“Dështon” regjistrimi on-line. Amulli, burokraci dhe favore

    441
    Sigal

    Studentët paraqiten pranë sekretarive për të bërë regjistrimin në disa raste

    Aplikimi për herë të parë i regjistrimit on-line po krijon një amulli tek fituesit e shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për në universitetet publike në mbarë vendin. Ashtu siç ishte thënë edhe më parë këtë vit do të ketë ndryshime për regjistrimin e fituesve për në universitete. Regjistrimi për të ndjekur studimet e larta për në universitete do të zhvillohet on-line dhe të rinjtë do të kenë pesë ditë afat duke filluar nga data 18 shtator -23 shtator. Por ndërkohë që, janë lënë dy alternativa dhe kjo krijon më shumë lodhje dhe mundim edhe për studentët. Alternativa e parë është regjistrimi on-line që do të bëhet sipas udhëzimit që është dhënë, ndërsa nëse nuk bëhet alternativa e parë, atëherë do të futet në “lojë” alternativa e dytë që është regjistrimi i studentëve pranë sekretarive të Fakulteteve. Për alternativën e dytë është shprehur qartë ministria në udhëzimin e nxjerrë pak ditë më parë ku  thuhet më saktësisht se: “a)  Kur kandidati nuk arrin të realizojë regjistrimin  on-line,  ai  duhet të  paraqitet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit, ku është shpallur fitues,  nga  data  18 shtator 2012 deri në  datë  23  shtator 2012,  nga ora 08:00,  deri  në  orën  18:00.  Sekretaria mësimore  kryen regjistrimin  on-line të  kandidatit. Në këtë rast,  kandidati  duhet të  paraqesë  një  dokument identifikimi  (kartë  identiteti  ose  pasaportë).  Në  dosjen  e sekretarisë mësimore  mbahet fotokopja  e  dokumentit  të  identifikimit.  Regjistrimi  on-line  i  studentit  nga  sekretaria mësimore  e  fakultetit,  kryhet  sipas  procedurave  të  parashikuara  në  Shtojcën  nr.  2, bashkëlidhur këtij  udhëzimi”. Por sipas burimeve konfidenciale të dhëna  për “Telegraf” regjistrimet që do të bëhen në sekretaritë e fakulteteve më pas do t’i kalojnë ministrisë dhe kjo e fundit do të bëjë më pas regjistrimin e tyre on-line.

    Pengesat dhe përparësitë

    Por nuk dihet përse është bërë regjistrimi on-line në momentin që janë të papërgatitura strukturat përkatëse në momentin që nuk janë kushtet reale për ta realizuar atë? Duhet të dimë që realiteti nuk është i njëjtë dhe nuk janë të tëra zonat njësoj të zhvilluara në Shqipëri. Për këtë arsye, jo të tërë fituesit kanë akses në internet për të bërë regjistrimin on-line. Atëherë duhet të aplikohej vetëm një standard për të bërë regjistrimin, ose të bëhej i tëri on-line dhe të mos kishte vështirësi ose të bëhej i tërë njëherë në sekretaritë e universiteteve. Nga vëzhgimi që ka bërë ditën e djeshme “Telegraf” ka vërejtur që ka pasur që ditën e parë studentë që janë paraqitur në sekretaritë mësimore për të bërë regjistrimet, pasi nuk kanë mundur që të bëjnë regjistrimin on-line.

    Regjistrim i dyfishtë

    Ndërkohë që, edhe ajo pjesë e studentëve që do të arrijnë që të regjistrohen on-line duhet të kalojnë sërish peripeci për të mbajtur radhë nëpër sekretaritë e fakulteteve. Por eliminimi i mbajtjes së radhës nëpër sekretaritë e fakulteteve sërish nuk mund të eliminohet pasi në momentin që studentët janë regjistruar qoftë on-line ose jo duhet të paraqesin dokumentet e tyre pranë këtyre sekretarive pas mbylljes së fazës së regjistrimit. Një gjë e tillë thuhet edhe në udhëzimin e nxjerrë nga ministria për regjistrimin më konkretisht thuhet se: “Sekretaritë mësimore të fakulteteve nga datat 08- 13 Tetor 2012, gjatë  orarit 08:00, deri  në orën 18:00,  të  pranojnë  dokumentacionin  plotësues  për  të gjithë  kandidatët  fitues.  Kandidatët dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues të mëposhtëm:

    a) Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një  prej  dokumenteve;

    b) 2 fotografi ;

    c) Mandat  arkëtimi  i  tarifës  së  regjistrimit  prej  1.600  lekë,  paguar  pranë  zyrave  të  Postës Shqiptare, për llogari të IAL-it publik përkatës. Gjatë kryerjes së  procedurës së dorëzimit  të dokumentacionit plotësues,  sekretaritë mësimore të fakulteteve  mbajnë  regjistër  të  veçantë  me  të  dhënat  mbi  datën  dhe  orën  e  dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve fitues dhe sekretarisë mësimore”. Në këtë udhëzim vërtetohet fakti që ju përmendëm më lart në shkrin që nuk janë eliminuar radhët e pritjes së studentëve nëpër sekretaritë e fakulteteve, por janë shtuar më shumë procedurat me futjen e regjistrimit on-line. Madje, ky lloj regjistrimi mund të quhet një regjistrim i dyfishtë që u aplikua sivjet për herë të parë dhe që më shumë i ka shtuar procedurat sesa i ka lehtësuar ato siç pretendohet në të vërtetë. Më të vërtetë thuhet shpesh që “jemi në epokën e internetit”, por jo të gjithë kanë mundësi që të kenë akses në internet, sidomos në zonat rurale.

    Favoret me programet e dyta të studimit

    Ndërkohë që paralelisht janë lënë edhe rregjistrimet për programe të dyta studimi. Kjo është bërë me qëllim të mbyllen të dyja fazat e rregjistrimit dhe më pas studentët që nuk u rregjistruan as në programin e parë as në programin e dytë të shkojnë në institucionet e arsimit të lartë privat. Kjo është e theksuar edhe në udhëzimin  e ministrit ku thuhet se: “Pranimi  i  kandidatëve  për një  program  të  dytë studimi  do të kryhet  nga  institucionet  publike  të arsimit të  lartë sipas kritereve të  përcaktuara në statutet e  institucioneve dhe rregulloren e  njësisë kryesore  ku  bëhet  regjistrimi  për  një  program  të  dytë studimi.  IAL-të  të  pranojnë  kërkesat  për program  të  dytë studimi  deri  në  datë  24 shtator  2012  dhe  të  dërgojnë  në  MASH  propozimet e tyre  për kuotat për program të dytë studimi, sipas programeve përkatëse të studimit, brenda datës 26 Shtator 2012”.