Detyrimet e prapambetura dhe angazhimi i PPP-ve me vlerë 1 miliard euro, rrezik për stabilitetin fiskal të vendit

749
Sigal

Intensiteti i lartë i përjashtimeve tatimore, komplikimi i ligjeve fiskale, frenimi i rritjes së arkëtimeve buxhetore, rikthimi i detyrimeve të prapambetura dhe angazhimi i PPP-ve me vlerë 1 miliard euro po rrezikojnë ta çojnë në një trajektore të pasigurt afatgjatë stabilitetin fiskal të vendit. Përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke është kundër projektit të qeverisë për taksat dhe PPP-ve: Rreziqet që krijojnë. Ekspertët japin alarmin.

Përjashtimet e reja tatimore

Pak ditë më parë, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, lajmëroi nismën për paketën e re fiskale, që synon të rrisë përjashtimet fiskale në disa sektorë. Ndryshimet synojnë shkallëzimin e normës së tatimit mbi fitimin për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë. Norma e tatimit mbi fitimin zbret nga 15% në 5%, ndërsa për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit do të mbetet ajo që ka qenë. Brenda të njëjtit ligj do të krijohen lehtësi për fermerët e përfshirë në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, ndaj të cilëve tatimi mbi fitimin do të reduktohet në 5% nga 15% që është aktualisht. Më herët këtë vit, qeveria përjashtoi pothuajse nga të gjitha taksat ndërtimin e hoteleve me 5 yje dhe të tjera lehtësi për grupe të caktuara.

Taksat, FMN: Të rritet pragu për TVSH

Politika fiskale shqiptare është bërë e rrëmujshme prej ndryshimeve spontane pa planifikim dhe konsultim. Kohët e fundit, autoritetet shqiptare kanë braktisur edhe këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili jep ekspertizën më profesionale në ligjet e tatimeve dhe taksave. Përfaqësuesi i FMN-së, Jens Reinke, tha se, Fondi e ka këshilluar qeverinë që t’i përqendrojë më mirë përpjekjet për grumbullimin e të ardhurave dhe të thjeshtojë sistemin e taksave. “Për këtë qëllim, pragjet e TVSH dhe të tatimit mbi fitimin duhet të unifikohen. Pragu i TVSH-së duhet të rritet dhe në këtë mënyrë, ndërmarrjet e vogla nuk përfshihen në raportime të detyrueshme. Normat preferenciale të TVSH-së duhet të shfuqizohen dhe përjashtimet nga TVSH-ja duhet të rishikohen. Një sistem taksash më i thjeshtë dhe më i drejtë do të zvogëlojë kostot e pajtueshmërisë të sektorit privat dhe do të lejojë administratën tatimore që të përqendrojë përpjekjet për një eficiencë më të lartë në mbledhjen e të ardhurave”, shtoi ai. Reinke konsideroi me rëndësi cilësinë e shpenzimeve. “Analiza më e mirë, dhënia përparësi dhe zbatimi i projekteve të investimeve publike do të ndihmojnë Shqipërinë të maksimizojë përfitueshmërinë nga investimet. Ne kemi këshilluar qeverinë që të ndalojë të gjitha propozimet e pakërkuara për PPP-të”, shtoi ai.

Arben Malaj thotë se përballë rreziqeve potenciale makroekonomike të ekonomisë shqiptare, një rritje më e lartë ekonomike i zbeh ato. Ndërsa ish-zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu, thotë se, politikat fiskale duhet të synojnë thjeshtimin e sistemit të tatimeve dhe të taksave dhe uljen e barrës tatimore nëpërmjet uljes së normës tatimore. Shehu thotë se duhet të zbatohet një sistem fiskal që nxit formalizmin dhe ul evazionin fiskal. Për këtë duhet të ulet barra tatimore në tërësi dhe sistemi i normave të shkallëzuar të tatimit mbi fitimin të zëvendësohet me një normë unike tatimore. Mbështetja ekzistuese e bizneseve me norma tatimore zero dhe 5% mbi fitimin duhet të zëvendësohet me vendosjen e një minimum fitimi të patatueshëm.