Dëshira Subashi: Dëmin më të madh në imazhin e drejtësisë e ka bërë vetë politika

478
Dëshira Subashi, si një ish-gjyqtare e Apelit dhe ish-zëvendëskryetarja e KQZ, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke i bërë skanerin e gjendjes së Gjyqësorit sot, por edhe të reformës së re të drejtësisë, që po përgatitet, së pari, konstaton, se qeveria e Rilindjes, edhe pse erdhi me premtime të mëdha për reformimin e drejtësisë, është e vonuar. Sipas zonjës Subashi, dëmin më të madh në imazhin e drejtësisë ia ka bërë vetë politike. Zonja Subashi kritikon drejtpërdrejt edhe Presidentin Nishani, pasi ai nuk duhet të konstatojë dobësitë e Gjyqësorit, por si drejtuesi kryesor i tij, që ka në dorë të drejtpërdrejtë emërimet, përse nuk ka bërë analizën? Zonja Subashi, dëshirën për të bërë një drejtësi të mirë, domethënë, reformimin e sistemit të drejtësisë, nuk e shikon dhe aq te ligji, por te vullnetet politike. Kjo mbetet për t’u parë, thotë zonja Subashi, edhe pasi të miratohet kjo reformë. 
– Zonja Subashi, cili është mendimi juaj për ndryshimet strukturore të Gjyqësorit në reformën në drejtësi, që janë paraqitur nga mazhoranca dhe opozita?

– Tashmë reforma në drejtësi ka hyrë në fazën e rëndësishme të saj. Janë përcaktuar “kolonat” e reformës, të cilat do të kenë peshën e kësaj reforme. Në dijeninë time, ashtu siç edhe me pyesni që në fillim të kësaj interviste, ekspertët kanë propozuar ndryshime legjislative, të cilat kërkojnë ndryshime strukturore në sistemin e drejtësisë. Drejtësia është vënë në shënjestër të politikës dhe të publikut, duke u etiketuar si një sistem që nuk bën drejtësi, si një sistem tërësisht i korruptuar dhe sa herë flitet për drejtësinë në vend, nuk gjen kurrë një vlerësim, veç negativitetit, madje për çështje me ndjeshmëri në publik drejtësia kundërshtohet në atë mënyre, sa kthehet në një gjykim popullor. Këtë mënyrë të të gjykuarit të sistemit të drejtësisë e vlerësoj tepër të dëmshme, si për dëmin që i shkakton besimit të publikut tek drejtësia, ashtu edhe në të drejtat e Njeriut, për të cilat gjithnjë e më shumë, nuk flitet më në Shqipëri. Pardje, dëgjova edhe Presidentin e Republikës, zotin Bujar Nishani, që në auditorët e Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë të pranojë edhe paaftësinë e disa prokurorëve e gjyqtarëve në detyrë??? Në fakt, ndjeva habi dhe pyeta veten? Po Presidenti i Republikës është funksionari i lartë i shtetit, i vetmi që ka kompetencën në emërimin e gjyqtarëve të të gjitha niveleve në Shqipëri, pse nuk paska bërë zgjedhjet e duhura? Për gjyqtarët e gjykatave të rretheve dhe të apeleve, që përbëjnë edhe masën e gjyqësorit, KLD –ja ku Ai është kryetar, ka kompetencën e vlerësimit të punës së gjyqtarit, pse nuk është bërë? Prokurorët janë tërësisht kompetencë e tij për emërimin dhe lirimin e shkarkimit të tyre nga detyra, pse paska sistemi të paaftë??? Sot Presidenti iu bashkua opinionit se duhet reforma në drejtësi dhe në një farë mënyre solli në kujtesë të Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi, se përveç figurës morale të gjyqtarëve duhet të vënë nën ndryshimet ligjore të reformës edhe vlerësimin profesional të funksionarëve në detyrë. Gjyqtarët e prokurorët do të jenë ndjere keq sot, të befasuar nga ky deklarim i Presidentit të Republikës për to, në publik. Unë mendoj dhe besoj se drejtësia duhet të marrë vlerësimin e duhur të punës së saj. Të thuhen dobësitë, edhe problematikat e saj, por edhe puna e saj që meriton vlerësim. Drejtësia kërkon mbështetjen për kurimin e besimit të publikut tek drejtësia. Drejtësia është një nga shtyllat e një shteti dhe meriton vëmendje të veçantë për të qenë në nivel të tillë për të gjykuar me drejtësi të barabartë për të gjithë. Këtë situatë kanë evidentuar ekspertët e Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi dhe në mënyrën për të bërë ndryshimet në këtë sistem, duheshin gjetur rrugë, forma e mënyra. Një nga mënyrat e propozuara janë pikërisht ndryshimet strukturore, në disa pozicione, të cilat kanë të bëjnë me ndryshime në kohështrirjen e pozicioneve të drejtësisë me mandate të përcaktuar në Kushtetutë, e të tjera ndryshime. P.sh. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, një organizëm që mban përgjegjësinë për standardin e drejtësisë në dy shkallë gjykimi për emërimet në drejtësi, për kontrollin dhe vlerësimin e punës së drejtësisë, për strukturën në ngarkesën e punës së gjyqtarit, etj funksione, tregoi se është struktura që është përgjegjëse për gjendjen e gjyqësorit sot, ndaj është në projektin e propozuar nga ekspertët, përveç ndryshimeve strukturore të ndërtimit të këtij mekanizmi edhe ndryshime të ligjit për kuadrin e detyrave funksionale të këtij sektori. Në të njëjtën linjë është menduar edhe për një strukturë tjetër, që është Këshilli i Prokurorisë. Këto ndryshime tashme janë përcaktuar në Komisionin Parlamentar të Reformës në Drejtësi, presin miratimin për ndryshimet Kushtetuese dhe më pas do të kërkohen ndryshime në një sërë ligjesh të organizimit e funksionimit të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.
-Sipas jush, ku qëndron ndryshimi që kanë draftet e secilës palë politike për ndryshimet në Gjyqësor? Cilat janë anët pozitive dhe mangësitë të secilit draft për Gjyqësorin?

– Mendoj se kjo pyetje është herët për të dhënë unë një gjykim. Siç ju thoni në pyetjen tuaj Komisioni Parlamentar i Reformës në Drejtësi ka në përbërjen e tij anëtarë të shumicës Parlamentare dhe opozitës Parlamentare. Duke qenë në fazë fillestare të diskutimit të çështjeve apo drafteve, siç quhen, do të ishte e nxituar komenti për to, sepse është në dorë të ekspertëve për të peshuar ndryshimet në gjyqësor. Çdo koment i imi është një zë i vetëm përballë një grupi ekspertësh dhe do të kisha probabilitet për të gabuar në zgjidhjet më të mira të mundshme, nga njëra anë dhe nga ana tjetër do të paragjykohesha çka mund ta dëmtojë informimin e publikut. Ndoshta duhet pritur një fazë tjetër për t’u shprehur në tërësi për ndryshimet në gjyqësor, që më pyesni.
– Kriza në drejtësi është krizë sistemi, apo krizë ligji?

– Jam shprehur edhe në raste të tjera. Drejtësia nuk është “delja e zeze”- siç thuhet, e këtij vendi. Drejtësia është në standardin e institucioneve të tjera të vendit. E di që mund të gjej kundërshti në këtë gjykim, por kështu mendoj dhe po shpjegohem. Gjyqësori është pjesa fundore, ku mund të gjesh dhe realizosh një të drejtë. Unë nuk besoj të ketë krizë ligji në drejtësi e gjithkund. Unë besoj se është një krizë që ka ardhur në rritje për sigurinë juridike, që prodhojnë institucionet e tjera dhe që pasqyrohen edhe në gjyqësor. Për gjykimin tim, është krizë sistemi gjithfarësh. Kur them për krizë sistemi gjithfarësh, kam parasysh edhe devijimet e mundshme të drejtësisë, që deformojnë emrin drejtësi, por edhe vendime të tjera që kanë të bëjnë me administrimin e kontrollin e drejtësisë; deformimi i sistemit të vlerësimit dhe të karrierës së merituar në drejtësi, e të tjera ndikime që përbëjnë të ashtuquajturën nga unë ” krizë sistemi gjithfarësh”.
– Çfarë arsyetimi mund të na thoni, që kjo reformë e re në Drejtësi do të mund të vendosë drejtësinë, Gjyqësorin në shinat e drejtësisë?

– Besoj se është e vështirë të përcaktosh një apo disa arsyetime që të kemi një përfundim kategorik, që ky ligj, apo ky rregull e vendosi drejtësinë në Shqipëri. Në përgjigjen e pyetjes së mësipërme unë thashë se problemet me drejtësinë nuk janë tërësisht çështje ligjesh. Në të vërtetë, unë mendoj se çështja e drejtësisë së kontestuar, nëse do të kishte të bënte me standarde të munguara të ligjeve, do të ishte fare e thjeshtë të arrihej drejtësia e pranuar. Më shumë se ligjet, drejtësinë për disa vite e konteston vetë politika, duke e akuzuar atë si të vënë në shërbim të saj. Pra unë mendoj se dëmin më të madh në imazhin e drejtësisë e ka bërë vetë politika. I qëllimshëm ky denigrim çoi në humbjen besimit publik për të. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është se në kushtet e një denigrimi të sektorit të drejtësisë, u krijua atmosfera e pasigurisë profesionale të gjyqtarit e prokurorit, gjë që e krijoi tek ta kujdesin për t’u pëlqyer nga politika për shkak të karrierës. Unë besoj tek drejtësia, sepse jo çdo gjë tek drejtësia është e zezë, siç ka kohë që thuhet. Drejtësia vuan vendimmarrjen e pabarabartë. Dikush fiton të drejta nga drejtësia padrejtësisht. Ky dikush, pa diskutim nuk është një subjekt i zakonshëm. As mund të mendohet. Kjo kategori është domosdoshmërisht njëri i pushtetshëm, që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me punën e karrierën e tij/saj profesionale. Dikush tjetër e humbet drejtësinë padrejtësisht, sepse llogaritet nga gjyqtari a prokurori si një kundërshtar politik i pushtetit. Ky është dëmi më i madh që i është bërë drejtësisë, në mendimin tim. Mbështetja politike domosdo të bën të guximshëm edhe me elementë të tjerë negativë, që sërish lidhen me integritetin e punës. Ndaj arsyen më të fortë për të pasur drejtësi të vërtetë e të dëshiruar e gjej jo kryesisht tek ligjet, por tek vullnetet politike për të ndërtuar shtet ligjor, ku politika të bëjë detyrën e saj pa ndikime në drejtësi e gjithkund. Ky vullnet nuk rregullohet me asnjë ligj. Së dyti, reformën në drejtësi e mendoj si një mjet për të ndryshuar një situatë dhe për të rritur integritetin e funksionarëve të drejtësisë. 
– Është pranuar që drejtësia është kështu, se kështu e do politika. Kjo reformë e pretenduar deri më tani, do mund ta bëjë Gjyqësorin, Prokurorinë të pavarur nga politika? Me ndryshimet që pretendohen në strukturën e Gjyqësorit, ju mendoni që çdo gjyqtar do të jetë i pavarur nga politika për karrierën e tij, që paskëtaj, të japë vendime të pandikuar nga politikanët?

– Pyetja juaj ka të bëjë me situatën postreformë. Pyetja ka të bëjë me faktin se reforma në drejtësi më në fund do të bëjë një drejtësi të pavarur në punën e saj, duke përjashtuar ndikimin e politikës mbi gjyqësorin dhe prokurorinë? Sapo shpjegova më sipër gjykimin tim për këtë pyetje. Qëllimet politike unë nuk mund t’i paragjykoj; ristrukturimi që mendohet të bëhet në organet e drejtësisë, që kanë lidhje me karrierën e gjyqtarit, apo të prokurorit është një arsye për të shpresuar, edhe pse mbaj në vetvete rezervë. E thashë, nuk janë mekanizmat, por vullnetet politike, të cilat nuk zgjidhen me ligje. Nuk e teproj, besoj, as nuk e zbeh arsyetimin, nëse sërish do të jap përvojën për këtë çështje. Unë jam një nga viktimat e diskriminimit politik, pikërisht nga administratori i drejtësisë. Ekziston ligji, madje me vlerën e një ligji të fuqishëm, Kodi që votohet me vullnete të shumicës së cilësuar parlamentare, por nuk zbatohet!!!! Hapur fare dhe me arrogancë të paparë nuk kthejnë asnjë përgjigje. Ja, ky është rasti i përdorimit politik të drejtësisë. Ndaj, të shpresojmë që të pushtetshmit të heqin dorë nga keqpërdorimi i ligjeve, që të jenë të qetë në punën e tyre të ngarkuarit me këto detyra, sepse në këtë mënyrë do të krijohet praktika e mirë vetëkorrigjimit të sistemit të drejtësisë, nëpërmjet shkallëve të gjykimit dhe në këtë vetëkorrigjim të dalë në pah edhe aftësia reale profesionale e funksionarit, që kryen këto detyra.
– Sipas jush, çfarë nuk ka parashikuar kjo reformë në gjyqësor, që është e domosdoshme e që duhet sanksionuar në ligj, në mënyrë që Gjyqësori të mundet të kurohet? Në strukturën e tij, në legjislacion?

– Në dijeninë time, sigurisht jo të plotë, kryesisht është synuar në ndryshimet e afateve të mandateve kushtetuese, në rritjen e afateve të funksionarëve në ushtrimin e detyrës. Ky ndryshim në kuptimin parimor është pozitiv, sepse rrit sigurinë e funksionarit për një kohë më të gjatë në detyrë, rrit përvojën në funksion; por nëse keqpërdoret politikisht, kthehet në një sëmundje me dëm të madh për demokracinë e vendit. Janë funksione që gati janë të pamundur të lëvizen gjatë mandatit të tyre, për shkak të sigurisë juridike. Me vend konsideroj edhe ndryshimet strukturore të KLD-së dhe të Këshillit të Prokurorisë. Janë ndryshime të qenësishme të funksionit të tyre dhe besoj me ndikime në administrimin e gjyqësorit. E konsideroj me arsye të fortë ndërhyrjen strukturore për të ndryshuar shumë në drejtësi , ndoshta si e vetmja mënyrë për të bërë një organizim ndryshe në drejtësi, por ritheksoj, se këto ndryshime nuk janë gjithçka që të themi ia hodhëm së keqes që na shqetëson me drejtësinë. 
– Çfarë i mungon kësaj reforme? 

– Recetat janë pa fund, për organizim e kontrollin e drejtësisë. Nuk vuan drejtësia nga një ligj, apo rregullore! Për t’i dhënë jetë kësaj përgjigje, po sjell një shembull. Pyes një koleg anglez për ndryshimet që i bëhen një ligji të caktuar në vendin e tij. Përgjigja e tij më befasoi. Ligji që më pyet – më tha, bën së shpejti 50 vjet që nuk ka asnjë ndryshim dhe vijoi. Në të vërtetë koha ka evoluar dhe ka sjellë nevojën e pasqyrimit të ndryshimeve në ligj. Por në vendin tim – vijoi miku, është krijuar përvoja që me vullnet të mirë praktika të zgjidhë çështjet që dikton koha, duke i bërë interpretimin pozitiv të qëllimit të ligjit. Kjo mënyrë të funksionuari ka zbehur nevojën e ndryshimeve të shpeshta në ligje.
Është pikërisht ky vullnet i munguar tek ne, mendoj, që nuk zëvendësohet me ligje.
– Sa mendoni ju, që kjo reformë është larg dhe jashtë ndikimit të politikës?

– Reformat e mëdha kërkojnë kohë. Duan kohën e nevojshme teknike, por edhe kohën për të menaxhuar vullnetet politike për ta pranuar dhe votuar atë. Kjo po ndodh realisht. Për shkak të këtij besimi të munguar është i angazhuar edhe faktori ndërkombëtar. Grup ekspertësh vendas e ndërkombëtar punojnë për ndryshimet. Draftet për një arsye besimi janë dërguar në Komisionin e Venecias për mendim. Dhe në këtë lloj organizimi padyshim që kemi kohë të humbur, apo kohë më të gjatë deri në vendimmarrjet e duhura për këto ndryshime. Jashtë ndikimit të politikës kjo reformë kurrsesi nuk mund të jetë. Reforma realizohet vetëm nëpërmjet politikës. E rëndësishme është që pas vënies në jetë të politikës dhe ndryshimeve të mundshme në të zgjedhurit, apo emëruarit në funksionet e drejtësisë, të mund të zbehet ndikimi i politikës mbi to. Mbetet për t’u parë. 
– Sa mendoni se kjo reformë është larg?

– Kam besuar në angazhimin politik të mazhorancës, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, që reforma në drejtësi do të ndodhë shumë shpejt dhe se ishte parësore për këtë forcë politike. Zgjedhjet u fituan, por imazhi im, megjithë vlerësimet që jap për kujdesin e treguar për të bindur gjithkënd për nevojën e ndryshimeve të mëdha në drejtësi, ndoshta sot, pas më shumë se dy vite qeverisje, kjo reformë duhet të ishte përmbyllur dhe të ishte faza e implementimit të akteve. Nëse pranojmë se kemi një sistem drejtësie, që nuk bën drejtësi të barabartë për të gjithë, misioni i drejtësisë ky, çdo vonesë prodhon të tjerë viktima të drejtësisë, që duhen konsideruar të diskriminuar. Gjithsesi, më mirë vonë se kurrë – thotë një fjalë e urtë. Uroj që reforma të sjellë një drejtësi të vërtetë, e cila sjell domosdo edhe një qeverisje të mirë!
-Faleminderit!
Sigal