Dhimitër Antoni/ Retushet e gjymtojnë historinë

    840
    Sigal

     E vërteta mbi të ashtuquajturin “Komploti i Beqir Grebenesë”

    -Dhimitër Antoni (1922 – 1995) është studiues, enciklopedist tiranas – përfaqëson një prej themeluesve të Arkivi i Shtetit Shqiptar me mbarimin e Luftës e Dytë Botërore. Njihet si trashëgimtar dhe emetues i vlerave shumëplanshe të familjes së shquar tiranase të atdhetarit Nikolla Nishku që ngriti flamurin e pavarësisë së bashku me atdhetarët e tjerë në 26 Nëntor1912; Zotërues i 4 gjuhëve të huaja si frëngjishtja, italishtja, rumanishtja dhe osmanishtja, të cilën e mësoi përkrah miqve të tij osmanistëve par exelance si Haki Sharofi, Vexhi Buharaja e Jonuz Tafilaj përgjatë një jete devocioni e prurjesh titanike në fondin arkivit qendror të shtetit shqiptar. I diplomuar në tre fakultete si 1. Filozofi, 2. Histori-Gjuhësi, 3. Arkivistikë (dy vjet) Dhimitri i tejkaloi dijet e tija prej pasionit për qëmtimin e botimeve të periudhës së mbretërisë shqiptare si dhe leximeve të kryeveprave e studimeve poliedrike nga autorë të huaj veçmas në italisht.

    Tituj të veprave

    1. Vepra studimore e tij në lëmin historik dhe sistemimi i fondit me dokumente:

    2. -Studimi i familjeve tregtare shkodrane të famshme në Evropë,

    3. -Studimi i periudhës së pushtimit fashist ose luogo tenenca,

    4. -Studimi i 11 vjet mbretërimi të Ahmet Zogu,

    5. -Studimi nga fondi i Rilindja Kombëtare

    6. -Më thelbësorja mbrojtja, pasurimi dhe sistemimi dhe studimi i bibliotekës së klerit katolik shqiptar.

    Dhimitër Antoni gjatë punës në D.P.A.SH

    Vetë familjet e besimtarëve të këtij religjoni dhe fretërit që i mbijetuan pushkatimit e torturës shpreheshin se pranonin vetëm Dhimitrin për t’ia besuar koleksionin që bartnin si arkivist dhe askujt tjetër pasi qenë zhgënjyer shumë herë nga humbja, përvetësimi dhe shpërdorimi i librave nga disa arkivistë të tjerë që me ndërrimin e sistemit komunist botuan veprat personale pa treguar burimin dhe referencat letrare. I papërshkrueshëm qe ngazëllimi nga imzot Frano Ilia kur gjeti deri dhe fotografitë e nënës së tij në arkiva pas daljes nga burgu në vitet ‘90-të. Para se të ndërronte jetë ai mori vesh se ruheshin ende në arkiva veprat e bibliotekës së françeskanëve shpëtuar me idealizëm dhe sistemuar në fondin e artë të vlerave kombëtare prej personalitetit arkivist Dhimitër Antoni të cilit në shenjë nderimi u përkul t’i puthte duart. Mirënjohja si motiv nuk vonoi të dokumentohet , nëpërmjet një faksimileje, ku në emër të klerit katolik i dedikoheshin falënderime të përzemërta për aktin qytetar të mbrojtjes së kujtesës kombëtare. Dhimitri si një mjeshtër i lindur i komunikimit rrezatonte aftësitë për të zbuluar vlera duke i bërë për vete njerëzit me dashamirësinë dhe oratorinë e tij, ku përmblidheshin dije akademike. Si intelektual ai mbante kontakte me personalitete si: Hysni MyzyriAhmet Kondo e Kristaq Prifti. Enciklopedist mes kolegëve idealist Dhimtri bashkëpunoi në mënyrë progresive në pasurimin e arkivave me kolegen e nderuar zonjën Mediha Shuteriqi dhe profesionisten ne shtëpinë e kujtesës, zonjën Eleni Duka.

    Ky problem është shtruar jo me vërtetësi. Në mënyrën se si është trajtuar, dashur pa dashur, i vihet njollë figurës shumë të pastër të Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës , Ismail Qemali:

    Në tekstet e historisë së Shqipërisë ky problem është quajtur dhe trajtuar si “Komploti i Beqir Grebenesë” e më vonë  “i ashtuquajturi Komplot i Beqir Grebenesë”. Është trajtuar ashtu siç ka shkruar shtypi antishqiptar i kohës duke e akuzuar Ismail Qemalin si pjesëmarrës në komplotin e Beqir Grebenesë, fuqitë e mëdha kërkuan rrëzimin e Ismail Qemalit, dhe e realizuan atë. Në vend të Qeverisë së Vlorës u caktua një komision Ndërkombëtar që do të përgatiste ardhjen në fuqi të Vilhelm Vidit si mbret i Shqipërisë.

    Në planet ekonomiko-financiare, Ismail Qemali ishte shprehur të ndërtonte një shtet të pavarur, të krijonte Bankën Shqiptare, të emetonte monedha shqiptare; në atë kohë qarkullonin pare turke, greke, serbe, italiane, austriake etj.. Do të bënte lumenjtë të lundrueshëm, do të thante kënetat, do të hapte rrugë, për makinat dhe trenat.

    Kjo nuk u pëlqente fuqive që na rrethonin, të cilët synonin në një mënyrë ose në një tjetër të zotëronin Shqipërinë ose pjesë të saj. Prandaj krijuan përçarje në qeveri. Përveç Esat Pashë Toptanit u larguan dhe dy klerikët që ishin nënkryetarë Dom Nikollë Kaçorri dhe Myfti Vehbi Agolli (Dibra).

    Në një letër që Luigj Gurakuqi i shkruante kryetarit të shoqërisë së shqiptarëve të Rumanisë, Pandeli Evangjelit ndër të tjera theksonte:

    “Shqipëria është mjaft në rrezik; paria e vendit po ua shet Shqipërinë të huajve; por kjo nuk do të thotë të humbasim shpresat. Po të mbështetemi fort në popull, ne do të fitojmë me çdo kusht. Përveç këtyre, forca ushtarake të huaja vazhdojnë të qëndrojnë akoma në Shqipëri”.

    Në këtë situatë të vështirë të Shqipërisë, patriotët shqiptarë, kudo që ishin filluan të organizoheshin e të punonin për vendin e tyre. Në Turqi u ngrit një komitet me shqiptarë atdhetarë në të cilin bënte pjesë dhe Beqir Grebeneja, një shqiptar i vërtetë. Ai kish komanduar forcat ushtarake shqiptaro- vllahe kundër sulmeve banditeske të shovinistëve grek që kërkonin të shfarosnin popullin shqiptar e vlleh në krahinën e Kosturit, të Grebenesë e pothuaj në tërë krahinën e Pindit.

    Në disa dokumente të prura nga Arkivi rumun del se kur Beqir Grebeneja kishte shkuar në Rumani, grekët që banonin atje u ngritën dhe kërkuan prej autoriteteve rumune që të dëbohej nga ky shtet, duke bërë shumë akuza ndaj tij.

    Me ta marrë vesh këtë shqiptarët dhe vllehët e Rumanisë, i drejtuan një peticion Mbretit të Rumanisë ku i kallëzonin se si Beqir Grebeneja kish shpëtuar qindra e mijëra shqiptarë e vlleh nga masakra historike e andartëve grekë. Kështu atdhetari Grebeneja fitoi, duke marrë dhe nderimet që i takonin.

    Ai kishte një korrespondencë të pasur me shumë njerëz dashamirës, dhe personalitete me ndikim për kohën. Nga Turqia ai zhvillonte një letërkëmbim me aristokratin Eqrem Bej Vlora, i cili ishte dërguar të punonte në Vlorë nga Komiteti i atëhershëm. Letra e tij, që ruhen në Arkivin e Shtetit kanë një vlerë të jashtëzakonshme njohëse të ndjenjave të thella shpirtërore atdhetare si dhe të veprimtarisë së tij proshqiptare.

    Në Rumani punonte si Senator i Senatit Rumun dhe si okulist i Pallatit Mbretëror, Dr. Ibrahim Temo, figurë e rëndësishme, i cili ka punuar në përhapjen e ideve demokratike në perandorinë turke. Nuk ka shoqatë apo parti turke brenda apo jashtë vendit të mos njohë dorën e tij.

    Ai drejtonte dhe gazetën “Albania”, ku shkëlqente penda publicistike e Faik Konicës. Shkruante artikujt kryesorë në këtë media si edhe e financonte atë. Me situatën që u krijua në Shqipëri në vitin 1913, të dy ranë në marrëveshje me Ismail Qemalin, për të rifituar trojet e përvetësuara nga vendet fqinje. Për këtë arsye mbështetur në influencën që kishte në rrethet patriotike dhe shtetërore turke, ai dërgon një nga aktivistët e tij Shan Vila, që të bisedojë me triumviratin që sundonte atëherë në Turqi; Talatin, Enverin dhe Njazin. Atyre u shkruan për qëllimet ekspansive të serbëve dhe grekëve në Ballkan. Serbët kërkonin të krijonin shtetin e madh të Stefan Dushanit, ndërsa grekët pretendonin perandorinë bizantine. Kundër këtyre, propozonte që të krijohej Aleanca Turko- Shqiptaro – Bullgare, shtete këto që kishin dalë me humbje prej Luftës Ballkanike, me kushtin që këto të mos kishin më pretendime mbi Shqipërinë.

    Shan Vila njoftoi se triumvirati turk ishte dakord me planin e Dr. Temos. Kështu filloi zbatimi i këtij plani. Komiteti Shqiptar i Turqisë grumbulloi njerëzit më të aftë dhe më me ndikim, nga krahinat e pushtuara prej grekëve dhe serbëve të cilët do të kalonin nëpër këto vise për të realizuar kryengritjen e përgjithshme. Hipën në një anije nën komandën e prijësit atdhetar Beqir Grebeneja. Pasi mbërritën në Vlorë menjëherë u arrestuan nga forcat e Fuqive të Mëdha. Asnjeri nuk përgjigjej. Hiqeshin sikur ishin turq dhe nuk dinin gjuhë tjetër. Tradhtia mendohet se ishte bërë nga Eqrem dhe Syrja Vlora, dy rivalët e palëkundur në pikëpamje ndaj Ismail Qemalit.

    Ky mision i pakryer dhe ngjarja e pafat u etiketua si komplot, sepse gjoja ata ushtarë turq do të rrëzonin qeverinë dhe do të ftonin përsëri armatat turke të vinin në Shqipëri. Prokurori i asokohe Kristo Floqi e mori në pyetje Ismail Qemalin duke e akuzuar për pjesëmarrës në këtë ngjarje. Kryeministri Ismail Qemali i rrëzoi kështu të gjitha akuzat dhe e përmbylli fjalën e tij në këtë formë:

    “Unë punova tërë jetën për ta sjellë Shqipërinë në këtë ditë dhe tani që e realizova, unë dashkam, sipas jush, ta shkatërroj me duart e mija(?!)”.

    Në procesverbal, tregohet që ai kish pasur takime me Beqir Grebenenë, por vetëm për të mirën e Shqipërisë.

    Fuqitë e Mëdha (të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë), gjetën rastin dhe kërkuan dorëheqjen e Ismail Qemalit. Ai u shtrëngua të largohet nga posti i lartë si Kryetar i Qeverisë së Parë të lirë shqiptare dhe të lërë atdheun. Edhe jashtë ai punoi për Shqipërinë dhe u helmua nga shërbëtorët e Fuqive të Mëdha vetëm pse nuk pranoi të vihej në shërbim të tyre.

    Atdhetari Beqir Grebeneja u rikthye në Turqi. Ai punoi me dashuri dhe besnikëri për Shqipërinë. Shqiptarët dhe Trojet e tyre ai nuk i harroi kurrë.