditur se:

     –     Kur është orari më i përshtatshëm p.sh për amvisat ose shtëpiaket .

    –     Çfarë interesash të tjera përveç ekranit kanë nëpër ambientet  ku jetojnë?

    –     Kur është koha e vlershme dhe e patolerueshme për punët e shtëpisë ose për gatimin e drekës?

    –     Po koha e qetësisë që mund të të ndjekin me vëmendje të plot nëse ka, kur mendohet se është?

    Pyetje këto që kanë të bëjnë pikërisht me njohjen shumë mirë të rrethanave shtëpiake.

     Çfarë mund të tërhiqte më shumë teleshikuesin në emisionin e mëngjesit?

     Një nga rubrikat e pëlqyera dhe që tërheq shumë shikues është ajo me këngë,valle dhe melodi. Nëse do të jetë e menduar kështu, lind pyetja se çfarë karakteri këngësh do të ketë? Do të jenë këngë popullore të mirëfillta, qytetare, të muzikës së lehtë apo arie të përzgjedhura nga opera të ndryshme? Si do të jetë përzgjedhja ? Kush do të jetë emëruesi?  Ndodh shpesh që pa asnjë arsye ekranin e mëngjesit e pushtojnë këngë me preferencë rinore të rrymave nga më të ndryshme. Mëngjesi s’ka audiencë të rinjsh për t’i ndjekur. Përshtatja e programit edhe me këngë lind natyrshëm kur di se kush është  grupmosha që të ndjek.

             Lëvizja e lirë e njerëzve ka sjellë edhe dëshira për të dëgjuar këngë të krahinave të tyre, por dhe trevave ku janë përqendruar për të banuar, ose muzikë të lehtë apo të vendeve të ndryshme të botës dhe pse jo të fqinjëve tanë.

             Përzgjedhja e këngëve të huaja duhet të ketë më shumë hapësirë. Mungojnë shumë këngë të bukura dhe tërheqëse të vendeve si kontinenti amerikan të Francës, Gjermanisë, spanjolle, sllave në përgjithësi, indiane, arabe, aziatike, afrikane e nga të tjera e të tjera vende anë e mbanë botës. Vetëm leximi i këtyre shteteve si emra sjellin muzikalitet në të shprehur jo më të dëgjosh muzikën e çfarëdo gjinie qoftë që ata kanë si pjesë e kulturës që mbartin dhe trashëgojnë. Kënga e bukur pëlqehet nga të gjithë paçka se sa e kuptueshme mund të jetë gjuha e saj.

     Po për fëmijët çfarë duhet të kihet parasysh?

         Hartuesit e programit të mëngjesit nuk mund të lënë mënjanë edhe argëtimin për fëmijë pasi është domosdoshmërisht e duhur joshja e tyre para ekranit. Flasim këtu për fëmijë të moshës jo shkollore, për fëmijë shtëpiakë të vegjël që për shumë arsye nuk mund të shkojnë në kopsht. Në shtëpi mund të jenë me prindërit  me gjyshërit ose me kujdestare. Lind pyetja se përse një program televiziv mëngjesi të ketë edhe kohën fëminore të transmetimit?  Është e drejt e pamohueshme që ekrani me detyrim duhet t’u shërbej edhe të vegjëlve. Kjo jo vetëm në hapësirën e menduar të programit të mëngjesit, por edhe në një tjetër orar gjatë ditës kur mendohet se është i përshtatshëm të grumbullojë para ekranit edhe këtë moshë.

     

    Cilat duhet të jenë të veçantat e programit të drekës apo të mesditës?

     Hartuesit e programit të mëngjesit nuk mund të lënë mënjanë edhe argëtimin për fëmijë pasi është domosdoshmërisht e duhur joshja e tyre para ekranit. Flasim këtu për fëmijë të moshës jo shkollore, për fëmijë shtëpiakë të vegjël që për shumë arsye nuk mund të shkojnë në kopsht. Në shtëpi mund të jenë me prindërit  me gjyshërit ose me kujdestare. Lind pyetja se përse një program televiziv mëngjesi të ketë edhe kohën fëminore të transmetimit?  Është e drejt e pamohueshme që ekrani me detyrim duhet t’u shërbejë edhe të vegjëlve. Kjo jo vetëm në hapësirën e menduar të programit të mëngjesit, por edhe në një tjetër orar gjatë ditës, kur mendohet se është i përshtatshëm të grumbullojë para ekranit edhe këtë moshë.

     Mesdita dhe pasditja kanë një vijueshmëri?

     Në mesditë programi merr kurbën e ngritjes, ka një zgjedhje cilësore që mendohet se plotëson më mirë ekranin edhe në këto orë të transmetimit. Prurja me përzgjedhje e emisioneve vë në lëvizje krijuesit për të sjellë krijime të gatshme ose edhe të drejtpërdrejta që gjithsesi në thelb të tyre kanë të përbashkët një auditor më të gjerë se deri më tani. Është koha e kthimit në shtëpi që nga parashkollorët, fëmijët e klasës së parë e deri tek ata që studiojnë në universitet. Por nuk janë vetëm, këtij grupi popullsie i bashkohen edhe mësuesit, pedagogët gjithë ajo pjesë e shoqërisë që punon për edukimin e tyre. Këta janë mbërritësit e parë. Pak më pas shtëpia vjen dhe plotrohet me gjithë pjesëtarët e saj. Mbërritja tashmë në shtëpi ka detyrimet e veta, gjallëria me pak rrëmujë rikthehet sikundër në mëngjes në përgatitjen për daljen prej saj. Kjo duhet të kihet parasysh për të qenë në qendër të vëmendjes së programuesve. Edhe pse është rrëmujë, në korridor, në dhoma, në kuzhinë e në të tjera ambiente familjare në ekran çdo gjë është dhe duhet të jetë perfekte për sa i përket vijimësisë së transmetimit.

           Ekrani me rolin e tij prej kësaj kohe duhet të sistemojë në vendet e tyre çdo pjesëtar të familjes.

            Ul para tij fillimisht të vegjlit më pas pak më të rriturit dhe kështu sipas konceptit të shkallëzuar të materialeve të programuara ekrani kryen funksionin e tij para teleshikuesve. Themi se janë fëmijët të parët që u ofrohet ekrani për arsyen e vetme të padurimit që ata kanë për miqësinë e ngushtë me të. Gjithë kohën e mëngjesit deri në drekë kanë qenë nën tensionin e mësimeve në shkollë. Çlirimi prej saj është shumë i ndjeshëm dhe i shprehur dukshëm në veprimet që ata kryejnë pasi i mbarojnë ato.

           Shëndeverë ata vrapojnë, ecin, komunikojnë njeri me tjetrin, tregojnë ndodhitë në klasë me shokun me mësuesen  dhe me këtë gjendje emocionale të çliruar  ndahen pastaj dhe secili shkon në shtëpinë e tij.

          Nëse në këtë orë ekrani u ka lënë mbresë me transmetimet e ditëve të shkuara është e padiskutueshme që veprimi i parë i bërë është ulja para tij për të ndjekur atë çka i ka tërhequr më shumë. Mund të jetë një film artistik për fëmijë apo një film i animuar ose gjithçka tjetër që ka të bëjë me moshën e tyre. Gjithsesi duhet medoemos diçka e bukur, intriguese me rritëm dhe me shumë pjesë  për t’i joshur nëpër çdo ditë.

     Edicioni kryesor i lajmeve, përbën kulmin e shikueshmërisë së një ekrani, çfarë duhet të përmbajë?

     Informimi i gjerë i ndodhive të ditës mban sërish pranë ekranit shumicën familjare. Është një ditë që ka mbartur brenda saj mjaft ngjarje që për nga interesi që paraqesin mbërthejnë miliona sy për të mësuar çka ndodhur në sekondat,minutat dhe orët që shkuan dhe janë. Është një domosdoshmëri njohja me to pasi informimi për çka ndodh është pjesë e pandarë e jetës,ushqim i nevojshëm mendor për gjithsecilin prej nesh. Nga lajmet jo vetëm që mësohet se:

         -Si bota apo shoqëria ku jetojmë ndërton të përditshëm e saj me të mirat dhe të këqijat?

        -Si politika drejton jetën ekonomike,administrative sociale,ekonomike e kulturore?

         -Si institucionet kryejnë detyrat e tyre në zbatimin e ligjeve që si qytetar të kuptosh që jeta jote dhe e familjes  apo e komunitetit ku bënë pjesë e vendit në përgjithësi,a është në dëshirat e tua si pjesë e sovranit?

            Nuk do të ndalem në atë që përbën konceptin e informimit për të hyrë në zbërthimin e lajmit apo pse duhet ai dhe sa shërben për të gjithë ne. As në parimet e gazetarisë pasi ato janë të përvetësuara nga gazetari në shkollën që ka bërë,  në diplomën që ka mbrojtur. Ndalesa do të përqendrohet tek fakti se:

             Së pari- -Si duhet të jetë një gazetar televiziv? Çfarë karakteristikash duhet të ketë?

             Së dyti-         -Si gazetari duhet të veproj për ndërtimin e lajmit televiziv prej fillimit deri në transmetimin e tij me mjetet televizive që ka në dispozicion?

               Këto janë pyetje që duhet t’i jepen përgjigje për  të krijuar një koncept që në punën e tij të jetë më i plot për të kryer më së miri rolin në hapësirën që i jepet në ekran për ta mbushur atë me mendësi profesionale televizive. Pra, do të ndalemi tek marrëdhëniet e gazetarit edhe me hallkat e tjera se si profesioni i tij të marrë vlerat e duhura televizive. Të qenurit në informimin televiziv, pjesë e departamentit të informacionit është një privilegj që jo të gjithë gazetarët janë të aftë për ta ushtruar.

    Në televizion gazetari duhet të ketë domosdoshmërisht një specifikë të veçantë që ndryshon ndjeshëm nga gazetarët në median e shkruar dhe atë radiofonike. Ajo që është më kryesorja është aftësia për të komunikuar fizikisht,në mënyrë organike të lindur, por edhe e nxënë me studimin e vazhdueshëm në formimin gjatë viteve të shkollës dhe më pas në rrjedhën praktike të punës në jetë.

        Ç’do të thotë aftësi për të komunikuar në ekran?

     Njeriu ka shumë mënyra të komunikuari në jetën e përditshme. Ato vinë si rezultat i dëshirës për të shprehur diçka rreth marrëdhënieve ndërnjerëzore  dhe me çdo objekt që e rrethon.

          Të komunikosh sot, të shprehesh me mendimin tënd, është gjëja mëse e domosdoshme dhe abc-ja e marrëdhënieve njerëzore. Komunikimi është arti i të shprehurit, është pjesa më e rëndësishme e jetës. Perfeksionimi i tij sa vjen dhe bëhet më i dukshëm  me rritjen e standardit të jetesës. Por le ta anashkalojmë zbërthimin shkencor të komunikimit në përgjithësi për të ardhur aty ku ne duhet të përqendrohemi, në logjikën profesionale të kuptimit komunikim në televizion.

    Gazetari në informacionin televiziv e nis punën për komunikimin final me teleshikuesit, me shkuarjen në vendin e ngjarjes,së bashku me kameramanin.

     Çfarë veçorish përbën leximi i tekstit?

     Leximi i tekstit është fryma që i jepet kronikës së pari për ta kuptuar si problematik dhe së dyti planet e xhiruara marrin jetë nëpërmjet të folurës së gazetarit e po nëpërmjet të folurës kronika përcillet në destinacionin e saj, tek teleshikuesi.Tema e çdo kronike dhe e çdo lajmi në përgjithësi kushtëzon leximin e tekstit. Është teksti, përmbajtja e tij që të dikton një formë të lexuari. Format janë ngjyrimi i duhur që kanë të bëjë me diksionimin bukur të së folurës me një rrjedh absolutisht të lirshme ku logjika dhe respektimi i çdo kushtëzimi gjuhësor duhet të marri përparësi. Shqipëria edhe pse është një vend i vogël me popullsi dhe sipërfaqe gjeografike, në brendësi të saj mbart shumë dialekte në të folur. Dallohen ndjeshëm Toskët me Gegët, por edhe brenda tyre ka dallime të theksuara nëndialektesh. Si rezultat edhe gazetari sjell gjatë formimit të tij  këtë të folur. N.q.s studenti për gazetari do të punojë qysh në fillim me këmbëngulje,pasion dhe përkushtim rezultati i të mësuarit pastër të gjuhës do të ketë rezultatet e veta reale. Shembujt e mirë janë të shumtë në mesin e gazetarëve dhe jo vetëm.

     Raportimi direkt nga vendi i ngjarjes është një problem kryesor…

     Një mënyrë tjetër e komunikimit më shikuesit brenda një edicioni informativ është edhe raportimi i drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes. Lidhjet direkte sot janë një prurje e  domosdoshme për të përcjell lajmin në kohën reale të tij. Të komunikosh drejtpërdrejt me teleshikuesit dhe pikërisht nga vendi konkret i burimit të lajmit është një tjetër dhunti që duhet të karakterizojë gazetarin e ekranit. Sipas rasteve nëse në kohën brenda edicionit informativ ka ngjarje që patjetër teleshikuesi duhet të informohet, gazetari duhet të jetë i përgatitur për t’i paraprirë befasisë. Gazetarët  kanë specifikat e tyre të punës. Ata janë të ndarë sipas një logjik që punon një departament informacioni për të pasqyruar më mirë fushat që mbulojnë.

    Në vendin e raportimit i vendosur para kamerës gazetari duhet të ketë parasysh tre gjëra të rëndësishme të performancës së tij:

       1 -Si të qëndroj para kamerës

       2 -Si të vështrohet në kamera

       3-Si  mbahet mikrofoni (nëse është mikrofon dore)